Mehmetali Rexhepi: GRISHJET E POPIT NË KISHË
lutja e popit në kishë
grish
për mbushje e zbrazje arsenalesh vrastare
nga goja edora e një Perëndie bastarde
me simbole të sakrificës nën kryq
trille shënjestrash në secilin udhëkryq
nisen lukunitë drejt vajesh qeshjesh lojërave fëmijësh
priste “çlirimin” soji qoftë veçse i rrembave të atyre
të ca gjymtyrëve të këputura të racës
pa plotësinë e trungut tejpërkatës
doemos shpatat e helmatisura të lutjes fluturojnë
e përshkojnë mijëra gjokse e zemra
tej përtej njerëzve godina mbi dy këmbë të lakueshme
prej eshtrash mishi ajri nervash bari-njelmësi e dheut
caku i pakufishëm për shtrirje të pakufishme
e çizmeve të Perandorisë Gllabëruese
kumbon refreni i kishës i korit të “lutësve”:
Zot i Gjithëmëshirshëm
jepi shtytje dhe grishje filo-rusëve
e shenjtë raca “paqësuese”
popi joshet për Carin në një fron mbi botë
Hirësia e krye-popëve “bekon” krye-militantin
sfondi i ikonografisë mes pengut të Jezuit
sforcohen vrulle tej rrënojave ngrehinash
vullneti puro i “paqes” prerje pleksjesh të trashëgimisë
hidhen përmes kufijve të flakës
reshjet e predhave të marrëzisë
dhe pllenime kudo të (vi)rusëve
me ftohje e ngrirje tragjedish
në kontinentin frigorifer të Siberisë
përmbyllte liturgjinë bariu i grigjës
hapte dritaren andej shkrumb-najë
e mandej çfarë pastaj modelet e Krishtit ri-vrarë
i hipte mëshirës sikur një pele hergjele
Hyjninë e tij të Lartë e zbriti në Kremlin
ujësueshëm dhe pëlleshëm
vullnetine njësuar e varipas Zotit Putin
Perëndisë të zbritur në trajtën e atij që mori vendim
për përzënien e diellit nga miliona sy
tmerrit tij ri ngrihen të rënët e çatalluar si pandemi
si lugetër, si mëkatarë egërshanë me urna ndezur me kazanë të valë
kush e di mbase shpirti në derr do t`i mishërojë
për Natën e Pashkës Ortodokse derrit i pritet koka
dhe i cakërrohet ”vodka” në gota
amen.
Gjilan, 6 nëntor 2022.