Albspirit

Media/News/Publishing

Vasil Muka: Mukajt dhe Papavangjelajt

BASHO CILIA

 

 

Vasil Stavri Muka, Cilia (1883 – 1972), kështu e thërrisnin, më pas Basho Cilia, ishte simpatik, me fytyrë të rrumbullakët, ezmer, me një nishan të madh, të zi në faqe të djathtë, me gushën që në moshë të thyer i varej dhe e tregonte fisnik, me sy të zinj.

Për origjinën e hershme, prejardhjen e Mukajve ka disa variante: nga Voshtina, nga Suli apo dhe nga fshati Mukje i Krujës, larguar që andej nga luftërat me turkun për të mos ndryshuar fenë. Me aq sa dimë, në bazë të atyre që të parët na kanë treguar, por edhe prej dokumentacionit që disponojmë, i pari i familjes ka qenë Vasil Muka, i cili rreth viteve 1700, pas daljes nga Kalaja, ndërtoi edhe shtëpinë e parë, në lagjen e parë të qytetit, “Pazar i vjetër”.

Vasili, stërgjyshi i Ciles, kishte tre fëmijë, Panajotin, Grigorin dhe Stavron, i cili ishte martuar me Vasiliqinë. Stavroja në rininë e tij emigroi në Turqi, ndërsa në Shqipëri kishte lënë gruan shtatzënë nga lindi Cilia. Panajoti dhe Grigori qenë beqarë. Stavrua në emigrim humbi të gjitha lidhjet me familjen, por Cilia mundi ta gjente.

Vasil Muka, apo siç e njohin gjirokastritët, Cile Muka, ishte djalë i vetëm, e që në moshën 15-vjeçare vendosi të kërkonte e të gjente babanë e vet, të cilin nuk e njihte. Duke qenë se nuk ishin në gjendje të mirë ekonomike, pasi nëna e kishte rritur duke bërë punime dore, emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për 5 vjet me radhë bëri të gjitha llojet e punëve.

Cilia ishte i gjatë, shtatselvi, jo i shëndoshë, kockëfortë. Me të ecur krenare, me kokën lart, nuk pranonte të mbante bastun as kur mosha i kaloi shumë. Vishte gjithmonë kostume të fisme dhe pallto gub, me ca xhepa të thellë si hejbe, që çfarë nuk mbante brenda. Në jelekun prej cope të mirë me xhepa varte qostekun. E ndërronte pallton me një si kapardinë të rëndë e të trashë ngjyrë bezhë të errët, sipas stinës. Kapelën shapkë e mbante pak shtrembër, mbi syrin e djathtë. Zodhuqet (syzet) vonë në pleqëri i përdorte kur bënte llogari e lexonte gazetën.

Gazetën ia lexoja unë, poshtë te shkallët e gurta, shtruar me pllaka guri të zi, lyer nga përpara me bojë të kuqe dhe të zezë, afër kuzhinës e katoqit. Kur i kaloja ndonjë lajm a rresht pa lexuar, tamam si te filmi “Kapedani“, më bërtiste: – Pizeveng, o të të fut një dackë (pëllëmbë). Dhe të gjuante me anën e pasme të dorës, kurrizin.

Edhe pse 89-vjeçar, dhëmbët i kishte të tijtë, të fortë e të bardhë. Paninet para se t’i hante i vinte jashtë në avli, te vazua e luleve mbi pezul, aty te këmbari i lyer me gëlqere të bardhë dhe i linte aty të thaheshin nga era ose dielli. E thante sa të bëhej krokë, kokall, se i bënte mirë për stomakun. Më tregonte Foti, djali i Dianës, motrës sime e Thoma Semit: “Mbaj mend kur isha ne klasë të tretë, Papua më dërgonte te rostiçeri ‘Kurveleshi’ në Qafën e Pazarit për t’i blerë panine me djathë kaçkavall. E mirrte paninen dhe e ngjyente në një gotë me verë të kuqe dhe ashtu të njomur e të ëmbëlsuar nga vera e përtypte. – Është gjaku i Krishtit, – më thoshte”.

Ishin ditët kur shëndeti ngadalë-ngadalë po e linte. Duhanin e pinte të hapur me tabaqello. E pinte aq shumë, sa gishtat e dorës i ishin zverdhur, por nga mushkëritë ishte top. Me sa duket nuk e kapërcente tymin. Dukej sikur engledisej me të. Xhepat e palltove të mëdha, që rrinin varur në korridorin e poshtëm, të thellë ashtu si torva, ishin gjithmonë të mbushur me thërrime duhani. Përdorte eshkën me strall e më pas shpirtot (shkrepëset). Këpucët, me t’i blerë, i priste tek ana, iu bënte vrima se kishte kallo te gishtat dhe e vrisnin. Jajaja i bërtiste: – Sa i bleve, mor burrë, pse i pret, të shikojnë bota e kush e di se ç’thonë. I përgjigjej me qesëndi: – Të thonë ç’të duan, unë i bëj izmet këmbës dhe jo botës. Rroj për vete dhe jo për botë. Çorapet i përdorte lligari në verë dhe të leshta në dimër. Në dimër, kur flinte, përdorte një kapuç të thurur prej leshi ngjyrë gri, se bënte shumë ftohtë në dhomën e tij. Bënin dimra të ashpër atëherë. Përdorte dhe bellevreqe (pantallona pizhamesh) të bardha borë. Vonë në moshë të thyer vuante nga dhjami dhe përdorte një rrip metalik me një si grusht në fund të veshur me copë.

Nuk ankohej kurrë. Nuk njihte ilaçe e doktor edhe pse i kishte miq familjarë doktor Kalivopullin, doktor Zhustin, doktor Vasilin e më të rinjtë, sigurisht, i kishte dhe myshterinj të dyqanit. Herë-herë përdorte dhe borsalinë, sidomos kur dilte jashtë Gjirokastrës ose në sebepe e ditë të mira, në shenjte e liturgji apo festa fetare kur vente në kishë. Papa Fotin e Varoshit e kishte mik për kokë. Nuk ikte Papa Foti në shtëpi pa u kthyer nga Cilia për të kaluar pak kohë.

Pëllëmbën e dorës së majtë nuk e hapte plotësisht, se e kishte prerë në Amerikë kur kishte shkuar në vitet e largëta 1898-1899, në moshën 15-16-vjeçare. Kishte ikur me avullore, me pampor thoshte. Ishin vitet kur shumë shqiptarë ikën në Amerikë. Venin “të gjenin Amerikën”. Mbasdite punonte pjatalarës. Paradite punonte në një marangozi, të nxirrte ndonjë dollar për të vajtur më pas në Anadoll për të gjetur babanë, që punonte furrxhi. E kishte lënë babai të vogël, vetëm me nënën, mama Ngjekon. Në Amerikë, në Çikago, punonte kombinati i drurit dhe sharra, – tregonte Cilia, – e unë ia merrja këngës: “Moj Gjirokastra me vulë, ç’e bëre Shemo hajdunë…”, e sharra mbante iso eeeeee, kur frap sharra më preu dorën, mespërmes pëllëmbën e majtë. Më ra të fikët. Më hipën në karrocën e bashkisë për të më çuar në spital. Karroca gjithë lule e zbukurime. U përmenda dhe fillova të bërtisja: “Daleni, more, se nuk kam vdekur’’. Kujtova se po më çonin në vasilikua (varreza). Ja, shiko, pëllëmbën e dorës nuk e hap dot plotësisht, e kam të qepur. Lloj-lloj punësh bëra në Amerikë, pjatalarës, laja male me pjata, tregonte, ndihmëskamerier etj. Sa bëri ca dollarë dhe u kthye në shtëpi se kishte mamanë vetëm.

Panua, nipi i tij, kujton: “Kur xhonturqit deshën ta merrnin ushtar, në fushën e aeroplanit ishin mbledhur rekrutët, djem të rinj gjirokastritë. U dhanë nga një pushkë dhe po iu mësonin përdorimin e saj. Cilia, duke e pasur dorën të prerë dhe qëllimisht, se sa qe fejuar dhe do martohej, i bënte veprimet të vonuara. Kur e pa komandanti, e pyeti pse vepron ngadalë, Cilia i tha që dora ime nuk është në gjendje të mbajë armën. Kështu shpëtoi dhe nuk e morën ushtar”.

As sot nuk e di se çfarë alfabeti përdorte në të shkruar. Ai shkruante në defterët e dyqanit nga e djathta në të majtë dhe kishte një fjalor që e dinte vetëm ai, diku dhe xhaxhai, Jorgoja, i vetmi që ia kuptonte. Çudi, edhe pse dinte disa gjuhë të huaja, ai kish ndërtuar hieroglifet e tij, që nuk i deshifronte askush. Shkruante në fletore të mëdha me kuti, sipas datave që i ndante me një vijë në fund. Kishte emrat e tregtisë, furnizimet, emrat e borxhlinjve, meqenëse nuk kishte qejf të jepte borxhe,

– i jep me dorë dhe i mbledh me këmbë, – thoshte, llogaritë e dyqanit, shpezat e shtëpisë, gjithçka aty e gjeje. Katërshoret (fletoret katrore), siç u thoshte, i mbante të mbyllura në një çekmexhe, arkë e vogël druri e gdhendur, si sënduk i mbyllur me çelës. Çekmexhenë e mbante ndënë krevatin e tij.

Ishte punëtor i palodhur dhe i papërtuar deri në ditët e fundit të jetës. Organizonte punët në shtëpi për përgatitjen e qofteve, urles etj. Do interesohej për fushat e tokat e mbjella me jonxhë e hasëlle, për Balikën, lopën e familjes, do interesohej për furnizimet me pije, raki e verë, do bënte uthullën me nam të Cile Mukës, do organizonte punët në dyqan. Kudo ishte ai, i kudogjendur me një fjalë e shikim, me një shenjë a nojmë. Nuk u ndahej dhe punëve në kopsht. Mbillte selino, majdanoz, çelepujkë, kopro, speca djegës të gjatë dhe të rrumbullakët. Specialitet qenë domatet italiane, farën e të cilave e kishte sjellë vetë nga Italia.

Në kohën e Italisë te rostiçeri “Bella Venezia” zuri miqësi me një ushtar italian, Marion, klient i rregullt, i cili i rekomandoi të merrte verë në Itali në familjen e tij. U nis e vajti, krahas verës mori dhe farë domateje italiane, pak gjatushe si një kokërr vezë, me tul dhe fara, e ëmbël mjaltë. Prodhonte shumë, si verige rrushi mbushej në disa kate plot dhe duronte shumë. E përdorte për të shoqëruar qoftet e mezet në dyqan. Qe çuditur, italianët të zotë e punëtorë si ata, i mbillnin domatet dhe perimet e tjera në tarracat e shtëpive. E shpërndau këtë farë në gjithë Gjirokastrën, bile deri në Tiranë nëpër miq e të njohur. Farat për riprodhim i merrte gjithnjë nga katet e para. I mbillte si dhe specat në ca vazo a kuti teneqeje, për farishte. Në kohë të ftohtë i mbante të mbuluara me xham. I mbillte në mënyrë të tillë që midis rreshtave krijohej një si govatë pas prashitjeve, që u mbushej rrënja me dhé, aty vente uji, i cili, pasi mbushej e para, vetvetiu kalonte te rreshti i dytë e me radhë. Gjethet e poshtme i priste, që të marrin erë, thoshte. U bënte hyzmet rrushit e pemëve frutore. Thërriste Meto Muçon për krasitje, i kishte miq si shumë të tjerë Muçajt.

Vinte xha Metua bënte mbola se ishte specialist e i ziheshin të gjitha. Mbolasi dardhën në fund të koshtit, fiqtë. Sillte gërshërën e gjatë me një shkop e litar, që priste degët e larta e më pas krasiste hardhitë. Pastaj më mësonte mua si e kë të prisja. Rrinte në karrekëll (karrige) dhe më thoshte: Prit këtë, apo prit atë dhe më mësonte sepse duheshin prerë këta lastarë. Razakinë (rrushin tajgë) e kishte qejf, por dhe sheshin e bardhë. Razakia e do lastarin e gjatë, thoshte, ndërsa sheshi i bardhë, të shkurtër. Kishte mbjellë dhe rrushin e centralit, rrush që kishte ardhur nga Italia dhe ishte tërbuar rreth centralit elektrik të SESA-s, ku punonte Nakua, djali i tij, si përgjegjës. Centrali duronte dhe nuk kishte nevojë për ilaçe. Bënte esencë plehu, merrte gociletë e pulave, se dhe pula mbanin, i hidhte në një fuçi të madhe me ujë e pasi i linte për një kohë të gjatë, të shuhen, thoshte, se na djegin gjërat, më pas ua hidhte afër rrënjëve. Bëheshin zarzavatet e erëzat për merak.

Kur u plak, mbaj mend nuk iu nda koshtit. Fuqitë po e linin. Ulej në një fron druri jeshil, merrte belin me teh katror, goxha i rëndë dhe ashtu i ulur gërmonte e bënte qilizmë Me një hanxhar të gjatë, të vjetër, godiste dheun që e kishte ngritur lart nga thellësia 30-40 cm, e thërrmonte sikur priste qepët e kur bënte zhurmë ndonjë gur, e hiqte mënjanë. Më thërriste gjithmonë të punoja me të kur kthehesha nga shkolla, e unë nuk i kundërshtoja, përkundrazi ndieja kënaqësi të punoja afër tij. Më mësoi shumë gjëra jetësore. Në dimër i mbulonte erëzat me plastmase në formë sere, pasi në koshtin tonë bënte shumë ftohtë, vetëm në mesditë e zinte dielli. Në fund të koshtit kishim gropën ku hidhte gjethet e pemëve e hirin e sobës që të kalbeshin e të bëheshin pleh. Në pjesën e sipërme të koshtit derdheshin ujërat e llagëmit të banjës, aty afër, tërbohej e harlisej kumbulla dhamashqino, kokërrmadhe, e cila zverdhonte gjithë lëng kur piqej mirë. Më vinte të mblidhja me lopatë pjesën e thatë të plehut, e mbulonim me dhé dhe e përdornim vitin tjetër. Cilia kishte tre djem dhe tri vajza. Nakon (Janin), Fotininë, Elenin, Jorgon, Katinën dhe Stavron. Në vitin 1940 ra rrufeja. Fëmijët flinin të gjithë te pati i Spiros. Kaloi rrufeja nga penxherja e dhomës së Jorgos lart dhe zbriti poshtë. Dogji rrufeja trarin e tavanit, përshkoi gjithë fëmijët që ishin në gjumë dhe vrau më të voglin,

Stavron, lindur më 1924, vetëm 16 vjeç, emrin e të cilit e mban sot stërnipi i Ciles, djali im.

Në varrezat e qytetit, në krahun e majtë, kur zbret rreth njëqind metra, gati afër murit rrethues, prehen së bashku djali me babanë dhe nënën. Ashtu i takonte, pasi atij iu pre jeta në mes e nuk mundi të ndërtonte familje. Mungon një foto e tij, sa keq! Ishin kohë të vështira.

Në vitet 2003-2005, Panua dhe Gori, djali i xhaxhait, që banojnë tashmë në këtë shtëpi, e rikonstruktuan çatinë. Panua e rikonstruktoi pothuajse të gjithën, sigurisht, pa ngacmuar themelet që qenë të forta. Ishte lodhur nga koha shtëpia, drobitur dhe çarë vende-vende muri i odasë që binte nga lindja, nga stuhitë e kohës. Shpenzoi shumë Panua, pasi i gjithë materiali i ndërtimit mbarej me mushka dhe me krahë që nga Kalaja. Është ruajtur pak a shumë struktura, porta e madhe me hark guri, ndërsa avlija ka ndryshuar diçka dhe u organizua në dy hyrje të mira. Një për Janin dhe një për Panon. Me ngrohje qendrore, sigurisht me dyshemera të reja druri dhe me çati tjegullash ngjyrë të errët, për të lehtësuar peshën. Ama iku madhështia e avlisë, shkallës së madhe me gur të zi e forma drejtkëndëshe. Por nga para, nga veriu, duket përsëri madhështore, si një vapor i madh, i bardhë, krenar, përsëri me rrufepritësen mbi krye si direk vapori.

Diku nga viti 1960 ra zjarr i madh në lagje. Oficeri Dine Shehu, i shoqi i Parashqevisë, Kryetares së Gruas së Rrethit, la bishtin e cigares, thonë, te sergjeni i radios dhe e zuri gjumi. Shtëpia e Pilo Docos – Moskos, ku ai banonte si qiraxhi, sa hap e mbyll sytë u përfshi nga flakët, mbi të, shtëpitë e Litajve nuk shpëtuan dot se era frynte nga jugu, qe vapë e madhe, iku dhe ajo. Mbi të, e treta në radhë, shtëpia e Muin Bozgos u shkërmoq dhe ajo nga flakët e zjarrit. Më pas dhe shtëpitë e Malikajve. Katër shtëpi të mëdha e të moçme u fshinë në një orë. Zjarrin e ndihmonte era, pastaj tavanet e vjetra me dru, dyshemetë me dhoga, shkallët po ashtu, musandaratë e tataposhet, petavrat e çatisë gjithashtu, ndarjet me çatma, harvadhina të vjetra. Trenjtë e çatisë si pyll. U shkul ushtria e policia për ndihmë, po nga t’ia mbanin më përpara. Zjarrfikëset nuk futeshin dot në lagje nga rrugët e ngushta, hidrantet, një që ishte te shtëpia e Ruzhdi Llurit dhe një tjetër ndënë shtëpinë e Muinit, mezi punonin. Të pahapura kurrë. Flakët si përbindësha. Tym i zi deri lart në qiell. Zhurmë e katrahurë e padëgjuar nga rënia e çative dhe mureve prej guri. Nga llahtara që panë kur ra zjarri e u dogjën katër shtëpi me radhë, çatia e Mukajve, vetëm 4-5 metra larg asaj të Malikajve të përfshirë nga flakët, u mbulua me velenxa dhe qilima të leshtë, që lageshin vazhdimisht, që të mos futeshin shkëndijat në tavane nga harallëqet e dërrasave. Shtëpitë e Gjirokastrës të mbuluara me dërrasa guri nuk marrin flakë nga lart, por u futen shkëndijat nga harallëqet midis dërrasave ose nga sprethet prej druri. Shpëtoi shtëpia. Rrëmujë, nxirreshin plaçkat, i çonin tek oborri i mitropolisë, te sterra, te koshti i Lilajve. Shumë njerëz, policë, ushtarë, zallamahi, zhurmë e frikë, ca venin e ca vinin.

Isha vetëm 5-6 vjeç. Mbaj mend që shikoja nga dritarja me hekura në dhomën e gjumit, mbi shkallën e madhe, njerëzit që venin e vinin dhe qaja i lebetitur. Më kishin harruar atje. Mbaj mend që një oficer i bërtiti mamasë,- merre djalin e çoje te Lilajt. Kështu bëri, por mua nuk më hiqet nga mendja çasti i llahtarës e frikës. Isha fëmijë. Papua e bëri për një lek mamanë e shkretë, i bërtiti: “Kafpe (zagare), e le djalin se kishe hallin e plaçkave”.

Nga kjo histori që u bëri gjëmën katër shtëpive si kështjella të mëdha, Cilia, tërë jetën më pas, dy orë para se të flinin, do të shuante sobën dhe dritat dhe rrinte zgjuar në errësirë, se mos kishte rënë ndonjë shkëndijë e digjeshin si te Pilo Docua. Nuk e linte Jorgon, që vinte i lodhur nga dyqani, në orët e vona të ndizte cigaren. Vetë kishte dy orë që nuk e ndizte. Trembej, se pati i madh ku rrinim qe i shtruar me dysheme druri e mbi të kishte një linoleum ngjyrë kafe. Minderet qenë si në atë kohë me dru e me dyshekë kashte, bile dhe jastëqet mbështetëse me kashtë apo lëvozhga kallamboqi qenë. Gjithçka gati për zjarr.

Qenë dimra të fortë e të ftohtë, nxirrnim dhe prushe në mangall, se ulërinte era e Tepelenës e gjëmonte shtëpia. Dridheshim kur duhej të shkonim nga hauri për të marrë ndonjë gjë, se plevitoseshim, ba-ba-ba na kërcisnin dhëmbët e na bëhej mishi koqe-koqe. Era gjëmonte hyyyu-vuhyu-hyuuu-vu. Kur u rrezikua shtëpia, Cilia thoshte: – Shpëtoni fëmijët se shtëpinë e kam të siguruar. Qe i veçantë. Në atë kohë siguronte gjithçka. Edhe depon afër Qatos, edhe shtëpinë, edhe hauret e barit, madje edhe lopën, Balikën e kishte siguruar. Paguante rregullisht siguracionet. Kulturë kapitalisti. Kulturë perëndimore.

Cilia kishte ngritur prej vitesh biznesin e tij në fushën e gastronomisë, biznes që daton nga vitet 1910- 1915. Fillimisht kishte një rostiçeri, kafene te Sheshi i Çerçizit, që më pas u quajt “Bella Venezia” dhe pas 1964-’65-s lëvizi në disa ambiente. Përveçse shërbente si rostiçeri, shërbente dhe si restorant e kafene. Ndërkohë tregtonte dhe verë e raki, e më pas dhe uthull shumë të mirë. Iu kishte ecur mirë biznesi, sidomos në kohën e manifakturës, tregtisë me Italinë dhe me Greqinë. Bënte tregti e furnizohej edhe nga Janina e Korfuzi. Bashkëpunoi me dhëndrin Gore Xhillari dhe e trashëgoi zanatin dhe emrin e mirë te Jorgua, djali i vogël.

Në vitet ‘60-’70, Cilia, si i moshuar, ikte më parë nga dyqani, lodhej gjithë ditën në këmbë, ndërsa Jorgua vinte në shtëpi nga ora 11:30-12:00 e natës. I lodhur dhe i rraskapitur, helbete dhe ndonjë gotë e kishte hedhur, se qe gjithë dita në këmbë e në shërbim. Nxirrte Jorgua nga xhepat lekët e xhiros së ditës të mbledhura shuk. I numëronte Cilia, pasi ai qe administrator e pronar.

Kishte intuitën e një tregtari me përvojë. Nuk i dilnin hesapet dhe i thoshte Jorgos: – Hidh, hidh, – se e dinte Cilia llogarinë me intuitë, sa qofte, sa salcë kosi, sa raki e verë u shitën, duhen kaq lekë. Ama asnjëherë nuk u dëgjuan të bënin fjalë. Jorgua nuk e kundërshtonte kurrë, kruhej e nxirrte lekët e tjerë. Mundohej të hiqte ndonjë lek mënjanë, për të na i dhënë neve fëmijëve apo grave të nesërmen, për të blerë diçka. Çudi, ai gëzonte respekt, dashuri e mirënjohje nga të gjithë. Kurrë nuk i bëhej fjala dysh Papos, por dhe ai nuk kërkonte qiqra në hell. Ishte shumë tokësor e pragmatist, me nuhatje biznesmeni e tregtari. Drejtues e udhëheqës i përsosur i familjes së madhe.

Marrë nga monografia e Vasil Mukës “Mukajt dhe Papavangjelajt”.

Vasil Muka: Mukajt dhe Papavangjelajt

Please follow and like us: