Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Bledar Koçi

QYTETI PA VJESHTË
Udhëkryqe,
trotuare,
bordura pa gjethe,
pa vjeshtë.
Njerëz çartisur,
pa ditur ku janë
asfaltesh që ndesh…
Ligustra sforcuar
që stisin gënjeshtra një stine hyjnore,
ç’mundohet t’i veshë?!…
Oh!…
Kjo vjeshtë
pa vjeshtë,
me ngjyra të rreme
larg shpirtit të saj,
qytetin përqesh.
NAGI
Eh, ç’më ngacmojnë vitet,
kohëra djaloshare..
Një ruse kam njohur
dikur nëpër Bare.
Një vështrim i lehtë,
hapin, fort më ndali.
E pyes, “Pos se lene?
– Ego ime Nagi.
Ish’ e bardhë si bora,
sytë prej kaltërsie.
Gjaku ngriu si akull
stepash Siberie.
Bari, zhurmon tingujsh,
muzikë mbrëmjesh, nis.
Zgjuar shihja ëndërr
dehur prej magjisë.
Më fliste me shenja,
me duart e brishta.
Më la të kuptoja
histori të trishta.
Bëj shenjash një lutje,
që gjoksit gulçon.
“Vij e të marr nesër?
Ikim përgjithmonë”?
Trembur më shikonte
Nagi aq e mirë.
Flisnin sytë rubin
Nga sot, lamtumirë!
Ika asaj nate
territ të verbuar.
Kokën një herë ktheva,
me shpirt përvëluar.
Dallgët çmend Egjeu,
zemra ime mardhi.
Era, frynte veshit
“Ego ime Nagi…”.
UDHA NË MUZG
U ftohën yjet atje lart
si cërka dimri ranë përdhe,
s’e di sa nxin pa ty një natë
dhe si do shkojë kjo udhë pa ne.
E jona hënëz s’do vështrojë
e mbytur muzgjesh vetmitare,
një ledhë duarsh ç’do mungojë,
një puthje-çmendur mëkatare.
Me trumbë gjethesh vjeshta brodhi
në flokët tanë, mbi sup e sy,
dhe shkundi erë, buqetë i mblodhi,
kujtim të artë për ne të dy.
U ftoh e fundit lamtumirë
mbi cërka yjesh rënë përdhe,
s’e di se ç’hënë nga humbëtirë
mbi udhën muzg na sheh atje.
Please follow and like us: