Albspirit

Media/News/Publishing

Simbolizmi Mitologjik – Zeusi si metamorfogon dhe Kalistoja e Virgjër!

Ngjitur:
1 – Soa Le – “Hera, Mbretëresha e Perëndive të Olimpit” (Art Digjital).
2 – Gaetano Gandolfi (1734-1802) – Diana (dmth. Artemisa) dhe Kalistoja, ~1780,
Simbolizmi Mitologjik – Zeusi si metamorfogon dhe Kalistoja e Virgjër!
S. Guraziu – Ars Poetica, P 2019(…metamorfoza e Zeusit do i kalonte gjithë kufijt e mundshëm të “marrëzisë” – ose dhe në rregull transformimi, s’e kemi problem këtë, sot pajtohemi madje dhe me “transformerët” prej llamarine të Hollivudit, ama kësaj radhe siduket vetëm një detaj na paskësh harruar ta “transformonte”…).

***
Mitologjia s’e pati kurrë as të saktë e as të qartë nëse Kalistoja na ishte një nimfë apo vajzë e ndonjë mbreti (e Likaonit psh.). Sidoqoftë, Ovidi na i la “Metamorfozat” e veta. Sëpaku virgjëresha e pafat tani është nderuar përjetshëm mes yjeve (Kalistoja është ajo “Arusha e Madhe” e qiellit – Ursa Major). Pse pikërisht “Arushë…”? Sepse… sepse padyshim mitologjia kishte t’bënte diç me arushat.

Apo sepse ishte e dashura e Kryezot Zeusit (duke e mashtruar, manipuluar) dhe pastaj nga inati Hera (gruaja e Zeusit) e pati kthyer në një arushë. Apo sepse e ngrata, thjesht pati qenë e pafat, Palepatusi dikur pati shkruar se Kalistoja mund t’ketë qenë viktimë e një ariu të uritur, pastaj Zeusit i qe dhimbsur, do ia falte pavdeksinë qiellore.

Kalistoja ishte një pasuese e motrës së Apollonit, e perëndeshës së gjuetisë Artemisa (ose Diana, siç quhet e njëjta, perëndesha romake). Të ishe pasuese e perëndeshës së virgjër Artemisa nënkuptonte ta kishe dhe vetë, shpirtërisht e fizikisht, pastërtinë e virgjërinë. Duhej t’ishe 100% e pastër. Përndryshe nuk shitej, zor t’ua hedhësh perëndeshave. Kalistoja s’kishte ndonjë problem me “rregulloren”, i kishte të gjitha, me virgjëri e pastërti, devotshmëria e saj s’ishte në pyetje. Ama problemi do vinte sepse, meqë jashtëzakonisht e bukur, do t’i pëlqente fort Zeusit. E ky s’na ishte “kushdo”, na ishte Zeusi.

Burri i botës… na qenkësh dashuruar marrëzisht (jo “burri”, se u ngatërruam, zot-burri:) aq sa i duhej ta shpikte një plan, i duhej ta mashtronte disi. Mirëpo dhe aq e lehtë s’ishte, edhe vetë kryezotit i duheshin dredhira e plane. Në fakt gjërat ishin mjaft të koklavitura dhe për vetë Zeusin. Pasi jo ndokush tjetër por ai vetë ishte babai i perëndeshës Artemisa. Pastaj kishte dhe detaje tjera që ia vështirësonin punët, psh. ishte i martuar.

T’jesh i martuar me gjasë as për zotat s’ishte “pak” pengesë. Gruaja e tij s’ishte kushdo por vetë motra e tij Hera, njëra nga dymbëdhjetë hyjnorët e Olimpit. Anise Hera s’do ishte “gruaja e vetme” (Zeusi do t’i kishte disa gra legjitime që i “njeh” mitologjia), gjithsesi në kohën kur Kalistoja bëhet pjesë e tragjedisë, ishte Hera. Nëse ajo ta merrte vesh tradhtinë e tij, padyshim do t’ia punonte disi, do ta “vriste” nga inati, do ta “mbyste”… siç ia themi ne sot.

Nëse hiçasgjë, tekefundit do t’bëhej gazi i botës, madje i dy botëve, i botës së vdekatarëve, dhe i asaj të hyjnorëve. Ishte në pyetje vetë prestigji hyjnor, zotat në Olimp do t’mahniteshin me fyerjen e me skuqjen e Kryezotit. Meqë ata padyshim dhe mund ta përcillnin spektaklin, s’kishin Netflix… ama mund ta shihnin mbase në syprinën e ujit, si në pasqyrë. I kishin dhe ata “teknikat” e veta.

Zeusi pra do duhej t’shkilte 2-3 herë “ferrishtes së mëkatit”. Gjoja në emër të dashurisë, me një hap të vetëm do t’i kryente 2-3 mashtrime. Fillimisht ndaj vajzës së vet, Artemisa. Pastaj ndaj gruas legjitime, Herasë. Dhe sëfundi ndaj vetë pafajësisë, ndaj të pafajshmes Kalisto.

Sa për burrërinë, asgjë e jashtëzakonshme për një Zeus, durimi i tij do t’mbaronte një ditë dhe thjesht do shndërrohej në figurën e vajzës së vet. Do ta merrte pra pamjen e perëndeshës Artemisa. Metamorfogonizmi i tij kështusoj do t’i kalonte gjithë kufijt e mundshëm të “marrëzisë”. Shih pra, zot-burri i botës… aq ulët mund të zhytej, Cili burrë ordiner i lashtësisë do ta bënte një mashtrim kaq të pafalshëm! Cili vdekatar do ta bënte, askush – jo pra, vetëm zotat : )

S’është se e pati vënë thjesht një “maskë” fytyrës… jo, tërësisht e pati marrë formën e vajzës së vet. Kalistoja e ngratë tashmë s’kishte asnjë shans t’i rezistonte vardisjes së “perëndeshës Artemisa”, të cilën ajo e adhuronte. Pa le ta refuzonte një bukuroshe që shkëlqente si vetë Hëna. Padyshim do ketë qenë e pamundur të refuzohej një virgjëreshë siç ishte Artemisa.

Mitologjia tutje i komplikon gjërat bukur shumë duke na thënë se Kalistoja pati ngelur shtatzënë! Në rregull, ama ndoshta “ngelet” dhe ky detaj me një pikëçuditëse në bisht! Qëkur Artemisa e vërtetë si perëndeshë ishte e virgjër. Edhe sikur t’mos ishte e virgjër, prapëseprapë i mungonte diç e rëndësishme… si detaj për shtatzaninë. I mungonte sepse ishte vajzë. Mitologjia askund s’thotë ndryshe, as për vajzërinë as për parregullsinë eventuale të hormoneve. As për Artemisen dhe, apo as për Dianen e romakëve si analogji, mitologjia s’e përmend kund, s’flitet kurrë për ndonjë shenjë “hermafroditeske”.

Dhe tashmë Zeusi thjesht na transformohet në “Artemisa” – qe bërë vajza e vet, qe kthyer në një virgjëreshë. Hm, vetë zoti i botës lozte me të tilla kartash mashtrimtare! Në rregull transformimi, s’e kemi problem këtë, sot pajtohemi madje dhe me “transformerët” prej llamarine të Hollivudit. Dihet se ai ishte zot suprem, njëkohësisht Kryezot, zot i madh mashtrimtar dhe metamorfogon i paparë. Herë kthehej në ndonjë dem, herë në diç si skifter, ama kësaj radhe siduket vetëm një detaj na paskësh harruar ta “transformonte”.

Për të pafajshmën Kalisto do t’pasonte tregjedia, gjithçka pastaj do rrënohej e do t’merrte fund. Duke e njohur pafatësinë e saj Kalistoja do t’na dhimbset që nga lashtësia e deri në përjetësi. Kur perëndesha Artemisa përfundimisht e zbuloi shtatzaninë e saj, Kalistoja qe përjashtuar aty për aty. S’mund as t’i afrohej perëndeshës, e kishte “tradhtuar” gjithë rendin. Pastaj do vinte pezmi i Herasë së furishme, i gruas së Zeusit.

Siduket Hera duke mos patur ç’t’i bënte “gomarit… i mëshonte gjithçkaje që i dilte në rrugë”, e shndërroi Kaliston në një arushë. Më vonë, pafatësia e saj do ta arrinte kulmin, duke mos e njohur (ashtu me pamjen “arushore”) për pak e ta vriste vetë djali i saj, gjerësa në gjueti. Por jo, meqë ishte vetë fëmija i “Artemisa-Zeusit” (dmth. i transformer Zeusit), perënditë e patën mëshiruar. Thjesht e patën fiksuar lart në yllësinë, ku do t’shndriste përjetshëm si “Arushë e Madhe”.

Përafërsisht (ashtu me fjalë të mia tani) Palepatusi pati shkruar si vijon:
“miti për Kaliston na flet se gjoja gjatë gjuetisë ajo u shndërrua në një arushë. Në rregull, por si e kuptoj unë, gjatë gjuetisë Kalistoja e gjeti rrugën në një shkurishte ku, fatkeqësia e saj qëlloi t’na ishte ndonjë ari i uritur i cili e kullufiti. Ajo qe parë të hynte në shkurishte por s’dilte nga aty, pati dalur vetëm ariu i ngopur dhe i cili tashmë pati vajtur i qetë rrugës së vet. Dëshmitarët okularë do ta interpretonin pastaj se vajza qe kthyer në një arushë”…

Nëse një dikush para dy-tre mijëvjeçarëve mund t’shkruante kaq “qetë”, kaq thjeshtë dhe kaq afër njëmendësisë tokësore, atëherë do ishte absurd që ne sot t’i interpretonim gjërat “ndryshe”. Natyrisht më e bukur fantazia, imagjinata… !

Please follow and like us: