Fuqia shpirtërore këput edhe prangat
Parathënia e Adem Gashit për librin ‘Edhe ëndrrat në pranga’ të autorit Avdush Canaj
Përherë kam menduar se pikërisht në ëndrra projektohet liria absolute. Më vonë më është rritur dyshimi deri në vetëqortim. Këtij akti i ka ndihmuar Pallati i ëndrrave i Kadaresë, tashti dorëshkrimi i Avdushit Edhe ëndrrat në pranga. E çuditshme! Ëndrrat që nuk kontrollohen as nga vetë ndërgjegjja autoriale u survejuakan nga një dikush veshur me aureolën e pushtetit, të tiranisë, të diktaturës! Ëndërrimi, ndërkaq, ëndërrimi i figurshëm rezulton tjetër. E pra, liria absolute i mbeti mendjes, asaj të pakontrollueshmes e të pandalshmes. Kjo liri mendjeje i dha dorë autorit që edhe me tagrin e sakrificës, brenda burgut, të hedhë nëpër fije të letrës së cigareve botën fiktive, pothuajse si motërzim autentik i botës reale. Ah, ja ku na doli letërsia e burgut që kap dy krahë interpretimi: E shkruar në burg dhe që trajton tematikisht burgun. Kjo, siç nuk është e panjohur në letërsinë botërore, nuk është e panjohur as në letërsinë shqipe. S’do mend që na sillet në kujtesë Burgu i Haki Stërmillit.
Avdushin e njoha në Radiotelevizionin e Prishtinës kur që të dy zumë punë aty më 1977. Një djalë i ri që vinte me kaçurrela të argjendta, ngjashëm me Jeseninin, me kulturë, dije e talent për letërsi. Shënimet autoriale të tij tashmë janë të njohura: shkollimi, vrasja misterioze e të vëllait Alushit nga UDB-a, burgu dhe të tjera, por kishte edhe diçka të panjohur që vjen tashti në ditën për diell, pas dyzet vjetëve. Është libri Edhe ëndrrat në pranga. Ai tashmë ka publikuar dymbëdhjetë përmbledhje me poezi, një me tregime dhe një tregim-roman, kryesisht për fëmijë. Tri prej veprave të tij janë nderuar me çmimet më të larta në Kosovë. Unë kurrë nuk e kam marrë të mirëqenë këtë përcaktorin Letërsi për fëmijë. Poezinë e Canajt, sikundër edhe të mikut të tij të ndjerë, Gani Xhafollit, i kam lexuar dhe më kanë shkundur e tunduar estetikisht asgjëmangut me poezinë më moderne për të rritur.
Duke lexuar librin më të ri të tij nuk ka sesi të mos ndalesh dhe të mendosh: si është e mundur që ky vëllim poetik për të rritur qenka shkruar në burg me të hyrë të viteve të tetëdhjeta!? Si është e mundur të ketë këtë nivel estetiko-letrar që mban me kaq dinjitet modernitetin e poiesisit deri në ditët tona? S’ka si të jetë ndryshe, pos faktit të talentit të rrallë, dijes, kulturës e përkushtimit; përjetimit të thellë dhe të mëvetësishëm; aftësisë vrojtuese dhe depërtuese deri në skutat më të thella të shpirtit njerëzor.
Këtu gjithçka nis me arrestimin. Të tjerat janë butafori bajate të shfaqjes groteske të teatrit nacionalist serb. Dhe arsenali i mjeteve është po ai i inkuizicionit mesjetar: dhuna, tortura fizike dhe psikike. Vargjet vijnë të shkurtra, të ngjeshura, por shpesh me një surprizë ironie që të habitë. Kështu bëjnë vetëm njerëzit me shpirt të madh: Na i lëshojnë edhe gjarpërinjtë/ Ata bien të ngordhur nga gjaku ynë/ Gjak lirie. Kjo përballje me helmin dhe helmimin gjen serumin pikërisht në gjakun e liridashësve, në gjakun e lirisë. E ç’të thuhet më tepër? Autori jo se është kurnac fjalësh e frazash, jo se bën pozë modestie e snobizmi, por se natyrshëm e dend mendimin dhe ndjenjën. Është kjo arma më e fuqishme e tij përballë njeriut-makinë dhune, përballë gardianit avdall që kundërmon erë rakie e kërme. Dhe sado që bishat përpiqen ta terratisin qiellin, poeti ka këndin e tij të vrojtimit:
Dielli megjithatë përbirohet
kur s’është roja
duart e akullta.
Një seri poezish vërtet prekin majat si realizime artistike. Të tilla i shoh vargjet në lirikat: Me tela, Pas shpinës së një reje, Qeni, Lapsit ia nxorën zemrën, Vjershat i shkruaj tinës, Qelia, Ndoshta e të tjera.
Kush nuk do të tronditej kur të lexonte:
Hëna s’do t’i shohë
duart tona skelet të gjallë.
S’i shtrëngojnë më as prangat
ndaj na i lidhin me tela.
Ose:
… edhe hëna e pa
barbarinë e barbarit mbi ne,
ndaj u fsheh
pas shpinës së një reje
për ta fshirë lotin.
A nuk na i kujtojnë këto vargje Poemat e Makronizit të grekut Janis Ricos, kur në formë klithme shqiptonte: Nuk e besonim të jenë kaq të tmerrshëm njerëzit!?
Vetëm një poet kalibri, këtu në pozicionin e subjektit lirik, mund të shkruajë kaq durueshëm e me një vetëdisiplinë mahnitëse për tragjizmin epik:
Dje Fuadit
ia thyen krahun e djathtë,
Skendës
ia këputën gishtin e unazës.
Sonte
ndoshta e ka radhën
njëra këmbë imja!
E megjithatë, në gjithë librin nuk gjen asnjë çast molepsjeje e dorëzimi, asnjë çast rezignate, disfatizmi e nënshtrimi. Duket sikur ky soj krijuesish janë ngjizur me legura të paasgjësueshme. Ndaj i jep zë shpresës dhe besimit: Do të kthehem me diell në duar.
…dhe do të vijë çasti të dalë që andej. Po autori ka një peng dhe i duhet ta thotë:
Te dera më priste pëllumbi,
që e ndaja bukën me të përditë,
nën flatra kishte fshehur vargjet,
poezitë.
Ndoshta më e saktë do të ishte shprehja: poeti thotë edhe të pathënat.
Në gjithë librin nuk kam gjetur shfryrje të pakontrolluar të ndjenjave, sikundër as cerebralitet e përsiatje shterpe për të krijuar iluzione filozofemash. Është këtu jeta e tëra, e zhveshur nga kostumet solemne, por e veshur me atllas mëndafshi të zi, me shpirt e fisnikëri atdhetare e njerëzore.
Avdushi, i ndërgjegjshëm se mjeti artistik i ndërtimit letrar është fjala dhe vetëm fjala, ka dëshmuar një kulturë gjuhe që rrallë e shohim te sivëllezërit e tij shkrimtarë.
Unë nuk e di se ç’fshehtësi mban laboratori krijues i Avdush Canës, se ç’sjell e nesërmja e tij pas këtij libri, po e di se këtu na i dha shenjat e një horizonti para agimit të ri.