Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA kërkon shtyrje të plotë të afatit për targat e automjeteve

Uashington, 31 tetor 2022 – Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar kërkon nga Kosova një shtyrje të plotë të afatit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, e jo “shtyrje të pjesshme”.

Kështu tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, gjatë një konference për gazetarë më 31 tetor.

Ai tha se këtë kërkesë ua kanë bërë të qartë autoriteteve në Kosovë, edhe publikisht, edhe privatisht.

“Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në kërkon një shtyrje të plotë në zbatimin e këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës për një shtyrje të plotë në zbatimin [e vendimit të targave]. Sërish, këto diskutime po vazhdojnë, diskutimet me palët në rajon, diskutimet me Bashkimin Evropian”, tha Price.

Ai përsëriti qëndrimin se SHBA-ja mendon se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin për targat, sipas Marrëveshjes së Brukselit, por ritheksoi se SHBA-ja është “e zhgënjyer” dhe e “shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e partnerëve të saj më të ngushtë sa i përket zbatimit [të vendimit për targat]”.

Qeveria e Kosovës më 28 tetor njoftoi se vendimi për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia – që Prishtina i konsideron ilegale – në targa RKS (Republika e Kosovës) do të zbatohet në tri faza, duke filluar nga 1 nëntori.

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova të shtyjë afatin për targat edhe për 10 muaj. Edhe BE-ja ka shprehur “zhgënjim” me vendimin e 28 tetorit të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.

Sipas vendimit të ri, nga 1 nëntori të gjithë pronarëve të makinave me targa serbe në Kosovë, do t’iu shqiptohet masë qortimi me kërkesë për t’u drejtuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.

Ndërkaq, nga 21 nëntori deri më 21 janar, të gjithë pronarët e makinave me targa serbe në Kosovë, do të gjobiten me nga 150 euro.

Faza e tretë përfshin përdorimin e targave provuese dhe pas 21 prillit të vitit 2023, Qeveria ka thënë se në Kosovë nuk do të ketë makina që qarkullojnë me targat e lëshuara nga Serbia.

Fillimisht, vendimi i ekzekutivit kosovar thoshte se 31 tetori ishte afati i fundit për riregjistrim të veturave me targa serbe në targa RKS – Republika e Kosovës.

Besohet se në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, qarkullojmë afër 10.000 targa të lëshuara nga Serbia, me akronime për qytetet e Kosovës sikurse PZ, PR, KM e të ngjashme.

Vendimi për targa, fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por ishte shtyrë për një muaj, pasi serbët lokalë e kundërshtuan atë dhe ngritën barrikada në veri të Kosovës.

(REL)

Please follow and like us: