Albspirit

Media/News/Publishing

Dea Toçi: ÇELSI I KOHËS

Çelsin e kohës do doja në duar
por sot, tani, mos të pres më gjatë,
të kthehem dhe njëherë në kohën e shkuar,
jeta t’më japë “Rivendosje në afat”.
Të kthehem pas me krejt ç’kam jetuar
sfida, dështime, humbje e pasiguri,
rropatje tentativash prej nisjes dështuar,
por kurrë kokëpërulur, as rob në liri.
Çelsi i kohës t’më kthejë në vegjëli
atje ku asgjë s’dhemb e as vret,
ku shpirti fluturon çdo çast në liri
se s’di ç’do jetojë, nuk di se ç’e pret.
Të kthehem dhe njëherë pa ndjerë fundin,
mëngjesi i ri çdo herë pa pengje niste,
ku ëndrrat syhapur çdo natë vidhnin gjumin,
jo gjumin ta lusje një ëndërr të të sillte.
Më ktheni dhe njëherë tek vajza e vogël
të fshij çdo plagë që shpirti mban mbuluar,
e sigurt më e fortë do i kthehesha botës…
Çelsin e kohës po ta kisha në duar.
Please follow and like us: