Naum Prifti: O. Henri, një gjeni i tregimit
Të jetosh në Nju Jork do të thotë të prekësh dhe përjetosh tablotë dhe subjektet e përshkruara nga O. Henri dhe pastaj të pyesësh veten se për kë shkruante ai. Çmimi O. Henry (O. Henri) u prezantua për herë të parë në vitin 1919 për nder të tregimtarit të madh amerikan nëntë vjet pas vdekjes së tij. Është i vetmi çmim letrar i përvitshëm për “tregimin e shkurtër me cilësi të jashtëzakonshme” që sponsorohet me fondet e Shoqërisë së Artit dhe Shkencave. Vitin e kaluar juria vendosi t’ia akordoi këtë nder letrar njërit prej 20 tregimeve të zgjedhura, të cilat ishin fituese të çmimit O. Henri. Gjatë më shumë se një shekulli në listën e fituesve ka shkrimtarë të njohur si William Faulkner, Saul Bellow, Raymond Carver etj.
Ndonëse O. Henri ka shkruar poezi dhe ese, emri i tij është sinonim me gjininë e tregimit të shkurtër. Ai filloi të shkruante nga fundi i shekullit XIX – një kohë që afirmoi mundësitë e pakufizuara të kësaj gjinie për t’i vënë subjektet ‘rutinë’ të jetës në qendër të pasqyrimit artistik. Sigurisht shekulli XIX nuk shpiku gjininë e tregimit të shkurtër. Rrënjët e tij shkojnë thellë e zgjaten në drurin gjenealogjik si një nga zhanret më të hershme të pranishme në botën letrare. Modele të tregimeve gjenden të ndërfutura te Odisea i eposit homerik (p.sh. rrëfimi i Eumeut, bariut të derrave) te veprat historike të Herodotit dhe vepra të tjera monumentale, si “Historia e Provonjësit të Krisur” te Don Kishoti i Servantesit. Aty tregimet qenë “të mbuluara’ apo përfshira në hijen e rëndë të gjinive të ashtuquajtuara të mëdha. Lëvrimi i hovshëm i industrisë poligrafike e veçanërisht publikimi i revistave e rriti shumë kërkesën për tregime të shkurtra si zhanër më vete. Meqë revistat hyjnë në çdo shtëpi dhe lexohen me endje si nga shtëpiaket ashtu edhe nga familjarët e çdo moshe, audienca u shumëfishua me anë këtij formati të leverdishëm dhe praktik. Në këtë kohë mjeshtërit më të mëdhenj të penës, që nga Pushkini, Balzaku, Dikensi, Tolstoi, Floberi e të tjerë shkruajnë tregime gjë që e popullarizoi gjininë edhe më shumë, pasuroi format e ndërtimit të tregimeve dhe lartësoi nivelin artistik të tij duke e bërë një zhanër të dashur për lexuesin dhe më pas të domosdoshëm për letërsinë.
Kur filloi të shkruante tregime O. Henri ekzistonte një trashëgimi e pasur e një traditë e fortë por ai me talentin dhe origjinalitetin e tij lëvroi një lloj tregimi që mund të quhet “à la O. Henri”. Ç’është e vërteta, këtë lloj tregimi, që i kanë dhënë epitete a kategorizime të ndryshme, si: “me goditje”, ‘ndriçimvetëtimë”, “fund i befasishëm”, e kanë praktikuar tregimtarë të mëdhenj para tij si Mopasani te “Gjerdani” dhe Çehovi te skicat e tij humoristike, por O. Henri, në sajë të mjeshtërisë artistike e ktheu të papriturën në veçanti të përmbajtjes. Lexuesi ‘rrëmbehet’ nga subjekti edhe kur mendon se mund ta parashikojë të papriturën që do të ndodhë në fund të tij. Megjithëse e papritura është një nga “sekretet” në ndërtimin e tregimeve, autori nuk përpiqet të befasojë në mënyrë të sforcuar. O. Henri nuk kërkon me domosdo dhe kurdoherë të arrijë rigorozisht fundin e lumtur. Përfundimi i trishtueshëm ose edhe tragjik i tregimeve është imponimi i jetës dhe për hir të së vërtetës ai e braktis “happy ending”.
O. Henri gjen një zgjidhje të veçantë e të papritur, por këtë e bën për të arritur një fund që bashkon apo shpjegon subjektin. Në pjesën më të madhe tregimet e tij e ruajnë këtë skemë dhe lexuesi pasi lexon katër-pesë syresh e mëson këtë mekanizëm por megjithatë e pret me endje zgjidhjen dhe shpesh befasohet me përfundimin. Çelësin autori e ruan si një iluzionist i talentuar. Ndonëse lexuesit i pëlqenin tregimet, kritikët e quanin shkrimtar të lehtë, që favorizonte gjetjet e papritura duke shfrytëzuar shumë rastësinë e duke krijuar përshtypjen se në jetë kontradiktat zgjidhen lehtë thuajse në mënyrë farse.
Por O. Henri i kushton rëndësi të veçantë subjektit ose me saktë fabulës apo intrigës mbi të cilën thur ngjarjen. Tipik për mënyrën e ndërtimit të subjektit është tregimi “Roman Dashurie i një Agjenti të Bursës” në të cilin çdo detaj është dhënë në funksion të idesë dhe të një përfundim sa të papritur aq edhe të gjetur, që po e përmbledh në pak rreshta.
Një mëngjes Harvi Maksuelli hyn në zyrë i shoqëruar nga stenografistja e tij Zonjusha Lesli. Kjo nuk shkon drejt në zyrën e saj, si herët e tjera, por rri pak më gjatë afër tryezës së Maksuellit, sikur pret diçka. Pyetja qortuese e Harvit e largon. Me gjysmë zemre fillon punën, ngaqë pret dhe është e sigurt se atë ditë do ta zëvendësojnë. Në zyrë vjen stenografistja e re, por Harvi Maksuelli i kredhur gjer në grykë në punët financiare jo vetëm e përzë, por edhe habitet pse ka ardhur, duke qenë se Lesli punon shkëlqyeshëm. Por në pushimin e shkurtër të drekës, i ngacmuar nga era e jargavanit, nëpunësi i bursës shkon me vrap në tryezën e Leslit, dhe i propozon të martohet me të teksa i kërkon të falur se s’ka nge të bëjë dashuri. Stenografistja mbetet gojëhapur pastaj i rrjedhin lot – mbase ndihet e fyer – por sakaq qesh – mbase ndihet e gëzuar. Ajo i hedh dorën në qafë – sigurisht po e pranon propozimin – dhe i thotë me ëmbëlsi “Harvi i dashur, harrove? Ne u martuam mbrëmë. Dhe vumë kurorë në orën tetë.” Ç’përfundim tjetër mund të ishte kaq grotesk dhe i papritur? Agjenti i bursës ka harruar se është martuar!..
Pasi qeshim me hutimin e Harvit, fillojmë të mendojmë për dramën e vërtetë. Harvi Maksuell, me të hyrë në zyrë, humb çdo lidhje me botën e jashtme dhe jetën personale e njerëzore e kthehet në një mekanizëm, në një burmë të makinerisë gjigande financiare. Çdo mendim, forcë, a veprim është në shërbim të saj sepse siç pohon autori, “në botën e financave s’kishte vend as për ndjenjat e njeriut, as për bukurinë e natyrës.”
Heronjtë e tregimeve të O. Henrit janë të papunët, vagabondët, endacakët, fermerët, nëpunësit e vegjël të administratës, policët, artistë të talentuar por të pafat etj. Nëpërmjet protagonistëve, lexuesi përjeton shtypjen e qytetit të madh si Nju Jorku, shfrytëzimin e përditshëm dhe dëshirën për t’i ikur banditizmit në një lidhje romantike ose aventurë. Ai solli në letërsi edhe zhargonet e endacakëve dhe të pastrehëve pa i banalizuar ato me anë të shprehjeve paksa ekzotike si “tempull i stomakut” për restorantin. Një nga temat që rivjen në krijimtarinë e tij është batakçiu i vogël që bën çmos t’ua hedhë të tjerëve e në shumicën e rasteve e pëson vetë, siç ndodh tek “Etika e Derrkucëve”, “Fëmijët në Xhungël”. Me anë të ironisë, shkrimtari shfaq mirëdashje por është realist. Ndërsa fshikullon vanitetin, mburrjen, filantropinë borgjeze, me atë mënyrën e tij në dukje të shkujdesur, në thelb është prozator i pakompromis i humanizmit, dhembshurisë dhe dëshpërimit njerëzor, si te “Dhuratat e Magëve”, “Pianoja” e gjetkë.
O. Henri vdiq në moshën 47 vjeçare, por krijoi një trashëgimi të hatashme letrare me 600 tregime të shkurtëra veç poezive dhe punimeve të tjera. Jeta e tij personale ishte një përzierje aventurash, dhimbjesh e kërkimesh. O. Henri është pseudonimi letrar i autorit William Sidney Porter, lindur në qytetin Grinsobro të Karolinës Veriore më 1862. Bir i një mjeku, ai mbeti jetim nga nëna në moshën tre vjeçare, dhe e la shkollën në moshën 15 vjeçare. Pesë vjet me radhë punoi në farmacinë e xhaxhait të vet. Për arsye se nuk po i ecte shëndeti u shpërngul në Teksas, ku u punësua si ndihmës në punë bujqësore, postier, llogaritar dhe pastaj si sekretar në një zyrë tokash. Më 1887 u martua e fillon të dërgojë skica të shkurtra në gazeta, nga të cilat nuk siguroi as emër, as të holla. Më 1894 bëhet botues e pronar i një reviste letrare “Rolling Stone” në Austin, Teksas, ku boton satira, pjesë humoristike dhe burleske, si edhe skica e ilustrime të tija. Veç talentit për të vizatuar, O. Henri ishte instrumentist dhe pjesëtar i korit të kishës. Ai u padit dhe u dënua për përvetësimin e një shume të hollash gjatë kohës kur kishte punuar si nëpunës banke. Çështja e fajësisë ose e pafajësisë së tij nuk arriti të sqarohej kurrë plotësisht. Për të shmangur dënimin, Porteri u arratis në Honduras për gjashtë muaj, ku krijoi shprehjen “Banana Republic” dhe mësoi pak spanjisht e gjermanisht. O. Henri u kthye vetë në Amerikë dhe iu dorëzua autoriteteve për të kryer dënimin me pesë vjet burg, që caktoi gjykata. Në Kolumbus, Ohajo, ai është i burgosur shembullor dhe meqë ishte farmacist i licensuar punoi me mjekët në spitalin e burgut. Për të ndihmuar bijën e tij të vetme fillon të shkruajë duke përdorur disa pseudonime. Kur mbaroi tregimin “Dhuratat e Magëve” nënshkruan pseudonimin me të cilin do të hynte në letërsinë amerikane dhe botërore. Në një intervistë me gazetën Nju Jork Tajms ai tregon me humor historinë e përzgjedhjes së këtij pseudonimi fatbardhë. O. Henri nuk është autori i parë që shkruan apo nis të shkruajë kryevepra nga qelia e burgut. Servantesi dhe Dostojevski janë të paktën dy nga shkrimtarët e mëdhenj që kanë punuar me krijimet e tyre më të njohura gjatë kohës kur ishin të burgosur. Pasi lirohet nga burgu dy vjet përpara kohe për sjellje të mirë, krijimtaria e tij letrare është vërtet e hovshme. Ai shpërngulet në Nju Jork ose siç e quan ai Bagdad në Subway për të qenë pranë botuesve dhe shkruan një tregim në javë për gati tri vjet për revistën New York Sunday Magazine.
O. Henri jetoi në periudhën kur kapitalizmi amerikan po shndërrohej me shpejtësi në një fuqi imperialiste. Si shumë autorë të tjerë, ai ishte syhapët ndaj shkeljeve e nëpërkëmbjeve në shtetet e Jugut dhe kundrejt fiseve autoktone indiane. O. Henri nuk u bashkua as me ndonjë parti politike, as me ndonjë rrymë letrare. Si shumë humoristë të tjerë të mëdhenj, ai vetë qe i trishtuar dhe i vetveçuar nga shoqëria e lartë. Protesta e tij ishte protesta e një njeriu me ndjenja demokratike, e pashkëputur nga ideja se të metat e shoqërisë e kanë burimin te e keqja e natyrës njerëzore. Tregimi “Rrugët e fatit” në vëllimin më të njëjtin titull, ilustron fatalizmin e autorit i cili i besonte shumë rastësisë, që e përdor gjerësisht si mjet artistik. Për disa kritikë tregimet e tij për jetën e pjesës jugore të Amerikës dhe në fermat e Teksasit janë më të natyrshme dhe paraqesin tablo më të gjera të jetës si në vëllimin Zemra e Perëndimit (1907) në krahasim me krijimtarinë e tij ku zbulon jetën e metropolit, por vërejnë se në gjithë veprën e tij teknika e nëntekstit është e thurur me mjeshtëri dhe elegancë të rrallë. Në tregimin “Kuadratura e Rrethit” tema qendrore është gjakmarrja por nënteksti e vendos fokusin te pesha e rëndë e qytetit të madh, mospërfillja shkatërruese dhe dëshira për të gjetur një pikëmbështetje njerëzore sado të vogël. Cilësia më e spikatur e krijimeve të tij është humori. O. Henri ka një gaz të çiltër e naiv, që mënjanon banalitetet nga subjektet e tij. Krahasimet e tij origjinale bashkëvënë objektet më të largëta e më të pangjashme, si për shembull titulli i vëllimit të parë “Lakra dhe Mbretër”. Si shumë humoristë të tjerë të mëdhenj, ai vetë qe i trishtuar dhe i vetveçuar nga shoqëria e lartë. Preferonte të hynte në bujtina, të priste në radhët e të papunëve, në stolat e parqeve ku vërente kalimtarët ose rrinte me orë të tëra në hollet e hoteleve duke dëgjuar rrëfimet e udhëtarëve. Në vitet e fundit të jetës O. Henri ishte shëndetlig, i alkolizuar dhe me telashe financiare.
Krijimtarinë e tij e kanë cilësuar “enciklopedi humoristike e jetës amerikane” dhe O. Henrin e kanë quajtur “Mopasanin Amerikan”. Qëkurse lexova tregimin e parë të tij në Shqipëri kam ndjerë admirim për të si tregimtar dhe një lloj miqësie të pashpjegueshme me dikë që nuk do kisha fatin ta takoja kurrë. O. Henri vdiq në Nju Jork në qershor 1910. Unë erdha këtu në vitet ‘90. Jeta dhe rutina e përditshme e nju jorkezëve është e pranishme në çdo faqe të vëllimeve me tregime të botuara gjatë viteve të jetës në metropolin e madh si te Katër Milionë (1906) Llampa e Reduktuar (1907), Zëri i Qytetit (1908), I korruptuari Xhentil (1908), Rrugët e Fatit (1909), Mundësitë (1909), Vetëm Çështje Biznesi (1910), Rrotullorja (1910). Tri vëllime me tregime dhe shkrime të tjera u botuan pas vdekjes. Në vitin 2011 Presidenti Obama i dha falje presidenciale posthumous – një gjest simbolik – në të njëjtin vit që O. Henrit ju dedikua një pullë postale nga shërbimi postar amerikan. Edhe pse ai prehet në vendlindjen e tij në Karolinën Veriore, në Nju Jork unë pashë nga afër tablotë e jetës që kishte përshkruar O. Henri, mjerimin në mes të luksit dhe vobektësinë në mes pasurisë përrallore, si edhe protagonistët disi të romantizuar të tij si të pastrehët, lypësit, endacakët, shitëset e kioskave. Unë e pata admiruar stilin dhe humorin e O. Henrit përpara se të lexoja tregimet e tij dhe në këtë kuptim afërsia me të nuk është rastësi. Më mjafton të kujtoj proverbin e tij për sekretin e të shkruarit për të cilin natyrisht do binim dakort. “Nëse ajo që ke shkruar nuk të kënaq ty, atëherë nuk ka sesi të kënaq publikun. Por, kur je duke shkruar, harroje publikun”.