Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Gjurmët e një fëmijërie…

Ishte muaji nëntor, si tani. U ndodha në Trieste të Italisë. Për herë të parë që më “shkelte këmba”jashtë shtetit! Tek po pinim kafen e mëngjesit në ballkonin e katit të tretë të Pensionit Familjar “Lorenco” me zonjën Katerina Koti (bashkëshorten e italianit Xhorxhio), përballë “Piacës Goldon”, rastisi të gjendesha para një befasie, tashmë të zakonshme: Ajo ishte një aktore, që ishte njohur rastësisht me italianin Xhorxhio dhe që më pastaj do të dashuroheshin e do të përfundonin në martesë. Jeta e solli aktoren e Teatrit  “Aleksandër  Moisiu” të Durrësit, pikërisht në këtë qytet të lashtë, ku pat jetuar Moisi Moisiu nga Kavaja dhe ku lindi i biri, Aleksandër Moisiu, që me talentin e vet do të trondiste skenat e botës dhe do të lartësonte emrin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Rastësia harmonizohej edhe me mua, si njeri i teatrit, tek vështroja dyert e mëdha prej dru lisi të teatrit të Karlo Goldonit, me përfytyrimin tim se Aleksandri i vogël hynte këtu si një kureshtar për të parë Kalorësin e Ripafratës, tek i vardisej Zonjës së Bujtinës, që e interpretonte dikur, në qytetin e saj, pikërisht edhe kjo Katerina Koti, po nga Durrësi. Një fantazi e marrë aluçinante që të zapton nganjëherë, po aq befasisht…

Se aktoria Koti, tanimë shtetase italiane, ka qenë për shumë vjet aktore në po atë qytet ku është ngjizur një pjesë e fëmijërisë së aktorit të madh, në Durrës, ka lozur në atë skenë, që mban sot emrin e Aleksandër Moisiut dhe ndodhet këtu, si banore e Triestes dhe pikërisht në “Pjacën Goldon”, ku pak më tej, në rrugicën “Grumula Nr 17, 134 vjet më parë lindi ai, Gjeniu i Skenave të Botës! Për të, po edhe për mua që e dëgjoj, është një befasi e këndshme… Dhe befasia do të rritet, kur unë të mësoj rishtazi, se në Kishën e “Shën Spiridhonit” (ajo rrëfen me gisht nga ana e buzëdetit), është pagëzur Aleksandri i vogël, se, në krye të kodrës përkarshi, në “Shkallën e Gjigantëve” të Kështjellës San Xhusto, apo sikundër e thonë “Kastelo di Mira Mare” (ajo rrëfen me sy), ndodhet një kishë e vjetër dhe një varrezë, ku është varrosur nëna e tij, Amalia de Rada, ndërsa nga ana perëndimore e qytetit, që ne nuk e shohim dot, është parku më i madh i qytetit ( “Xhadine Publiko”), ku janë vendosur bustet e njerëzve më të shquar të Italisë, midis të cilëve, është ai i Aleksandrit tonë… Nuk kisha ardhur këtu, enkas për të “gjurmuar” këto vende të shenjtëruara tashmë, po gjithsesi, nuk mundesha të rrija pa “i shkelur” këto gjurmë që la emri dhe lavdia e tij .Por, do të harroja gjithçka tjetër…

I shoqëruar nga Vitore Stefa Leka, e mbajta frymën në Kishën Ortodokse Greke, jo shumë larg Piacës Qëndrore, ku ndodhet Komuna e Triestes dhe Pallati i Madh i Prefekturës, në ballkonin e së cilës Duçja mbajti fjalimin e famshëm të fashizmit (të filmuar e të fiksuar në detajet e një deliri të jashtëzakonshëm)… Hymë në Sallën e Madhërishme të kishës, të pushtuar nga misteri i ikonave dhe llambadari i varur në qendrën e kupolës së ëngjëjve të pikturuar nga Mjeshtrat e Rilindjes italiane, ndezëm qirinj për të vdekur e për të gjallë dhe, pas këtij rituali të shenjtë, do të kërkonim një takim me priftin e këtueshëm. Ai që na erdhi dhe që preferonte të bisedonte në gjuhën greke, në hollin e kishës, qe një prift civil, i pashëm, me mjekër elegante, i veshur me kostum të zi. Mendonim se po kërkonim diçka të pamundur, kur do t’i thoshja se kisha një dëshire të flaktë të shihja me sytë e mi Regjistrin e Pagëzimit, të bashkëqytetarit tonë Aleksandër Moisiu. Na pa i habitur, tek po i thonim se bëhej fjalë për regjistrin e vitit 1879 dhe se i luteshim shumë-shumë, thjesht për kërshëri e për krenari, që pikërisht këtu, në kishën e tyre, ruhej një dokument i tillë, për të cilin ne ishim gati edhe të paguanim… Na pa i heshtur, buzëqeshi lehtazi dhe na drejtoi për nga dera e ashensorit. Hymë në korridoret e heshtura të katit të dytë dhe mandej u ndodhëm para derës së blinduar që ai e hapi me dy palë çelësa… Na ftoi të uleshim dhe vetë u ul përpara ekranit të kompjuterit… Do të pasohej një heshtje e shkurtër dhe fytyra e tij do të ndriçohej nga drita fosforeshente e ekranit… Diçka shënoi, u ngrit dhe doli përsëri në atë korridor, ku nuk pipëtinte asgjë e që përsëri kishte njerëz të fesë, të përkushtuar ndaj besimit të shenjtë e po kaq të heshtur, që diçka bënin pas këtyre dyerve… Nuk do të kalonte shumë kohë dhe prifti italo-grek Gregorios Millaris do të na sillte një regjistër të madh, të lidhur me karton të trashë e të zverdhur nga shekulli i kaluar. Shfletimi i ngadalshëm do të na dukej si zhvendosje e të gjithë shekullit, për të arritur vitin 1879. Ai sheh nga ne po kaq i ngazëllyer dhe nisi të lexojë: Pagëzim i ditës 30 nëntor 1879, në Kishën e Shën Spiridhonit… Babai i fëmijës Moisi, Kostandin  Moisiu… Lindur në Durrës… Nëna, Amalia de Rada… Datëlindja e fëmijës me emrin Aleksandër Moisi më 2 prill1879… Banimi: Trieste, Rruga Grumula Nr. 7”. “Kjo është gjithçka,-tha prifti…Nuk ka shënime të veçanta”!

Ne, thuajse kishim ngrirë para kokës së tij, mbi regjistrin e vjetër… Na u duke vetja sikur sapo patëm dalë nga procesi fetar i pagëzimit. Befasia mori trajta mitike! Tani, i gjithë ky qytet i madh i arkitekturës austriake, ka kudo  “gjurmët” e hershme të Maksimilianit dhe të Karlotës që e themeluan, po ja ku janë ngado edhe “gjurmët”, ku ka shkelur shqiptari Moisi. Nëna, Amalia de Rada, po delte nga kisha me Aleksandrin 9 muajsh në duart e saj. Në Trieste ai hodhi shtat, i brodhi gjithë rrugët e rrugicat, bregun e detit, mësoi të notojë e të kridhet nën ujë. Këtu bëri edhe shkollën fillore…

U enda nëpër qytet për të gjetur shkollën “Akuedoto”, ku pati mësuar dhe Rrugën ‘Grumula’ se mos gjeja ndonjë “gjurmë” tjetër… E dija veçse, që vështirësitë e jetës së atjeshme, e kishin rikthyer të voglin disa herë në Durrës dhe se, sikundër shkruante vetë disa vjet më vonë “Triestja nuk i pëlqente”. Po këtu  ai do të linte një “gjurmë të thellë”, një varr, tek i cili do të rikthehej shpesh për të vendosur buqeta lulesh…

M’u shkrep ta kërkoja varrin e nënës së tij, Amalia de Rada dhe po ngjitesha nëpër shkallët e panumërta, drejt kështjellës, së toku me bashkëshorten time. Patëm blerë një tufë me lule dhe, pasi u ngjitëm aty, do të shtangeshim përpara një kështjelle gjigante, të cilën mund ta ndërtonin veç gjigantët… E madhërishme, në lartësinë më dominante të Triestes, e padëmtuar dhe e rrethuar nga statuja të shumta e sipërfaqe të gjelbra. Kisha e vjetër u duk papritur në anën fundore të kështjellës, nga ana e lindjes… Hymë e dolëm si të shastisur prej thesareve të Artit Mesjetar Italian… Pak më tej, ishte kisha që kërkonim, përbri varrezave të vjetra… Por do të dëshpëroheshim në çast, sapo të mësonim prej një prifti tepër të kulturuar se varrezat e vjetra ishin lëvizur në Varrezat e Mëdha të Triestes…

Tufa me lule të freskëta, si diçka nga Shqipëria, u vu te dera katërqind vjeçare e kishës që i kishte dhënë “lamtumirën e fundit”, arbëreshes Amalia de Rada, prej fisit të nderuar të Jeronim de Radës, nënës së Aleksandër Moisiut…

Dhe do te vinte radha që të “humbisnim” papritur midis pemëve të larta, drurëve dekorativë, luleve gjithfarëshe dhe “Yjeve më të ndritshëm” që mbushnin e hijeshonin Parkun Publik të Triestes… Bustet prej bronxi të personaliteteve më të shquara të Kombit Italian qenë që të gjithë aty, të harmonizuar me tokën e me qiellin, me lulet e me pemët, me flladet e të tëra moteve dhe me shikimin e përhershëm të njerëzve që tretet mbi to… Dhe, midis tyre, përherë i ndritshëm, si i shenjtëruar ai i Aleksandër Moisiut… Tre shqiptarë qëndrojnë para tij, si të magjepsur dhe, pasi çlirohen nga “magjia”, i afrohen bustit, e prekin me dorë, e përqafojnë si të ishte i gjallë dhe fotografohen me të… Unë, Vitorja dhe Lenica, të befasuar për disa çaste, harrojmë që aty ka edhe të tjerë… se yjet e qiellit nuk mbarojnë… po gjithsesi na duket se ky YLL ndriste më bukur…

Është busti i aktorit që interpretoi galerinë e figurave të Shekspirit, Gëtes, Shilerit, Sofokliut, Tolstoit, Çehovit, Ibsenit, Bernard Shout etj… pa bërë fare makiazh, po duke hyrë në shpirtin e tyre përjetësisht. Dhe, përpara këtij njeriu, janë hedhur buqetat më të shumëllojshme të luleve të freskëta, që mblidheshin nëpër kopshtet e Vjenës, Pragës, Berlinit, Milanos, Parisit, Londrës, Stambollit, Moskës, Tokios, New Jorkut. Sepse ky aktor shqiptar u përkiste të gjitha kombeve, e quanin të tyre të gjitha kombet… Se ai ishte më i miri e më i madhi aktor i skenave të botës, që për çudi, e fliste italishten më mirë se italianët, gjermanishten më mirë se gjermanët, anglishten më mirë se anglezet e amerikanët dhe rusishten më mirë nga rusët… Dhe, sa më tepër që ngrihej në madhështinë e harkut të tij të triumfit Aleksandër Moisiu do të përsëriste gjithmonë se ishte SHQIPTAR, me rrënjë dhe me degë, me gjak dhe me shpirt, me temperamentin e Jugut dhe vrullet e Shqiponjave që çajnë qiellin e lënë gjurmë në hapësirën e gjithësisë… Dhe ne sikur marrim pakëz dritë, këtu, para tij, në parkun më të madh të Triestes, nga nisi jeta e tij e jashtëzakonshme…

Qe një ditë e freskët nëntori e vitit 2013, si tani… Vështrimi ynë i ngazëllyer e i përlotur, kapte detin e pa anë e fund…

Shkëputur nga libri “SHPIRTI ARTISTIK”, 2014.

Please follow and like us: