Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: ÇAST NË SYRIN TËND

[grafika: Kevin Carden – “Sunflower” (Luledielli), 2001]

ÇAST NË SYRIN TËND
S. Guraziu, 2009

E kotë, s’rezistoj dot, rrahje njëtrajtshëm si tik-tak rrjetit të kapilarëve, anë e tej kupolës rrymim i padukshëm, cipës së lëngshme diç si sythim, skallua i gjuhëzës së vetë çastit – mbase një qengj dëshire ndërgjon ëmbëlsisht, e Hëna dremitet qelqurinës – le pra të zhvishet sa më shpejtë secili çast, aso xhuxhulush… vetëm i yni, çast picirruk i pafajshëm, deri në palcë.

Retina jote s’është leskra-leskra, rreshposur, shtresash kristali fals, jo, lozonjare… e paratakon dëshirën, më bëhet: e stopon bindshëm – thjesht një lojë – ndërsa lart qiellzanës së lëmuar, argjend mbi qepallën e pulitur lehtas, mëndafsh në valëvitje, flashkët, si një det pelushi në sy pulëbardhash, ngrohur si puthje hëne – nuk e sheh, dridhem si njomëzak, kalavarem qerpikësh, degë selviorësh, e ndjehem si Tarzan-bebulush – mos vallë çdo gjë e kësaj bote duhet t’jetë në një sy, burgosur në një çast!

Sonte s’dua të ik nga ky liqen kristalor, sa i thellë – mendoj, por dhe i qashtër, nuk mbytem nëse lakuriq zhytem, dhe derisa s’jam Narcis, s’ka fundosje për ëndërruesit, as “abyss”, trekëndësha Bermudesh që kullufisin – e di, ka një botë në vete aty thellë, por do huazoj flatrat e Pegasit njëherë, të fluturoj syprinës gjithandej, paanësisë, pastaj të zhytem thellë pafundësisë, idilikës, peizazheve të nënujësisë, guaca-bisqe, skallonj premtues, mugullimë, njëjtë si sythimë vishnjesh në brigjet, beso ti Xhuxhulinë sa një qershigël, vetë Hëna e ushqen këtë liqen ëndrrash, të gjitha magjitë e botës aty flenë.

Please follow and like us: