Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmetali Rexhepi: SHTRATI

 

Vetëm tek ti lajthitesha se më falet qetësia

më shlyhen borxhet e ditës

kundërmimin e saj e ndjen nënkresa

lukthi mezi bluan të ngrënat e tepërta

mëlmesa e mërisë mëtimet lakmitare

hedhur si një rëndomëni e paarritshme

dita e rrokulliste shtjellën mbi ty

e përciptë ose me më të thellat hulli

diç kishte mbjellë porse çfarë vole ti

universi i ndërdymes në një sirtar të tavolinës

kishte shënuar caqet tua të fshehura

dhe t’i diktonte në inserte aq të dendura

në të gjitha notat e ndjenjave

pa shkrola në letrën e bardhë

kujtesa harrestare të gjitha ngjyrat e papara i ngjall

e shfaq një ylber mandej ylberit

në të verdhën e tij një kokë brisk gjarpri i shkëlqen

u fut në kurth e pa shteg diellor nuk ia del

drama e makthit të hedh në shtjellë djersësh të tretjes

kulmimi i saj bie mbi ty këputen insertet

hap sytë dhe shtrati ishte i tharë

gjaku nuk u mpiks  ende nuk të lag

po si ç’e do tavanin dhe kulmin që të bie

Qyteti i Bardhë t’i paragjykon udhët e qefinit

trokasin shirat e vjeshtës në qerami dhe ullukët oshtijnë

ndoshta reshjet e dendura e flladisin makthin

makthin e kuq, makthin e zi mbi anatomi

 

*

mes gjarpërinjsh që hidhnin pështymën helmatisëse

shthurja e dramës i mbante ison paqes lajthitëse

ç`të bënte lukthi për tretjen e ngrënies

syve të gjumit u ikte kujtesa

ajo teshë zhveshura

intimja e fshehjes së teshave të brendshme

harrestarja që i kthente veshjet me lloj-lloj modelesh pashije

ashtu si kishte kalkuluar ndërgjegjja

ndoshta mllefi me elementë gjarpërorë mëtoi të ngjyente

krahasueshëm në të njëjtën gjellë

dhe të villte kafshatën e helmatisur mu në surrat të atij kanibali mjekër zdrale

por nuk bëri asgjë se kokë-urtës i ishte zbehur trazira

qetësinë e shtratit qetësinë pa borxhe e trazuaka

kambanorja e natës ortodokse

 

*

shtrati t’i mbledhka eshtrat bredharak kruspull nën një mbulesë

me urithët e mendjes e iriqët në nënkresë

 

*

popi shpif alarme shurdhuese në kishë e

ende nuk pushuaka kambanorja e natës ortodokse

 

Gjilan, fund tetori 2022.

 

Please follow and like us: