Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: ARTISTË SHQIPTARË NË SKENAT E EKRANET GREKE

Dikur, kur në “vërshimin lumor” të emigrantëve shqiptarë drejt kufirit jugor, u ndodhën edhe mjaftë aktorë shqiptarë që pranuan të jenë njerëz të lirë, duke iu nënshtruar punës së krahut, me ndrydhjen e talentit të tyre. “Bota shpirtërore” e tyre, thuajse po venitej e gati po shuhej! Mbyllej kështu një “perde e vjetër” nga e kaluara dramatike dhe hapej proçesi i mbijetesës nga “Alfa e Alfabetit Grek”, që dëftente punën e rëndë e “varrosjen e talentit”, në inversin tjetër, të gjetjes së vetvetes në ajrin e lirisë e të vetëdijes së personit… Krahas hapjes së kufirit, uljes së armëve dhe bujarisë së popullit fqinj aq “të largët”, që u bë aq “i afërt” dhe u hapi dyert e shtëpive, u shtroi bukë e u dha punë e mundësi jetese, të ardhurve të raskapitut nga diktatura e gjatë. Dy regjisorë grekë, xhiruan menjëherë filmin me subjekt shqiptar e me titullin po shqiptar: “Mirupafshim” që donte të thoshte “Mirëseardhët”, ku do të interpretonin së bashku artistët e të dy vendeve e ku do të debutonte i madhi ynë Kadri Roshi me të madhen Margarita Xhepa e ku materiali dokumentar i freskët do të gërshetohej e harmonizohej me subjektin që përcillte ky realitet i dhimbshëm. Dhe menjëherë, një regjisor arvanitas realizoi filmin artistik “Dashuria erdhi nga larg”, ku me të vërtetë, këta njerëz të raskapitur, sillnin edhe mjaft dashuri me vete, ëndërra, tok me dëshirën për të qënë edhe puntorë të mirë e të dobishëm, për vete e për vendin ku vajtën. Dhe ku regjisori Manusho Manushaqi e pa të arsyshme që rolin kryesor të argatit shqiptar ta interpretonte një artist grek, më së tepërmi si simbol, për të rrëfyer se jemi i njëjti popull e të njëjtët njerëz, me shpirt e zemër. E, përreth këtij personazhi, që e fliste edhe ndonjë fjalë shqipe, do të interpretonin edhe katër aktorë shqiptarë: Laert Vasili, Nikolla Llambro, Armando Dauti e Aleksandër Rapi. Që do të pasohej edhe nga regjisori tjetër arvanitas Filipos Cipos, me filmin “Akademia Pllaton” me subjekt krejtësisht shqiptar, që nga koha e luftës së ftohtë, kur nëna humbet djalin e vëllai vëllanë, për ta gjetur njëri-tjetrin, vite më vonë, në rrethanat e emigrimit masiv e ku roli kryesor do t’i besohej ish studentit tim Anastas Kozdine, i cili do të interpretonte përbri aktorëve te shquar grekë Titika Sariguli dhe Andoni Kapexopullos. Duke u “kurorëzuar” vite më pas, me shfaqjen teatrale për legjendën e Kostandinit me Doruntinën, ku aktoria jonë e madhe Margarita Xhepa, do të interpretonte përbri pesë aktoreve të tjera ballkanase e do të cilësohej më e mira ndër to… Po realizohej kështu, një ëndërr e madhe!
Prioriteti i artistëve shqiptarë në këtë realitet krijues e mbijetese, është vlerësuar edhe nga vetë aktorët e vendit fqinj, si përgatitje arti, me bazamente profesionale të forta e bashkëkohëse, aq sa Zonja e Artit Grek Sariguli, me një përvojë të gjatë skenike e kinematografike, thoshte haptazi se “regjisori ynë, të gjithëve na kthente në prova, po jo aktorët shqiptarë”, si edhe më pas, arriti qe njeri nga artistët greke, të përulej para artistes së Popullit Margarita Xhepa, në një promovim arti publik e t’i puthte dorën në shenjë respekti. Dhe akoma, kur personalitete të artit viziv Grek, si Manushaqi, Piatas, Andonopulos, Perelis, Melenaqi e të tjerë do të shprehen për aktorin tonë Nikolla Llambro në superlativa të pakursyera, për vlera bashkëkohëse që bëjnë kthesë në serialet greke të filmit… Në këto rrethana, artistët tanë krijuan Shoqatën “Aleksandër Moisiu” që nuk jetoi gjatë, për vetë koncepin e trashëguar nga e kaluara, se “artisti duhet të krijojë i lirë, i vetëm e jo në bashkësi, në ‘kope’, si njëherë moti”… Mirëpo, më vonë, do të ndjehej në dhe të huaj, edhe nevoja e takimeve dhe e diskutimeve krijuese me njëri-tjetrin, domosdoshmëria e promovimeve, pse jo edhe e krijimi i shfaqjeve të përbashkëta teatrore, të ekspozitave të artit pamor, apo edhe të koncerteve muzikore, ndërkohë që komuniteti shqiptar në Greqi po e arrinte milionin, afërsisht… Atëhere u krijua Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve Shqiptarë në Greqi (“Liter-Art”), që do të mbijetonte 16 vite suksesi, gjersa nisën tërmetet e pandemirat e do të “shkrihej vetiu” nga hallet e egzistencës e të izolimit… Ndërkohë që ishte krijuar shfaqia e parë teatrore “Ndyrësira” në shqip, nga Lefter Simoni, mbi racizmin e ksenofobinë që sapo kishte filluar të ndjehej mbi “shpinën” e refugjatëve të huaj. Që do të vazhdonte me dramën “Emigrantët” të Morzhekut, nga aktorët Karafil Shena e Nikolla Llambro,-si shfaqie fituese në Festivalin Ballkanik të Teatrove në Korçë, si edhe në Vlorë, me shfaqjen “Xhordan” nga Gjenovefa Rredhi, po njëlloj-si fituese e kësaj kupe! Në skenat e Athinës po debutonte me sukses Laert Vasili. Nisën të viheshin në skenë spektakle, me trupa teatrore greke nga aktoria e regjisoria jonë, Katerina Haska, ndërsa në trupat teatrore greke të merrnin pjesë, gjithmonë e me tepër, aktorët tanë Karafil Shena, Gjenovefa Rredhi, Marsela Lena, Merita Dabulla etj. Titika Sariguli, realizon komedinë e Aristofanit “Paqja” me aktivizimin e aktorit tonë Festim Zaçe. Me spektaklet e mëtejshëm të Laert Vasilit, ndodhi edhe incidenti i padëshiruar i një “frenimi” racist prej “Agimit të Artë” gjersa ai, do të largohej fare prej këtij vëndi. Po artistët shqiptarë do të vazhdonin përpjekjet e “luftën” e tyre të egzistencës si komb, jo pa sukses, me imponimin artistik e profesional të instrumentistëve shqiptarë, që përbënin orkestrën e madhe sinfonike në “Megaro Muziqi” të Athinës, po edhe me disa disa koncerte muzikore që jepte “Liter-Arti”, prej kompozitorit Spartak Tili, me bashkëshorten, këngëtaren Anthulla Tili, disa ekspozita të artit pamor nga piktorët Leonidha Bullgari e Librand Dhrami, si edhe me një sëri promovimesh artistike e letrare të mirorganizuara, bile edhe me bashkpunime të rregullta me Lidhjen e Artistëve Grekë… Ndërkohë që u duken edhe shfaqjet e realizuara në Teatër nga regjisori ynë i ri Enke Fezollari e në kinematografi nga Buajr Alimani. Nuk kishte pak kohë që Alimani, emigranti e miku ynë në Greqi, sapo kishte fituar një çmim në New York, duke përfaqësuar Greqinë, po njëlloj me 30 çmimet e kineastit shqiptarë Jani Zhonga të ERT-1, 2 e 3, ashtu sikundër i kishte ndodhur Lefter Simonit në Prishtinë (Kosovë), Nikolla Llambros e Karafil Shenës në Korçën tonë e Marsela Lenës në Festivalin Internacional të Butrintit, tek përfaqësonte Greqinë… E, ishte po kjo aktore që në njerën prej shfaqjeve të saj në Kryeqytetin Helen, publiku i edukuar athinjot, pa e ditur se kush qe kjo aktore, nuk rreshtte së duartrokituri dhjetra herë. Duhej të mbyllej perdja dhe shoqet e saj, aktoret greke, e vështronin me admirim, të magjepsura po njësoj. ”Si ështe e mundur”-tha njera prej tyre… Po Marsela nga Leskoviku (“Guri i thatë”,-siç i thonë), nuk fliste dot më…. eshtja fiste shumë më tepër!
Vitet e fundit , me artistët e rinj të lindur në Greqi e ata që erdhën këtu, në mosha të vogla e mësuan nëpër shkollat e këtij vendi, u krijua një brez i tërë artistësh të talentuar që u dukën sidomos nëpër serialet e shumta të filmave televizive greke. Aq sa, sikundër thotë aktoria jonë Gjenovefa Rredhi, e cila dikur ka qënur nxënësja ime “Kudo që të vesh sot, do të gjesh patjetër artistë të rinj shqiptarë”, të cilët edhe televizioni e vendit i reklamon tani fare pa ndroje e paragjykime. Artistë që nuk fshihen më si dikur, po që krenohen se janë shqiptarë. Tashmë nuk befasohemi më me këngëtaren tonë në Qipro, Elena Furrera, që entusiazmohet kur takohet me kolegët e saj në Tiranë e në Romë, duke bërë edhe shenjën e Shqiponjës me të dyja duart, me aktorin Dhmitër Kapurani lindur e rritur në Greqi, që merr disa çmime në Festivalin e Filmit të Selanikut, me ekspozitat e skulptorit të suksesshëm Ilirian Shima, me koncertet muzikore të këngëtarit Florian Dine, që erdhi 5 vjeç fëmijë e kur shkoi në shkollë, pas një viti, i pshurnin çantën e shkollës ca fëmijë të prapë e të ndërsyer nga racizmi i trashëguar! Po, me rritjen e tij, kur ai do të fitonte, me mësime e punë shembëllore, vlera njerëzore e profesionale, si këngëtarë e aktor simpatik, (me pjesëmarrjen e tij 6në serialin e filmit “Paraqitu!”), do ta ndjente veten të barabaertë me kolegët grekë. Pa e fshehur kurrë identitetin e tij dhe pa i bërë emrit të tij asnjë ndryshim e me asnjë “s” a “is” nga mbrapa! E njëjta gjë do t’i ndodhte edhe djalit simpatik nga Durrësi Vasil Miha, i cili do ta niste “udhën e ngjitjes” si futbollist, do të vazhdonte si modelist e do të zgjidhej, si aktori më i përshtatshëm për realizimin e serialit të filmit televiziv “Erotas Dhjafora” (“Dashuri e Pabarabartë”) e të “Në tokën e ullinjëve”, duke u shquar edhe si artist dy planësh krijues, në të parin me zhdërvjelltësinë e komicitetin e një djaloshi të dashuruar dhe, në të dytin, me seriozitetin e një aktori me horizont e botë të brendshme psikologjike, në rrethana të panjohura për të, kur do të interpretojë, pa asnjë stonaturë përbri aktorëve më të njohur të vendit fqinjë dhe ku nuk do t’i mungojë as natyrësia e interpretimit organik. Aktorë shqiptarë të tjerë që bien ne sy me talentin e tyre do të gjeni tani edhe ne filmat serialë “Deti i errët” dhe “Vitet më të mira”… Por, pse mos të ndalemi më gjatë, tek suksesi i Gjenovefa Rredhit në inskenimin e tanishëm të veprës së Ornela Vorpsit që jeton në Francë “Vendi që nuk vdes kurrë”, realizuar në një Teatër të Athnës, ku ajo interpreton para publikut grek, të gjitha rolet, për dy orë rresht, duke përdorur vetëm garderobën për secilin personazh e duke interpretuar nga skena emocionet e fuqishme që krijoi tek ne Diktatura e Egër. Apo tek rasti i jashtëzakonshëm i debutimeve të njëpasnjëshme të aktorit Nikolla Llambro, i cili, pse jo, shënon një kthesë të rëndësishme, nga filmat komercialë e “limonadat” e dikurshme, të komedive të lehta, që pushtonin ekranet e këtij vëndi, me tradita të lashta të vlerave teatrore. Sepse, krahas kolegëve e regjisorëve vendas, artisti shqiptar, sjellë përvojë të re, interpretime psikollogjike që zbulojnë edhe pafundësitë e shpirtit njerëzor, si karaktere të papërsëritshme, po edhe si eksperienca artistike të ndërsjella midis popujve fqinjë që kanë se ç’farë t’i japin e marrin njëri-tjetrit. Me profile të tilla artistike si ky i Nikolla Llambros, me një botë të pasur e rrjedhëse, si pus i thjellë që nuk i dihet fundi ende. Që pasurohet më profilin krejt të veçantë të Karafil Shenës, me fizionomin ekspresive të njeriut “djabolik” që shfaqet papritur e të befason nga asgjëja. Që mahnitesh me këngëtaren e zjarrtë Elena Furrera, e cila sikur vazhdimisht digjet në flakën e vet e përsëri ngjallet, ndritë e të rrëmben. Apo me një aktore tokësore si Marsela Lena, e pashtershme me krijimet e veta dhe me një tjetër akoma, si Gjenovefa Rredhi, që të rrëmben e s’të lëshon më, me forcën sugjestive të mendimit e të frymës…
Mikja Greke, Mimi Denisi, e cila ka në Athinë Teatrin e saj, si edhe Studjo Aktrimi të vetën, për disa interpretime të së cilës (Ana Karenina e Perandoresha e Bizantit, Theodhora) kam shkruar në shtypin Grek e në atë Shqiptar, ka gjithashtu mbresa të larta, për djemtë e vajzat shqiptare që aktrojnë në skenë e në film, si edhe për ata që studjojnë aktrim tek ajo dhe më është lutur dikur që të interesohesha edhe pranë institucioneve shtetërore e atyre artistike, për pranimin e saj në Shqipëri, si vëzhguese për një farë kohe, sado të shkurtër, -gjë që nuk ma bëri “të bardhë” njeri prej Ministrave tanë të Kulturës, të cilët ndërrohen aq shpesh!… Ndërsa miku tjetër i imi, nga Greqia, Paskalis Tcaruhas, (aktor e këngëtar njëherësh), do të ishte mysafir në Festivalin Ballkanik të Kames, njëherësh edhe fitonjës, me një personazh-cub, që proteston ndaj ligjeve të padrejta të vendit të vet e del malit! Dhe që, pas shfaqjes, gëzohej me ne në tryezë, me ethet e krijimit e me raqinë tonë të fortë, duke ia marrë edhe këngës shqip, në atë mbrëmje të LAMTUMIRËS, si të ishte me të vërtetë në shtëpinë e tij. Tashmë është krijuar kjo atmosferë e mirë e ndërsjellë, që lypset mbajtur, po ashtu edhe nga “kapistalli” i politikëbërësve, nga të dyja krahët…
Athinë, 2 nëntor 2022.
Please follow and like us: