Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Abdulla Mehmeti: “Shqiptarët e Maqedonisë – prioriteti i çështjes shqiptare”

Prof. Dr. Abdulla Mehmeti, një nga themeluesit e Universitetit të Tetovës, shkruan sot në faqen e tij reflekse mbi librin tim “Shqiptarët e Maqedonisë-prioriteti i çeshtjes shqiptare” dhe përqasjen me realitetin e sotëm të shqiptarëve te Maqedonisë.
Abdulla Mehmeti
Me shkas
Përurimi i librit “Shqiptarët e Maqedonisë – prioriteti i çështjes shqiptare” i diplomatit Shaban Murati, ambasadori i parë i Republikës së Shqipërisë në Shkup (1993-1997).
Shkup, 27 tetor 2016.
* * *
Reflekse
EVROPA ËSHTË LAGJE E PËRBASHKËT E TË GJITHË POPUJVE TË SAJ, KU SHQIPTARËT DUHET TA NDËRTOJNË E TA KENË SHTËPINË DHE OBORRIN E TYRE TË LIRË
Mesazhi i fuqishëm që përçon ky libër në ditët e sotme, siç duket nuk ende nuk është kuptuar nga faktori politik shqiptar, jo vetëm në Shkup, por edhe në Tiranë dhe Prishtinë, si dhe në Mërgatën shqiptare.
Realiteti i ri, i krijuar dhunshëm në këto hapësira të Gadishullit Ilirik gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotme, nuk mund të sfidohet me këtë qasje të ngathtë, me mungesë strategjie kombëtare dhe pa angazhimin e të gjithë faktorëve politikë, ekonomikë, kulturorë dhe të tjerë, në nivel kombëtar.
Lënia e fatit të shqiptarëve në Maqedoni në duart e disa klaneve dhe grupimeve në kuadër të partitë politike ekzistuese nuk ka dhënë deri më sot dhe nuk mund të jep rezultate të dëshiruara, sidomos në rrethanat kur në këto hapësira gërshetohen dhe pa ndalur përplasen interesat e shteteve fqinje dhe ato gjeopolitike e gjeostrategjike të Fuqive të Mëdha, evropiane dhe globale.
Zvogëlimi i vazhdueshëm i numrit të banorëve shqiptarë në Maqedoni, ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë gjatë shekullit të kaluar edhe sot, tkurrja e territoreve etnike dhe zvogëlimi i hapësirës për jetesë normale, diskriminimi kushtetues, ligjor dhe në të gjitha format i shqiptarëve nga pushteti i këtij vendi, si gjatë ish-regjimit komunist jugosllav edhe gjatë periudhës së transformimit demokratik dhe pluralizmit në tri dekadat e fundit; veprimi me plan dhe strategji i faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm kundër qenies shqiptare, kërkojnë veprime dhe qasje ndryshe nga faktori politik dhe intelektual vendës, dhe jo vetëm, pavarësisht nga disa të arritura formale gjatë kësaj periudhe, të cilat jo vetëm që nuk janë të mjaftueshme, por ato mund ta vulosin realitetin e ri të krijuar në mënyrë të dhunshme nga ish-regjimet pushtuese dhe okupatore, por edhe veprimet e sotme të pushteteve jodemokratike, përmes strategjisë afatgjatë thellësisht kundër qenies shqiptare në këto hapësira.
Plani sekret “Naçertania” dhe të gjitha derivatet e mëvonshme serbomëdha në atë frymë, platformat, programet, elaboratet etj., kundër shqiptarëve në Gadishullin Ilirik, nuk janë shpallur të vdekura deri më sot. Ato janë aktive dhe veprojnë, janë në sirtarët e pushtetit në vend dhe në shtetet fqinje, si dhe të shërbimeve sekrete të tyre, në qarqet, institucionet dhe qendrat armiqësore kundër shqiptarëve. Këto veprime duhet t’i luftojnë vetë shqiptarët, në radhë ta parë, por edhe në bashkëpunim me aleatë të tjerë. Kjo nuk mund të arrihet asnjëherë me një klasë politike të paditur, me individë e klane të etshme për pushtet, të korruptuara dhe kapura nga shërbimet e huaja, me këtë trend të dobësimit, zvogëlimit në numër dhe varfërimit, plaçkitjes dhe dëbimit permanent të shqiptarëve nga trojet e veta etnike.
Lexoni dhe reflektoni!
(28 tetor 2022)
Please follow and like us: