Poetja Irma Kurti boton librin e 18-të në gjuhën italiane
Përmbledhja me poezi titullohet “Un giorno mi racconterai” dhe shoqërohet me imazhet e fotografit italian Biagio Fortini
Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti boton librin e tetëmbëdhjetë në gjuhën italiane me titullin “Un giorno mi racconterai” (Një ditë do t’më tregosh) nën siglën e Shtëpisë Botuese Akademia Barbanera. Libri përmban poezi të shoqëruara me imazhe të fotografitBiagio Fortini. Vepra botohet në kujdesin e Immagine Arte të drejtuar nga Maria Grazia Vai, poete dhe presidente e disa konkurseve letrare në Itali. Ja çfarë shkruhet për bashkëpunimin Kurti – Fortini: “E zezë mbi të bardhë… bardhë e zi: një libër në dy gjuhë. Faqe pas faqeje imazhet fotografike të Biagio Fortinit bashkohen me poezitë e Irma Kurtit, pa ndonjë koherencë logjike apo të dukshme midis fjalëve poetike dhe imazheve vizive. Një dialog midis bojës së penës dhe një imazhi të palëvizshëm për të rrokur përjetësinë e një çasti.”
Kopertina është një akuarel me titull “Drejt qiellit” i pikturuar nga Rita Camillo. Parathënia e librit është shkruar nga kritiku letrar Lorenzo Spurio. Shkëpusim një fragment prej saj:Poetika e Irma Kurtit është e vëmendshme ndaj veçanësisë të situatave, ndaj imazheve që kanë forcën t’i sjellin në mendje kujtime të gjalla, të këndshme për t’u kujtuar, si një fllad ajri, por në të njëjtën kohë edhe të dhimbshme, sepse zbulojnë distancën nga e djeshmja e shkujdesur dhe gati hyjnore, e jetuar në plotësinë e ndjenjave dhe në shoqërinë e figurave të dashura siç janë prindërit, të cilëve u është dedikuar përmbledhja poetike. Irma Kurti, e cila është një poete e thellësisë, në përvijimin etimologjik të fjalës “poezi”, e tregon veten si një grua e vëmendshme dhe e pasionuar në gjurmimin në letër, falë vështrimit gjenial dhe krijimit që e mbështet atë, të imazheve, formave e ndryshimeve që na na bëjnë të pyesim veten dhe na magjepsin…”
Ky është libri i tetëmbëdhjetë i autores shqiptare në gjuhën italiane. Ndër to 12 janë përmbledhje me poezi si dhe 6 libra janë në prozë: romane e përmbledhje me tregime.Irma Kurti ka botuar gjithashtu 26 libra në gjuhën shqipe, 10 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 12 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun dhe Indi.