Senad Guraziu: Makinat e Prishtinës si breshkat e trullosura të Gërmisë
“Makinat e Prishtinës si breshkat e trullosura të Gërmisë” (ekstrakt), 2012
(sguraziu – koment)
…lexova postimin “Trafiku i Prishtinës” nga Ndue Ukaj, qasja e tij aq e thjeshtë dhe pa ia vajtur asfare “rrotull” (siç ia thonë kosovarët, trup… e sa ma shkurt shtegut t’ngushtë) s’më erdhi befasi, por sikur s’para e prisja sepse prishtinasit nuk ndjehen mirë – pastaj ashtu me buzëqeshjen personalisht sikur i thashë “të lumtë Ndue për troçësinë, flm për ‘zbritjen në tokën’ e thjeshtë prishtinase, pa anshkalime”…
…dhe po, e di se prishtinasve NUK u pëlqen aspak, nëse s’ke çfarë lavdëron më mirë hesht, kjo është filozofia e tyre, por jo vetëm ata, m’u kujtua që as tiranasit s’e pëlqejnë “shkapuritjen e realitetit të shëmtuar”, më me dëshirë anashkalojnë gjithçka, dhe atë jo vetëm qytetarët a gazetarët por madje dhe vetë Kryeministri Rama e ka “zët”, sakaq futura e tij nis e ngryset mozomokeq, shigjetat e syve aso përvëlonjëse (aty-këtu ndonjë gazetare dhe mund ta kuptojë për çfarë e kam fjalën: ) sipas Ramës e VËRTETA është më intimiduese sesa dhe vetë BUKURIA…
…në fakt krijohet përshtypja sikur është ndonjë “refleks”… impulsivitet kolektiv, shqiptarëve në përgjithësi u pëlqen të shtrien sikur s’e shohin shëmtinë, qëkur ata vetë më me dëshirë heshtin, normale që duhet të heshtin e gjithë bota, sidomos s’i durojnë dot vërejtjet nga të huajt, qofshin dhe shqiptarë-tiranasë përkohësisht të “huaj” duke studiuar diku në Graz a në Harvard, who cares where… aq u bënë se fjala mund t’jetë për ndonjë Neo-Nol mendjendritur, ndonjë Junior Nol në Harvard:).
(vetë s’kam shkruar për Prishtinën ndonjë diç, por m’u kujtua që para 1 dekade “trafikun” e Prishtinës e pata përmendur dhe vetë, anise fare shkurt… rrëshqitazi – po e ngjes këtu)
[ nga “Këpucët e Lamtumirës” (diç si Rrëfenjë) – Senad Guraziu, 2012 ]
“…trafiku ishte i ngulfatur po ashtu, disa hapa dhe kaotikja e kolonës urbane reflektohej rishtas në xhamat, sikur rishtas ajo gruaja e mërzitur e makinës përanash shtrembërohej në xhamin e tij. Por Zgjimit i pëlqente “ngadalësia”, aspak nuk brengosej për trafikun sepse ato çaste secilën herë e më shumë elektrizoheshin me romantikën, me parfumin e saj. As që e vriste mendjen për diç tjetër përjashta. E gjithë bota e tij, fizikisht, shpirtërisht e mendërisht ishte aty në gëzhojën e makinës. Muzika s’ishte vetëm ngushëllim për dendësinë e trafikut dhe për faktin se makinat qenë katandisur si breshkat e trullosura të Gërmisë, muzika ishte dhe topitëse e ndjenjave të tyre. Zana disa herë provoi të gjente ndonjë diç më të “pëlqyeshme”. Herën e fundit që i preku butonat, ia bëri me shenjë dhe atij se më në fund ishte e kënaqur me melodinë. As ajo s’dukej e tendosur, përkundrazi. Dukej si diç e lehtë, si një maskotë e bukur pambuku, si një Barbi-kukullë… jo ulur aty në ulësen, por pezull në ajri”.
|…|
“…Zgjimi s’ishte aq i sigurt nëse mund të quhej “dyqan” një Jumbo-dyqan, një mega-dyqan. Diç si një fabrikë kineze e boshatisur dhe kthyer në dyqan për të gjitha mallrat së bashku të Rumanisë, të Kinës, Bullgarisë, Turqisë… Të gjitha markat “jo-firmato” të stilit a la kinez grumbulluar në një vend. Dyqani më i madh i Evropës së pasluftës për këpucë komode, edhe pse aty nuk shiteshin vetëm këpucë. Diç më të madhe, ashtu si ndonjë dyqan-hangar i paskajshëm, s’kishte parë kurrë në jetën e tij. Më shumë hapësirë s’kërkon as panairi i Frankfurtit, as ndonjë Aero-Show i Parisit, as vetë panairi “sex-toys” i Londrës, i Amsterdamit, i Tokios – pati menduar duke buzëqeshur derisa i sodiste raftet e gjata pa fund të dyqanit.