Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Arjana Fetahu Gaba

Kush nga ne të dy, dashuron më shumë
Mos u nis me mendimin që s’do të vij,
Zogjtë s’kanë frikë nëpër erë,
As unë s’mundem dot të rri,
Pas puthjes tënde si flladi në verë.
Si mundem unë që të mos vij,
Pemët më njohin se sytë mi mbajnë mënd,
Si një erashkë po më dridhet shpirti,
E diçka më çmend.
Se ç’është një ndjenjë që më sjell aty,
Vijnë vetë këmbët e pa u menduar,
Më kthen puthja jote në të imët shi,
E mbetem dorëzuar.
Ndaj nisu dhe ti, jashtë ka diell,
Për tek pemët e dashura, jam nisur dhe unë,
Ato do të dallojnë sikur spektatore,
Kush nga ne të dy, dashuron më shumë.
Mos harro
Erë trëndelinë më hidh trupit,
Dy yje më zbrit për këta sy,
Buzët i kam të paprekura,
Të presin ty.
Mos harro flori të hënës,
Të ma derdhesh si gjerdan,
Dhe pak qiell me afro belit,
Dhe ca re, mi vish fustan.
Në s’tu duka ende peri,
Flokët mi lidh me ca ylber,
Gushën kam paprekur,
Ta kam lënë që ndonjëherë.
Dhe në këmbë që mos vritem,
Ca petale nis e shtro,
Mos harro të sjellësh verë,
Dhe ca afshe nga ajo.
Dhe pastaj në prag të mbrëmjes,
Unë ca shkarpa do ti gjej,
Do t’i ndez kur të bjerë vapa,
Sa të dua të rrëfej.
Katër ditët e dimrit tënd…
Katër ditët e dimrit tënd ma rrënuan shpirtin,
Majit të virgjër syve të mi.
Unë që ngushëlloja veten,
se nesër,
ose ndoshta për pak,
shkrijnë kristalet e borës,
e rrëshkasin fytyrës time të skuqur nga ngrica,
më kish ikur dëshira të kreh flokët,
të mpleksura gjumit të çalë orë më orë.
Katër ditët e dimrit tënd,
më tjetërsuan,
dhe sa çudi,
sesi më morën me vete,
pas ortekëve të furrishëm ndjenjash,
dhe unë që prisja,
të kthehen në ujë të kthjellet,
ju luta diellit,
për një sinfoni rrezesh për kraharorin tim,
që ato katër ditë t’ja ktheja Majit.
Diku,
ndjeva një aromë.
Kishte ardhur Pranvera dhe brenda meje…
Please follow and like us: