Avdulla Kënaçi: Vajza me një vath perle
(Pikturë me famë botërore)
Një nga pikturat më të famshme të shekullit të shtatëmbëdhjetë është ajo që titullohet “Vajza me një vath perlë” (Girl with a Pearl Earring) e piktorit holandez Johannes Vermeer, sot e vendosur në koleksionin e muzeut të Mauritshuis në Hagë, Hollandë, që nga viti 1902. Nisur nga vlerat, ndryshe, nga vlerat që mbart, është quajtur edhe “Mona Lisa hollandeze”. Ajo ka qenë objekt frymëzimi për disa vepra letrare dhe një film artistik. Është realizuar në kanavacë, me model dhe ka dimensionet 44,5 cm x 39 cm. Mendohet se është pikturuar në vitin 1665, megjithëse nuk ka datë, por vetëm firmën e autorit, IVMeer. Deri në vitin 1881 për këtë vepër dhe vlerat e saj nuk dihej asgjë. E zbuloi studjuesi dhe njohësi i artit, Arnoldus des Tombe, i cili e bleu nga një tregtare ambulante për një shumë qesharake prej 2 gulden e 30 cent (24 euro me kursin e sotëm). Vepra u pastrua e restaurua dhe poshtë saj u zbulua edhe firma karakteristike e piktorit të famshëm Vermeer, nga i cili sot kanë shpëtuar rreth 30 vepra. Tombes, pronari, nuk kishte trashgimtarë dhe para se të vdiste, ia fali muzeut të Mauritshuis veprën me vlera të jashtëzakonshme. Piktura është restauruar në vitin 1994 pasi është studjuar me rreze lazer dhe mikroskop nga një grup pune prej specialistësh ndërkombëtarë. Restauratorët ia ngritën vlerat dhe i shtuan vjetërsinë. Publiku hollandez, gjatë një votimi, se cila është vepra më e mirë, njëzëri ka vlerësuar “Vajza me një vath perlë”. Vepra origjinale ka dalë katër herë jashtë muzeut, në turne, dy herë në Amerikë dhe nga një herë në Japoni e Itali. Gjatë historisë së saj ka ndërruar disa emra si “Vajza me një çallmë”, “Vajza me një perlë”, “Koka e një vajze”. Realisht të rejat europiane të atij shekulli nuk mbanin shami, as çallma, por në ato vite Europa ishte e përfshirë në disa luftra me Perandorinë Osmane. Ishte në modë përdorimi i shamive, ose çallmave. (Kujtoni një foto të Bajronit).
Një kopje e kësaj vepre, rastësisht mbërriti në dorën time dhe unë e kam ekspozuar në banesë, në Kanada, është me dimensione më të mëdha, dy herë më të mëdha se origjinali. Të bën përshtypje se portreti i vajzës nuk ka vetulla dhe vathi perlë nuk ka çengel që të mbahet tek veshi. Në se ju bie rasti ta vizitoni veprën në muze, në Hagë, shiheni me kujdes “perlën”, tani është një çip që lëshon alarm po u tentua të vidhet. Thuhet se perla është pikturuar me një pikë të madhe kallaji. Po e ekspozoj në facebook, per ju miq, shijojeni…
Shënim: Shkak për këtë postim u bë mikesha ime, e cila ka studjuar në Hollandë.
Please follow and like us: