Shaban Murati ripublikon librin “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”?
Në përgjigje të kërkesave të lexuesve doli nga shtypi botimi i dytë i plotësuar i librit “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”, i ambasadorit, studjuesit dhe analistit diplomatik Shaban Murati. Libri i sponsorizuar nga Fondacioni i mirënjohur Çamëria ”Hasan Tahsini” vjen si nevojë për të ndriçuar gjenezën dhe dinamikën diplomatike aktuale të njerës prej çeshtjeve më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, që mori emrin “çeshtja e detit”.
Duke qenë studimi i vetëm për dinamikën e bisedimeve zyrtare midis Shqipërisë dhe Greqisë për temën e detit gjatë një dekade nga vitit 2008 në vitin 2018, libri jep një analizë dhe zbërthim profesional nga brenda të problemit të krijuar, në këndvështrimin e diplomatit dhe të analistit, që është marrë prej një gjysëm shekulli me marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Është një temë, që zien sot në skenat dhe në prapaskenat diplomatike midis dy vendeve, nga kanë lindur shumë pikëpyetje, dyshime, shumë të panjohura dhe të papritura lidhur mënyrën se si duhen mbrojtur nga diplomacia dhe qeveria interesat shtetërore dhe kombëtare në një çeshtje jetike të kufijve shtetërorë detarë. Kemi një ngërthim të diplomacisë, historisë, gjeopolitikës dhe të së drejtës ndërkombëtare, i cili i jep lexuesit të specializuar dhe atij të thjeshtë përgjigjet që kërkon dhe qendrimet që duhen mbajtur.
Pse dhe si lindi problemi i detit midis dy shteteve, ç’përmban tapia ndërkombëtare e kufijve shtetërorë detarë dhe tokësorë të Shqipërisë dhe a duhet të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, implikimi dhe paaftësia e diplomacisë dhe i qeverive shqiptare në devijimet diplomatike dhe historike të “çeshtjes së detit”, kompleksiteti i marrëdhënieve të sotme shqiptaro-greke me gjitha problemet e pazgjidhura historike dhe aktuale, që nga ligji i luftës, varrezat greke e deri te çeshtja çame,- të gjitha këto trajtohen thellësisht në botimin e dytë të librit “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, e ambasadorit, studjuesit dhe analistit profesionalist diplomatik, Shaban Murati.
Shtator 2022