Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: BOTA E MADHE E FËMIJËVE TË VEGJËL

Duke lexuar një fabul në prozë të një fëmije emigrantësh, shqiptar 9 vjeçar, me banim në Bazel të Zvicrës, nuk mund të mos habitesh se sa e madhe ësht fantazia nga bota e kafshëve edhe tek fëmijët tanë, për të dalur me mençuri në jetën e njerëzve që na rrethojnë… Nëpërmjet një Antologjie Letrare të titulluar “Merr një varg dhe eja”, që ma solli poetia Brikena Qama, njëherësh edhe Presidente e Lobit Euro-Atlantik, përgatitur për botim nga poetesha Armela Hysi, njëherësh edhe shkrimtare, përkthyese e redaktore. Që ka nxitur, inkurajuar e angazhuar në një konkurs letrar fëmijët tanë në Greqi, Zvicër, Itali, Norvogji, Kosovë e Mali i Zi. Dhe ku shprehet zelli e dashuria për mëmëdheun, për gjuhën shqipe dhe për botën e pa anë dhe të bukur të fëmijëve të moshës 7-14 vjeç, që rriten në dhe të huaj, larg vatrave të vendlindjes.
Merita e parë e kësaj vlere të madhe u takon mësuesve të parë të Gjuhës Shipe, të cilët e ndjejnë të parët rrezikun e tjetërsimit e të asimilimit total, qysh kur ne, prindët e ardhur nga përtej sinorit, në rrethanat e krijuara, andej e këndej, u thonim fëmijëve kur delnin në rrugë e shkonin nëpër shkollat greke: “Mos fol Shqip”! Që arritën në kulminacine të papara, nga tjetra anë, kur nuk mund të lejohej që, nëpër festat kombëtare të këtij vendi që na priti me bujari, dolën edhe persona ekstremë, të nacionalizmit e të racizmit, që fëmijët shqiptarë, të mos e kishin të drejtën e “mbajtjes së flamurit” të shtetit bujtës, edhe pse shkëlqenin ndër sjellje e mësime! Mësues si Lorenc Koka, Jovan Mëhilli, Flutura Tafillaku, Lefteri Metkaj, Alma Zekollari, Eriketa Kollçaku Qorlazja, Pjerin Lleshi, Alma Hani, Lumnije Tafolli Salihu, Juliana Salla, Renata Pëllumbi Durro, Mirela Duka,Vasilika Zguri, Mimoza Hida, Lindita Vendresha, Kristina Roshi, Boralda Petromilo, Artemis e Marinela Duri, Anila Velaj, Veronika Shkurti, Ilira Bakalli, Merita Hymeri e tjerë… e ndjen të parët këtë “Hendek ndarës”, gjersa “çan shtigjet” e realizimit të kurseve, klasave paralele e shkollave të para shqipe nëpër vendet e emigrimit, kudo ku shkeli këmba e prindërve të tyre, në këtë mërgatë të detyruar, pas “darrës së urrejtjes” e të mbijetesës, kur njeriu humbet gjithçka e rezikon të humbas edhe identitetin. Emrat e këtyre mësueve lypsen të shkruhen me gërma të arta në derën kryesore të Ministrisë së Arsimit në Tiranë! Si Heronj të një KOHE TJETËR, të dritës, dijes e pëparimit (në mërgim!) dhe pa asnjë shpërblim! Me një ndërgjegjësim të lartë vetiak, kulturor e patriotik, si ai i Jovan Mëhillit, që nuk rreshti asnjëherë pa “luftuar” për institucionalizimin e mësimdhënies në shqip, si ai i Lorenc Kokës që hapi 30 vite më parë, në mesin e Athinës të parën Shkollë Shqipe, së bashku me arsimtaren bashkëshorte, duke e profilizuar mësimdhënien në shqip, anglisht e në mësime kompjuterike, apo ai i mësuesit veteran e shkrimtarit Novruz Abilekaj që hartoi Abetaren e parë të Gjuhës Shqipe për emigrantët… Pa përmëndur akoma, edhe përkushtimin e mësueses Alma Zekollari, që nxënësit shqiptarë, sidomos të lindurit në Greqi, edhe ta interpretojnë fjalën e artë të shqipes?!
Merita e dytë është e atyre, krijuesve, menazherëve e biznesmenëve shqiptarë, që e patën “të pashuar” ndjenjën e humbjes së identitetit, të gjuhës e të kulturës së fëmijëve tanë dhe u thanë atyre: “Merr një varg dhe eja”! Që nënkupton: “Merr një pishtarë dhe eja”! Se errësira, e njëllojtë është, në mos më e zezë…bSe tjetërsimi si dukuri ështe i përafërt me vdekjen e njeriut, me humbjen e frymës. Po ka edhe poete si Brikena Qama, Elona Tanga Gjergo, Armela Hysi që nuk janë të qetë, që kanë shkruar edhe ato libra me poezi, tregime, novela e romane në prozë, që kanë përkthyer e botuar edhe vepra letrare kushtuar kësaj moshe të rezikshme, kur kjo “plagë” gangrenizohet… Po edhe aktiviste e organizatore si Aina Hoti e biznesmene si Ana Diella Preka… Apo Sh. B. si “Meshari” e “Koliqi” të Prishtinës, duke e bërë të mundur që mundi i mësuesve të shqipes e frymëzimi i fëmijëve tanë, të komunikojnë me lexuesin edhe në gjuhën e mëmës?… Nuk mundem të mos përmend, me këtë rast dhe nismën e Lidhje së Shkrimtarëve e të Artistëve Shqiptarë në Greqi (“Liter-Art), vite më parë, për të mbledhur librat e tyre në gjuhën shqipe e për t’ua sjellë nxënësve tanë të etur për mësim e dije…
Dhe, merita e tretë, si një shkëndjë që ndez një flakë, është e mbetet ajo e fëmijëve tanë me talent. Që krahas shkronjave, thjeshtë e bukur, dinë aq mirë të hyjnë në shpirtin e tyre, të bashkëmoshatarëve dhe tonin njëkohësisht, me vetëdijen e tyre, me gjithçka që ndjejnë, me Botën e Madhe që hap para tyre Universi.”Merr një varg dhe eja,/si një rreze drite,/të këndojmë bashkë/në gjuhën tonë shqipe”,-fton 14 vjeçarja Rebeka Zero nga Modena e Italisë. Erlinda Nebiu 10 vjeçe, nga Aspropirgo e Greqisë qan për mollët që i bien kokrrat sheshit nga pakujdesia e njeriut. Tergita Asllani 13 vjeçare, e lindur në Londër dhe që e ka mësuar se nga është, thërret:”Kosovë, pritmë! Tergita po vjen”! Angjello Allkanjari kupton se sa e dëmshme është dredhia, si aventurë e një fëmije kur u fshihet prindërve. Po kështu, Alesia Myftari, 9 vjeçe, do të kuptojë e ta shpreh ndër vargje se: ”Ndonse kam lindur/Në vënd të huaj,/Rrënjët e mia kurrë/S’kam për t’i mohuar”! Sepse, sikundër shprehet me vargje, edhe Mikaela Vaja, 12 vjeçe, po nga Athina: ”Rrezet që çelin në sy/kur më flet për vatan…!”, nuk i shqiten dot nga shpirti… Ndërsa Adriana Kondi nga Greqia, përhumb, kur sheh nga trageti sesi shkumëzojnë dallgët, për të qënë edhe ajo midis tyre e të “fluturojë”, si pulëbardhat drejt vendit të saj. Po ku? Ajo, fabulistja e vogël që e cituam qysh në nisjen e këtij shkrimi Sabrina Maria Kocibelli, në fabulën e saj “Përralla e qenit Bongo”, përmes një episodi ‘ditëlindjesh’ do të shpreh se sa shumë kemi humbur në jetë kur jemi shpërndarë aq shumë nëpër botë. Aq sa edhe fëmijët, jo pak herë janë të detyruar të jetojnë larg prindërve te tyre?!
E vlen të merresh me një punë të tillë, që evidentojnë përpjekje, ëndrra e realizime kaq të bukura, pse jo, edhe të shënjtëruara, për mallin e dashurinë që ka rrezik të zvetënohet e të humbas më përtej kufive, kur “përroi i mërgimirt” s’ka të ndalur… Ca më tepër kur shumica e këtyre fëmijëve kanë lindur në vende të huaja, po që jetojnë më ëndërrime që ta shohin “vatrën e zjarrit”, nga erdhi jeta e tyre,,, Ndërkohë që ABC-në e gjuhës mëmë, po e mësojnë këndej, pas rrugëtimesh të pafundme, që përkundin ëndërrimet e tyre… Gjersa të huajt nuk përtojnë të na thonë: ”Po tani, ku veni”!?… E kur, krijues të tillë, si Armela, Brikena e Elona diçka bëjnë nga vetja, si edhe kur angazhohen me shumë dëshirë, të lexojnë e vlerësojne krijimtarinë e fëmijëve shqiptarë, kudo që janë ata, të revguar nga vëndi i tyre… Krijues të tjerë, emigrantë edhe ata, si publicisti e poeti Ndue Lazri nga Italia, poetia Ardita Jatru nga Greqia, poeti Bes Camaj nga Zvicra, përkthyesia Eleona Zhana e redaktoria Ornela Musabelliu nga Belgjika, të përkushtuar ndaj Botës Shpirtërore të të vegjëlve, ashtu si edhe redaktorja kryesore Armela Hysi, jo vetëm kanë klasifikuar krijimet e tyre të brishta,po edhe një brengë të thellë: largimin nga Dielli, Qielli e Toka, ku lindën e u rritën. Me prindërit e tyre e ku kanë lënë të dëshpëruar gjyshërit, lodrat, shokët e shoqet e jetës së tyre fëminore… Me këtë libërth, duket sikur të gjithë fëmijët tanë, këtu e atje, udhëtojnë së bashku… Dhe kurdoherë me shpresën e një kthimi, andejë nga u nisën… Sepse, fëmijët janë e ardhmja jonë… E, sikundër thoshte Naim Frashëri dje,-Gjuhëmjalti ynë: “Fëmijët tuaj jan për një kohë më tej nga koha juaj”! Ndërsa sot, japonezi Malaja Yousafzai, shton se, “Një fëmijë, një mësues, një libër e një laps, mund të ndryshojnë botën”!
Athinë, fund tetori 2022.
Please follow and like us: