Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi librin “Rusët po vijnë” të Shaban Muratit

Prof. Dr. Enis Sulstarova

Shaban Murati, autori i librit “Rusët po vijnë”, ka pasur një karrierë të gjatë në shërbimin diplomatik, dhe po ashtu është afirmuar si analist i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe të Kosovës. “Rusët po vijnë”, sikurse librat e tjerë të shkruar nga ai, tregon se Shqipërisë nuk i kanë munguar dhe nuk i mungojnë specialistë të përgatitur, që dijen specifike të profesionit të tyre e vënë në shërbim të interesit publik dhe atij kombëtar. Fakti që vendim-marrja politike dhe ajo administrative shpeshherë nuk i merr në konsideratë këshillat e tyre, apo, më keq akoma, vepron në kundërshtim me to, nuk do të thotë që ata nuk ekzistojnë, por se zëri i tyre duhet dëgjuar, jo si opinion, por si ekspertizë shkencore.

Libri “Rusët po vijnë” është shumë aktual, por nuk është shkruar tani që Rusia po pushton një shtet sovran, Ukrainën. Libri përmbledh analiza të shkuara që nga viti 2014 e këndej, të cilat paraqesin mjaft qartë mendësinë e atyre, që drejtojnë sot Rusinë dhe që tregojnë se pushtimi i hapur i Ukrainës nuk është një veprim jashtë rendit “të zakonshëm” të politikës të jashtme të Rusisë. Kështu, ambasador Murati radhitet ndër ata që e kanë paralajmëruar me kohë se aneksimi i Krimesë ishte vetëm fillimi dhe se lufta për mbrojtjen e pavarësisë dhe territorit të Ukrainës do të përfshinte dhe ndikonte të gjithë shtetet e Evropës, madje të botës. Mirëpo, libri nuk është shkruar për luftën në Ukrainë, por për agresionin e fshehtë dhe të vazhdueshëm të Rusisë në Ballkan, përfshirë vendin tonë, për të cilin autori përdor me të drejtë termin e “luftës hibride”. Në këtë mënyrë ky libër është vazhdim i librit tjetër me analiza nga i njëjti autorit dhe që titullohet “Rusia ballkanike”.
Ballkani asnjëherë nuk ka qenë dhe as sot nuk është jashtë vëmendjes dhe ndërhyrjes së fuqive të mëdha kur ato përplasen me njëra-tjetrën, dhe në këtë aspekt në gjysma e parë të shek. XXI ngjan shumë me gjysmën e parë të shekullit të kaluar, kur u përcaktuan kufijtë e Shqipërisë dhe kur ndodhën dy luftërat botërore, e para e nisur pikërisht në Ballkan. Prandaj, kërcënimet ndaj sigurisë në Ballkan dhe në detet Adriatik, Jon dhe në Detin i Zi duhet të ndiqen me vëmendje nga Shqipëria dhe Kosova. Një mësim tjetër, që na vjen nga gjysma e parë e shekullit të kaluar, është se fuqitë e mëdha edhe atëherë kur nuk ndërhyjnë vetë në Ballkan, lojën e tyre e zhvillojnë përmes aktorëve ballkanikë. Edhe sot, përplasja e madhe Perëndim-Rusi po zhvillohet jo vetëm në betejat në Ukrainë, por edhe në situatën konfliktuale në Ballkan. Në librin e tij, z. Murati e shpjegon mjaft qartë se, për Rusinë, Ballkani është “fronti i dytë” në luftën hibride kundër Perëndimit. Lufta hibride vepron edhe në kushtet e paqes, sepse ajo kombinon sulme diplomatike, agjenturore, ekonomike, informative, energjetike etj. (f. 135). Ne, shqiptarët duhet të jemi syçelur, sepse, siç vëren Murati në parathënien e librit, angazhimi rus në Ballkan nuk ka qenë në favorin tonë. Rusia ka kundërshtuar pavarësinë e Shqipërisë dhe tani po kundërshton pavarësinë e Kosovës. Shigjetat e “luftës së saj” hibride janë drejtuar kundër nesh.

Synimet e Rusisë në Ballkan dhe mënyrat për realizimin e tyre

Në artikujt e librit “Rusët po vijnë” ka një mori vëzhgimesh dhe tezash, prandaj këtu përmendim, shkurtimisht, këtu disa syresh që lidhen me pyetjet se çfarë synon Rusia në Ballkan dhe cilat janë mënyrat që ajo përdor. Rusia synon bllokimin e integrimit euro-atlantik të Ballkanit të atyre shteteve që janë kandidate për në BE dhe për në NATO, dhe të destabilizojë e neutralizojë vendet që janë tashmë anëtare të BE-së dhe NATO-s. Për sa i përket mënyrave të përdorura për bllokimin e integrimeve euro-atlantike dhe për destabilizimin e shteteve anëtare të NATO-s e të BE-së, në radhë të parë qëndron aleanca e ngushtë Rusi-Serbi. Analizat e kthjellëta të ambasador Muratit na tregojnë se Rusia e ka lidhur Serbinë fort pas vetes dhe është iluzion të shpresohet se në të ardhmen e afërt Serbia do të rreshtohet me Perëndimin. Rusia ia këndell Serbisë dëshirën për vendosjen e sovranitetit të saj mbi Kosovën, jo sepse kjo gjë është e realizueshme, por sepse Rusisë i intereson që Ballkani të mos jetë në paqe dhe i stabilizuar. Rusia e ka armatosur Serbinë me armët më moderne (për të cilat Serbia ka pranuar se i ka borxh 5 miliardë euro Rusisë), ajo ka një bazë ushtarake në Nish, gjoja për qëllime humanitare, dhe të dy vendet kanë kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake. Siç e thotë autori, Serbia është shndërruar “në një aleat ushtarak i Rusisë kundër NATO-s dhe kundër vendeve të rajonit”, një fakt që duhet mbajtur shënim nga udhëheqësit politikë e ushtarakë të aleancës që të heqin dorë nga autosugjestionimi “me idenë se Serbia mund të tërhiqet në integrimin atlantik”. Serbia ka hyrë me dëshirën e saj në varësinë ndaj Rusisë, sepse Serbia, sikundër Rusia, nuk është shëruar prej ëndrrave perandorake. Serbia e sheh veten si trashëgimtaren e vetme të federatës jugosllave dhe ëndërron që jetë epiqendra e një federate të re të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Mirëpo këto janë ëndrra të parealizueshme dhe vetëm sa zgjasin ngecjen e Serbisë dhe të Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së. Rusia përfiton nga kjo situatë, sepse, siç shkruan Murati, asaj “i intereson që Serbia as të mos hyjë në BE dhe as të mos e njohë Kosovën, sepse kështu mbahet gjallë zjarri i një konflikti dhe një trazirë në Ballkan”.

Mënyra e dytë është përkrahja e parashteteve, partive politike dhe e politikanëve në Ballkan që mbrojnë afrimin e vendeve të tyre me Rusinë. Sigurisht që në krye të listës ndodhet “Republika Serbe” në federatën e Bosnjë-Hercegovinës e cila trajtohet nga diplomacia ruse si të ishte një shtet sovran. Në një artikull të vitit 2018, Murati shënonte se presidenti Putin e ka takuar plot tetë herë udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Dodikun, më shumë se sa mund të ketë takuar udhëheqës të shteteve që kanë më shumë peshë se sa një njësi federative e një shteti ballkanik. Sigurisht që Dodiku i duhet Rusisë për të mbajtur gjallë konfliktin në Bosnje-Hercegovinë e për të bllokuar integrimin e tij në NATO e BE, sikurse Rusia është përpjekur të bllokojë integrimin në NATO të Malit të Zi e të Maqedonisë së Veriut, duke përkrahur parti politike pro-serbe e politikanë shovinistë si Gruevski. Nuk është aspak rastësi që në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, interesi rus konvergon me atë të Serbisë. Gjithsesi Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut tashmë janë anëtarë të NATO-s; për ta realizuar këtë, shteti i parë mposhti tentativën për një grusht shteti, ndërsa i dyti mbylli kapitullin e emrit me Greqinë, por vetëm pasi Gruevski humbi pushtetin dhe u detyrua të merrte arratinë. Këtu duhet thënë se edhe në shtete ballkanike që janë pjesë e BE-së dhe NATO-s ka pasur kryetarë shtetesh, qeveri, parti e politikanë që kanë bërë veprime të nxitura nga Rusia ose veprime që në instancë të fundit i kanë shërbyer Rusisë. Të tilla rast ka pasur në Greqi, Bullgari, Shqipëri e deri në Slloveni. Vëmendjes së Muratit nuk i ka shpëtuar asnjë shmangie prej drejtimit euro-atlantik dhe, parë nga optika e interesit rus për destabilizimin e Ballkanit, secila ngjarje që autori interpreton merr vlerën e një pike që me pika të tjera na shfaq qartazi vektorët e ndërhyrjeve të specializuara ruse në secilin shtet .

Mënyra e tretë e përdorur nga Rusia në Ballkan dhe në të gjithë Evropën është shantazhi energjetik. Edhe përpara bllokadës së tanishme, Rusia ka dashur të kontrollojë gazsjellësit evropianë, me synimin e vendosjes së varësisë politike mbi shtetet nga ata kalojnë. Kështu ajo ka hedhur projektin “South Stream” për të rivalizuar TAP-in, meqenëse për këtë të fundit kanë rënë dakort disa shtete ballkanike dhe BE-ja, sikurse me anë të projektit “North Stream 2” kërkonte të dëmtonte ekonomitë e Ukrainës, të vendeve baltike e të shteteve të Evropës Qendrore.

Mënyra e katërt ka të bëjë me fijet tradicionale që lidhin disa popuj ballkanikë me Rusinë: ortodoksia, pansllavizmi dhe nostalgjia për komunizmin. Sikurse e ka vërejtur në disa raste z. Murati, me pansllavizmin Rusia ndikon edhe në vende që të janë lidhur më ngushtë me Perëndimin, si Sllovenia apo Çekia, pa përmendur Serbinë, Bullgarinë e Maqedoninë e Veriut. Ndërsa Shqipëria është deri diku imune prej pansllavizmit, nuk mund të themi të njëjtën gjë për përdorimin politik të ortodoksisë apo të nostalgjisë për komunizmin. Në qoftë se Kisha Ortodokse Ruse është një instrument në duart e Putinit, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është kaq “e pavarur” saqë me një vrull të pazakontë për çështje kanonike që kërkojnë shqyrtime të hollësishme, shpalli se nuk e njeh autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës, pra ndarjen e saj nga Kisha e Rusisë. Për këtë ngjarje që ka kaluar pa ndonjë vëmendje nga publiku shqiptar, Murati i ka rënë kambanës së alarmit, jo për të kërkuar ndërhyrjen e shtetit në çështje fetare, por për të mos lejuar përdorimin e organizatave fetare në Shqipëri prej shteteve të tjera. Citoj: “Duke hyrë në një sintoni me Kishën Ortodokse të Ruse dhe me Rusinë, shkelet me dashje apo pa dashje në një fushë të minuar për interesat shpirtërore dhe kombëtare të Shqipërisë”. Edhe pse marrëdhëniet e drejtpërdrejta të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik u shkëputën në vitet 1960, nostalgjikët e vjetër e të rinj për kohën e komunizmit mund të konvertohen në rusofilë, të cilët antiamerikanizmi i bashkon me miq të tjerë të Putinit nëpër Evropë, pavarësisht se vijnë nga krahu i majtë apo i djathtë i politikës.
Mënyra e fundit që po veçoj këtu përmbledh diversionin në shtetet ballkanike, përmes financimeve të mediave, OJF-ve, sulmeve kibernetike dhe rrjeteve kriminale. Këto janë veprime “nën rrogoz”, për të cilat autori i librave “Rusia ballkanike” dhe “Rusët po vijnë” vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e institucioneve shtetërore të sigurisë dhe të atyre që rregullojnë dhe mbikëqyrin ligjshmërinë e sektorëve të veçantë në Shqipëri. Rusia nuk e ka nënshkruar konventën evropiane për krimin kibernetik të vitit 2001 (f. 96) dhe nga territori i saj apo agjentët e saj në shtete të tjerë mund të orkestrohen sulme kibernetike si ai që Shqipëria pësoi kohët e fundit nga Irani.

Kosova dhe Shqipëria

Kosova ka qenë në shënjestrën e politikës së jashtme ruse, jo vetëm për shkak të përkrahjes së Rusisë ndaj Serbisë. Një arsye është se shpallja e pavarësisë së Kosovës u përdor nga Putini si justifikim i agresionit ndaj vendeve fqinje, si p.sh. kur ai aneksoi Krimenë në vitin 2014. Në këtë libër dhe në të tjerë para këtij Murati e ka përcjellë me vëmendje ligjërimin e politikës së jashtme ruse në lidhje me Kosovën. Duke marrë shkas nga botimi në vitin 2021 në Rusi të një libri me titullin provokues “Kosova është Rusi”, Murati gjykon saktë se interesi rus është që konflikti Kosovë-Serbi të mos mbyllet, sepse nëse shteti sovran i Kosovës konsiderohet një çështje e hapur ndërkombëtare, atëherë Rusia do të këtë justifikim për ndërhyrjen e saj në Ballkan dhe për ta mbajtur Serbinë të lidhur pas vetes. Prandaj ka qenë dhe është dritëshkurtër mendimi se një marrëveshje finale midis dy shteteve, si pasojë e së cilës Serbia do ta njohë Kosovën do t’ia hapë kësaj të fundit rrugën e anëtarësimit në OKB. Rusia do ta përdorë me konsekuencë veton e saj në Këshillin e Sigurimit për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës, pavarësisht nëse Serbia e njeh ose jo Kosovën. Rruga drejt pranimit të plotë ndërkombëtar të shtetit të Kosovës është ende e gjatë dhe kjo nuk duhet të na shkurajojë. Kosova duhet të lidhë marrëdhënie të ngushta me vendet që e kanë njohur dhe shqiptarët atje të fuqizojnë shtetin dhe qeverisjen demokratike, për të qenë parterë të denjë të Perëndimit dhe për t’u treguar shteteve që priten ta njohin se tashmë Republika e Koysovës është realitet që nuk zhbëhet.

Shqipëria, duke qenë anëtare e NATO-s dhe tashmë edhe kandidate për anëtare e BE-së, e ka njësuar qëndrimin e saj ndaj Rusisë me atë të aleatëve. Mirëpo, z. Murati vëren se ky rreshtim perëndimor nuk mjafton, sepse, po të sjellin në mendje mënyrën e parë dhe më të rëndësishme e ndërhyrjes së Rusisë në Ballkan, Shqipëria nuk e ka kufizuar ndikimin e Serbisë në rajon. Përkundrazi, duke u bërë palë në projektin e “Ballkanit të Hapur”, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë që pesha e Serbisë të rritet midis shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe, për pasojë, të dobësohet qëndresa që Republika e Kosovës po i bën agresionin të Serbisë. Krijimi i një “zone ekonomike rajonale” jashtë BE-së, nuk i shërben as Shqipërisë dhe as Perëndimit, por i shërben Serbisë, si aktori ekonomik më i fuqishëm, po ashtu edhe Rusisë. Ajo, që mund t’i ketë shpëtuar politikë-bërësve shqiptarë dhe që vëren z. Murati, është se meqenëse Serbia është anëtare e Unionit Ekonomik Euroziatik, të orkestruar nga Rusia, nëpërmjet Serbisë ekonomia ruse mund të depërtojë edhe në zonën ekonomike të “Ballkanit të Hapur”. Është pikërisht roli hegjemonik që kërkon të luajë Serbia në rajon, që i ka penguar tre shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor të përfshihen në këtë nismë, e cila e dublon Procesin e Berlinit, por pa përfshirjen e BE-së. Sigurisht që është i hidhur, por krejt i vërtetë gjykimi i z. Murati, shkruar në një artikulli të marsit 2022, se Shqipëria është vënë në pozitën e shërbëtorit të shërbëtorit të Rusisë. Te këmbëngulja e Shqipërisë për të çuar përpara projektin e “Ballkanit të Hapur”, gjejmë edhe një pjesë të arsyeve të njëfarë ftohjeje të marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, gjë që padyshim nuk pajtohet me interesin tonë kombëtar.

Më sipër u ndalëm në disa prej tezave të rëndësishme që përshkojnë librin “Rusët po vijnë”, por sigurisht që lexuesit do të gjejnë në të analiza të tjera, të cilat marrin në konsideratë edhe faktorë të tjerë në rajonin e Ballkanit, si Turqinë, BE-në e shtetet përbërëse të saj, Kinën etj. Për sa i përket temës qendrore të tij, pra rolit të politikës së jashtme të Rusisë në Ballkan, libri “Rusët po vijnë”, së bashku me librin tjetër, “Rusia ballkanike”, duhet të qëndrojnë mbi tryezën e secilit diplomat, analisti dhe studiuesi të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Lufta në Ukrainë po e tregon qartë se nuk ka paqe dhe siguri në Evropë jashtë aleancës mbrojtëse të NATO-s. Prandaj Kosova duhet të hyjë në NATO sa më shpejt dhe Shqipërisë i takon të “bërtasë” për anëtarësimin e saj në forumet e aleancës. Rreziku rus do të jetë i pranishëm në Ballkan, për sa kohë që aktorë nga ky rajon do të kërkojnë dhe do të gjejnë mbështetje të Rusia për të fituar avantazh ndaj aktorëve të tjerë. Meqenëse ambasador Murati në një artikull për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë perifrazon titullin e një vepre të Kadaresë, duke shkruar se “vëllezërit janë të ngrirë”, po marr edhe unë guximin që reçensën time për librin e z. Murati ta mbyll duke perifrazuar nga një vepër tjetër e Kadaresë, “Koncert në fund të dimrit”: “Rusët po vijnë? Rusët kanë qenë gjithnjë këtu. Veç në kemi ëndërruar se janë larguar”.

Please follow and like us: