Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Shoqëria dhe idetë…

Historia njerëzore tregon se asnjë shoqëri nuk është zhvilluar pa një ide të qartë, pa një shtytje të fortë dhe pa një ideal të madh.
Kosova në vitet e 90- ta i kishte të gjitha këto.
E kishte idenë e qartë për të fituar lirinë e humbur; e kishte shtytjen për t’u bërë shtet demokratik dhe i lirë si kombet e tjera të përparuara perëndimore; e kishte idealin e madh për t’u integruar në këtë familje prej të cilës ishte ndarë padrejtësisht.
Në vitet e 90-ta, Kosova kishte një elitë shembullore së cilës i printe shkrimtari dhe dijetari i madh, Ibrahim Rugova.
Ai ishte i madh sepse kishte një ide të madhe, një ide të qartë, një qëllim të madh dhe një traditë të fortë ku e mbështeste filozofinë e tij politike dhe kombëtare. Dhe, në sajë të kësaj platforme ne i fituam të gjitha ato që i synuam: lirinë, demokracinë dhe pavarësinë.
Ku jemi tani?
Sillemi të trullosur dhe nuk dimë çka duam dhe kah duam të shkojmë.
Më shumë krijojmë armiq se miq.
Si pasojë e kësaj gjendje të amullt, sot jemi shndërruar në shoqëri amorfe, konfuze, pa ndonjë shtytje, e refuzojmë traditën dhe nuk shquhemi për asnjë ideal të madh.
Flasim dhe kukurisim kundër “të keqes” dhe atë e kërkojmë gjithmonë diku tjetër, jashtë nesh, duke mbyllur sytë përballë të vërtetës se bashkëfajtorë në të keqen jemi të gjithë ne. Jo vetëm “ata” që janë diku dhe kanë drejtuar ose drejtojnë me vendin tonë.
Për të parë si është stërkeqë i ashtuquajturi debat publik te ne, të duhet pak kohë të shihesh si gërvallën e gulçojnë shqiptarët andej e këndej, kundër atij e këtij, vetëm pse duhet gjithmonë rreshtimi pro dikujt apo kundër dikujt. E gjithë kjo vjen nga një nevojë çoroditëse për t’u shprehur për çdo gjë ose siç thoshte Eco nga mania për t’u dukur.
Një shoqëri ku secili “shpërthen”, “vërsulet”, “gërvallët”, “gulçon”, dhe ku secili ka çka të thotë kundër dikujt apo diçkaje, ajo shoqëri siç thonë të diturit – është gërmadhë njerëzish të çorientuar.
Krejt kjo që ne e quajmë debat, në të vërtetë, as përafërsisht nuk i afrohet debatit. Është zhurmë dhe kakofoni e rrezikshme për shëndetin psikik të kombit tonë.
Të bësh debat, domethënë të dish për çka flet, të kesh një ide për të cilën angazhohesh, të kesh një përvojë dhe të jesh mishëruar me një gamë tekstesh e të vërtetash empirike.
Shoqëria jonë sot nuk udhëhiqet nga asnjë ide e qartë politike, shoqërore e kulturore, ajo nuk është as demokratike e as jodemokratike. Ndaj, kemi kaq shumë intriga, paqartësi e marri. Sepse, jemi një pështjellim doktrinash e idesh amorfe dhe jemi peng e instinkteve, intrigave, reagimeve impulsive, të pamenduara dhe të paartikuluara qartë.
Pas dy dekadash e më shumë liri, Kosova sot nuk ka ide politike, kulturore dhe sociale. E kjo është arsyeja pse jemi shndërruar në tokë të pëlleshëm për gjithfarë marrinash e rreth të cilave vërtitemi si të marrë.
Njerëz, një komb që nuk gjen paqe me vetveten, ai duhet të mendohet mirë. Ai duhet të kërkojë tempullin e katharsisit dhe të hyjë aty, duke i ulë flamujt e urrejtës dhe duke u penduar thellë.
9 gusht 2018.
Please follow and like us: