Cikël poetik nga Jorida Satka
Erdha të të puthja
Erdha të të puthja
ditën që ndërrove jetë…
Të thashë që duhet ta doje më shumë
e t’i mbushje mendjen
ta merrje me vete…
Të percjell në varreza
rrugës mban në dorë një tufë me karafila dhe këput lulëkuqe që i mban erë,
rrëzë qiparisave të lartë e të heshtur…
Ti heshtur flet pa pushim e rrathët e Ferrit kërkon në sytë e mi,
sikur doje të më dhuroje frymën
e hijes tënde.
Ecën në rrugën pa emër
në errësirë me dritat e shpirtit fikur…
Po për ku?
Ah, mos më bëj të vij të të puth përsëri!
Dita nuk u zgjua
dhe nata
pushtoi varrezat…
Kalimtarët e viteve
Donin kalimtarët e viteve
të fshinin gjurmët e kohës…
Kujtimet janë të parajsës,
nuk mund të hiqen kollaj,
as të zëvendësohen, as të vdesin.
Vetëm një sëmundje të shpëton…
Ndoshta s’e dini se koha di të fluturojë?
Hesht heshtja e vetmuar,
hesht edhe Unë.
E rri flas me vdekjen për kujtimet.
Në tregun e ideve nuk është askush
të blejë paqen e mendjes…
Vesh një mantel Ajo
e më kthen në shtëpinë e vjetër të pluhurosur, ku duhet të ngjis dekadat
e të shoh sytë si xixëllojnë nga zjarri.
Jo nga loti i dhimbjes së rrëzimit të parë…
Nga zhgënjimi i shpirtit.
Po, po, nga ajo.
Është gënjeshtër t’ju them jo.
M’u përmbys bibloteka, tek hiqja pluhurin me pecetën e vjetër,
të pagojë… nga raftet e saj…
Libri më i madh ai i vjetri,
i rëndë sa koha u nda në dysh…
Një kartë e verdhë e vjetër qëndronte
në këmbët e vogla.
Kurioziteti s’më lë, shkrim i keq.
E vogël, nuk di shumë fjalë, nuk di kuptimin e shumicës ndoshta…
Herë të shumta duhet të pyes…
Por lexoj… dhe lexova:
“Ajo nuk është vajza jote…
Por e tij…” dhe një zhgarravinë e deformuar.
Engjëlli ende më tall, ende vazhdojnë
të hedhin petale dhe gjemba
nën këmbët e mia…
Të gjithë heshtin kur duhet të flasin,
ditë zie.
Nuk është askush i pafajshëm.
A jam unë ajo?!
Leckën e pluhurave shtrëngoj fort, bashkë me letrën e rrudhur.
Katër frymë çuditur shikojnë,
katër palë sy shigjetë më godasin.
Jam akoma e mitur,
zvarritem kohës së shkuar.
S’jam ajo apo jo?
Jetimja e braktisur?
Engjëll më dërgo ku më gjete!
Mos vazhdo më…
Po mësoj të vuaj në heshtje e të dua me forcë të mirë njerëz, por të rrallë.
E mirësinë kërkonte, por nuk e gjeti
mes njerëzve kurrë…
donte si vetëm jetimi di të dojë,
sepse as ata të gjakut nuk e deshën dot kurrë sa i donte dhe i do…
E si mund ta blejë paqen e mendjes?
Kjo histori vazhdon…
nuk ndërpritet as nga luftrat përtej meje.
Vazhdon makina e kohës në rrugën
e së kaluarës së ardhme…
Ditët dhuronin dashuri
Ja thoshte shumë herë në ditë
që e donte, sa e lodhi me dashurinë
si mjalti enën e tij.
Sillej më shumë se mirë me të,
sa e lodhi me durimin e duruar.
Shkruante aq shumë për të
e nuk kishte koha më kohë
për të lexuar tjetër gjë…
Ai qe koha e saj,
mbaronte të ishte
mendim i fshehur në skutat
e trurit të tij…
Po kurrë s’e mori vesh çfarë qe për të…
Vetëm vdekja e dinte lidhjen e tyre,
kurse jeta lëkundej si lavjerrës
midis asaj që kuptonte dhe të pakuptueshmes.
Ditët hanin kuptim dhe dhuronin dashuri…
Please follow and like us: