Albspirit

Media/News/Publishing

Vasil Muka: Mukajt dhe Papavangjelajt

QENDRO (ANDREA) ATHANAS PAPAVANGJELI

 

Ishte djali i vogël i Athanasit. Lindi në Gjirokastër në vitin 1897 e vdiq në burg më 1949. Qendrua ishte martuar me Aristullë Zografon, 1905-1973, me baba Viton dhe nënë Zogën, nga fisi me emër dhe nam nga Qestorati i Lunxhërisë, patriotë e të zgjuar si ata. Ishin nipër të Koto Hoxhit nga mamaja dhe të Kristaq Zografos nga babai, bamirësi që ndërtoi shkollën e parë në Qestorat. Lindën tre fëmijë, Figalinë, 1925-1991, Sofokliun, 1929- 1979, Katerinën (Ketin) në vitin 1942.

Sofoja, i ve, pa fëmijë, i pamartuar për së dyti, emigruar në Amerikë, ku dhe vdiq. Figalia, martuar me Jorgo Çurrin nga Derviciani, vdekur në Amerikë. Ndërsa Keti u martua me Mihallaq Papën nga Vlora, edhe ky nga familje me prona e pasuri.

Ketin, të vetmen pinjolle gjallë, sa herë e kam takuar me lot në sy e kam parë. Ishte e bukur e simpatike, me flokë e sy të zinj. Kishte një zë karakteristik, si pak të ngjirur, a thua koha e jeta e përvuajtur i kish ndryshuar dhe timbrin e zërit. Fliste qetë, shtruar e me ngadalë si vetë jeta e saj. Në Vlorë vinte shpesh te thica Niqi kur venim me mamanë. Çmalleshin, ishin një gjak, por i shprishur. Unë i vogël e shikoja e kuptoja se diçka të përvuajtur e të dhimbshme kishte kjo grua. Diçka që e hante përbrenda. Sigurisht. E përfytyroj dhe nga tregimet e mamasë; një vajzë e vogël, kërthi, vetëm 5-6 vjeçe, me baba të arrestuar e shpallur armik, të burgosur, të torturuar e të vdekur në burg. Kish lënë në shtëpinë e fëminisë lodrat e kujtimet, kukullat. E tani i duhej të banonte në lagjen tonë, sa te Koço Sevua sa te Gori Xhillari, vetëm me mamanë. Vëllai e motra e lanë njëvjeçare kur ikën në Greqi. Vetëm me mamanë, Aristullën heroike.

E përfytyroj kur shkonin në burg për të takuar babanë. Çfarë urrejtje e djallëzi, lugatëri e limaksi, ligësi e cinizëm kishin ata policë e hetues. Si mund të jetonte i miri, babai i saj në ato kushte, ai aristokrati, kapitalisti mendjendritur e i pasur? Imagjinoni një fëmijë të mitur që shikon babanë e vet me pranga në duar, të shpërfytyruar, dobësuar e kërrusur në pak kohë. Ajo nuk kuptonte çfarë ndodhte, por e dinte mirë se babai po vuante shumë. E shikonte në sytë e mamasë, në psherëtimat e saj. Dhe i bënte pyetje mendjes së saj të vogël, e cila nuk dinte t’i përgjigjej. Çfarë të keqe ka bërë babai? Ai ishte shumë i mirë, babaxhan. Ai e donte shumë dhe e mbulonte me përkëdheli edhe me ato që nuk mund t‘ua jepte dy fëmijëve të tjerë. Po kur vdiq babai, si i thanë? Pse nuk e lanë ta shikonte e ta varroste? Pse nuk shkonte në varreza, t’i çonte një tufë lule? Pse atë dhe mamanë dikush në qytet i shikonte vëngër e me përçmim? Ç’kishin bërë? Pse dajo Nikua vinte rrallë nga fshati për t’i takuar? Pse nuk venin në fshatin e mamasë, në Qestorat e të këpuste frutat me dorën e saj? Ç’u bë me dyqanet e fabrikën ku e çonte babai edhe pse e vogël? Po kushërinjtë ku janë e pse i takojmë rrallë? Këto e sa pyetje e dilema e kanë shoqëruar jo vetëm të vogël, fëmijë, por edhe në adoleshencë.

Gjithsesi, koha u mundua të vejë pak melhem në këtë plagë të pambyllur të jetës së saj. Erdhi dita e u martua. Lindën tre fëmijë si pëllumba, Eduartin, Lenicën e Arjanin. Lenica arkitekte e zonja e Arjani administrator i një zyre imobiliare. Jetojnë në Vlorë. Mihallaqi ishte i zoti e punëtor, punonte shef finance në fermë. Ishte i bukur e simpatik. Burrë i mençëm dhe hokatar. Të qeshur e mbaj mend gjithë jetën atë njeri. Me sa dukej mundohej t’i kompensonte nuses së tij, Ketit të vuajtur, diçka nga hidhërimi i jetës së saj. Edhe ai vinte nga një familje e shpronësuar, aristokrate. Takoheshim shpesh në Vlorë. Më pëlqente ai njeri, veçanërisht mbaj mend se kënaqeshin me babanë dhe Thoma Semin kur diskutonin për probleme profesionale. Vdiq herët i miri Mihallaq, një gotë helmi përsëri për Ketin. Krushqinë me Ketin, më shkruan Lenica, e kishte bërë mama Çevua

Kalvari i vuajtjeve e pësimeve vazhdoi deri vonë. Ja çfarë më shkruan Lenica: ‘‘Elenit, vajzës së Ketit, mezi i doli e drejta e studimit. Ajo, jo vetëm që nuk ndjeu përkëdheljen dhe dashurinë e Gjysh Qendros, por dhe u persekutua nga sistemi. Nuk i dilte e drejta e studimit edhe pse me rezultate të larta, pasi e trajtonin me gjyshin e vdekur në burg si armik të popullit, ndërkohë që jo vetëm nuk përfitoi gjë nga gjyshi, por vetëm u persekutua. U desh ndërhyrja e z. S. Tozaj, i cili, me respektin që kishte për Mihallaqin, babanë tim, si kuadro i mirë i qytetit dhe njeri i respektuar e i nderuar, ndërhyri për të më dalë e drejta e studimit pas katër vitesh, kur shokët e shoqet bashkëmoshatarë e kishin mbaruar shkollën e lartë. Pra, dhe e drejta e arsimimit na mohohej”.

Lenica vazhdon se te Pinellopi Papavangjeli, që ishte martuar me Petro Zografon në Tiranë, kur isha studente, shkoja shpesh me Ketin e Mihallaqin.

Keti, sa herë vinte në Gjirokastër, në moshë madhore, për sebepe, sigurisht, do të hapte problemet e pronave, veçanërisht pas 1990-s. Pyeste e interesohej, por asnjëherë nuk mori nga unë e Panua një përgjigje që ta kënaqte. Me të drejtë. Ajo mezi priti të rrëzohej regjimi komunist, për çka babai u mundua e u sakrifikua. E akoma asgjë. Gjyqe të mallkuara e vetëm gjyqe. Andaj Panua vendosi dhe gjithë dokumentacionin e prokurat përkatëse ia dorëzoi Arjanit, djalit të Ketit. Ai kishte një përvojë të mirë nga pronat e babait që i kishin marrë dhe ai ishte djali i Ketit, nga trashëgimtaret më të afërta të të parëve tanë. Një nderim e pak sadisfaksion për Ketin, tashmë e moshuar nga koha dhe e lodhur nga vitet.

Taqi Qurku më tregon se në shtëpinë e tyre kishin strehuar tri sepete me rroba nga të Aristullës. I mbanim në qilar se mos i shihte njeri e na thoshte mamaja: – Mos i ngisni se janë të Aristullës së shkretë. Ishin fustane e funde, bluza e këmishë, xhaketa e rroba fëmijësh, të palosura e paketuara për merak, të mbështjella me garza të bardha si të pajës. Pajëzeza, që u tremeqis e shkatërrua, u shpërnda e humbi viteve të kohës.

Po Aristulla, kjo grua zonjë e hekurt, nga derë e shtëpi me emër, burrneshë, që hodhi tutje halle e sakrifica e vetme. E njoha nga afër. Një grua e mençur, gjithë nur në rininë e saj, veshur me të zeza tërë kohës. Çfarë zemre ka pasur kjo nënë e grua?

Dy fëmijët, Figalia e Sofua, ikën të vegjël në Greqi e tashmë të rritur jetonin në Amerikë. Meraku për Sofon e hante përbrenda. Ndryshe Figalia, që ishte martuar në Çurraj të Dervicianit, kishte dhe fëmijë e gëzonte dhe u vinte melhem plagëve, edhe pse s’i kish parë e takuar kurrë. Nuk kish mundur t’u jepte nipërve përqafime e puthje, aromën e gjyshes. T’u jepte të paktën një zariko. Po ç’është kështu kjo jetë e shuar, që u bë ferr për mua, mendonte. Lavdi Zotit, të jenë mirë kudo që të jenë.

Më shkruan Lenica, sipas të thënave të Ketit: “Sofoja kishte emigruar në Greqi, larguar në vitin 1943 nga Shqipëria së bashku me motrën e tij, Figalinë, djalin e xhaxhit Telo, Ifin, Aretinë, Kristaqin, shoqëruar nga baballarët e tyre Qendro e Gaqe Papavangjeli. Me mbylljen e kufijve të gjithë ngelën në dhe të huaj në Janinë. Qendrua u kthye në Shqipëri pasi kishte lënë gruan e tij Aristullën dhe Ketin. Sofokliu u shkollua në Janinë në Zosimea, ku dhe u diplomua, më pas shkoi në Amerikë, pranë motrës, Figalisë, që ishte martuar në fisin Çurri nga Derviciani, e cila ka lënë dy djem, Manthon e Andrean, të cilët janë martuar, janë me fëmijë dhe jetojnë aktualisht në Amerikë.”

Ajo, Aristulla, kish ngelur këtu të mbante në kurriz vuajtje e hidhërime, vdekje e ndarje, përçmime e shkatërrime. Burrëziu dergjej e kalbej në burg dhe të vdekur s’e lanë ta shikonte e ta përcillte për në banesën e fundit. Pasuri, laçkë e plaçkë ikën e vanë në duar të botës. Shikonte gushat e duart e trasha të zonjave, grave të sigurimit e të pushtetit, që kapardiseshin me zbukurimet e bizhuteritë e saj e psherëtinte nën zë. Po jetën, si dhe me kë do ta kalonte? Shpesh vajza, Keti, zgjohej natën në kllapi e kërkonte vëlla e motër, babanë. Si ta reshtte e pushonte? S’qe një ditë e dy, qe një jetë e tërë. Nga t’ia mbante, njëri vëlla ikur në Greqi, tjetri në fshat shtynte ditët në heshtje e në njëfarë vetëfshehtësie. Të kthehej në fshat, kush e linte. Të ikte nga Gjirokastra, se nga pronat e pasuritë, shtëpia e nusërisë e kishin dëbuar katilët e kuq. Motra tjetër, Aleksandra, qe martuar në Llongo e të veje atje duhej leje nga Dega e Punëve të Brendshme, se qe zonë kufitare. Çoku vente te vajza e saj, Julia, martuar te Zoko, që banonin në Pllakë. Me Jani Zokon, djalin e Julisë, sot piktor në Greqi, ishim në një klasë në tetëvjeçare e çoç dija se kishim të bënim, si shumë lidhje e krushqi tonat, por asgjë nuk kisha të qartë.

Ashtu e heshtur, me të zeza, me shaminë e zezë në kokë, me një boshta në dorë e mbaj mend kur ngjitej përpjetë lukuramës së kishës për te ne. Nuk guxonte të kalonte në rrugën e madhe, por në rrugica e thiropulla, mos e shihnin e u prishte punë të njohurve ku shkonte. Ajo e ndiente, e kuptonte mirë se kalecët e sigurimit e ndiqnin si hije e mafie nga pas e dinin çdo lëvizje të saj. Sa herë e kishin thirrur në zyrat e sigurimit, të operativëve e spiunëve. Sa presione e shantazhe iu bënë asaj gruaje të hekurt. Mamaja e donte shumë e ngashërehej në lot kur ajo, ashtu e heshtur dhe e vuajtur, ikte nga ne pas vizitave të shpejta e të pakta. Çfarë thoshin e diskutonin? Si mund t‘i ndihmoje në ato kohë të mbrapshta e të vështira për të gjithë. Secili mundohej të fshihte e të linte në harresë të kaluarën, mundohej të krijonte një jetë të re nën egërsinë e hienave e hafijeve komuniste. Papua e vlerësonte dhe e respektonte stoicizmin e qëndresën e saj.

Nuk di si e rriti Ketin dhe e martoi e trashëgoi. Një shkëndijëz në jetën e saj. Ashtu e plakur para kohe nga hallet i shtyu vitet e fundit në Vlorë te Keti, ku gëzonte nipin e mbesën. I mbushej pak shpirti me gëzim e shpresë për jetën. Vinte herë pas here te thica Niqi, sidomos kur qe e sëmurë dhe qe shpesh, për t’u vizituar nga thio Mihali. Ai, ashtu optimist për jetën, i jepte shtysë e besim, kurajë e fuqi. Ajo e ndiente dorën e fjalën e ngrohtë të tij e të thicës e mundohej të buzëqeshte në shenjë mirënjohjeje.

Si në filma me duket shpesh jeta e kësaj familjeje të copëtuar e sakatepsur. Një grua dhe një vajzë, nën gjenocid, dhunë e përndjekje, një jetë të tërë. Heroina e mbi to, gati shenjtore, në një jetë mizerje, të pabesë e të paprincip. Sekuestrim i pakuptimtë e përndjekje. Me mushka, – thotë Keti, – i morën floritë nga shtëpia, siç i tregonte mamaja. Ndoshta do të ishte më mirë t’i kishin internuar larg Gjirokastrës, larg njerëzve që i njihnin. Larg shtëpisë, pronave e hafijeve. Por ndoshta jo, më mirë të vuanin pak, por të kishin afër ca njerëz këtu, edhe pse dhe ata të trembur e sakatuar.

Ahhh, moj thica Aristullë, sa nderim e respekt, mirënjohje e venerim meriton nga ne. Shpirti t’u prehtë në parajsë, së bashku me të dashurit e tu e të kalosh në paqe të amshuar, që të mungoi sa ishe gjallë.

Aristullës dhe Ketit iu desh të vuajnë e të durojnë gjithë persekutimin dhe përbuzjen e sistemit komunist, pasi burri dhe babai i tyre, Qendroja, siç shkruam më lart, shquhej si intelektual dhe menaxher i mirë i pasurive të fabrikës e dyqaneve. Por regjimi komunist e arrestoi si armik të popullit, pasanik e shfrytëzues të popullit. Jo vetëm kaq, por ai do të paguante në këtë anë dhe për “arratisjen” e vëllait të tij, Gaqes, në Greqi me një djalë dhe një vajzë.

Ai do të akuzohej dhe arrestohej si bashkëpunëtor dhe mbështetës i Grupit të Intelektualëve, anëtar i komitetit për Gjirokastrën. Njëherazi ai u akuzua se gjoja fisi i gruas të tij vinte nga fisi i gjeneralit grek Zografo. Me qëllim ngatërrohej nga komunistët, si shkak për ta arrestuar.

Qendro Papavangjelit, pasi u arrestua, iu bë sekuestrim i gjithë pasurisë. Akuza të ndryshme dhe të pabaza, hetuesi e vështirë psikologjike dhe fizike, futur në fuçi me ujë të ftohtë deri në grykë, deri sa më 1949 vdiq në burgun e Gjirokastrës nga torturat. Kalvari i Aristullës dhe vajzës, Ketit, nuk kishte të sosur, pa shtëpi e katandi, rrugëve.

Diana më tregon se: “Kur na lajmëruan se vdiq Qendrua në spital, kemi qëndruar me mamanë te dritarja e patit të Spiros deri sa e pamë. Spitali ishte karshi shtëpisë sonë. Isha pesë vjeç. Një polic dhe dy hamej, që mbartnin një si tezgë, u varën më të poshtë ish-spitalit në Hazmurat, mbi Malilajt. E çuan me sa duket në varrezat e kishës së Varoshit. Pas mbylljes së kishave më 1967, varrezat u shkatërruan me buldozer, se u bë fusha e basketbollit. I lajmëruan t’i merrnin eshtrat. Kush guxonte. Të rifillonte përsëri kalvari. Ishte kohë revolucionare. Timolea, me sa di, i guximshëm, i mori dhe i çoi në varrezat e qytetit. Sa herë i kemi kërkuar, por nuk ka asnjë shënim e gjurmë të varrit të tij”.

Në bisedë me Ketin, tashmë tetëdhjetëvjeçare, e vetmja trashëgimtare gjallë e brezit të katërt, nëpërmjet Lenicës mësova se Aristulla kishte bërë 21 ditë burg e hetuesi të vështirë në kohën e arrestimit të burrit. Në prani të tij, aty në hetuesi, Açulës, siç i thërrisnin nipërit, i kërkuan të hiqte nga qafa e të dorëzonte një varëse të mirë e të shtrenjtë floriri, ajo nuk pranoi e Qendrua i tha: “Hiqe dhe jepua”, e dinte që nuk kishte nga t’ia mbante me ata shpirtqenër.

Me zë si të ngjerur e të mekur nga dhimbja e ngashërimi dëgjoja zërin e Ketit përmes telefonit: – Vaso, faleminderit për atë që po bën për emrin e nderin e të parëve, por mos harro se babai tim i mirë vuajti më shumë nga të gjithë, po ashtu dhe mamaja. Mbaj mend se me mushkë e morën floririn nga shtëpia jonë.” Sigurisht, derisa te Vila në Varosh kishin shkulur pllakat e kishin rrëmbyer floririn, ashtu do kenë bërë dhe në shtëpinë e Qendros. Në një procesverbal këto ditë lexova që nga shtëpia e Varoshit kishin sekuestruar e marrë 5 kuintalë bakër.

Nuk e kuptoj pse kaq shumë bakër në shtëpi. Keti vazhdon: ‘‘Mbaj mend se babai në fillimet e punës në fabrikën e Vlorës nga djemtë e xhaxhait të tij, i ndihmoi shumë në ngritjen e konsolidimin e saj. Ai ishte një menaxher i mirë. Ishte i shkolluar në Zosimea”.

Kunatin e tij, Niko Zografon, siç më tregon djali i tij, Viktori, e futën në burg në 1945-1947, me akuzën se nuk tregoi floritë e Qendros, kunatit të tij. Erdhi polic R. J. në fshat dhe i kërkoi babait të tregonte se ç’e kish bërë një qese me flori të Gaqes. Ia dhashe motrës, Aristullës,

– u përgjigj. E arrestuan dhe e dënuan. Njëherazi në biografinë e tij rëndonte dhe vjehrri i tij i shpallur kulak, xha Nasia, siç më shkruan Nica. Nikua kish mbaruar Liceun Francez në Korçë e zotëronte frëngjishten e italishten. Inteligjent si të parët e gjakut. Doli nga burgu dhe e syrgjynosën mësues në Konispol. E pushuan nga puna. Më pas shtyu jetën në Qestorat, i përndjekur e anatemuar si armik i popullit. I zinte dora për murator, më tregon Viktori, por nuk e fusnin në këtë punë. Gjithë jetën në fermë. Mbaj mend kur vinte te ne për vizitë, i ndrojtur e i frikësuar, jepte me shpirt e ankth për jetën e vështirë që po bënte. Vinte me kalë nga ndënë kisha që nga Qestorati. Ashtu i lodhur e djersitur, binte ndonjë frutë nga fshati. Unë kënaqesha sa herë që vinte, se do t‘ia hipja kalit e do bëja xhiro rreth kishës. Nuk e di pse shikoja diçka tek ai prej një fshatari inteligjent e të zgjuar, me kulturë e formim qytetar.

Papua e priste me krahët hapur, ndërsa mamaja me frikën e ceneve në biografi, hezitonte, ngurronte dhe nuk i jepte shumë afrim. Nën zë thoshte, erdhi ky vrukollak, që të kujtohen sigurimsat. Çfarë njeriu stoik. Sa shumë kish parë e ndier në kurriz. Vëllai, Gaqia, i arratisur, tradhtar i luftës, armik, edhe pse më pas qe mik i ambasadës sonë në Greqi. Motra, Aristulla, martuar me një tjetër armik, Qendro Papavangjelin. Mbiemri Zografo anatemohej nga Enver Hoxha, le të qenë stërnipër të filantropit e bamirësit Kristaq, le të qenë nipër të Koto Hoxhit. Ai e pësoi dhe e vuajti gjithë dhunën komuniste. Asnjë nga fëmijët e tij, Viktori, Eleni, Donika e Stefani nuk mund të shkolloheshin më shumë se e mesmja edhe pse qenë nxënës të shkëlqyer.

Para se të hidhja këta rreshta, shkrova statusin e mëposhtëm në facebook. Ndjesë për ndonjë përsëritje:

30 November 2018

Sot ndeza një qiri në kishë në kujtim të xhaxhait të mamasë sime, Andrea (Qendro) Papavangjeli, pasi sot festojnë emrin Andreat. Do të ishte mirë ta ndizja këtë qiri në varrin e tij, por ku ta gjej? As varr e as nishan nuk u la komunizmi. Një polic e dy hamej e morën të vdekur nga spitali të burgosurin e mandej heshtje e harresë. Vdiq nën tortura çnjerëzore, nga të cilat u detyrua të tregonte e të dorëzonte gjithçka. Një hetues e goditi me shkelm në organet gjenitale dhe… vdekja.

Akuza, anëtar i Komitetit për Gjirokastrën, me Grupin e Deputetëve. Armik i Popullit, shpronësime e shtetëzime. Fabrika e parë moderne për kohën, ngritur që më 1920 për përpunimin e lëkurëve, fituese e çmimit “Grand Prix” më 1936 në Selanik, tri shtëpi, tri dyqane e magazinë, 25 kg flori, mijëra franga ari, bizhuteri e stoli, toka, mbi të gjitha jetën.

Vuajti gruaja e tij, heroina Aristulla, mbesa e filantropit Kristaq Zografo, për dore vajzën 6-vjeçare Ketin, rrugëve e më shumë sokaqeve të Gjirokastrës, ku mund të gjente strehim.

Në Qestorat, në rrënjët e shegëve, fiqve e hardhive ia gjetën floritë, në shtëpi e në dyqane.

Vetëm një «Mirënjohje e Bashkisë», dhënë së fundi për shoqërinë Athanas Papavangjeli & djemtë, një emërtim rruge, një pllakë kujtimi te fabrika, sikur na i vënë pakëz balsam plagëve. Na ngjall memorien e fashitur nga gjenocidi, na bën të ndihemi fajtorë për njëfarë harrese të imponuar e ndërgjegjeje të helmatisur.

Po sot trashëgimtarët gëzojnë letrat e vendimet e KKP e enden gjyqeve. Asgjë nga gjaku e djersa e të parëve, por së paku dikush, i penduar, le të na tregojë varrin e tij dhe të gjyshit tonë Qendro, që vdiq me damkën i arratisur në 1944.

U prehshin në paqe me Bekimin e Zotit të parët tanë.

Dhe përsëri shkrova në facebook, si ndjesë për harresën, dhe vërshuan pëlqimet e komentet. Ja çfarë shkrova:

Rrëqethëse, e dhimbshme, tronditëse, plagë e hapur në memorien familjare e atë qytetare. Ku, ku, ku ta gjejmë të vëmë një buqetë me lule e të ndezim një qiri? Ku është varri e ku dergjen eshtrat, se shpirti sigurisht i ndrin në qiell e parajsë, ndërsa xhelatëve të komunizmit iu dergjet në ferr. Gjenocid i vërtetë deri në mpakje të memories familjare.

Sa keq e sa fajtor ndihem, sa vuaj e mendimet më përflaken, jetoj me gjenin e tyre, por me memorie të tulatur. Përse e arrestuan, cili ishte gjyqi, si vdiq, ku u varros nga katilët sigurimsë komunistë? Kërkoni falje më së paku a tregonani ku është varrosur e t’ju falim. Hajdutër me çizme, kusarë të babëzitur, plebej të pamoralë. Sekuestruat e vodhët ç’mundët, anatemuat kapitalizmin e pronën, shpërbëtë familjen.

U rritëm e prindërit nuk na flisnin për të parët, gjakun e gjenin tonë, se mos dilnim jashtë e flisnim për të parët tanë e krenoheshim. Sa turp më vjen që shumë vonë po kujtohemi për ta. Por si?

Asnjë fotografi, pale testamente e shkresa. Të gjitha u zhdukën nga frika e terrori. Në 1943-shin gjyshi ynë Jorgji (Gaqe)Papavangjeli, bashkëpronar në fabrikën e lëkurëve në Gjirokastër, me gruan dhe 2 fëmijët beqarë iku në Greqi. U quajt i arratisur, armik i popullit. Vëllai i tij Qendro Papavangjeli u akuzua si mbështetës e aktivist i Grupit të Intelektualëve, u burgos dhe në vitin 1949 vdiq në burg.

E rropën, e shtrydhën dhe tregoi gjithçka. E çuan me pranga në duar, me këmbë në Qestorat, te shtëpia e gruas, së nderuarës, më së vuajturës Aristulla Zografi. Tregoi gjithçka i lodhur e rraskapitur, gjithë floririn e fshehur në rrënjët e pemëve në kopsht. Prapë me këmbë, që ta diskreditonin e frikësonin popullin. Kur u kthyen, hetuesi B.K. nga Cfaka nuk shkoi në Degë, por iku në shtëpi t’i çonte gruas bizhuteritë e floritë e grabitur, të cilat nëna time e ndjerë Talo më pas ua shihte në duar e qafë afendikeshave të reja.

Më pas në shtëpinë e tij dhe të vëllait, Gaqes, në Vilën Papavangjeli në Varosh, u strehuan hajdutët komunistë, ku dhe sot duken 6 vende në dysheme të hapura e vjedhur floririn. Tmerr, nuk mjaftoi fabrika, dyqanet, tokat, dy shtëpitë, floritë, na dhe jetën. Shtëpinë e tij në Palorto, vilë ngjitur me shtëpinë e E. Hoxhës, e gëzojnë të tjerët. Gruaja, Aristulla e mirë, me vajzën, Ketin e urtë e të bukur, e vuajtën të përzëna, pa shtëpi e katandi, por jetuan me dinjitet edhe pse, siç më tregon Arjani, nipi i tij, asgjë nuk kanë marrë nga shpërblimet. Edhe sikur, po jeta, jeta, varrin ku ta gjejmë.

Një herë tjetër do t’ju tregoj procesverbalet e mbajtura në hetuesi për ndihma pa fund për Luftën Nacionalçlirimtare, në shtabin partizan të Poliçanit.

Nëse dikush i penduar di diçka për varrin, le të ketë Bekimin e Perëndisë e të tregojë. I paharruar kujtimi tyre!

Marrë nga monografia e Vasil Mukës “Mukajt dhe Papavangjelajt”.

Please follow and like us: