Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Vataj: MARIO BELLIZZI DHE AJO QË NUK E SHOHIM

“Vdekja midis nesh, si zjarr në kallama”… A mund t’i shmangemi të pashmangshmes? Po, ndoshta mundet, për aq sa zgjat një zjarr në kallama … Për Mario Bellicin, kaq nuk është koha që na ndan vetëm me të shkuarën. Edhe e ardhmja ka thuajse të njëtën sfidë, ashtu si ne me De Radën e Naimin. Sa hap e mbyll sytë dhe jemi thuajse në të njëjtin shteg të kohës- atë të ritakimit të vazhdueshëm me të shkuarën, me atë që nuk njohëm, me atë që ëndërruam që ta kishim në krah. Bellici e rrok njeriun në një shtrat me jetën dhe errësirën, ndërkohë që për të kënga e vetme e një zogu vajtues e ka emrin braktisje, largim. Por, a mund të jetojmë pa shkollën ëndërrore të Bellicit? A mund të mbyllim sytë e të mos mendojmë anijet e Ndre Dorias, të shekullit XV, që Bellici i sheh ende në lundrim, jo thjesht drejt Tokës së Tjetrit, por edhe drejt qiellit. Arti i Ikjes është Arti i Mallit. E ndoshta ashtu, nën puhizën e brengës për rikthim, rritet gjithnjë e më shumë ajo lule që mban kokën pas, e ujitet me dëshirim, vetëm dëshirim, që toka e hapave të tu, toka e hapave që numëron gjithë ëndrrat e atyre që shkuan e kurrë nuk u kthyen, të vijojë të mbetet një gjuhë zemre, një gjuhë që fjalën e bën me peshën e malit, dhe që sytë të bartin sekretin e qiellit. E ndoshta, për atë që nuk e sheh qiellin nga shtëpia ku lindi, apo nga ajo që ia ka treguar gjyshi e babai, yjet do të jenë “mola në qillein tonë”, siç thotë poeti ynë, që brejnë çdo ditë rrugën që nuk e bëmë dot, që nuk mundëm ta shtronim me rikthimin tonë. Ndoshta, ai që e shoqëron muzgun nga pragu i shtëpisë së tij, e ka të vështirë të numërojë hapat e zemrës, siç na sugjeron aq fort, plot mjalt të hidhur Bellici. Por, gjithkush që ka mbajtur mbi shpinën e tij muzgun e një gjuhe tjetër, muzgun e një dyshimi, atëherë mund dhe duhet t’i rikthehet kësaj poezie, që e rrok gjithkënd prej nesh drejt të vetmes kohë që vlen – Kohës së Njeriut!
Please follow and like us: