Berat Dakaj: Lirikat e burgut të Avdush Canajt
Lirika nga burgu kam lexuar kohë pas kohe. Disa kritikë e mohojnë letërsinë e burgut, disa të tjerë kanë shkruar monografi për letërsinë e burgut. S’është turp të them se deri më tash nuk kam lexuar lirika më të bukura të shkruara në burg. Canaj në këtë libër nuk ka treguar ku i ka shkruar këto poezi, në ç’material, por ka treguar origjinën e poezive. Ndoshta do të flasë në medie, pasi të dalë libri nga shtypi, se si i ka përdorur letrat e cigares për të shkruar poezi, ku i ka fshehur më pas ato letra me poezi.
Kjo është një vepër e vogël me fuqi të madhe.
Urime, Avdush!
Urime edhe ty Adem për parathënien!
QENI
Në orën e shëtisë
mes muresh deri në qiell
në vend të milicit
na ruan një qen i zi.
Është i mirë ai,
s’na urren si ata.
Dje ia ledhatova pakëz ballin,
kur u afrua afër meje
i fola:
Ne s’kemi bërë asgjë të keqe
ta dish edhe ti
vetëm pranverën tonë kërkojmë.
Më shikoi dhembshurisht,
lëvizi bishtin,
e di, e di, desh të më thoshte
si qeni i shtëpisë sime
dhe m’u hodh në gjoks.
Sot s’e pashë
as e dëgjova lehjen e tij.
Thanë
e vranë për tradhti.
Ne e nderuam
me një minutë heshtje.
(Burgu i Foçës, prill 1986).
Please follow and like us: