Albspirit

Media/News/Publishing

Petro Çerkezi: ZONJA E MADHE E POEZISË SHQIPE

Vashëz e hipur në një kalë pa fre,
e çliruar nga mbishkrimi embrional,
siluetë – vizatuar nga lapsat prej burri,
të shoh ende si kërkon të kthesh në lëkurë
gjithçka prej shpirti, lëkurën e ujit ke marrë për vete,
uji e ka zhvoshkur lëkurën që të mos dijë ku shkon.
Në një nga poezitë e poetes Natasha Lako “LEKURA E UJIT” që është titulli i njërit prej vëllimeve të saj poetike, ajo përshkruan një vajzë që kalëron një kalë pa fre, një kalë mitik, me jele ëndrre. Është një siluetë hije që përfaqëson mijëra figura femrash që erdhën në jetë dhe humbën jetën, të cilat ëndërruan jetën e bukur dhe i përpiu lumi i një kohe të turbullt. Sidoqoftë, “gruaja poete dhe poetja e gruas” nuk e ka humbur siluetën dhe personalitetin e saj, ajo shikon qiellin blu në thellësi të horizontit dhe e ka të qartë se ku po shkon, duke gjetur fuqinë për të ofruar dashuri, sepse vetëm me dashuri bota bëhet më e bukur, më e shëndetëshme për të hyrë në beteja të pabarabarta me guxim, sepse vetëm me luftë dhe përpjekje jeta merr kuptim, të ngrihet dhe të ngrejë zërin e saj kundër padrejtësisë sepse “Të gjitha e para i ndjen gruaja / gruaja harmonikja, shenjë e gjithësisë…”, sepse një shoqëri e drejtë jep buzëqeshje diellore për të gjithë.
Natasha Lako ka qenë gjithmonë një shpirt krenar dhe rebel. Një shpirt që nuk mund të durojë dot padrejtësinë dhe shtypjen. Mendimi i saj karakterizohet nga diapazoni i prirur mendor, refleksione të vazhdueshme dhe introspeksion i pasionuar. Lentja e saj depërton gjithmonë në shpirtin njerëzor dhe mbi të gjitha në atë të gruas që është mitra e jetës dhe e një shoqërie të përparuar. Janë këto elemente që e vendosën Lakon si poeten më të rëndësishme në periudhën e viteve 70 e gjer më sot. Të kesh një prani të vazhdueshme gati 50 vjeçare në letra do të thotë që poezia e saj ka vlera artistike të qëndrueshme. Lako është karakterizuar si poete dhe skenariste. Ka shkruar skenare, paralelisht me krijimtarinë poetike. Vështrimi filmik i dha një dimension tjetër poezisë së saj, duke formësuar kështu identitetin e saj të veçantë krijues. Ekrani i vogël i poezisë shkëlqeu nga ekrani i madh i kinemasë dhe e kundërta ekrani i madh simulohej nga konceptimi poetik. Poezia e saj përballet me trishtimin dhe shkëlqimin.
Vizioni i poetit që shprehet me fjalën e tij poetike ka gjithmonë një nuancë proteste, ai bën revolucione të vogla për përmbysje, për ndryshime kundër dhunës, mjerimit dhe fatkeqësive së kësaj bote. Roli i gruas si Amazone që bëhet mburojë, duke vënë gjoksin përpara për të mbrojtur gruan dhe bën penën shtizë në një shoqëri të mbizotëruar nga burri gjendet gjatë gjithë veprës së Lakos dhe besoj se është ky qëndrim që i jep asaj ndryshimin në veprën e saj. Nuk është një ëndërrim i kotë e pozant i poetes, por një luftë e vështirë për drejtësi njerëzore dhe shoqërore.
Poezia është emocion, është shpërthim lirie, është një ngushëllim. “Arti dëbon nga shpirti pluhurin e jetës së përditshme!” thotë Picasso. Ndërsa në shoqërinë shqiptare nuk egziston vetëm pluhuri i jetës së përditshme, por thasë e nënshtresa pluhuri dhe ndryshku, kode dhe paragjykime të akumuluara të ngurtësuara dhe të betonuara për shekuj me radhë. Poetja duhej të luftonte kundër kësaj shoqërie me koncepte të vjetëruara për rolin e gruas dhe depoziton dëshmitë e saj. Kështu, nga hulumtimi, arsyetimi dhe meditimi, lind poezia e saj e mprehtë, duke u përpjekur të hyjë në një dialog imponues me lexuesin për ta kthyer atë në bashkëluftëtar.
Nga plagët e pashëruara të një shoqërie që fsheh fytyrën e saj prapa një ferexheje, përpiqet të lartësojë idhujt e bukurisë dhe të dinjitetit dhe t’i vendosë në piedestalin e ndritur përballë shëmtisë, në mënyrë që shoqëria të krahasojë fytyrën e saj si në pasqyrë. Të gjitha këto janë fragmente ngjarjesh, situatash apo bisedash në të cilat poetja herë është dëshmitar okular, herë është bashkëvuajtëse nga situatat e dhimbshme të të tjerëve ose bashkudhëtare në udhëtimin e martirizimit, herë alter egoja e poetes, heroina që lufton për t’i dhënë copën e lumturisë që u përket të gjithëve, sepse të gjithë kanë të drejtë në jetë dhe në lumturi. Ndërkohë, propaganda komuniste i lustronte, i kamuflonte apo i mbulonte këto plagë dhe kurrë nuk i luftoi me rrënjë.
Bukuria është një idhull që e nxjerr nga fundi i detit si gurë të çmuar. Kjo shoqëri ka etje për bukuri dhe dashuri! Të rrethojnë mijëra lule, bën një hap për t’i kapur, bën një mijë kërcime dhe ato mbeten të paprekura sepse një mijë pengesa të ngre shoqëria konservatore, e cila ngjan me etjen e përjetshme dhe urinë e Tantalit, i cili sa bëhet gati të prekë ujin apo një degë peme me fruta ato largohen menjëherë, por në rastin konkret në kushtet e një diktature mizore ajo të priste dorën ose të mirrte kokën.
Ndërkohë konkretësia e metaforizuar, apo metaforizimi i çastit dhe i realitetit i kamuflonin kuptimet dhe idetë e poetes. Në qendër të këtij realiteti objektiv dhe subjektiv qëndron drama e njeriut fokusuar me një projektor të zbehtë. Megjithëse spektri i ngjyrave është pothuaj bardhë e zi, mozaiku tërësor është tronditës si në dramat antike. Atë e dritësojnë antitezat poetike. Mënyra komplekse e përceptimit të botës e bëjnë poezinë e Lakos te përshkohet nga një diakronizëm i pakufishëm. Dhe jo vetëm kaq, por vazhdimësia e saj në dy sistemet ka një vijushmëri perfekte, ku nuk mund të dallosh vijë ndarëse.
Natasha Lako që në hapat e para të rrugës së saj poetike nuk shaloi vetëm Pegasin, por edhe kalin e bardhë të fatit. Një vit pas botimit të vëllimit të saj të parë poetik “Marsi Brenda nesh” më 1973 ky kalë galopant e çoi si një nuse të re të poezisë shqipe jashtë kufijve të Shqipërisë. Botohet në antologjinë: “Ismail Kadare et le nouvelle poésie albanais” (Ismail Kadare dhe poezia e re shqipe) përgatitur nga përkthyesi dhe kritiku francez Michel Métais (Mishel Mete) krahas tre poetëve të shquar të letrave shqipe: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi që bënin një revolucion të vërtetë për të rinovuar poezinë shqipe, një poezi arkaike e pastorale. Përzgjedhësi i karakterizon si “poetë që flasin për tërë një popull”. Paskëtaj ky kalë ogurmirë e çon dhe në antologji të tjera të poezisë shqipe, të botuara brenda e jashtë atdheut si ajo e poezisë moderne shqipe e Robert Elsie: “An clusive eagle soars” (Një shqiponjë e arratisur fluturon) botuar në Nju-Jork në vitin 1993, përfshihet në Antologjinë e Europës Qendrore në gjermanisht dhe ne Antologjinë “Botë në Suedi” më 1995 si dhe antologjinë e Aleksandër Zotos “Antolgie de la poésie albanaise” (Antologji e poezisé shqipe), që u botua në vitin 1998 në Francë. Po kështu krijime të saj gjenden në dy antologji të poezisë botërore, “Gruaja kudo dhe kurdoherë”, në suedisht, Bonnier, “Dhjetë duar”, De Geus, hollandisht dhe “Coté du femmes” “Κëndi i gruas” – frëngjish, pra tre antologji të poezisë femërore nga e gjithë bota.
Vargje të Natasha Lakos me përmbajtje të rëndësishme, me fokusin e saj progresiv për çlirimin e grave dhe për krijimin e një shoqërie të re me konture Evropiane, referohen në deklarata të veçanta të Departamentit të Shtetit të SHBA, veçanërisht me rastin e pranimit të Shqipërisë në NATO në 2005..
Lako nuk është e panjohur për lexuesin grek, ajo është përfshirë në antologji të ndryshme të poezisë shqipe që janë botuar herë pas here në Greqi. Ndërkohë, kjo përzgjedhje e zgjeruar antologjike nga vepra e saj do të ndihmojë në skicimin e portretit të plotë, talentit dhe personalitetit të kësaj Zonje të Madhe të poezisë së shpirtit shqiptar tek lexuesi grek i poezisë së mirë!
Qershor, 2021./exlibris, 4.11. 2022.

———————————————

Poezi nga Natasha Lako

INTERVISTË PËR PUTHJEN

Epo, po të të pyesnin për puthjen,

çfarë do të thoshe ti,

po të kërkoje punë,

sipas përvojës që nuk lë njeri në terr.

 

E pranoje, si një petale,

që ta pranonin, si një petale,

apo do të thoshe se puthja në vetvete është asgjë,

që të miratonin me kokë se puthja në vetvete është asgjë,

apo se puthja ka ardhur pas pyjeve të djegura e të përvëluara nga zjarri,

që mijëra vjet më parë,

por që mund të dilte gjatë intervistës bllof.

 

Një tundje miratuese koke, ose një dështim,

ose një mëdyshje e madhe kur puthja quhet,

e ardhur si forcë shkëmbi ose kuje, të cilat bota i njëson,

a mund ta përkeqësonte apo ta përmirësonte më tepër,

gjendjen tënde ekonomike, kredinë e madhe,

të puthjeve edhe më të mëdha.

 

Pyete puthjen vetë çfarë ka parë,

këtë copë të mbetur qindramijëravjeçare,

që edhe një tjetër të paktën,

puthjen, ta ketë një copë të mbetur mijëravjeçare.

Por mos i beso, torollakët,

që pyetjen për puthjen thonë mos e beso,

megjithëse është gjëja më e sigurt.

 

 

MES PYLLIT

Halat, si qerpikët, nuk e bëjnë pyllin femër,

një zjarr i shuar, është mashkull përsëri.

 

Zemra dhe vagina nuk dallojnë shumë prej drurit dhe gurit,

kur shumëzojnë shtëpitë.

 

Çfarë të thotë tjetër një grua, mespermes pyllit,

pikonte rrëshirë.

 

 

LETËR KONTINENTALE

Më vinte të këndoja, për aromat e dallgëve të mbetura larg,

për pemët që nuk do ta shohin kurrë detin, prandaj janë të verbra,

por më kryelarta nga fëshfërimat e tyre mbretërore.

 

Më vinte të këndoja, këtu shitet kripë, jo oqean,

le t’i shpallim algat përmendore.

 

Më vinte të këndoja për ca gra me një komçë në shaminë e tyre pa qafë

dhe qiellin e mbushur me copëra mermeri, alabastër, lajthi të vogla që pëshpëritin

acar.

 

Për hijet e poetëve, që qarkullojnë pika shiu, më vinte të këndoja,

për kambanën e rëndë qiellore që i binte vetë Madona,

për shurdhërimin që kërkon shurdhërimin.

 

Atje ku ndieja si mbylleshin kapakët e tokës ngadalë, ngadalë,

më vinte të këndoja.

Miq, kemi qenë shokë dhe pastaj kemi ikur në njerëz

dhe nuk flasim për ato që thuhen në shtëpinë tonë pa dhé,

më vinte të këndoja.

 

 

E PËRKËDHELUR DHE E PAPËRKËDHELUR

Thuaj, a është buka, mund, kripë, miell, ujë apo përkëdhelje,

përgjigje në janë për ne banketet e livadheve të pashkelura ende,

bota e dallëndysheve përkëdheljet a i përgatit a i mund,

krahasimin e të rrugëve me të parrugëtit, si dy krahë më thuaj,

në cilën anë është qielli dhe në cilën anë kthesa që na ndjek prapa,

cila përkëdhelje i takon ndonjë shkrese si thile e vogël,

ngjashmërinë e nënave të padashuruara, me një kaligrafi universale,

më thuaj, djemtë e papërkëdhelur nga jelet e kalit që nuk vrapon më,

a mund t’i krahasosh,

me burrat që përmjerrin pranë lopës, apo me fëmijë që lëpijnë yjet,

para qumështit të gjirit, apo me brekëstolisurat vajza,

priftëresha mijëravjeçare që kërkojnë një njeri,

kaq paqartësisht veçohet ja buka, ja mundi, ja ëndrra, ja unë.

Fol qoftë për një palë kofshë të bukura të zhveshura, që mbeten

pas çdo droje dhe përdëllimi, triumf i pikëpyetjeve kur kanë një vend.

 

 

MË KA DASHUR VËRTET

Rruga më binte andej nga e panjohura dhe e largëta,

u jepja kuptim syve të një zogu të vogël, si shkronjave

të para prej frikës dhe së bukurës,

kuptim u jepja puplave të lejlekëve edhe në fluturim,

ku butësia bëhej e egër,

kuptim i gjeja sqepit të një dallëndysheje të uritur

e doja si e kisha parë.

 

E bukura dhe e soditura uleshin me mua

në bankën e shkollës,

në gojë dhe buzë të shumëfishuara të jetoja,

e lidhur me dy pika syri zogjsh,

si nota të pakënduara ende,

u jepja kuptim të puthurave të vogla, të mëdha,

që më bënë një,

kaq e turbullt mbeti jeta që më donte.

Më ka dashur vërtet ai që të vogël nuk më pa,

i mahnitur kur ka qenë nga syri i ndritshëm i milingonave.

 

 

VERSIONI I ROMEOS DHE ZHULIETËS

Nga ballkoni i gjinjve do të dal për të vështruar,

Natën që dashnorin tim fsheh,

Si të gjitha gjërat e ëmbla,

Që nuk të bëjnë mirë.

Romeo dhe Zhulieta,

I kthyer kokëposhtë është ky version,

Atje poshtë unë duhet të isha,

Dhe i dashuri im të më vështronte që larg,

Nga ballkoni i shumëpërfolur i gjirit.

 

Duhet korrigjuar diçka në këtë tragjedi zemërmirë,

Muret e shfaqjes t’i lidhnin të paktën me më pak sheqer,

Që të mos dëmtohet asgjë me llogjikë,

Mes hapësirës që lëshon shumë ëndrra.

 

 

I SHUAJNË DRITAT ZANAT

I shuajnë dritat zanat,

por unë do të hyj atje ku nuk ka vend,

poza është teatrale, koka ka kallëp.

 

Kapitulli i dytë ka një kapërcim,

poza pohohet në trupin e përgjimeve.

Edhe në rrugët e Azisë kam qenë, por ç’është kjo hata,

bota tani pi sisë, në pozën me supën me lakra.

 

Zanat nuk mund të marrin pjesë në ndonjë emocion,

poza është gjithmonë e pabesë.

 

Gjitarët në krye vënë njeriun,

por njeriu nuk është shaka.

 

 

KËRKOHET URGJENTISHT NJË UNIVERS TJETËR

Kërkohet urgjentisht një univers tjetër,

thoshin shirat, ndërrohen edhe çadrat një nga një,

njerëzit ngrohin frymën me fatin e tyre.

 

Edhe një çadër e vogël, m’i ngatërron mendimet,

dhe lejlekët e vegjël, që këmbehen gjithnjë.

 

Si t’ia bëj unë me diamantet e syve,

në këtë botë që po vjen.

 

Nga vëllimi me poezi “Kundërpërfytyrimi”, 2016.

Please follow and like us: