Ambra Hysa: Po sikur shpirti të shihej në pasqyrë…
Njerëzimi po e humbet dita-ditës kuptimin, po kthehemi në qënie të vetmuara, egocentrike dhe po harrojmë se vetëm dashuria na shëron dhe na bën vërtet NJERËZ. Lidhjet e shëndetshme që kemi, vlera e tyre e brendshme, përcakton cilësinë e jetës tonë, lumturinë kundrejt dëshpërimit. Sa shumë vëmendje i kushtohet dukjes, materiales, të prekshmes… Po sikur shpirti të shihej në pasqyrë? Po sikur, gjithçka që të tjerët mund të shohin, të ishte zemra jonë? Sa dashuri dhurojmë, sa kemi durim, sa i shërbejmë atyre ndaj të cilëve nuk kemi asnjë interes?
Është një botë e vetmuar dhe egoiste. Një botë fasadale, me vajza me make up të bukur, me buzë të kuqe dhe zemër të zezë. Njerëzit po kurohen estetikisht, por nuk po kurohen zemrat. Sa paftyrësisht e vërtetë zbardhet lakuriqe ligësia e fshehur e njeriut. “Aksidentalisht” mjerimi e mbulon qënien njerëzore, e njollos dhe sytë tanë shohin atë që ka qënë gjithmonë aty, por ne kishim kohë që mohonim ta pranonim si ekzistencë. Të gjithë jemi fajtorë. Neglizhenca është faj. Dhimbja e të pambrojturit është shuplaka jonë.
Ne i mbyllim sytë përpara të patolerueshmes duke i vënë çelësin derës sonë, thua se edhe tek komshiu dhimbja do të marrë fund.
Përtej asaj porte lotët nuk shterrojnë, dhimbja nuk vdes… Ajo do të jehojë për të na prishur jetën dhe zemrën, në një mbrëmje të qetë vjeshte… pikërisht atëherë kur ne mendonim se gjithçka po shkonte “më së miri”…
Please follow and like us: