Albspirit

Media/News/Publishing

Silvana Begaj: Kthim përgjigje Kryeministrit të vendit tim!

Z. Kryeministër, ju dëgjoj shpeshherë me kuriozitet për çdo lajm që lidhet me vendin ku unë linda dhe u rrita. Deklaratat tuaja politike më konfuzojnë dhe në shumicën e rasteve nuk jam dakort me ju, por kjo ngelet brenda meje ose ndahet në ndonjë bisedë kafeje me bashkatdhetarët e mi!

Prononcimi juaj i sotëm ishte për emigrantët dhe emigrimin. Ju keni qënë emigrant në Francë, me deklaratat tuaja, duket sikur keni qënë turist atje.

Shqiptarët vuajnë në emigrim…

Për shumicën e shqiptarëve të jetosh sot në Shqipëri është njësoj si një vdekje.

Vërtet ne këtu në emigrim nuk kemi gjetur parajsën, madje çdo ditë përjetojmë mall ferri, por kemi luksin të mendojmë dhe të shpresojmë. Ndoshta një ditë!…

Ju me politikat dhe me këto nismat që vetëm i dëgjojmë e nuk i shikojmë ua keni hequr shpresën shqiptarëve për të jetuar në vendlindje.

Vërtet emigrimi është shpresë për të mbijetuar dhe për një të ardhme më të mirë, por ikja e shqiptarëve nuk është e njëjtë.

Sot ka një të vërtetë të hidhur, shqiptarët po ikin masivisht nga keq qeverisja juaj dhe e parardhësve tuaj.

I vetmi premtim që keni mbajtur ju deri me sot është se do të hapnit 300.000 vende pune; ju në fakt keni hapur mbi 300.000 vende pune, por jo në Shqipëri, por në azilet e Europës, burgjet e Europës dhe bizneseve të tyre.

Në media deklaron se qeveria juaj nuk e ndalon dot emigracionin e unë nuk jam fare dakort me këtë deklaratë. Qeveria ka çdo fuqi madhore për të nxitur punësimin.

Pse ambasadorët shqiptarë sillen si turista në vendet respektive dhe nuk negociojnë me kompani të mëdha për të hapur filiale e si rrjedhojë vende pune në Shqipëri?

Vërtet shqiptarët kanë qënë të izoluar, por sot fatmirësisht ata mund të udhëtojnë të lirë, por edhe pse Europa na ka hequr sistemin e vizave, shumë shqiptarë po emigrojnë me gomone, duke ecur malit me bukë me vete dhe me kokën mbrapa duke lënë familjen pa bukë dhe të varfër.

Duke ikur pa asgjë drejt të paditurës!

Ndalni eksodin e radhës së shqiptarëve me nisma konkrete. Nisma që ju i përmendni shpesh, por vendi po varfërohet çdo orë e më shumë. Nxisni punësimin në Shqipëri, mbroni rë rinjtë, motivoini të qëndrojnë aty.

Mos merrni masa drastike duke ju sekuestruar diplomat si në komunizëm, por zbatoni politika sociale për të parandaluar ikjen…

 

Please follow and like us: