Fritz Radovani: Zamak i Flamurit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (4)
DON MARK HASI (1917 – 1980)
“Do të vijnë dita dhe Emnat e Martirve të Fesë Katolike, do të daltohen në gur, per mos me u harrue kurrma”! Don Mark HASI (1968).
Don Mark Hasi asht le në Malin Kolaj pranë Shkodres në vitin 1917. Kur Ai ishte 7 vjeç mbeti jetim pa Nanen, dhe më që i ati ishte i rij dhe do të martohej, e mori nenkujdes Famullitari Don Kolec Prennushi, i cili e pat vendosë në dhomë me nanen e vet Ninen, dhe flente e çohej me ate. Mbas një viti shkoi me vazhdue shkollen në Velipojë, tek Don Alfons Tracki. Ishte nder nxanësit ma të zellshem dhe ma të perkushtuemit t’ asaj shkollë. Vazhdoi studimet në Kolegjin Saverian të Shkodres, ku nën kujdesin e Fratel Salës, ishte nder aktorët e dalluem të Teatrit të Jezuitve. Kujtohej per rolin e Tij tek drama “Juda Makabe”, ku zani i Tij nuk u harrue ma. Vazhdoi studimet e nalta në Padova, po per arsye lufte i perfundoi në Shkoder. Dashunia per rrethin e Don Kolecit tek Don Marku kje e perjetshme. Dhe, Meshën e Parë Ai e tha me 24 Shkurt 1945, me Don Kolec Prennushin. Asht emnue menjëherë zv.Famullitar i Shkodres e ma vonë, Sekretar i Kishës Kathedrale të Shkodres, ku ka vazhdue deri në kohen kur asht arrestue. U arrestue në vitin 1947, dhe asht dënue 7 vjet burg, që i ka krye në kampe pune. Asht lirue në vitin 1953, kohë në të cilen ka ardhë e ka banue në një dhomë me ne tre vllaznit. Deri mbas dy vjetësh që shkoi në Argjipeshkvi sekretar i Ipeshkvit Imzot Ernesto Çoba, e deri në vitin 1967, që u arrestue edhe njëherë me rastin e “Revolucionit Ideologjik”. Me 7 Prill u arrestue dhe u dënue mbas një viti tortura barbare në hetuesi, ndonse nuk pranoi asgja dhe u dënue me vdekje, denim që Ju kthye në 25 vjet burg, që do ti kalonte në kampe shfarosje e pune. Dënim që i kushtoi edhe me jetën. Në kampin e Ballshit Don Marku u keqsue me shndet dhe, mbas plot 14 vjetësh e disa muej, në 11 Shtator 1981, thirri urgjent Don Mikel Koliqin e mbasi i la një porosi per mue, mbylli sytë dhe shkoi në Jeten e Pasosun. Asht vorrosë në Ballsh dhe me 22 Janar 1992, u rivorros me nderime në Vorret e Rrëmajit në Shkoder, i percjellun nga Populli i Shkodres. Don Mark Hasi ishte nder Klerikët e nderuem jo vetem per qendrimin e Tij në hetuesitë terroriste komuniste, po edhe per respektin që Ai gëzonte si predikatar i shkelqyeshem dhe kangtar I paharrueshem. Ishim njëditë në sofer të një feste fetare në shtëpinë tonë aty nga viti 1958. Don Marku po këndonte me pasionin e Tij të madh si zakonisht, kangen e kompozitorit Gac Çuni, ”Kaçurrelat e tua”, i cili fatkeqësisht, pat vdekë në burg pak kohë para lirimit. Po ata që e kanë ndigjue atë kangë tue këndue me pasionin e Tij Don Mark Hasi, jam i sigurt se atë kangë nuk e harrojnë kurrma! Gjatë kohës që po kndonte më ra në sy një shenjë horizontal në gjuhen e Tij dhe, tham të verteten nuk e kuptova si kishte mbetë ajo vizë rreth 3-4 cm… Kurioziteti më shtyni me e pyet: “Si të ka mbetë ajo vizë tek gjuha Don Mark mbasi, një shenjë asisojtë nuk ia kam pa askujt?” Më shikoj në sy dhe, më tha: “Do ta shpjegoj kur të mbarojmë me ngranë bukë!”, e ashtu e lame. Kur pothuej ikën të gjithë, Don Marku më shpjegoi: “Kur ishe në hetuesi në vitin 1947 me një hetues kriminel i quejtun Nesti Kopali, as nuk më shkoj mendja se, tue mos pranue akuzen e tij, ai thirri dy polic dhe i tha me më mbajtë pranë tavolines, të lidhun duersh mbas shpine. Më tha që me hapë gojen dhe me nxjerrë gjuhen. As nuk më shkoj mendja pse? Ashtu unë veprova. Ai më kapi gjuhen me doren e tij dhe mbasi e mështeti mirë në tavolinë, ndjeva një dhimbje të fortë dhe nga goja më shperthei gjaku mbi tavolinë. Ai më kishte ngulë në gjuhë një thikë të madhe me maje t’mprehtë. Dhimbja kje aq e fortë sa mbas një ose dy minutash, unë nuk kam dijtë ku jam ma dhe kam humbë ndjenjat. Kur erdha në vedi, kam pa se ishe shtrij në infermjeri dhe nga goja vazhdonte me rrjedh gjaku rrkajë. Kaq shumë kishe humbë gjak sa, gati dy javë nuk kam mujtë me u ngritë në kambët e mija. Ndoshta, ma shumë se një muej nuk kam hanger bukë vetem langje. Ndersa, dhimbja e gjuhës më ka vazhdue ditë e natë ma shumë se dy muej. Mos e thashtë Zoti me e provue kush atë tmer që kam provue unë! Don Mark Hasi do të kujtohet nga Populli Shqiptar jo vetem, per thiken që hetuesi kriminel Nesti Kopali i nguli Atij në gjuhë, dhe ka vazhdue jeten si Burrat, po në 1967 pak kush asht torturue një vit në hetuesi të Tiranës, tue u masakrue nga terroristët katila Elham Xhika dhe Dhimiter Shkodrani. Më ka tregue em vlla Alfonsi, që hetuesi Elham Xhika i kerkonte me pranue se, “ka dashtë me formue parti demokristjane”, që nuk ishte e vertetë. Mbas sa ditësh i ka sjellë një burrë per dishmitar. Alfonsi nuk ka pranue. Hetuesi i ka thanë atij burrit: Fol, dhe thuaj ato që më ke thënë mua! Ai ka fillue me i tregue Alfonsit sesi ka pranue akuzen. Alfonsi asht tmerrue dhe asht sjellë e ka pyet ate: Po, pse mor po Don Marku je Ti? Pranoi të gjitha shka të thonë, sesi të paskan ba që nuk njifesh, Ti nuk jeton kështu, nenshkruej procesin, e mos rri me u torturue, se as nuk të shkon mendja si të kanë ba Ty torturat! Edhe vdekja në Ballsh asht kenë pasojë e torturave barbare e shnjerzore. Po, Don Mark Hasi ishte dhe mbetet, nder Figurat ma të Nderueme të Klerit Katolik Shqiptar sidoemos, per ata që e njoftën karakterin e Tij burrnor besnik e fisnik. Ai asht Martir i Pavdekshem i Kishës Katolike dhe, i Nderuem n’ Shekuj si, Zamak i panjolla i Flamurit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut! Melbourne, 26 Prill 2022.
IMZOT NIKOLL TUSHA (1895 – 1946)
Perherë të parë emnin e Imzot Nikoll Tushës (Noga), (1895 – 1946), Klerik katolik Shqiptar e kam ndigjue nga një mik dhe bashkpuntor’ i Tij, nga Cafo Beg Ulqinit, kur fliste per ngritjen e Flamurit të Pavarsisë në 1940 n’ Ulqin. Per këte akt Atdhetar, Imzot Nikoll Tusha asht pushkatue nga malazezët me 14 Nanor 1946. Doemos se, Ai i hoqi një copë tokë të bukur “miqve tanë”! Asht le në fshatin Shirokë pranë qytetit Shkodres në vitin 1895. Mbasi kryen shkollën fillore në vendlindje, shkon në Sarzana, Itali, ku kryen gjimnazin dhe fakultetin e filozofisë, ndersa, ma vonë në Gjenova Ai ka perfundue teologjinë. Shugurohet meshtar në vitin 1919. Në shenjë nderimi ndaj “Zojës së Këshillit të Mirë“, e cila njihet si Pajtorja dhe mprojtsja e gjithë Shkodranve, Meshën e parë e tha në Gjenacan t’Italisë tek Fuguria e Zojës. U kthye në Shqipni e emrohet Famullitar në Dush të Pukës, ndersa ma vonë në Qelëz. Këtu, sëbashkut me Dom Gjon Gazullin, organizojnë Opozitën popullore për Pukën. I ndjekun nga xhendarmaria e Zogut la vendin e vet dhe strehohet në Mal të Zi, në Argjipeshkvinë e Tivarit, tek Imz. Nikoll Dobreci, (1912- 1955), i cili në vitin 1927 e emnon famullitar në Këllezën, që qendron deri në vitin 1933. (Ndersa Don Gjon Gazulli, bashkepuntori i tij, kapet nga xhandarmëria e Zogut dhe varet në pazarin e Shkodres.) Imz Tusha sherben si famullitar në Këllezën, Shën Gjergj, Selcë e së fundi, në Ulqin. Në vitet 1931-1934, administron edhe famullinë e Shën Gjergjit, buzë lumit Buna. Per kontributin e Tij si meshtar i zellshëm, në vitin 1933, Selia e Shenjtë e nderon me titullin “Imzot“ që do të thotë, kapelan i Papës së Rromës. Në kohën kur rreth e përqark përgatitej zjarri i luftës së Dytë Botnore, Imz. Nikoll Tusha sherben me perkushtim në Selcë. Në vitet 1940-1945, kur gjithkah lufta shperthyei, Ai sherben në Kishen e Ulqinit. Njëherit kur del në skenë Partia komuniste, e cila si ideologji njihej per ateizmin, apo zhdukjen e popujve të vegjel dhe per internacionalizmin proletar, në 1940, në krye të mateper se pesë mijë malësorve të krahinave të Ulqinit, sëbashku me Cafo Beg Ulqinin, merr pjesë në luftime dhe bashkë me Popin vetshpallin autonominë e Ulqinit dhe të Tivarit nga Jugosllavia, tue ngritë Flamurin Shqiptar mbi kompanjelin e Kishës së Ulqinit. Në atë kohë Imz. Tusha asht pastor i pjesës katolike Shqiptare të mbetun përtej kufinit, që administronte Malin e Zi mbas Traktatit të Paqës. Ma vonë, mbas 24 nandorit 1944, aktivistët u shperndane dhe mbas qinda e qinda kërcënimesh me vdekje nga komunistët malazez, detyrohet me ikë prej Ulqinit dhe me u strehue tek kushrini i tij Don Pjeter Tusha në Juban, si dhe me drejtue qelen e Gajtanit, afer Shkodres. Tradhëtisht arrestohet në pabesi nga sigurimi i shtetit komunist shqiptar dhe i dorzohet komunisteve serbë, të cilët e nxjerrin në “gjyqin e popullit” atje në Ulqin, sëbashku me Kryemyftiun dhe Popin e vendit, me Vaso Filipin nga Pistulli, Ali Beqirin nga Krytha, Lekë Macin etj. Me 4 nandor 1946, në Bijelashka (Fier Bardh), i bahet ekzekutimi i Tij sëbashku me të tjerët, tue i dhanë tjera fakte që flasin kjartë per bashkëpunimin e diktaturës mes shqiptarve dhe malazezve, si dhe provat që flitshin per besnikrinë ndaj mësusit, padronit e mikut të Ever Hoxhës dhe Josif Broz Tito, ku merrshin udhëzimet si me veprue. Kjo do të vazhdonte gjatë, mjerisht në pafundsi krimesh edhe mbas prishjes së mardhanjeve mes dy Sigurimeve kriminale të shteteve komuniste. Eshtrat e Tij, humbën megjithë kerkimet e vazhdueshme të familjarëve. Imz. Tusha asht vorrosë në një gropë të perbashkët, si e kanë vra me 17 a 18 të dënuem të tjerë në Bjeloska, brij malit Lovcen. Identifikimi nuk ishte i mundun se nuk lejohej me u afrue njeri aty. Thohet se per arësye që Ai ka dashtë per me mërrijtë me ngritë Flamurin Shqiptar mbi kompanjelin e kishes s’ Ulqinit, atdhetari Dom Nikoll Tusha (Noga) asht konsiderue patriot i Nderuem i Popullit Shqiptar. Qendrimi i tij në fund të jetës, mund të konsiderohet si virtyt i vertetë i Tij dhe i vepres së madhe heroike.Ndersa në fshatin Bogë kleriku antifashist At Lekë Luli në shenjë proteste kunder pushtuesit fashist në prani të 300 malsorëve me 5 prill 1941, ngriti Flamurin kombëtar Shqiptar. Me 12 maj të vitit 1941 (rreth një muej mbas pushtimit të Jugosllavisë nga fashizmi) nga trojet e Malësisë së Madhe të mbetuna nën pushtimin e Malit të Zi, përgatitet një Memorandum, që kerkonte bashkimin e këtyne trojeve me Shqipninë. Malësia e Madhe, ndonse vuente pasojat e pushtimit fashist si pjesa tjeter e Shqipnisë, ju krijuen disa premisa të favorshme per bashkëpunimin e trevave të saja të ndame në vitin 1913. Fashizmi per qellime edhe propogandistike me dekretin e 7 gushtit të 1941 shpalli ribashkimin e Trojeve Shqiptare. Ato i mbanin të pushtueme para tyne edhe Serbo-Malazezët.
U bashkuen me Shqipninë shumica e trojeve të Kosovës, Dibres, Tetovës, Gostivarit dhe u rikthye Malesia e Madhe Etnike. Por megjithë ketë fakt që solli ribashkimi i Trojeve Shqiptare, Malësia dhe gjithë Shqipnia e urrente fashizmin si ideologji dhe si pushtues, që si per çudi solli kushtet e favorshme që emisaret jugosllavë nën kujdesin e Titos me agjentët Mugosha e Popoviç, të krijojnë Partinë Komuniste Shqiptare (8 nentor 1941), për të cilen B. Jovanoviqi, i deleguemi i Titos në një takim me partizanet malazez në Kopilaj të Piperit me 23 maj 1942, do të dekleronte: “Partinë Komuniste të Shqipërisë e kemi në dorë ne malazezët dhe atje kemi dhe organizatorët tanë, që i drejtojnë dhe i komandojnë, poashtu si edhe në Kosovë. Të mos harrojmë se na janë vra në luften Ballkanike njëmbëdhjetë mijë malazezë në rrethinat e Shkodres, atë çfarë nuk e perfituen etrit tanë atëherë me luftë, jemi duke e fituar ne!” Në këto kushte per me ruejtë Malësinë e Shkodren, lindi nevoja e rikthimit të Kuvendeve dhe Beslidhjeve historike, të cilat ato vertetojnë se kryengritja e parë antikomuniste në Shqipni dhe në të gjithë Europen, që e kishte zanë kjo lengatë, nuk ka kenë një revoltë e rastësishme, por e mendueme dhe e organizueme nga Malësorët Shqiptar, që ishin nga ma nacionalistët, që e dinin se shka do të thotë me sundue komunizmi, apo ma saktë u percaktue me fortunë e stuhi Sllave të druzhe Josif Broz Titos. Me 30 maj 1943, në Tuz u zhvillue Beslidhja e parë që kishte si synim e që kerkonte zbatimin e Beslidhjes. U dalluen si veprimtar; Mul Deli Bajraktari, Gjelosh Luli, Anton Përdoda, Prek Cali, Llesh Marashi, Dodë Nikolla, Nik Gjelosh Gjoka. Me 26 korrik (1943) në Çesme të Koplikut u organizue një Kuvend që në histori njihet me emrin Lidhja e Çesmës, që kishte si qellim ruejtjen e qetsisë së Malësisë me Rrnxat. Në këte kuvend ranë në sy edhe dy klerikët atdhetarë At Çiril Cani dhe At Gjon Shllaku. Malësia e Madhe nuk kishte kenë gjatë pushtimit fashist e izolueme. At Lekë Luli nga Kastrati kishte marrë pjesë si nacionalist e antifashist në takimin përgaditor të datës 26 korrik, ku pranohet si një konsulent i këshillit të përgjithshëm nacional-çlirimtar. Ndersa në konferencen e Mukjes së 1- 2 gusht 1943, At Lekë Luli merrë pjesë si vezhgues me vote konsultative. Kjo marrveshje e përbashkët e nacionalistave dhe partisë komuniste nuk ju pelqeu Popoviçit, Mugoshes e Stojniçit, mbasi Mukja kishte pasë program edhe “pika” të bashkimit të Kosovës me Shqipninë dhe trojet të tjera shqiptare që ishin nën pushtimin serbojugosllav, ndaj Popoviçi jo vetem e grisi marrveshjen dhe ja holli në fëtyrë Everit dhe, kështu sllavet u rebeluen se Serbia, mund të humbte Kosovën. Ketë fakt e pohon vet E. Hoxha shumë vite ma vonë në librin e tij “Titistët” ku shkruen sesi: “Stoiniçi e kritikoi qëndrimin sektarist ndaj Mukjes, ndërsa Miladini tha gjithë zemërim Kurrë! Kjo do të ishte tradhëti ndaj partisë, mbasi nuk luftuem të ndanim pushtetin me “reaksionin”. Mbas kapitullimit të Italisë fashiste me 8 shtator 1943, hyni në vendin tonë Gjermania Naziste, e cila megjithse konsiderohej kalimtare njihej si shumë ma e egër prandej, per t’ ju shmang ndonjë reprezalje të mundëshme lindi nevoja e një Beslidhje tjetër. Edhe ajo u realizue me 12 nandor (1943) në oborrin e Xhamisë së Koplikut. Kjo beslidhje në histori njihet me emnin BESLIDHJA E MALËSISË MADHE, RRANXAVE DHE POSTRIBËS. Në krye të burrave të mbledhun qendronin si gjithnjë Mul Delia, Llesh Marashi, Dodë Nikolla, Gjelosh Luli, Prekë Cali, Gjon Martin Lulati, Mirot Palok Kokaj, Gjok Dode Broqi, Pjeter Gjokë Bajraktari, Nikollë Preka etj,, të cilët u betuen të parët me dorë në Flamurin Shqiptar që ishte vendosë mbi një tavolinë, sëbashku me dy armë të kryqzueme, mandej u betuen të gjithë përfaqsuesit tjerë të Hotit, Grudës, Shkrelit, Kastratit, Kelmendit Selcës, Vukel, Nikç e Bogë, të Trieshit, Kojës, Tuzit, Vranës, Vllanës, Reçit, Lohes, Rrjollit, Grizhës, Gruemirës, Koplikut, Buzë Ujit, Postribës (Drisht, Boks, Sumë), Hotit Ri, Grudës së Re dhe Vrakës. Vendimet ma të rendësishme duken ato që ndalojne trevat e Beslidhjes që të bahen strehë e komunistave, si dhe ndalimin e gjakmarrjes dhe të tjera vepra që prishin bashkjetesën e popullsisë. Per me ndjekë e zbatue vendimet e Beslidhjes u miratua Këshilli i Pergjithshëm. Ky Këshill mështetej edhe nga disa forca vullnetare. Simbas disa dokumentave të kohës mësohet se në trojet e Malësisë ishin mbledhë 2164 forca vullnetare të “ndame” në dy komanda; e para ishte nën komanden e Major Mul Deli Bajraktarit, që kishte 1664 forca vullnetare, ndërsa tjetra nën komanden e Prekë Calit me 500 forca vullnetare, ku banin pjesë edhe Paria lokale. Vlen të kujtohet se diten e Beslidhjes (me 12 nandor) banoret e fshatrave të Luharit, Fundnave e Kojës zhvilluen një betejë të përgjakshme me Çetnikët dhe forcat partizane Jugosllave, të cilat kerkonin të friksonin keto troje Shqiptare. Kjo Beslidhje në Pranverën e vitit 1944 ishte perkrahë edhe nga Trevat e Dukagjinit, Gurit Zi, Anës së Malit, Malit të Kolajve dhe thuejse nga e gjithë Nënshkodra me në krye Berdicën dhe Trushin. Shkodra me 13 maj 1944 shpallë Beslidhjen e vet, që në histori shkruhet LIDHJA E SHKODRËS. Kohëzgjatja e pushtimit sllavokomunist nder Trojet tona Shqiptare tregon se historia e atyne krahinave aq të randsishme dhe aq të organizueme, asht errsue dhe transformue gati gati krejtësisht, sa mos me u njoftë prej nesh. Ka disa shenime dhe fakte të lanuna të shkrueme nga Imz. Pjeter Perkoliq e Don Jakob Vresk, të cilët tregojnë gjendjen e mjerueshme të Imzot Nikoll Tushës (Noga), i cili jo vetem, nuk kishte bukë per me ngranë, po as cingare me mbytë kohen e merzitëshme që e kishte robnue deri në palcë n’ at burg. Ajo që më ka ba pershtypje të madhe asht kenë dita e fundit e Tyne! Don Jakob Vresk tregon në letren e vet se i kanë tregue edhe oren e vrasjes së Imz. Nikoll Tushës, po vendin nuk e di njeri mbasi vrasja asht ba sekret e papjesmarrje të ndonjë personi që mundet me ju tregue vendvorrosjen. Po mbushen plot 80 vjetë që komunistët shqiptarë dhe jugosllavë, i kanë mbushë disa qindra e mija “Gropa pa Emna” me të mbytun e të pushkatuem dhe, mesa duket as nuk e kanë nder mend me tregue vendvorrimet e Atyne fatzezëve që, “u zhdukën nga kjo jetë pse deshtne aq shumë Shqipninë”! E bijtë e vrastarëve t’ Atyne Atdhetarve, që ngriten Flamurin e Shqipnisë, po, me andje pranojnë se “u takon me mbajtë frenat e diktaturës barbare komuniste”. E shka asht ma e keqja, tue u duertrokitë nga ambasadat !! Le ti nderojmë me respekt Zamakët e Flamurit të Kastriotit – Skenderbe!
Melbourne, 28 Prill 2022.
IMZOT GJERGJ VOLAJ, vritet Ipeshkvi ma i ri n’ botë!
IMZOT GJERGJ VOLAJ (1904 – 1948) “Nanë! Mos kjaj per até që po shef tashti! Kjaj per até që vjen ma mbrapa”! Imzot Gjergj VOLAJ Porsa kalon Uren e Bunës brij Kështjellës Rozafat dhe nisesh per në rrugen brijë Liqenit të Shkodres, plot mbas 7 km, gjindesh në fshatin Shirokë. Asht nder fshatet ma t’ aferta të Shkodres, ku prifti i Shirokës Don Zef Ashta, në vitin 1874 ka hapë shkollen e parë shqipe. Ajo shkollë u hap pranë Kishës në krahun e djathtë, në ndertesen e Tom Mark Radovanit, të Parvet të mij. Bana ket hymje mbasi Shiroka asht qendra ma e permendun pranë Shkodres, per njerzit e mëdhaj që i ka dhanë Shqipnisë tue fillue nga i njoftuni Kardinali i Parë Shqiptar Imzot Mikel Koliqi, doktor Federik Shiroka, At Anton Harapi e deri tek mësues e profesora të njohun në gjithë Shqipninë e ditve të shkueme e të sotme. Aty asht le edhe Imzot Gjergj Volaj me 21 Shtator 1904. Mbasi perfundoi shkollen fillore në vendlindje, vazhdoi seminarin Papnuer në Shkodër e, mbas tij vazhdoi n’ Itali në Padova, universitetin e filozofisë si dhe Seminarin Minor, ku ra në sy per një pergatitje të mrekullueshme dhe sjelljen e Tij shembullore. Pak vjet mbas Tij u pat le edhe djali i dytë Kola, që ma vonë edhe Ky ju kushtue me andje të madhe, Urdhnit Françeskan dhe mori emnin At Viktor Volaj O.F.M. Dy vllazen dijetar dhe klerikë shumë të nderuem të Klerit Katolik në Shqipni. Me 28 Qershor 1930, Gjergj Volaj shugurohet Meshtar nga Argjipeshkvi i njohun Metropolitan i Shkodrës, Imz. Lazer Mjedja. Emnohet famullitar i Malit Jushit. Në Shkrel ka sherbye deri në vitin 1936, që ishte zonë e thellë malore e njohun. Aty emnohet Ipeshkëv i Sapës, me qender në Nenshat, ku me 26 Qershor 1940, në moshen 36 vjeçare, tue kenë ipeshkëv i Sapës, gzon titujt ma të naltë fatarë e kjo ishte një knaqësi shumë e madhe per Katolikët e Shqipnisë së Veriut. Imz. Gjergj Volaj ishte shumë i rij kur Kardinali della Costa, Ipeshkëv i Padovës, e prezantoi me përgjegjësin, Delegatin Apostolik në Shqipni della Pietra, tue i paraqit studentin Gjergj Volaj, si ekzemplar të veçantë. Prej asaj kohë Imz. Volaj u dallue edhe si predikatar. Ishte ma i riu ipeshkëv, por me aftësi dhe me një kulturë të naltë. Krahas me kryeipeshkvin Imzot Gaspër Thaçi, Imzot Nikollë Deda, Dom Ndre Zadeja. Mbahet mend, në Shkodër më 26 maj 1946 kur ndrroi jetë Imzot Gaspër Thaçi. Procesioni i përmortshëm nëpër rrugët e qytetit, megjithëse ishin marrë masa tepër të rrepta nga shteti komunist që të pengonte në çdo mënyrë procesionin, ai u ba aq madhështor dhe me pjesmarrje të gjithë jo vetem të qytetarve të Shkodres por, edhe të studentave të Gjimnazit shtetit, saqë u vlerësue si manifestim i papërsëritshëm kundër komunizmit. Në meshën e përshpirtshme ceremoniale, fjalën e rastit ia caktuene dhe e mbajti Imzot Gjergj Volaj. Një ligjeratë e mbetun në kujtesen tonë, si fjalim i paharrueshëm historik, madje edhe i guximshëm, nga podi predikatar në Katedrale ku populli e mbushi si asnjëherë, mbrenda e jashta me popull besimtar të Shkodrës mbarë. Paraqitja e Imzot Volaj si prijës me shkopin baritor në dorë, me gojtarinë e rrjellshme të predikatarit me forcë fjale, i prekun thellë nga dhimbja dhe trazimet e kohës, ka mbetë shprehja gojore e një fjalimi ma të fuqishëm i predikatarit, ku respektohej figura e njohun fetare e nderueme e Imz. Gasper Thaçit, ku Imz. Volaj thirri me za të naltë: I paharrueshmi Kryeipeshkëv Imzot Thaçi! Ti përgjithmonë Shqiptar! Ti përgjithmonë meshtar, katolik, apostolik romak! Ishte ky fillimi i fjalës plot za e forcë që ushtoi edhe jashtë Katedrales dhe u përhap kudo, si një definicion paralajmërues i një vije të palëkundshme i të gjithë klerit katolik që do të vazhdonte rrugën e mundimeve në Kalvarin e madh e deri në martirizim. Nuk harrohet edhe jehona e fjalës në shpatin e kështjellës Rozafat në ditën e festës së Zojës së Këshillit të Mirë më 25 prill 1946. Shtegtim i vërtetë masiv i një populli besimtar në këtë Shejtore, të ardhun nga qyteti e të gjitha katundet rreth Shkodrës për festën e Zojës. Mesha e kremtue nga Imzot Gjergj Volaj. Predikatari i njohun Volaj, me aftësi foli për devocionin e Zojës, për besën e shpresën e qëndrueshme tek Mbrojtësja e Shkodrës dhe e Kishës Katolike në këto kohë aq të vështira. Ishte predikimi i fundit i Imz Volaj: Porosi dhe thirrje për Besim në Zotin. Ky fjalim paralajmërues i fundit nuk ishte jo i papritun. Ata që e njohën dhe ia ndigjuen zanin, kanë shka të flasin për Imzot Gjergj Volaj, por edhe të lotojnë sepse, komunistët ia morën jetën krejt të pafajshëm. Ishte koha e luftës së Ever Hoxhës kundër Krishtit. Në rrethana poshtnimi u arrestue Imzot Gjergj Volaj. Për akuza të pavërteta u torturue mizorisht dhe kujtohet nder ma të masakruemit klerikë katolik nga Sigurimi i shtetit komunist.
Mbas arrestimit u mbajt në hetuesinë ma të mnershme të Sigurimit shtetit në Shkoder, në hetuesinë e Kuvendit të Fretenve pranë Kishës së tyne, ku pak kohë perpara sigurimi komunist kishte futë edhe armët nën elterë. Aty Imz. Volaj provoi tmeret e panjoftuna ndonjëherë nga Atdhetarët dhe kleri katolik paperjashtim, po disa nga drejtuesit e Atij kleri janë masakrue aqsa nder shtetet e Europës Lindore komuniste as nuk njiheshin ato tortura. Vetë mbyllja e procesit Imz. Gjergj Volaj me firmen e Tij, verteton paasnjë kundershtim se Ai, jo vetem ishte i pafajshem po, edhe i pamujtun mos me i pranue akuzat që as nuk i shkonte mendja se do të firmonte në jeten e Tij. U dënue me vdekje. Për çudi Ju lejue një takim special me Nanën e tij njëditë para pushkatimit të Imz. Gjergjit. U duk ky takim si ndonjë nga ndalesat në rrugën e mundimshme të Kalvarit: Dukej si ndalesa e Katërt ku Jezu Krishti i dënuem me vdekje takon Nanën e vet. Jo pa qellim të keq: E takuene vetem me e demoralizue Djalin para Nanës së vet të shkretë! Sa dhimbje të mëdha kanë provue këto dy zemra të pasterta e të dashtuna! I dhimshëm po edhe i paimagjinueshem takimi me Nanën e vet Tone, i të dënuemit me vdekje Imzot Gjergj Volaj njëditë përpara pushkatimit. Ai e ngushëlloi Nanën e vet kur e pau aq të rrënueme. “Nanë, mos vajto atë që tashti sheh tek unë. Kjajë ditët ma të vështira që do të vijnë!” Ia shtrini dorën mbi kokë dhe i tha: “Kjofsh e Bekueme o Nanë!” Të theruna zemre, mjerim e lot, por bekim për amshim. “Kjofsh i bekuem o Biri i Nanës!” Iu përgjegj Nana. Vetem Ato Nana mund të flasin edhe sot nga gropat e Rrmajt mbasi asnjëherë, nuk harrohen krismat në orët e para të mëngjeseve të atyne kohëve të zeza, që vijshin gjithnjë nga Penda e Kirit mbas Rrëmajit. Me 3 shkurt 1948 mbas vorreve, aty tek Zalli i Kirit, u pushkatuen disa vetë të hjedhun në një gropë. Por nuk u mbyll këtu dhimbja për Nanën e vujtun. Edhe djali tjeter At Viktor Volaj, atdhetar, gjuhëtar dhe studiues, etnograf, përkthyes e autor i sa e sa shkrimeve e studimeve, bashkëpunëtor i ngushtë i At Justin Rrotës e At Gjergj Fishtës, që ishte edhe komentator i të gjitha veprave të poetit të madh kombtar, nuk i shpëtoi dënimit për shumë vite në internime komuniste kur nana e vet krejtësisht e vetmueme, kalonte jetën pranë një familjes bamirse. E pra kjo asht e verteta e Familjes Volaj, që u shfaros nga Sigurimi i shtetit komunist i diktatorit terrorist pa asnjë shkak vetem, pse dy djelmët ishin thirrë me i sherbye Kishës Katolike në Shqipni. E sa familje si kjo ka sot Shqipnia e “rilindur socialiste”?! – As nuk bahet e dijtun kurr masakra e madhe e diktaturës barbare komuniste në Shqipni! Dihet vetem një fakt: Shqipnia jo vetem nuk i dënon krimet e komunizmit, po perditë mendon per kthimin mbrapa të shtetit, tue ringjallë diktaturen, fanatizmin anadollak dhe shthurjen e ligjve e të ecjes drejtë Europës. A ka sot Nanë Shqiptare që i këndon Djalit si Nana e Imzot Gjergj Volaj: “Flej qetësisht n’at djep moj njome, pusho n’paqë me ej’ e zana, si ma t’mirin nder gjithë kombe për Shqipni tash t’rritë ty Nana”.
(Shkrue nga Don Ndre Zadeja). Melbourne, 2 Maji 2022.
IMZOT JUL BONATTI (1874 – 1951)
Vështirë me u besue këto që kanë ngja, e ma e vështirë me u besue çka po u shkon mendja per me vazhdue nder Trojet tona sot prap “disave”! Me datën 6 nandor 1946, në pragun e arrestimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Jul Bonatti, në Vlonë, pra, pak muej mbas kthimit të Tij në mënyrë të pakuptueshme nga Italia. Hapët dosja nr. 3616. “Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.” Me të vertetë një këthim i pashpjegueshëm!! Imz. Bonatti deklaron në hetuesinë e Vlonës dhe asht fat i madh se, në disa fletë që ruhen në shpjegimet biografike janë detaje që me siguri nuk do të ishin dijtë kurrë, p.sh.: “Në Stamboll, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë.” Tregon me shka asht marrë edhe në vitet e fundit në Itali. Kryesisht flet per perkthimet. Një opinjon që vazhdoi mbi 47 vjet në hetuesitë e sigurimit shqiptar: “Përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka karakter politik.” (dt. 10 qershor 1946). Prokurori Beqir Isufi shënon po aty: “Prifti spijun i djallzuar.” Namik Cakrani shënon: “Është i pa korrigjuar, t’i epët dënim i rëndë.” Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç sa deklaratave të sipërme fallco, e akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: “Agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqësore, ka bashkëpunuar me armiqë të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi.” Me datën 27 tetor 1947, jepet vëndimi: “7 vjet burg, me heqje lirie.” Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, dhe prokuror Nevzat Hasnedari e vëndosi: ”Dënohet me 5 vjet heqje lirie.”. A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Prof. Jul Bonattit? Sigurimi i shtetit komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né. Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit rrugë, nga e cila nuk mund të shkëputej asnjë çast atëherë dhe as sot. *** Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mesa i Tij me té. Njëditë Ai i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”. Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë. Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njohun i pari i “Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej, sillet në Shqipni. dhe çohet në një manikomjo! Fantazia e kriminelit të sigurimit të shtetit asht e pafund. Imzot Prof. Jul BONATTI, njëditë thanë se “ndrroi jetë!” “Ndrroi jetë.”, vetem dy fjalë goje! U gjet në një dhomë trupi i Tij copa copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”!! Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin? -Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! -Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish e gjak njeriu, dhe mundësisht Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi, i mëshefun mbas fustanit Nexhmije Hoxhës, kobres së zezë të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij. *** A thue pasojë e sllavokomunizmit ishte kjo, apo dishka ma shumë?! Imz. Jul Bonatti deklaron: “Qëllimi i jonë si fetare asht të bashkojmë popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të botës!” Kjo thanje e Profesorit më ka terhjekë vemendjen që atëherë kur e kam lexue. Kam shkrue dhe mendoj mos me u ndalue këtu! Imz. Prof. Jul Bonatti ishte Klerik Katolik Shkodranë, teolog, filozof, studjues dhe perkthyes i njohun i letersisë dhe i gjuhës shqipe, një humanist i persosun, poliglot dhe mbi të gjitha një Klerik me pikpamje europjane, në vizionin e të cilit, gjithnjë qendronte një nga perpjekjet e vazhdueshme të Atdhetarëve tanë: Unifikimi i Kishave Shqiptare! Përgatitja e Tij n’ Austri, Itali, dhe sherbimi në Stamboll mbi 16 vjet, në Durrës, Vlonë, Siçili, dhe njohja atje e Kishave Unite Shqiptare prej Tij, duhet të bahet piknisje per një studim të plotë të perpjekjeve të dy palëve; katolikë dhe ortodoksë per unifikim e Kishave tona. E ky unifikim nenkupton Unitetin e Trojeve të Shtetit Shqiptar! Një veper e tillë Atdhetare, ishte fillue me kohë nga Imz. Kristofor Kissi. Kjo etapë e re filloi me kohë, madje vite perpara At Shtjefen Gjeçovi kur ishte në Vlonë, flet per perpjekje të dy Kishave per Bashkim, dhe kam parasyshë edhe vlersimet e bame aso kohe. Nga studjuesi z. Nelson Qiriaku, kam mujtë me u sigurue per fillimet e Kishës Ortodokse Autoçefale Shqiptare KOASH, e cila me disa nga drejtuesit e saj të nderuem filloi marrveshjet per unifikim e bashkpunim me Kishen Katolike në Shqipni, në Vlonë që në vitin 1920. Menjëherë mbas shpalljes së Pavarsisë në 1912 shihen dokumentat. Perpjekjet e Hirsisë së Visarion Xhuvanit, Kristofor Kissit, Irene Banushit, etj., si dhe lidhjet e Tyne me Famullitarët e Vlonës, Durrësit dhe së fundi të Tiranës, janë një prej episodeve ma të lavdishme të mardhanjeve mes Kishave të Krishtena në Trojet tona Shqiptare. Porsa Kisha Ortodokse Autoçefale Shqiptare filloi shkëputjen e saj nga kishat sllave dhe greke në vitin 1920, Kryepeshkopët e saj të nderuem u zgjodhën Shqiptarë që në Kongresin e Beratit (1922), vendosën KOASH, dhe perdorimin e gjuhës Shqipe në Kishë. Patriarku i Konstantinopojës emnoi në Shqipni Hierotheos A. Jahon (Peshkop i Miletupolisit) si zevendsin e tij të plotfuqishem, i cili, i shoqnuem nga Imz. Kristofor Kissi, Peshkop i Sinadonit, mërriti në Korçë në vjeshten e vitit 1923, dhe shuguruen Fan Nolin, me 21 Nandor 1923, në katedralen e Shen Gjergjit. Hierotheosi emeroi Imz. Kristofor Kissin, Peshkop të dioqezës së Beratit, e cila permblidhte edhe Vlonen; Fan Noli në 1924 u largue nga Shqipnia. Në nandor 1927 vizitoi Rusinë stalinjane, pra Bashkimin Sovjetik, si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit. Po, nuk mungoi me i ba urimet edhe Ever Hoxhës në Janar 1946, per “varësinë e Republikës Demokratike Shqiptare nga Jugosllavia komuniste e Titos”. Ishte koha kur Peshkopët e KOASH Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi, Irene Banushi (u burgos në 1947), Kozma Qirio, At Dhimiter Leka (u pushkatue në nandor 1944), At Gjergj Suli (u pushkatue me 14 Janar 1947), At Llazar Popi (vdes në burgun e Tiranës, me 11 Dhjetor 1972), vetem pse vazhduen me punue per unifikimin e Kishave tona në Shqipni, njëherit me persekucionin e Tyne të vazhdueshem kryesisht mbas 1944. Me këte “Bashkim Kishash”, nuk ishte i knaqun as Ahmet Zogu, as Musolini, dhe në gjurmët e tyne eci edhe Ever Hoxha, derisa shkatrroi këte Bashkim, Fenë dhe Klerikët që kanë kontribue per Unifikim! Kryepeshkopi metropolit Kristofor Kissi drejtoi KOASH derisa dha doreheqjen me 1949. Ai jetoi në pension pak kohë në manastirin e Ardenicës e ma vonë në manastirin e Shën Prokopit afer Tiranës. Thohej se vdiq nga hemoragjia cerebrale (po, ma shumë mendohet se aty u helmue nga Sigurimi komunist i Tiranës) me 16 qershor 1958.
Patrikana e Konstantinopojës e njohu Kishen e Shqipnisë si autoqefale vetem nga autoriteti i Imz. Kristofor Kissit. Ai ishte personi ma i respektuem per të gjitha palët e interesueme, per Patrikanën e Konstantinopojës, si per Popullin Shqiptar, per Klerin Ortodoks dhe lidhjet e KOASH me Kishen Katolike në Shqipni. Ndersa, Martiri At Josif Papamihali, asht mbulue me baltë i gjallë në kampin e shfarosjes, në këneten e Maliqit të Korçës, me 26 Tetor 1948. Arsyeja e vertetë asht ajo e arrestimit: Vetem, per lidhjet fetare me Klerin Katolik Shqiptar të burgosun. Kjo ishte Kisha e vertetë Ortodokse KOASH, per të cilen duhet ruejtë respekt shumë i madh edhe sot! Ishte pikrisht koha kur në Shkoder Hafiz Derguti torturohej në 1947, dhe po i tregonte një bashkvuejtësi në hetuesi të Shkodres: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!” Cili kje qendrimi Europjan i Hafiz Ibrahim Dalliut në gjyqin e Tij të 1946? Kush mundet me mohue veprat e Hafiz Ali Tarit, ndaj Klerit Katolik në Burgun e mnershem të Burrelit ? Ndersa, vrasjet e masakrat e sllavokomunistëve ndaj Bektashijve tanë të Nderuem vazhdonin me korrë koka njerzish, vetem per qendresen e Tyne në perkrahje të katolikëve Shqiptarë. Ashtusi mbyten At Papamihalin, ashtu shkyene dhe Imz. Jul Bonattin. Historia pa të vertetat e saja, nga Populli Shqiptar quhet “rrenë”! Komunistët shovenistë sllavobolshevikë, ashtusi paraardhësit e tyne të njohun anadollakë, gjithnjë dhe kudo ku kanë sundue, kanë perdorë metoden e tyne vllavrasëse “Perçaj e sundo!”, jo “pa rezultat”. Në Sheshin Skenderbeu, Papa Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 tha: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ ju harrojë! Por me një kusht, që të mbetët përgjithmonë në kujtesën tonë, ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njejtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proces pajtimi të vërtetë.” Pajtimi i vertetë arrihet vetem me hapjen e dosjeve. Dënimi i diktatorëve që kanë ushtrue Gjenocid kunder Klerit Katolik dhe Atdhetarëve Shqiptar asht detyrë e perjetëshme dhe nuk duhet harrue! Shqiptarët duhet gjithnjë ti bajnë vetes një pyetje: Deri kur do të vazhdojë me u mashtrue Populli Shqiptar nga “Ballkani i shperthyem” dhe “rilindasit e kavertisun” të Edi Ramës & Co?! Rruga e tradhëtarve t’ Atdheut asht asfaltue prej vitit 1972. A ju kujtohet? Keni pasë lanë nam aso kohe n’ atë kongres turpit!! Ndersa sot, nuk po i leni asgja mangut vrastarve dhe paraardhësve tuej tiran, barbar e kriminela të njohun në gjithë Botën! Sot “ata” po ecin mbi miljona dollar dhe fluturojnë në rrugët e Tiranës asfaltueme nga droga. Asht fat i madh që Historia nuk i mbyllë “Dosjet” e askujtë ! Shenim FR: Jo krejtësisht asht marrë nga libri i autorit viti 2005 “Një Monument nen dhe”.
Melbourne, 4 Maji 2022.
DON MARK BICI (1911 – 1946)
Asht fat i madh që me dosjet e të mbytunve e të zhdukun në hetuesi ose në Sigurimin e shtetit komunist asht marrë studjuesi Dr. Pjeter Pepa (2007) e, na ka lanë gjurmët e Tyne të pashlyeme pa të cilat sot nuk do të dinim asgja. Don Mark Bici asht kenë me origjinë nga Mirdita. U le në vitin 1911. Mbasi kreu studimet në Seminarin Papnuer të Shkodres, dhe u lidh me Kishen Katolike në Universitetin Teologjik në Padova, tue u Shugurue meshtar në vitin 1936. Kthehet në Shqipni e u vendosë në Abatsinë e Mirditës në 1939. Në vitin 1946 arrestohet nga rregjimi diktatorial i Ever Hoxhës. Ishte klerik i përgatitun dhe me bindje të brumosuna per me i sherbye Fesë e Atdheut. Rregjimi komunist e masakron keq në hetuesi, gja që i solli pasoja të randa. Në Dosjen 868, të Arkivit Ministrisë së Mbrendshme të Tiranës, mbajtë me daten 18 Tetor 1946 (simbas studjuesit Dr. Pjeter Pepa), i mbajtun në zyret e seksionit të mbrendshem Mirditë, me të arrestuemin Don Mark Bici, i biri i Kolës dhe i Dilës (Nana e vdekun), i lemë në Kashnjet e banues në fshatin Kaçinar të Spaçit, me profesion Prift, famullitar i Qafë Bregut, që deponon: Jam arratisë dy herë duke ju ikun patrullave, sepse në Tetor të 1945, me ka ardhë në qelë Lleshi i Gjon Markagjonit, e i kam dhanë bukë. Jam arratisë se më erdhen në 1946 edhe tre t’ arratisun nga Spaçi: Dod Sakica, Preng Frisku dhe Preng Frrok Marku, të cilve u kam dhanë edhe këtyne bukë. Para çlirimit nuk kam marrë pjesë n’ asnjë rrymë politike. Kam pasë njohje me majorin anglez Nill, i cili donte me dijtë per qendrimin e gjermanve. Dij se xhakoni Ndue Gjoni nga Mnela, ishte me Ballin Kombtar. Kam pasë raste që kam takue edhe persona tjerë, sepse vijshin tek qela nevojat e tyne. Me të pandehurin Dom Mark Bicaj asht marrë gjatë kohës së hetuesisë shefi i seksionit sigurimit të Mirditës Bardhok Biba, i njohun nga kleri.
Ndersa në gjykaten ushtarake të Shkodres, dokumentacioni asht firmue nga prokurori i njohun, kapiteni kriminel Aranit Çela me 25 Tetor 1946. Aty ka dhe një trup Gjykues të njohun: Kryetari Kap I Mustafa Iljazi, antarë Anastas Koroveshi dhe Zurdi Shehu, ndersa prokuror kapiten Aranit Çela. Gjykata vendosi dënimin e të pandehurit Dom Mark Bici, me 15 vjet burgim, dhe me zbritjen e këtij dënimi me 5 vjet burg me punë të randa. Në dukje të parë lexuesi formon pershtypjen se, aty me të vertetë gjyqi asht kenë zhvillue shumë i rregullt, me fakte të provueme nga hetuesia Mirditës. Gjithshka sillet rreth datës 25 Tetor 1946 (??), tue u mbyllë po me këte datë pa asnjë të dhanë tjeter, ku nuk zehen me gojë as dishmitarë e as folës tjerë. Per çudi nuk ka asnjë mendim nga hetuesi kriminel i sigurimit të Mirditës, Bardhok Biba, i cili “a ka mujtë me mbyllë dosjen pa shtue asnjë rresht?”. Studimi i të këtilla Dosjeve ka vlerë të madhe, se don mjeshtri me e kuptue “ate që Dosja e sigurimit të shtetit komunist, ndrynë mbrenda vetes së saj” pa tregue faktin e vertetë të dhanjes së dënimit perfundimtar, si dhe të mos tregimit të së vertetës së zbritjes së sasisë së viteve nga 15 vjet në 5 vite, po me një shtesë gjoja me punë të randë. Nga kjo Dosje del i kjartë perfundimi i trupi gjykues, i cili ndaj akuzave të bame ndaj Dom Mark Bicit, mbyllë dosjen pa asnjë fakt të dishmuem nga dy ose tre dishmitarë, po vetem një datë “25 Tetor 1946”. Ishte edhe idea se “Dosjet tona, asnjëherë nuk do të lexohen as shihen nga njerzit tjerë!” Sigurisht, perfundimi i dënimit asht i kjartë per të gjithë ne lexuesit që nuk kemi nevojë me lexue ma shumë, ose të pakten në cilin kamp pune e patne dergue Dom Mark Bicin, per me vazhdue dënimin me “punë të randa”?! Vetë këputja e Dosjes dhe mbyllja e saj pa asnjë shpjegim, tregon fundin e jetës në mënyrë barbare dhe kriminale të Klerikut Don Mark Bici, nga ato vuejtje që nuk pershkruhen asnjëherë, e kryesisht ato, që ka kalue per 47 vjet Kleri Katolik Shqiptar, Kleri ma i vujtun i gjithë Europës komuniste. Mungesa e fotos ka domethanjen e vet! Torturat që ka kalue nder ata muej hetuesi, shumë fatzezë i kanë kthye në Portrete të panjohuna! E shumë vetë mbas vuejtjeve të mnershme në duert’ e atyne kriminelave, nuk kanë njohtë as vetveten kur i ka ra rasa me kalue pranë një dritares. E faktet janë aq të shumta sa, po të rreshtojmë emnat e Klerikve Katolik me mosha të reja tue fillue nga vitet e para të 1945, jam i sigurt se shumë lexues kanë me i quejtë “shpikje të mijat”, po e verteta asht ajo, që ka ngja nga duert e kriminelave që po t’ ju hapen vorrezat, edhe sot janë të pakalbun! Duhet të pranojmë faktet! Veprat kriminale të hetuesisë sigurimit komunist janë edhe të padijtuna dhe të panjohuna as, nga Bijt’ e Atyne që kanë kalue torturat ma mizore që mujte me krye truni i smurë i hetuesve barbar. E mos harroni se ASNJENI kriminel, nuk ka kerkue të falun per vdekjet e Atyne Fatzezve, që janë zhdukë pergjithmonë tue kenë edhe të Pafajshem! Sot Ata viktima i kujtojmë me dhimbje, Ata vdiqën dhe u zhdukën nder disa gropa pa Shenjë tek koka. Dhe, kurr mos harroni se Ata Martirë janë sot: Zamakë të Flamurit Gjergj Kastriotit!
Melbourne, 7 Maji 2022.
DON NIKOLL GAZULLI (1895 – 1946)
Pesha e randë e gurit shpesh ban që, mbasi mbulohet me pluhun, me kohë dhe dalngadalë, shiu, era, fortuna e përmbytjet e zhysin në baltë. Për shumë kohë këta gurë mbahen mend si shenja drejtimi rruge, pushimi shtegtarësh ose ngjarjesh të mëdha historike. Ndonjëherë, këta ishin edhe skuta prite. Me kohë këta gurë edhe lëvizin e zhduken. Ndër malet tona nuk ka gurë të tjerë të daltuem veç ndër vorre e aty këtu në prakun apo shkallat e ndonjë Kishe apo kulle të vjetër. Shumë prej tyne janë shembë e prrojet e “pabesa” i kanë marrë me vete dhe i kanë tretë e derdhë ndër zgavrrat e errta të historisë. Shumë prej atyne gurëve të daltuem me aq kujdes dikur, sot janë ende të mbuluem me dhé e trungje pemësh të kalbuna, shpesh nën kambët tona, që, padashje, shkojmë tue i zhytë edhe ma thellë në tokë dhe, me kohë, tue i vorrosë ndoshta përgjithmonë. E pra, nuk janë aq pak sa kujtojnë disa. Kujtoj një udhtim në kambë nga Vrithi në drejtim të një fshati të quejtun Vuçë. Shpesh ka ngja që dijetarët kanë gërmue dhe mbasi kanë gjetë një shenjë jete, janë përqendrue aty e, mbas sa kohe, kanë nxjerrë në dritë një vepër me të cilën janë ba të pavdekshëm. I tillë ishte për ne edhe At Shtjefën Gjeçovi, që, me lotoret e Tija shekullore, përjetësoi në parathanje tek “Kanuni i Lekë Dukagjinit” edhe Faik Konicën e madh. Shumë vite ma vonë, kur pata lexue për ngjarjet e ndodhuna ndër ata vise aq të bukra e aq krenare në kohën e ramjes së tyne, nën atë dhunë të shfrenueme e të pashpirtë të komunistëve, pata mendue me vete: Si asht e mujtun me kenë aq e pamëshirëshme historia, që mbrenda pak viteve, mbas vitit 1944, arrijti me shpërba edhe karakterin e pathyeshëm të atyne “gurëve” shekullorë, që nuk i pat thye as sllavi e as turku?!Njeriu që më ka shtye me gërmue edhe mue ndër ata prroska apo zallishta prrojesh, mbas të cilave, tue ecë ndër gjurmët e ujqëve, njeriu ndodhet përballë një shpelle, e aty ende sot gurtë vazhdojnë me lotue gjak Martirësh.Ishin po Malet e fushat e gjithë Shqipnisë Martire kapë flakë. Shqiptarët që ikën e morën malet, ishin të ndjekun nga bishat e terbueme e të quejtunit “bijtë e Stalinit jemi ne!”, të pangopun me gjak. Ishin pikrisht Ata Atdhetarë që nuk duronin një pushtim tjetër të ri! Ishin po bash pyjet e saj të zemrueme, që lëkundeshin e rrëzonin landë lisi e pishe ditë e natë, tue thye Fidanat e selvijave t’ Asaj Shqipnie së Re e tue i rroposë përdhe shka merr me Kelmend, Dukagjin, Pukë e deri thellë në Mirditën e Mark Gjon Markagjonit, që edhe Ai pranoi plumbin e “shokut të vet” maparë se, t’ plangprishësve komunistë antishqiptarë! Ndoshta, e me siguri, janë dafinat e Atdheut që bijnë atë ditë mbi gropat e humnerat ku kalben Ata Burra, e Ata guxuen e bane vdekjen si me le!Këtu mendja nuk mundet me depertue ma thellë, se ndër rrajtë e larit që ndër shekuj thuri kunora lavdije për Shqiptarët e vet besnikë. E nën gjethët e atij lari, që s’njohu mort, asht prap një tjeter Vigan që vazhdon me kenë i humbun e i tretun ende nën gurë nder shpella shekullore t’ atyne Maleve! Asht prap një tjetër histori e pashkrueme ndër letra të prarueme! Asht prap një tjetër Burrë që as Ai nuk ka vdekë. Asht prap një tjetër Shqiptar që daltoi shkronja mbi këta gurë! Asht prap një tjetër “gurë” që rritej e rritej e bahej sa një shkamb! Asht prap një dorë që u tregoi Malësorëve tanë “Hyllin e Dritës”. Asht prap një gisht drejtue nga “ylli i kuq” robnues i Moskovit! Asht prap një gjuhë shpatë që i grishi Alpet në beteja nderi, e Lirije! Asht prap një kambë e zdathun zadrimori që mori malet! Asht prap një “gjuhë Shqipjet” që u këndoi Atyne Bjeshkëve Arbnore. Asht prap një Ushtar i Krishtit që ruen në gjoksin e Tij Flamurin e Gjergj Kastriotit, “Mbrojtësit të Krishtenimit”, të lamë me Gjakun e vet të Shejtë në Elterin e Atdheut, mbi të cilin asht Betue atë ditë kur Ai asht Shugurue Meshtar Shqiptar. Asht po, aty, Don Nikollë Gazulli! E, edhe guri topitet e fillon me u thermue kur ndigjon përsëri këte mbiemen të salvuem ndër shekuj për fatin e Lirinë e Atdheut të cilin e deshti aq shumë!E, edhe orët e zanat e At Fishtës së Madh, mbas ramjes së diellit, aty kah e vona, tue zhgulë flokët, do të pyesnin me zanin e tyne të marrun në vajë: E çka do Ky Burrë me veladon ndër ata Male të përgjakuna? Vepra e Tij e pavdekshme difton kush asht Ky mbasardhës i Gazullorëve.
Që, pa i shkrepë qerpiku, njëditë guxoi me shkelë ndër gjurmët e sandaleve të At Shtjefën Gjeçovit. GERMONI THËMELIN..! Gurë të shkapërndamë andej e këndej i mblodhën në një fushë. Disa shekuj ma parë ishin vue disa themele në këte tokë të bekueme! Shqiptari i shkretë, në dheun e vet gjithë jetën, tue u mundue me vue një cak e me jetue me djersen e ballit qyshë se ka lé. Atë ditë porsa fillon me shqiptue fjalën “Nanë”, të duket se kushedi sa shkollë ka ba. I prirun gjithmonë prej natyre nga ditunia. Çobani ma i tretuni në kullotat pa rrugë e shtigje të bjeshkve, dinte me këndue “Lahuten” e, i binte asaj me aq dëshirë e pasion, sa të dukeshin se janë krijue njëherit. Ndër ato ograja të bukra të Zadrimës pat zanafillen edhe fisi i njohun i Gazullorëve tonë të vjetër. Të vjetër sa “Formula e Pagëzimit”, që njihet njëheri me një nga të parët dijetarë shqiptar, Don Gjon Gazullin. Edhe Ai një Meshtar i dijtun, si Imzot Pali i Ejllorëve tonë. Në të parët Gazullorë që kam njohtë në vitët 1957 – 58 kur kam punue në Kabinetin Pedagogjik të Shkodrës si disenjator, asht kenë një nga pinjollët e kësaj familje të vjetër, mësuesi Simon Gazulli, i cili aso kohe shërbente ndër fshatra të Shkodrës. Jam njohë me Te nga mësuesi dhe miku im i shtrejtë Sandër Troshani, që kur na prezentoi, më tha: “Ky asht një mësues që nuk i len gja mangut biografisë tande, e besoj, se keni me kenë miq, se të dy keni pasë në rrethin tuej klerikë ‘reaksionarë!” Në atë moment na u qeshëm, por me të vertetë u bame miq të përjetshem me Simonin nga i cili, ruej në kujtesën teme buzqeshjen e Tij të pastër dhe joshëse, me të cilen mujshe me kuptue Shpirtin e tij të formuem dhe të edukuem, në ambjentin e shumë akademistëve të përkryem të Gazullorëve të vjeter. Shumë pak kemi bisedue atëherë për paraardhësit e nderuem të Atij Fisi, që gjithnjë rrinë tue gërvishtë e tue lanë njolla gjaku të forta e të pashlyeshme ndër fletët e lavdishme të Historisë së Shqipnisë, e cila edhe pse ka disa fletë të shkrueme me gjakun e Atyne Martirëve të njohtun të Gazullorëve, prap edhe sot vazhdon me mbajtë fletët e ngjituna e të palexueshme prej ma shumë se 75 vjetësh, nga gjaku i Tyne i ngrimë e shpesh, të xanun njak nga dora e dhunuesit të pabesë që i perkasin t’ ashtuquejtunes “Akademi”. E pse? – “Ata gabuen..!” E deshtën me Shpirt Shqipninë! Ishin pikërisht ato armë që rrenuen e zhbinë me rrajë themelet e qytetnimit jo vetëm në Moskë e Petrograd rus, por morën mbarë vendet Baltike e u shtrinë ndër të gjitha shtetet e zhvillueme të Europës Lindore, tue i ra e shkallmue si mos ma keq, deri tek Shqipnia e Gjergj Kastriotit, që u ba plaçkë e sllavëve kolonizatorë marksistë-leninistë, barbarë e grabitçarë tokash të cilët, nuk patën të ngimë tue i vra e pre deri në ditët ma të vona. Shqiptarët e porsadalun nga robnia e osmanllijve, në dukje ishin një nga vendet ma të pazhvillueme të Europës, po realiteti nuk asht ai që komshijtë tonë janë mundue me na paraqitë para të tjerëve, ma fort për qellimet e veta grabitçare, sesa na ishim të atillë. Kjo mund të vërtetohet me një fakt që sot asht i njohun botnisht. Si mundet me ndodhë që Ajo Shqipni e mbrapambetun dhe e “pazonja” me u qeverisë vetë, në vitin 1924 formoi Qeverinë Demokratike Shqiptare? Duhet ndalue në këte pikë dhe me kërkue kush ishin Ata, që në ato rrethana e kushte të Asaj Shqipnie të mbrapambetun, na i dolën për zot zhvillimit politik modern dhe, me guxim të panjohun deri atëherë, kanë arrijtë në një kohë rekord me punue për liritë dhe të drejtat e njeriut, tue mos i lanë asgja mangut vendeve të zhvillueme të Europës? Një brez i tanë intelektualësh, të përgatitun ndër universitetet ma të zhvillueme e të përparueme Europiane, ishte pikrisht ai që vuni themelet e shtetit tonë. Asht e vërtetë se Shkodra para vitit 1900 pat vetem dy shkolla europiane të plota, ate të jezuitëve dhe ate të françeskanëve, por përgatitja e kuadrit intelektual laik e fetar, nuk i la asgja mangut asnjenit prej shteteve ma të zhvillueme Europjane Perëndimore. Ndërsa, po të analizojmë Klerin Katolik Shqiptar, Ai asht i papërsëritshëm. Kësaj fidanishte i përkasin në disa brezni edhe Gazullorët. Tue ju referue studjuesit të Atij trolli, Danielit, vërejmë se nga shek. XV njihet Gjon Gàzulli i madh, astronomi, dhe mbas tij Pal Gàzulli, ambasador i Kastriotit pranë Republikës së Raguzës në vitet 1452-1459, që asht edhe Rektor i Shkollave të asaj Republikë. Mbas tij vjen Doktori i Filozofisë Imzot Ndue Gàzulli, Arqipeshkëv i Shkupit (1702-1783). Në shek. XVII asht njohë Abati i Mirditës Don Ndre Gazulli. Ndërsa Andrea Gàzulli ishte komandant i Forcave të Veriut pranë Ali Pashë Tepelenës, deri me sulmin të tij barbar mbi Kardhiq. Pra, në pak rreshta, këta ishin gurtë e parë të themelit të Tyne. Asht për t’u theksue se deri në vitin 1944, me ardhjen në pushtet të komunistëve, Gazullorët kanë pasë gjithmonë një pinjoll të familjes së tyne të talentuem, që edhe do të shkonte për studime jashtë Shqipnisë. Po të kësaj plejadë të fundit të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, ishin tre vëllaznit Gazulli njëherësh, Gjoni (1893 – 1927), Nikolla (1895 – 1946) dhe Stefani (1896 – 1964), të cilët, jo vetëm që kanë studjue ndër universitete të hueja europiane, po edhe u dalluen qysh atje si gjenialitete në fusha të ndryshme të dijes. Ndoshta pa u kujtue asnjëherë, ndodhë që një “ngjyrë” ngacmon aq shumë trunin e njeriut, sa për vite të tana ajo mbetë si njollë aty. Ishte një vorr fare i thjeshtë çimentoje, i ngjyrosun me gelqere, pranë një selvije në krahun e djathtë, në të hyme në Fushen e Rrëmajit. Aty ishte gjithmonë një qiri i djegun dhe i shkuem rrëkajë ose i porsa ndezun, që nuk fikej as nga era as nga shiu, derisa u mbaronte së djeguni. Ditën e të Shuemëve, ai vorr i thjeshtë ishte qendër pelegrinazhi i sa e sa vizitorëve, që vinin ndër ato vorreza nga të katër anët. Nana më pat tregue se ai asht vorri i një Prifti, që ka pasë varë disa vite ma parë Ahmet Zogu. Më dukej një çudi e madhe sesi një njeri i quejtun “shqiptar” me mbërrijtë deri aty, sa me varë në litar “një Prift”! Shqipnia asht e mbushun me “mozaikë” të të gjitha kohëve ku, fatkeqsisht, ndër këto vepra të lyme me bojë të bardhë, ku përveç një Shpirti që kishin të tillë këta njerëz, gjithkah dominonte ngjyra e zezë e aq e zezë, sa vetë jeta e të gjithë Atdhetarëve Shqiptarë që ka kalbë kjo tokë. Ajo që asht e pafalshme per brezat e rij, mbetet indiferentizmi ndaj disa prej Këtyne personaliteteve që nuk i vijnë kurrma Shqipnisë!
E shpesh, po të njajtin fat kanë pasë mbrenda një fisi disa vetë njeni mbas tjetrit! Pa u largue nga ky Fis i nderuem, do të ndalohem pak me njenin prej figurave ma të mëdha të shkencës së Gjuhës Shqipe: Don Nikollë Gazulli asht vëllaj i dytë i Don Gjonit. Dy vjet ma i ri, pra asht le me 15 Qershor 1895. Vazhdoi njëherësh me vllanë Gjonin shkollën fillore në fshatin e vet, në Dajçin e Zadrimës, e porsa hapun në vitin 1902. Shkollën e mesme e vazhduen në Shkodër dhe mandej të naltën në Austri. Don Nikolli ishte në Grac dhe Insbruk ku studjoi për teologji, por tue kenë i pasionuem për gjuhësi, kreu aty edhe për gjuhësi e mbet mik i dalluem ndër studentat e albanologut të njohun Norbert Jokel, me të cilin ishte bashkpunëtor e studjues i Shqipes. Fenë me Atdhe e lidhë Gjuha. Gjuhësia asht vepra me të cilen Don Nikolli do të daltojnë shpirtin e trazuem të Maleve, dhe asht ajo penë që nuk do të qendrojnë asnjë minut e thame mbi tavolinën e Tij. Erdhi në Atdhe dhe mori rrugët e Malësisë së Rrjollit dhe të Shkrelit, ku njëheresh ishte me detyrën fetare, filloi me germue thesarin e madh të gjuhës sonë, me fjalët e rralla të atyne krahinave, me toponomastikë e onomastikë, tue mos i veçue kurrë nga etnografia i mbështetun në gjurmët historike dhe gjeografike të malësive tona. Porsa fillon me u pa në revistat e kohës puna fillestare e tij në lamën e gjuhësisë, u kuptue se nuk asht një hop rinor i Don Nikollit pasioni i tij, por asht një gurrë e vertetë që nuk shuhet kurrë e një gjenialiteti që po shpërthente si vullkan dijet e shkencet nga ata burime të pashterrshme të prrojeve që, me doren e vet i bashkoi në një lum të madh të fuqishem burimi të pavdekshem të shkencës së Gjuhës Shqipe. Asht ajo gjuhë që nuk e len Don Nikollin me u ba plaçkë e anmikut ma të madh të shqiptarëve, plaçkë e shovenistëve sllavë, që po lëshonin rrajë me veglat e veta mu në krye të shtetit shqiptar, të ardhun nga Beogradi dhe me shpatën e çveshun të padijes, filloi me ba edhe flijimet e para me vllajn e madh të Don Nikollit, Don Gjonin e Gazullorëve, tue e varë në litar. Në kryengritjen e Veriut në 1926, arrestohet edhe ky me të tjerë klerikë dhe dënohet 101 vjet burg të përjetshëm. E çojnë në burgun e Kalasë së Gjinokastrës, “historia” e të cilit do të vahdojnë edhe me kohën e vonë ku, mbas ndërhymjes së përsonalitetëve ma të njohuna të kohës, Joklit, Viktor Eftimiut dhe Asdrenit etj., mbas katër vjetësh e lirojnë. Dijetari Don Nikoll Gazulli asht njohës i gjuhëve të latinishtes, greqishtes, gjermanishtës, frengjishtes, italishtes dhe sllavishtes, gjuhë me të cilat i la shkences sonë të gjuhësisë veprat e pavdekshme të vetat, shumë prej të cilave na fillojmë me i pa në revisten “Hylli i Dritës”, prodhimet e një truni të rrallë, që në pak vite të jetës la vepra madhështore. Duhet theksue se “Gojëdhanat” që Ai ka mbledhë janë labirintet e panjohuna të burimeve historike, që na sot sikur të gjurmojmë vetem ato, kemi aq shumë fakte historike sa pak popuj mund të maten me ne në fushen e historisë së vjetër shqiptare. Me një durim dhe mjeshtri lidhë mitologjinë me etnografinë tue i vue me dorën e vet në hartat e vjetra dhe tue i lanë shkencës edhe një burim tjeter të vyeshem të atyne fakteve historike që, bota përrreth nesh asht kenë mundue atëherë e sot me i shue, me i fshi, tue përdorë mjetet ma të dhunëshme dhe të panjohunat e kohës primitive mbi trupat dhe mendjet e dijtuna të një populli, që u punue në shekuj për zhdukjen e Tij dhe, të kulturës disa mijavjeçare të vorrosun ndër trojet e qytetet tona historike. Kombi Shqiptar asht burim visaresh e, janë pikrisht ata visare që u grumbulluen në vëllimet e vlefëshme të shkencës, “Visaret e Kombit”, mbi të cilat dijetarët kanë lanë pasuninë e tyne mendore, shpirtnore e Atdhetare. Aty edhe Don Nikoll Gazulli la Vëllimin XI të “Visareve të Kombit” dhe “Fjalorin e Ri”, si dhe “Fjalori toponimostik”, botue pjesë pjesë ma vonë në vitet 1939 – 1943 në revisten “Hylli i Dritës”, revista ma me vlerë shkencore e letrare e themelueme nga At Fishta. Janë ato vepra ku autori Don Nikoll Gazulli ka vue themelet e tij në fushen e leksikografisë krahinore dhe onomastikës. Ashtu si të gjithë dijetarët klerikë, edhe Don Nikolli në këto dy vepra të kulturës sonë kombëtare tregon, siç e thekson edhe pasardhësi i Tyne: “Nivelin e naltë shkencor, ku duket dora e një dijatari të mirfilltë, metodologjia e hartimit, objektiviteti i landës gjuhësore, ekuilibri në përzgjedhje, dhe sidomos shpjegimi analitik i landës.” “Fjalorthi ngërthen mbi 5.000 fjalë të rralla të shtrime në 524 faqe. Çdo za asht shoqnue me shpjegim kuptimor, sinonimor – kur ka kenë rasti – etimologjik, e krahasue jo rrallë edhe me përkatëset në gjuhë të tjera dhe, sidomos në gjermanisht dhe italisht.” E të mendojsh: këto fjalë të rralla të mbledhuna nga Gazulli ndër Malet tona, fjalë të mirëfillta shqipe, që nuk u përfshinë në Fjalorin e Gjuhës Shqipe të vitit 1982! Sigurisht, sëpse “dijetarët” e sotëm as nuk i kuptojnë. Veçanarisht me vlerë janë shpjegimet kuptimore të fjalëve me ndryshimet që ato kanë pësue në rrjedhë të shekujve. Vepra e parë e këtij lloji në gjuhën tonë e Don Nikoll Gazullit, asht vepër që e ban Ate themelues të leksikografisë onomastike. Po a e di kush këte edhe nëse ai dikush, ka përfundue Universitetin e Tiranës? Atdhetarët e vertetë nuk studjohen në shkollat tona “socialiste” apo si thirren tashti “demokratike”. Ndër katedrat e tyne nuk ka mbetë asnjë vend për dijetarët që jetën e tyne ia kushtuen lirisë së Atdheut e dijes! Kleri Katolik Shqiptar, aq sa ishte antikomunist, ishte edhe antifashist e antinazist, sepse doktrina e Krishtenë, me të cilen ishin paisë dhe mishnue Ata, nuk pajtohet me diktaturat, të cilitdo lloji e vendi kjofshin. E nga ky kler “reaksionar” ishte edhe Don Nikolli. Ditën e Pashkëve, me 9 Prill 1939, në Kishë të Rrjollit, gjatë predikimit të Tij, Ai iu drejtue gjithë besimtarëve: “Mos i lëshoni armët! Këta, skotë e mbrapshtë si janë, duen me na shkombëtarizue! Prandej, si dikur bijtë e Kastriotit, t’i bajmë ballë pushtimit fashist”! Dom Nikollë Gàzulli, ato fjalë ua përsëriti edhe Malësorëve të Shkrelit në vitin 1945, kur Shqipnia po kthehej në një republikë të shtatë jugosllave: “Lirinë e fitueme me gjak, këta duen me e lëshue pa gjak në dorë të shkjaut në emën të idelogjisë së tyne çnjerëzore komuniste! Pra, o burra, armët për syni!” Don Nikoll Gazullin e vranë me 2 shkurt 1946. Nga dorshkrimi “Kujtime” për At Konrrad Gjolaj OFM. 1996, unë kam shkëputë një fragment kur ishe tue daktilografue librin “Çinarët”, dhe At Konradi po më shpjegonte sesi jugosllavët kishin sjellë nga Jugosllavia një diversant aso kohe, me vra Kapiten Gjergj Vaten (me pseudonim Cukali) i dalun në mal. Ai më tha se: “Po kështu kanë veprue jugosllavët edhe me Don Nikollë Gazullin. Don Nikolli asht kenë një nga klerikët ma të prëgatitun për nga kultura dhe bashkpuntor i “Hyllit të Dritës”. Ai ka vue theksin mbi shumë krahina shqiptare, që nga dhuna sllave kanë pasë fillue me u kthye në ortodoksë dhe me ndrrue edhe gjuhën. Shkruente me fakte e dokumenta për kenjen e tyne nga ana autoktone Fise Shqiptare. Aso kohe pra, në vitet 1944 – 46, në ato zona të Malësisë, ishin edhe Don Aleksander Sirdani, Don Pjeter Çuni (shumëi ri, por shpresdhanës), që njiheshin si studjues të atyne krahinave dhe që ishin ba shumë të njohun për nga ana historike dhe kryesisht për njohje të folklorit, dokeve dhe zakoneve të Malësisë sonë. Një ditë, aty nga janari i 1946, vjen në Kuvendin e Fretenve të Gjuhadolit një malësuer dhe kërkon për “një fjalë” At Konrradin. Kishte dalë dhe po ecshin në oborrin para Kuvendit. Mbasi i kishte tregue se asht i lidhun me “njerëzit e malit” (kështu thirreshin ata që ishin ndër shpella), i kishte tregue se vijnë e futen shpesh ndër ato zona edhe disa oficera jugosllavë, në kerkim të malësorëve të anës së tyne nga Mali i Zi, që janë bashkue me malësorët tonë ndër shpella. Ai i kishte tregue At Konrradit se njeni prej tyne asht i dijtun dhe flet edhe për Ungjillin tonë. I kishte tregue se ky jugosllavi i “dijtuni”, një ditë, i kishte folë sesi një nga malësorët tonë andej nga Jugosllavia kishte vra një prift, sepse prifti kishte punue “kundër Atdheut”, gja të cilën e lejon edhe Ungjilli i juej, kur “Prifti asht tradhëtar i Atdheut e i Fesë”, dhe i kishte shprehë habinë e tij At Konrradit se, a mundet me kenë e vertetë një gja kësisoj “me vra priftin”, gja të cilën ia kishte shpjegue oficeri i “dijtun” jugosllav? At Kondradi ishte njohës i mirë i ligjeve kanonike dhe i kishte pohue se këto gjana kanë ndodhë, por asht vështirë me përcaktue shkallen e “tradhëtisë” së Priftit. Malësori kishte shpreh se prandej kishte ardhë ai me pyet At Kondradin, se nuk i ka besue atij jugosllavit të “dijtun” e, tash që po ma thue edhe ti se, “mundet me ndodhë” dhe nuk asht fajtor vrasësi i Priftit para Zotit e robit, po më mbushet mendja se nuk na paska rrejtë jugosllavi. Deri atë ditë ai fshatari nuk i kishte besue atij jugosllavit! Kishin bisedue edhe ndonjë gja tjetër, por At Kondradi, i ardhun nga studimet prej Italie nga viti 1943, as nuk i njihte ata njerëz për të cilët bahej fjalë dhe as ato krahina, për të cilat fliste malësori. Kështu, mbas pak bisedash malësori ishte përshndetë me At Kondradin e shkue në Malësi. Mbas pak ditësh, vjen lajmi në Kuvendin Françeskan se ishte vra Don Nikollë Gazulli, i rrethuem nga forcat e ndjekjes komuniste në Vrith. At Kondradi as nuk ishte kujtue fare për biseden e bame para pak ditësh me malësorin në oborrin e kuvendit. Don Nikolli kishte strehue Don Alfons Trackin, por për mos me ia gjetë kush në qelë, e kishte çue me fjetë ndër njerëz të besueshëm të vetë malësorë. Kur e kanë lajmue se forcat e ndjekjes po silleshin si shumë nga fshati ku shërbente Don Nikolli, dhe dishka po kerkonin andej ky, e kishte dërgue për siguri Don Alfonsin tek Don Injac Gjoka në Dushman, i cili e ka mbajtë derisa Don Alfonsi, asht bashkue me Kapiten Gjergj Vaten në shpellë të Mëri Kokës, në Cukal, vend ku Don Alfonsi asht kapë kur asht vra Ndoc Jakova tue i ba Shartet e fundit.
Don Nikolli, tue pasë frikë se Idriz Çoba, kryetar i ndjekjes në Dukagjin, me kriminelat Asllan Lici, Toger Baba, Xhemal Selimi, Haxhi Hajdari etj., që tashma njiheshin si vrasës terroristë në ato zona, do të masakronin malësorët me të cilët kishte lidhje Don Nikolli, merr malet dhe ikë e shkon në Vrith. Vendi ku ishte vra Don Nikolli quhej Kujej. Vrasësi në ditët e para nuk dihej. Flitej se Zoji Themeli kishte shkue vetë atje. Mbas disa ditësh, po në Kuvendin Françeskan, vjen “malësori” që ishte kenë para sa kohe dhe i kishte kërkue me dijtë At Konrradit, sesa asht e lejueshme nga Feja dhe Ungjilli me vra Priftin “tradhëtar”. At Konrradi kishte marrë vesht se me Don Nikollin asht kenë malësori Nikoll Prekushi, për të cilin nga forcat e ndjekjes flitej se i ka ba hjeksinë Don Nikollit për me e vra ndjekja, e cila thonte se “vrasësi apo dorasi” asht kenë vetë Nikoll Prekushi bashkë me malësorin që tashti kishte ardhë me u “rrëfye” tek At Konrradi, emnin e të cilit, At Konrradi nuk mund ta tregonte në bazë të ligjit të ruejtjes së sekretit të sakramendit të Rrëfimit, gja e njohun prej të gjithëve. Këta të dy ishin kenë në shpellë me Don Nikollin, por me e vra Don Nikollin nuk e ka vra Nikoll Prekushi por një tjetër i ndodhun aty, “i panjohuni”, që ka mbetë i pazbuluem nga ruejtja e sekretit të Rrëfimit të tij me At Konrradin. At Konrradi ishte shumë i zemruem me pabesinë e atyne malësorëve të cilët, kanë vra pabesisht Don Nikollë Gazullin, tue krye kështu një sherbim të flliqtë të sigurimit të shtetit dhe jugosllavëve. Të gjitha variantet tjera që shpjegohen nga ato ana “janë vetëm rrena me bisht”, theksonte shumë i nervozuem At Konrradi, aqsa, kur fliste për atë vrasës, mbas plot 50 vjetësh që ai kishte ba pjesë në grupin e atyne kriminelave që kanë vra Dijetarin e Madh dhe Atdhetarin e flaktë, Meshtar i divoçëm e Shqiptar i Vërtetë, Don Nikoll Gazulli, një Martir i Kishës Katolike, i dridhej buza e i mbusheshin sytë me lot dhe thonte: “Me beso, ishte e para herë që, mbasi Rrëfeva atë kriminel, kam shkue dhe jam Rrëfye për vete.., mbasi po mos t’ ishe tue krye një shërbim aq të madh ndaj atij të “penduemi” sot, Kisha do të më kishte edhe mue në fletën e zezë të kriminelave të saj.” (At Gjolaj 1996). Ky akt më kujton letrën e lanun nga i Ndjeri kapiten Gjelosh Luli, dërgue Llesh Marashit nga shpella e Vrithit: “Llesh, po u nise tek unë me ardhë këtu, kujdes, se malësorët kanë ndryshue shumë dhe nuk janë ma ata që kemi njoftë na.” (Dosja e Llesh Marashit, Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, 1998). Dijetari At Gjon Shllaku OFM., shkruente në vitin 1942, atëherë, kur ndoshta parandiente dishka dhe që u shpreh për Bajram Currin, Luigj Gurakuqin dhe Dom Gjon Gazullin: “Fatosa të vramë dy herë, një herë kur i mbyten, dhe një herë kur i lanë në harresë”. Koha vërtetoi Ate shka Shqiptarët sot me vështirsi edhe e pranojnë, se komunizmi ka shpartallue mjerisht cilësitë e tyne morale, zakonore dhe shpirtnore tue i ba me ecë me sy mbyllë të kapun për dore, nga komunistët ose bijtë e tyne. Dhe, me i pyet kush: “Ku veni?”, të gjithë “kujtojnë” se janë tue shkue në Europë. Po, a e njohin Shqiptarët sot fjalen “Drejtësi”?!
(Prej librit F. Radovani “Vllaznit Gazulli dhe Peshoria e Drejtesise Shqiptare” 2011).
“DREJTËSIA…”!
Një fjalë e ndigjueme ndër shekuj… Ndoshta ndër prralla!
Një fjalë krejt e pakuptueshme për shumë popuj!
Një fjalë sa e “panjohun”, aq “jashtë kohe” për Shtetin Shqiptar.
Një fjalë që asnjë “Kushtetutë” Shqiptare nuk e shpjegon!
Një fjalë e përkthyeme për qejfin e sunduesëve tonë!
Një fjalë që asht mohue nga vetë “krijuesit” e saj toksorë!
Një fjalë që në të gjitha katedrat politike ngjason “banale”!
Një fjalë që në universitete mësohet “përmendsh”.
Një fjalë që në disa organe shtetnore përkthehet: “Me rrejtë!”.
Një fjalë që në shumë Parlamente kuptohet: “Me mashtrue”.
Një fjalë që në shkolla shpjegohet e “shpikun” nga grekët!
Një fjalë që mendohet se asht “zhdukë” me gjuhen latine.
Një fjalë që e përdori edhe Pilati… Mandej, “lau duertë”.
Një fjalë që e njeh vetëm një “libër”. Ma i përkthyemi në Botë!
Një fjalë që nuk duhet të përdoret ma nga klerikët e vërtetë!
Një fjalë që nuk njihet ndër kasaphana as n’ mejhanë!
Një fjalë që pushtuesit e quejnë privilegj të tyne!
Një fjalë që udhëheqësit e thonë: “Ma i forti, ma i drejti”!
Një fjalë që asht në “kasaforten” e Presidenti të Republikës.
Një fjalë që gjykatësve, kur e shqiptojnë, “u merret” goja.
Një fjalë që ndryshon me drejtimin e erës, thonë avokatët.
Një fjalë që të gjithë akademikët e përkthejnë si do “qeveria”.
Një fjalë që të gjithë shtetasit “nuk e besojnë”!
Një fjalë që asht e kundërta e fjalës “demokraci”.
Një fjalë që shpjegohet për me u kuptue me fjalën “padrejtësi”.
Një fjalë që u thohet fëmijëve për me i zanë gjumi!
Një fjalë që kur u thohet fëmijve ata nënkuptojnë “thuprën”.
Një fjalë që kur u thohet pleqve ata, ndezin një cigare.
Një fjalë që nuk e besojnë as diplomatët.
Një fjalë që gënjeshtarët nuk e hjekun goje.
Një fjalë që duhet e para në fushata elektorale.
Një fjalë që po e kuptove drejtë të merr edhe jeten.
Një fjalë që peshohet me monadha ari, ndër gjykata.
Një fjalë që vehet reklamë edhe ndër pallate… me drita.
Një fjalë që nuk e përdorin kurrë diktatorët.
Një fjalë që nuk e kanë as fjalorët e shteteve të zhvillueme.
Një fjalë që përdoret vetem në shtresat shoqnore të vorfna.
Një fjalë që matet me “rrypin” e belit të një burri.
Një fjalë që kontrollohet me aparate nga hetuesit.
Një fjalë që vlenë me zhdukë Atdhetarët e vertetë.
Një fjalë që asht e shkrueme në gjuhën shqipe, po nuk përdoret.
Një fjalë që kur thuhet duhen “mbyllë” sytë, mos me të kuptue!
Një fjalë që përfaqsohet edhe me vepra arti. Ashtu si fjala “Liri”.
Një fjalë që… edhe pak vite në Shqipni “harrohet”!
Melbourne, 12 Maji 2022.
DON DED MALAJ (1917 – 1959)
“E Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue më 29 nandor 1944, e vazhdue derisa, të mbarojë komunizmi”. (1959) D.D.Malaj. Rigonte pak shi. Ishte data 24 prill 1959. Flitej per një gjyq po fillimi i gjyqit gati nuk merrej vesh prej duertrokitjesh dhe virrmave si në 1945-46, nga gjeneralët dhe oficerët e naltë të Ministrisë së Mbrendshme të ardhun nga Tirana për këtë gjyq, si dhe nga servilët dhe rrogtarët e komitetëve, dhe nga një mori agjentësh në sallë e jashta sallës të shpërndamë në katër anët e Shkodrës, për me vërejtë si po reagon populli ndaj këtij kleriku aq shumë të pritun. Altoparlantët e rrugëve të Shkodrës ishin të lidhun me kinema “Republika”. Transmetohej gjyqi i “armikut të popullit” Don Dedë Malaj, me grupin e tij. Hymja në sallën e gjyqit e gjeneralit kriminel Hilmi Seitit bashkë me ambasatorin jugosllav u përshëndet nga të pranishmit si ngjarje me rëndësi të madhe, për mardhanjet “e mira” mes dy vendëve tona. E, në mënyrë të veçantë, kur bahej fjalë për Klerin Katolik, per të cilin shoku Tito ishte aq shumë i lidhun me tiranin Ever Hoxhen.
Porsa, filloi gjyqi prokurori Rapi Mina, mbasi lexoi akt-akuzën e përgatitun me aq kujdes ju drejtue të parit kryetarit të grupit Don Dedës, me këtë pyetje: “Që, kur, je armik i komunizmit?”, në sallë ra një heshtje… Don Deda iu përgjegj: – “Qysh se jam kenë 9 vjeç pikërisht, atëherë, kur kam shkue ndër bankat e shkollës së mësuesit tem Don Alfons Tracki, aty mora vesht prej tij këtë emën dhe prej asaj ditë, nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma komunizmit. Gjithë jetën e kam urrejtë dhe kam punue me të gjitha forcat e mija, aqsa më ka lejue Feja kundër tij”. (Dosja D.D.Malaj).
Ushtima dhe duhija e fjalës së Don Dedë Malaj, ra si një ortek në atë sallë gjyqi, me turr e gjamë, e rrebtë si rrëfeja që zbriste tue shkrepë shkëndia nga Selca e Kelmendit, nga gjiu i Bjeshkëve të Nêmuna, bash ku gurgullon qumështi me shkumbë e gjak përzi e, ku, Nana Lulë, përkrah burrit të saj Keq Lucës (Malaj), që i vringëllonin armët ndër mote e që, më 16 nandor 1917 i kishin falë Shqipnisë një vigan drangue malesh trim e guximtar. Ndërsa, At Konrrad Gjolaj po të njajtës pyetja, i përgjegjet: “Qysh se fillova me marrë mend ndër bankat e shkollës së Don Alfonsit, kam kuptue shka asht komunizmi dhe, prej asaj kohë nuk kam dashtë me ia ndigjue emnin. Kurrë nuk e kam dashtë atë ide”! Nuk ishin vetëm këta dy burra po ishin një grup burrash që, nuk u trembej syni e nuk i lonte çerpiku përballë kriminelëve të pashoq, që nuk janë ngopë asnjëherë me gjak malësorësh e trimash të atyne visëve krenare. Ndër ato banka qëndronin me ballin nalt vëllaznit Lazër e Gjon Simon Parubaj, Vlash Zefi e Gjeto Luc Budashi. Në një qoshe strukej si langue edhe një farë Lulash Toma. Në Shkodër nuk bisedohej tjetër veç për këtë gjyq, që kishte fillue e shumë vetë nuk besonin se janë tue ndigjue me veshë, atë shka asnjë njeriu nuk i shkonte në mend se mund të flitej haptas. Cili mujte më folë kundër Bashkimit Sovjetik? Kush mujte me tregue se shka ka ba Stalini për me formue kolkozët? Kush mund të fliste për hekrat e ndryshkun që sillnin sovjetikët në Shqipni, të bojatisun sipër tue u krenue për “ndihmën e tyne të madhe”, që po i jepnin Shqipnisë socialiste? Kush, deri atëherë kishte mujtë me folë se ku shkojnë mineralet e metalet e nëntokës shqiptare dhe kush e merr valutën e tyne? Cili ka mujtë me u thanë fshatarëve hyni ndër kooperativa se ky sistem të qet fare, mos me ju bindë urdhnave e ligjve të tija antidemokratike? Kush ka mujte me folë për punën, mundin, djersën e fshatarit dhe të punëtorit e për shpërblimin që paguen shteti? Kush ka mujtë me i thanë Ever Hoxhës, e klyshve të tij se, ju, jeni shfrytëzuesit ma të egjër të mundit dhe djersës së popullit shqiptar që njeh historia? Kush ua ka përplase ndër sy terroristëve komunistë se, ju, kërkoni me më pushkatue vetëm e vetëm se jam Prift Katolik dhe per asgja tjetër, mbasi unë as nuk jam trathtar i atdheut dhe as spiju i popullit tem? Na dukej andërr, po ishte një e vërtetë! Fliste Don Dedë Malaj! Nuk i lente gja mangut as miku i tij At Konrad Gjolaj.
Me datën 27 prill 1959, Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, dha vendimin: Don Dedë Malaj, me vdekje, me pushkatim. At Konrrad Gjolaj, me 25 vjet burg. Lazër Simon Parubaj, me 20 vjet burg. Gjon Simon Parubaj, vëllau i Lazrit, me 10 vjet burg. Vlash Zefi me 15 vjet burg. Gjeto Luc Budashi me 10 vjet burg dhe Lulash Toma me 5 vjet burg. Atë mbramje, kur doli nga gjyqi Don Deda, e hypën në një kamjon “zis”, një turmë policësh e ulën galuc. Ndërmjet dy rrypave të drrasës mbi spondë kujtoj, dy sytë e tij të bamë kuq. Nuk shihej as e bardha e as bebja e synit e kaltërt, vetëm dy njolla gjaku që asnjëherë nuk mund ti harroj. Me datën 12 maji 1959, u ndigjue se u ekzekutue vëndimi. Don Dedë Malaj u pushkatue në një fushë buzë liqenit të Shkodrës. Pra, 14 ditë para vizitës së Nikita S. Hrushovit në Shkodër! Për fat të keq nuk kam pasë mundësi me lexue fjalën e fundit para pushkatimit. Me datën 10 tetor 1991, asht ba rivorrimi i eshtnave të tij në vorret e Sukave të Dajçit të Bregut të Bunës, të famullisë ku ka shërbye, me pjesmarrjen e mija e mija fshatarëve të atyne krahinave dhe të shumë qytetarëve të Shkodrës, që nuk e kishin harrue gjyqin e tij historik. Fjalën e rastit me lot për faqe dhe me ndërpremje të shpeshta përmallimi e ka mbajtë shoku dhe miku i paharrueshëm i Tij, deri në ditën e fundit të jetës At Konrad Gjolaj. Fjala e tij u mbyll kështu: “Ti ishe lajmëtar i fjalës së Krishtit! Armiqtë Tuej me britma e virrma që kanë me i ndjekë edhe përtej vorrit, kërkuen me mbulue vrasjën Tande të pafajshme, në atë breg liqeni. Nuk pat kush me të mbulue atë gjoks të zgaqun dhe të shpuem me plumba prej dorës mizore të atyne katilave, veç, atë nade, herët, ra si vesa avulli i gjakut Tand mbi Ty, o i bekuem”!
Në vitin 1997, At Gjolaj, botoi librin “Çinarët”, vepër të cilën ia kushton: “Misionarit prej Breslaut, Mësuesit tonë në Velipojë, Don Alfons TRACKIT. Shokut e Mikut të përjetëshëm Don Dedë MALAJ”. Kur kam mbarue daktilografimin e këtij libri dhe ia dorëzova At Konradi, më pyeti: “Po, parathanja ku asht?”, unë nuk kishe marrë parathanje me materialin që më kishte dorëzue. Ai, me buzë në gaz dhe me ton të premë më tha: “Parathanjën e due prej teje”. Unë, kam hezitue pak çaste, mandej, pranova. Në vitin 1998 mbasi pata rasë me pa në arkiv dosjët jam takue me At Konradin dhe e kam përgëzue për saktësinë e fakteve që Ai ka shkrue mbas aq shumë vitësh në librin e tij “Çinarët”. Kjo asht arësyeja që në këtë material që kam shkrue unë nuk jam zgjatë në shpjegime të hollësishme, mbasi në librin e At Konradit, asht gjithshka e plotë dhe e saktë, megjithse At Konradi nuk ka pasë kurr në dorë asnjë material arkivor, përveç kujtesës së tij të mbrekullueshme, mendjës së hollë dhe dashnisë së pakufi për mësuesin dhe shokun e vet. E vetmja gja që më ka ra në sy në shtjellimin e këtij proçesi asht kenë dëshira e madhe e Sigurimit të Shtetit me zhdukë këtë përson. Pse u punue kaq shumë vite kundër Don Dedës e At Konrradit? Ku fillon mënia e shtetit komunist kundër Don Dedës? Urrejtja e Sigurimit të Shtetit nuk ka fillim. Në vitin 1950, me qëndrimin e tyne të vëndosun dhe kundërshtar ndaj kërkesës së vjetër të shtetit Everit, për nënshkrimin e Statutit të Kishës Katolike shperthen urrejtja. 146 Lidhja e Don Dedë Malaj, At Konrrad Gjolaj, Don Ejëll Kovaçit, At Zef Saraçit, At Marin Sirdanit etj., me Don Kolec Prennushin, për mos me aprovue nënshkrimin e këtij Statuti. Mënyra sesi këta Klerikë e kanë kundërshtue haptas atë, ka hapë menjëherë dosjen konsultative të Sigurimit: “Çfarë dhe si duhët të veprojmë për ti zhdukur këta klerikë?” Mbas nënshkrimit të Statutit në vitin 1951, përveç tre të parëve që nuk kanë firmue, në konferencën e Paqës në Tiranë në vitin 1952, nga Sigurimi u përcaktuen edhe klerikët që ishin në kapërcyll, as andej as këndej. Ata që nuk u bashkuen me turmën as në këtë konferencë edhe pse kishin firmue Statutin mbetën armiqë, shumica e të cilëve përfundoi në burgje e kampe interrnimi, ku dënimet sa vinin e randoheshin. Deri në vitin 1956 duket, sikur ka një qetësi! E vërteta asht ndryshej! Nuk kishte sesi të dënohej kulti i Stalinit tue pushkatue Priftën! Mardhanjet me Bashkimin Sovjetik kishin marrë ngjyra të tjera mbas vdekjës së Stalinit. Hrushovi kërkonte mënyra tjera qeverisje sovjetike. Ai punoi që diktaturën stalinjane me e zëvendsue me asfiksimin e armiqëve të tij. Nuk ishte për pushkatime por për vdekjen e natyrëshme të imponueme me mjete “paqësore”, me “izolime” të plota. Nuk perjashtoheshin edhe satelitët e sovjetikëve që do të mbanin qëndrime të “moderueme” si padroni. Kuadri i rij që i nëvojitej klerit, tashti merrej nga bankat e shkollave socialiste ku filozofia marksiste-leniniste kishte pushtue edhe mendjet e njerëzve në skutat ma të largëta të vendit. Dukej kohë zbutje, por në të vërtetë ishte kohë grumbullimi energjie për ofensivën përfundimtare, për atë që vetë komunistët e moderuem e quajtën “triumfi i plotë” i sistemit socialist. Hilmi Seiti mundohët me të njajtat metoda me veprue edhe me Don Dedë Malaj e At Konrrad Gjolaj, po atë vit tue i kalue ndër duert e kriminelëve të njoftun: Nevzat Haznedari, Ali Xhunga, Hamdi Ulqinaku, Shyqyri Qoku dhe tragjedia mbyllet me Xheudet Milotin, që mban me cigare dhe ilaçe shkatërrimi të sistemit nervor të shkretin Don Dedë Malaj, deri atë ditë që asht dhanë vendimi me 29 Prill 1959, Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, dha vendimin per të gjithë të akuzuemit, ndersa Don Dedë Malaj, u dënue me vdekje, me pushkatim. E mesa e Don Dedës, ishte Drandja e vogel 13 vjeçe, që u nis per Tiranë me u interesue per Axhen e vet. Me 1 Maji Drandja takoi tek tribuna Nexhmije Hoxhën, e njohun nga Populli me emnin kobra. Drandja i shpjegoi se ‘nuk kam asnjë njeri në këte botë’. Nexhmia iu pergjegj: “Pse t’ ia falesh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi t’ interesohesh për té, mese do e mbash até?” Drandja iu pergjegj: “Até e mban burgu, s’ ka gja, veç të jenë i gjallë, aman të lutem ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!” E shkreta Drande u mundue me e prekë n’ zemer kobren e Shqipnisë masakrueme!! Me 9 Maji Drandes, i erdhi pergjegja e kobres nga Kuvendi Popullor Tiranë: “Lutja yte refuzohet”. (Dosja 2199).
11 MAJI 1959
Don Dedë MALAJ u pushkatue brinjë Liqenit të Shkodres, ku gropa e Varrimit Don Dedës u ruejt nga një Vlla Mysliman, që e kishte në kopshtin e vet. 147 Sot, në këte 60 vjetor Shqiptarët besoj se me “Rilindjen” e komunizmit, kujtojnë edhe thanjen e Madhe Profetike të Klerikut të pashoq Don Ded Malaj: “E Premtja e Zezë po vazhdon pafund me komunizmin vrastar!” Don Dedë Malaj me gjyqin e Tij hyni në vazhdën e lëgjendave të Trojeve shqiptare që brezat e ardhëshëm do të këndojnë me “lahutën” e tyne, ndër vargje të pafund. Në vitin 1941, në Gjenacanin e Fugures së Zojës së Shkodres, bash perballë Saj u betue dhe u Shugurue Meshtar në Itali Don Deda. U këthye në Shqipni ka sherbye në Velipojë, Mal të Jushit e së fundi, në Dajç të Bregut të Bunës.
***
E kush nuk e kujton At vigan të Alpeve tona?! DON DEDË MALAJ asht nder brilantët e Klerit Katolik Shqiptar, i cili me një guxim të panjohun deri në gjyqin e Tij, që u zhvillue në Kinema “Republika” të Shkodres, në Prill të 1959, u tregoi armiqëve të Maleve tona të Veriut se, “Malësori yné per Fé e Atdhé e ban vdekjen si me lé!” Kjo Formulë shekullore e daltueme nder mendjet e zemrat e Atyne Trimave të Alpeve tona, qendronte si një mburoje e hekurt e daltueme kunder të gjithë atyne që nder shekuj punuene me asgjesue Ata Male Kreshnike. Edhe pse kanë kalue ma shumë se 60 vjet nga vrasja mizore e DON DEDË MALAJ, Ai mbetët i pavdekëshëm në historinë e salvimit e të martirizimit të Kishës Katolike në Shqipninë e robnueme. Don Dedë Malaj asht ndër klerikët ma të torturuem dhe të masakruem. Ai mbetët ndër ma të sakrifikuemit për triumfin e Idealit të Fesë së Krishtit në Shqipni. Ai vdiq për Kishën Katolike, Popullin Shqiptar dhe Papën! Tue vdekë për Fè e Atdhé, Don Ded MALAJ, u Perjetsue nder Shekuj. Sot Populli Shqiptar Trimin e Selcës e rreshton me Herojt’ e Kishës sonë, me Zamakët e bardhë të Flamurit të Gjergj Kastriotit!
Melbourne, 14 Maji 2022.