Ndue Lazri: ARTI TËRHEQ DHE BASHKON
-Mbresa nga një promovim-
Ndërsa salla po mbushej, më bëri përshtypje prania e shumë të rinjve dhe fëmijëve që kishin ardhur bashkë me prindërit e tyre. Kjo gjë më gëzonte, sepse prania e moshave të reja është garanci për aktivitetin e ardhshëm të shoqatës. Por është edhe një dëshmi që arti tërheq dhe bashkon. Bëhej promovimi i dy librave, organizuar nga shoqata “Besëlidhja” e Roveretos, i romanit “Engjëlli në dorë të djallit” i autores Albina Ceka dhe vëllimit tim poetik “Ankesa e mjellmës”.
Kishin ardhur jo vetëm anëtarë e aktivistë të shoqatës, por edhe dashamirës të tjerë të fjalës së shkruar, emigrantë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Rovereto. Madje kishte nga ata që kishin ardhur edhe nga larg, nga Verona apo Bolzano. Nga qyteti i bukur i Bolzanos kishte ardhur një grup përfaqësues i shoqatës “Arbëria”, si dhe gazetarja e papërtuar e radios shqiptare të këtij qyteti, Mirela Tomassini, të cilën e kemi dëgjuar në emisionet e saj që u bëjnë jehonë vlerave të artit e kulturës, por edhe historisë e ngjarjeve të rëndësishme për kombin tonë. Nga familja shkodrane Komi, kanë ardhur tre breza, babai fisnik të cilin e kam njohur që në Shkodër, Arturi, imprenditor dhe aktivist i palodhur dhe vajza e tij, Amina, nxënëse 16-vjeçare, e pasionuar pas leximit e librave.
Po ka edhe të tjerë që kanë ardhur familjarisht, si Arben Hallidri me bashkëshorten Donika e vajzën Edlira, Dashamir Kërtusha, Natasha Ndoci me vajzën Alice, Teodor Pali me bashkëshorten e vajzën e të tjerë. Pikërisht kjo pjesëmarrje e gjerë krijon një atmosferë gati familjare, e cila ndihet gjatë gjithë promovimit. Reciton Xhemal Hyzoti poezinë “Pranvera do të vijë” dhe menjëherë ngrihet nga salla poetja Rudina Muharremi Beja, e cila e falënderon për emocionet që ai dhuroi me recitimin e tij dhe thekson se poezia është tek të gjithë, ndaj duhet të dimë ta zgjojmë atë. Flet autorja Albina Ceka rreth romanit e përvojës së saj të gjatë krijuese edhe në fushën e poezisë dhe nga salla ngrihet Donika Hallidri e cila dialogon me autoren jo thjeshtë si një lexuese e zakonshme, por edhe si mësuese që ka përvojë pune me nxënësit kur ka qenë në Shqipëri. Recitojnë nxënëset Edlira Hallidri e Giulia Kërtusha dhe salla i duartroket ngrohtësisht. Me një zë të dridhshëm e plot emocion recitoi edhe aktivistja e palodhur dhe sekretare e shoqatës, Jonilda Dervishi, që ka sjellë me vete edhe fëmijën e saj të vogël.
Renzo Bonafini, mik i komunitetit shqiptar në Rovereto, gjithnjë i pranishëm në veprimtaritë tona, fotografon e bën video nga aktiviteti.
Atmosferën e bën që në fillim të këndshme e familjare drejtuesja e programit, Nereida Xhakolli, e cila me mençuri e gjen mënyrën të flasë për librat që promovohen, por edhe të intervistojë autorët, apo të alternojë me ndërhyrjet nga publiku.
Dashamir Kërtusha, president i shoqatës “Besëlidhja” falënderon të pranishmit për pjesëmarrjn, por edhe i fton në aktivitetet që do zhvillohen në kuadrin e festave të nëntorit, si dhe në promovimin e ardhshëm që do të jetë në fillim të dhjetorit.
Bashkëbisedimi i ngrohtë i pjesëmarrësve me autorët e dy librave vazhdoi edhe gjatë koktejlit që u organizua në fund të promovimit dhe gjatë marrjes nga ana e tyre të librave me autografe. Dikush prej tyre afrohet me ndrojtje e kërkon t’i japim ndonjë mendim për një poezi që e ka ndërtuar si tekst kënge. Është një lirikë e këndshme, që dëshmon për talentin e autorit. Më afrohet edhe një vajzë e re, Alice Ndoci, me prindërit e së cilës kemi edhe lidhje të hershme familjare. Ajo më kujton që para disa vitesh, kur ishte fare e vogël, kemi bërë bashkë një foto në një aktivitet të shoqatës “Besëlidhja”, ku unë kisha ardhur që nga Bolonja. Tani ajo është bërë një zonjushe e vërtetë. Dhe pasioni për librat i është shtuar, ndaj thotë që do të vijë edhe në promovimet e ardhshme.
Pjesëmarrësit takohen e bisedojnë edhe me njëri-tjetrin, njihen me ata që kanë ardhur nga larg e pyesin për datën e promovimit tjetër. Duket që ky aktivitet i ka elektrizuar dhe intriguar, pasi nuk ishte një promovim i ftohtë, por një bashkëbisedim për artin që tërheq dhe i bashkon njerëzit.
Ndue Lazri
Please follow and like us: