Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Zamak i Flamurit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (5)

DON ZEF MARKSEN (1901 – 1946)

“Vdes i lum, tue mendue se do të kujtohem prej Shqiptarëve, si Meshtár i Fesë së Krishtit” (1946). Dashunia e Popullit Gjerman për Popullin Shqiptar asht kenë e vjeter dhe, mbi themele të patundshme as nga vitet dhe as nga luftat. Faktet tregojnë se ata, gjithnjë kanë mendue dhe punue për të mirën e Popullit tonë. Ardhja e misionarve gjermanë atëherë kur Shqipnia nuk kishte as rruga ndër zonat ku shkojshin misionarët e huej, pikrisht atje ku ata mendonin me punue për me i ndryshue jetesën atyne krahinave, tregon sakrificat e tyne të mëdhaja dhe shumë domethanëse për të gjitha kohët. Ndërsa tek ata misionarë që erdhën në Shqipni për shërbimet fetare dhe kulturore, ka dhe dishka ma tepër: Në botën tonë primitive edhe pse ishim n’ Europë, s’kishte asnjë siguri jete as pune as për t’ huejtë dhe, as për vetë ne Shqiptarët. E pra, ndër këta kushte pasigurije erdhën në Shqipni Don Alfons Tracki dhe Don Zef Marksen, të cilët e konsideruene Shqipninë e Gjergj Kastriotit pa ma të voglin hezitim “një Atdhe i Dytë i Tyne”! Don Zef Marksen asht le në Worrigen të Gjermanisë, pranë Këlnit, humbi pa datë, pa gjurmë, në valën e mizorisë komuniste kundër klerit katolik shqiptar, kur as nuk mund të mendohej se kishte tjetër qëndrim për t’ huej.

Ndërmjet këtyne dy kohëve shohim tek ky misionar një jetë shembullore, e aq të përkushtueme për Fenë e Krishtit, sa me të vertetë kuptohej shumë me vështirsi nga Malësitë tona të vuejtuna nder shekuj. Ai nga Gjermania ka shkue me sherbye per me sjellë Ungjillin në krahinen e vorfen të Matit, dhe kryesisht në Kthellë, tue u mundue me lidhë mbrapambetjen e tyne të një jete shumë të mbyllun, me boten e hapun Europjane Perëndimore. Po mos harroni se ata krahina as, nuk kishin asnjë ide ku shtrihen ata vise. Kjo do të sillte edhe ndryshimin e tyne të jetesës së vorfen, tue mësue mendsinë e të tjerve që ishin shumë ma të zhvilluem dhe të perparuem në jetesë. Dhe, per me ndryshue jeten e vorfen, tue e ba ma të kandëshme dhe të pelqyeme Ai punoi me krijue bindjen se kjo ka vetem një mundësi: Vetem shkollimi! Rruga e zgjedhun nga Misionari Don Zef Marksen në perhapjen e shkollave në trevat e Matit, një zonë malore e shkëputun nga Bota dhe e harrueme me dashje nga qeveritarët e Shqipnisë, të cilët si sot, e gjithnjë nen urdhnat e komunistave Jugosllav të “Ballkanit hapur”, kerkonin mbrapambetjen dhe errsinen shekullore me e perjetsue edhe disa shekuj të tjerë në Shqipni. Don Zef Marksen mbas vitit 1945 vazhdon me kenë Meshtar në Durrës, ku në vitin 1946, në moshen 46 vjeçare, Sigurimi i shtetit i ven prangat edhe pse nuk kishte asnjë provë, tue e akuzue si “agjent i Gestapos Gjermane”. Si zakonisht, hetuesia vazhdon perpjekjen e saj me e fajsue edhe pse per Atë Meshtar nuk kishte asnjë dëshmitar kjoftë edhe i rremë, si ngjante shpesh. Flitet se Gjykata (??) e dënoi dy vjet burg. Po saktësisht nuk dihet! Dihet se një natë vonë dy agjenta sigurimi, shkuen dhe e moren Don Zefin, gjoja pse ishte gjerman dhe, mendonin me e kthye në Gjermani bashkë edhe me dy gjerman të dënuem, që “do të vazhdonin dënimin në Gjermani Lindore”. Të tre gjermanët së bashku i hypen në një makinë në oborrin e burgut, dhe prej asaj nate të zezë nuk i pau askush ma. Gjatë udhtimit u hap fjala se në një pyll, gjoja i kanë zbritë per nevoja personale dhe, aty Ata kanë tentue me u arratisë. Rojet tue pa veprimin e tyne kanë gjuejtë me armë e i kanë vra. Si zakonisht: Përrallë komunistash por, me mbret, shkrue nga Dr.P. Pepa. Vrasja e Tyne jo vetem asht e paarsyeshme, po mbetet edhe misterioze. Kur Don Zef Maksen doli nga biruca e sigurimit, ku nuk do të kthehej kurrma, Ai u pershndet me shokët e burgosun, e Atyne, Ju la porosi që kujtohet sot: “Vdes i lum, tue mendue se do të kujtohem prej Shqiptarëve, si Meshtar i Fesë së Krishtit”. Pra, Don Zefi ishte i bindun se po shkonte me vdekë! Ja, bindja e Tij tregon se Misionari i Nderuem Gjerman, e njifte mirë, madje shumë mirë diktaturen sllavokomuniste të terroristave anadollakë, që edhe pse nuk kishin asnjë pikë gjak shqiptarit, në trupin e tyne, u mundonin me u tregue se janë tjera bisha t’ egra, prej atyne perbindshave që njifte shumë mirë me kocka e zhele me yll në ballë, i gjithë Populli i vujtun Shqiptar! Misionari i Nderuem, kerkonte nga Shqiptarët vetem një Vorr me një Kryq druni. Dij se: Don Zef Marksen Ju kushtue deri në fund jetës së Misionarit: Atdheut të Dytë Shqipnisë dhe, Flamurit të Gjergj Kastriotit.

Melbourne, 17 Maji 2022.

DIJETARI PA VORR, AT BERNARDIN PALAJ O.F.M. (1894 – 1946)

“At Bernardini, mund t´ma kalojnë edhe mue“. At Gjergj Fishta. At Bernardin Palaj asht le në Malësi të Dukagjinit, janë ata Male kreshnike që i kanë dhanë jo pak “Ushtarë besnikë Atdheut e Fesë së t’ Parvet t’ vet”. 2 Gusht 1918 At Bernardin Palaj O.F.M., u shugurue Meshtar Françeskan. Edhe një Dijetar i madh i Shqipnisë që filloi në 1918, me daltue me maje të penës së vet nder Alpet tona “Visaret e Kombit”! Viti 1944 në Shqipni, per Dijetarët dhe Klerikët Katolik Shqiptar, ka hapë vetem gropa varrimi pa emen, pasnjë shenjë tek koka dhe pa Kryqa. Pranë Spitalit të Shkodres ishte edhe konvikti “Malet Tona”, një ndertesë që shpejtë u kthye në hetuesi, se i duhej Sigurimit të shtetit me kenë pranë Spitalit per “autopsi” të perditëshme dhe dokumenta vdekjesh fallco.Ishte viti 1946 kur asht arrestue edhe një shkodranë që per fat ka jetue deri në vitin 1999, kur shumica e Martirëve tanë e kishin mbyllë jeten e vet.

Ky ishte Loro Vata, nder Burrat e nderuem Atdhetar dhe i paharrueshem per qendresen nder tortura dhe në vuejtjet e pafund nder kampet e shfarosjes. Atdhetari Loro Vata ishte burrë i njohun edhe per virtyte tjera jo të pakta. Njëtjeter vlerë e Loros që ndoshta, nder shumë të tjerë edhe mungonte, ishte saktësia e ruejtjes së ngjarjeve në kujtesen e Tij, që kur fliste të dukej sikur po i lexon ata kujtime në ndonjë ditar sekret personal. Unë pata fatin e madh me u njoh afer me Loron mbas vitit 1992, kur unë porsa kishe fillue me shkrue per vitet e paharrueshme e të mnershme të diktaturës komuniste dhe “luftës së kllasave” në Shkoder. Një ditë u takueme rastësisht tek Dugajt’ e Reja, dhe u ulëm me Loron me pi nga një kafe tek klubi poshtë shtëpisë Plevneshve. Loro filloi biseden e Tij nga vitet 1945 dhe 1946, pak ditë mbas arrestimit kur Loro Vata dergohet në hetuesinë tek konvikti “Malet tona”. Aty merrej në pyetje nga një hetues katil i njohun i Sigurimit shtetit Shkodres, krimineli Fadil Kapisyzi. Qelia ku ishte i pranguem Loro, ishte pranë dhomës ku Fadili, merrte në pyetje edhe të arrestuemit tjerë. E mos harroni se ajo hetuesi në Shkoder ishte nder kryesoret nder 26 hetuesitë kriminale. Në krahun tjeter të asaj dhomë Fadili, i kishte vue pranë Loros një zonjë shkodrane, së ciles i kishin pushkatue burrin dhe këte po e torturonin pafaj vetem per me e dënue. Kjo ishte zonja Bedrije Ashikja, e motra e Ahmet Ashikes, që i njoha të dy. Tregon Loro: Shpesh Bedrijen vinte dhe e merrte hetuesi Dul Rrjolli, dhe e vente me pastrue zyret. Loro po më tregonte per ditët e para të Dhjetorit 1946, kur Bedrija mbasi mora fshisen dhe koven e ujit shkoi tek dhoma e Fadilit me e pastrue zyren e tij. Dy kriminelat, Fadili me Dulin kishin dalë perpara ndertesës dhe po pinin cigare si zakonisht. Nuk kishin kalue pak minuta mbasi Bedrija po pastronte dhomen e Fadilit, u ndigjue një virrmë e fortë, që u këput pa u kuptue pse… As nuk mund të merrej me mend arsyeja e asaj brime aq të fortë! Shumë shpejtë nuk vonoi pak kohë dhe mërrijti nga oborri Dul Rrjolli, i cili mbasi e pyeti Bedrijen: “Pse e preke thesin, a të thashë, se mbas derës mos pastro! Moj e poshter.., moj bushter!”, dhe Duli, vazhdoi me e sha, tue e terhjekë rrëshanë Bedrijen, që nuk i ndigjohej fare zani, por tue e sha me fjalorin e njohun të tyne, eci derisa e holli në qeli të saj. Mërrijti aty prej jashtë edhe Fadili, dhe vazhdoi edhe ai si Duli. Në fund Fadili e porositi me nervozitet Bedrijen: “Guxo e tregoi kujt se shka ke pa, se edhe ty do të kalbi në një gropë me te, moj ..!” I mbylli deren e iku. Loro tregoi se atë natë ishe i sigurtë se ata kriminela i pergjojnë, prandej, as nuk i kishte dhanë asnjë sinjal Bedrijes per me marrë vesht shka kishte ngja atëditë, në zyren e torturave të Fadilit, kur kjo po fshinte. Të nesermen heret më zgjoi vetë Bedrija: “Loro, Loro, a e di shka ka ngja dje në zyre të hetues Fadilit?” – Unë, i pergjegja jo! Po në të vertetë, gjatë natës, unë veshtrova nga oborri dhe, aty nga e vona, disa roje hapne një gropë në errësinën e natës tek qerrsija, që ishte tek muri i hetuesisë dhe hollen aty një thes ngjyrë kafe të mbyllët, dhe i pashë mirë kur me lopata e mbuluen me dhe dhe ikën në dhomat e veta. Kuptova se dikush kishte vdekë në tortura! Po, se kush mund t’ ishte Ai aq i pafat që me perfundue aty, as nuk i kishte shkue mendja Loros. Bedrija i kishte tregue Loros, se: “Të dy më porositne që mos me pastrue mbas derës së Fadilit. Unë vetem shikova aty. E shka me pa? “Gjatë torturave me korrent elektrik, Fadilit dhe Dulit u ka mbetë i vdekun në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë dhe nder duer, e kishin ba si thes në zhgunin e vet ngjyrë kafe. Unë pa dijtë gja, tue pastrue mbasdere, kur e pashë vrrita dhe nga tmerri dhe, më ka ra të fikët… Ka ardhë Duli dhe më ka hjedhë ujë, e mbas pak kam ardhë në vete. Gjithë diten jam qenë e tmerrueme, as nuk më ka kalue buka! Një tmerr i vertetë, me e pa Fratin e shkretë ashtu!!” *** E mbytja e At Bernardin Palaj në torturë, vazhdon mos me u shkrue si ishte e verteta nga askush! Një Dosje e mbyllun pa shpresë me u tregue e verteta! Keni “harrue” sa vjet janë ba tue tregue përralla me mbret e tetanoz… E sa mija e mija Martirë t’ Atdheut janë të mbuluem me përralla e rrena!

HIQNI DORË NGA MASHTRIMET!

Kerkoni me dijtë dhe me tregue të verteten! Nuk ua hiqni dekoratat “Heronjve” Vrasës dhe Tradhëtarë kriminela! Ata katila barbar i mbrojnë bijt’ e tyne! I kanë ba si veten e tyne! E, kur pat pyet Dulin një shok i veti në konfidencë: “Çka po bani në këte popull kështu, o Dul!?” Duli iu pat pergjegjë: “Kur ishim fëmijë, nder mejtepe, nga Hoxhallarët e patme ndigjue fjalen Zot! Po këta që po rriten që, as nuk e kanë ndigjue as, nuk e dijnë Atë Emen? Mendoni se çka do të bajnë këta mbi këte Popull!” Koha po i verteton të gjitha parashikimet e tyne! E ma i keqi parashikim asht mashtrimi dhe rrenat e pafund! Nuk bahet fjalë vetem per një dijetar Klerik! Sot Shqipnia asht e mbulueme me Gropa pa Emen! E perderisa, nuk hapen Dosjet, vazhdojnë msheftësitë e kriminelave! Vllazen e Motra Shqiptar të vertetë! Shqipnia asnjëherë pa u hapë Dosjet, nuk ka me pasë “Pajtim Kombtar”! Të gjitha katastrofat pasuese të gjendjes së sotme të mjerueshme, kanë një burim dhe vetem një: “Mos arritja e Pajtimit Kombtar”! E ky burim i mershëm po ju sjellë, ato pasoja që po jetojnë Shqiptarët sot! Virtytet e Atyne Atdhetarëve që dhane jeten per Atdhe nuk mund ti venitni! Ata nuk ishin as kriminela, as terrorista dhe as barbar të “Pa Atdhe e Fe”! Ata sakrifikuene gjithshka vetem per një Atdhe të bashkuem, të bukur dhe të ndertuem bash mbi Ata Troje të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe, mbi shtrojen aq të bukur të mbulesës së Nanë Terezes, Aty ku janë perjetësisht Zamakët e Flamurit tonë të shtrenjtë dhe të paprekshem!

Melbourne, 21 Maji 2022.

DON LUIGJ PRENDUSHI (1896 – 1947)

Një jetë në vorfni tue i sherbye Fesë Katolike dhe Popullit vujtun Shqiptar. Asht në klerikët model të Shekullit XX, atij shekulli që asnjëherë nuk ka per t’u shlye nga historia e pafund e krimeve ma të shemtueme të komunizmit. Askush në Botë nuk ka me dijtë asnjëherë atë periudhë të mnershme dhe të panjoftun komuniste, që ka kalue Populli Shqiptar nga viti 1944 e deri me 1991, nen diktaturen barbare të kriminelave vrastar e torturues të pashoq në krejtë Lindjen komuniste, të katilave të pashpirtë Ever Hoxha e Ramiz Alia, dy kriminela fanatikë anadollakë që nuk kanë kopjo n’ asnjë vend. Të dy pa një pikë gjak Shqiptari, dhe që sot vazhdojnë me kenë të paprekun në asnjë drejtim dhe veprim prej “Drejtësisë së Fanatizmit Antikatolik”, po dhe të “nderuem” nga vazhdimsia orientale e “rilindjes” komuniste, e cila ka perjashtue nga “Historia e Popullit Shqiptar” komplet Veriun, tue fillue nga ngjarjet e pashlyeshme të vitit 1911, në Hot me Ded Gjo’ Lulin, dhe tue u mbyllë me “epitetin e gjetun të kryeministrit Edvin Rama–unë jam katolik”, që me veprat e tija të sotme antikombtare e antinjerzore, Shqiptarët persa shekuj me urrejtë jo vetem besimin katolik po, edhe shpellat parahistorike ku kanë jetue para gati dymijë vjetësh Ata, kur Shen Pali shkeli Tokat tona. Si justifikojnë pasuesit e sotem të “komunistave të rilindur” në Shek. XXI- vllavrasjet e Klerikëve Katolik, që u kanë zhdukë edhe “Dosjet”?E nuk flasim per një a po dy Klerikë Katolik, po per disa ku ban pjesë edhe i Ndjeri Don Luigj Prendushi, e pse nuk ka Don Luigji “Dosje”? – Nuk mund të tregohet e verteta, se jo vetem nuk besohet por, asht dyfishi i krimit ndaj Këtij Kleriku të pafaj që Sigurimi i Shtetit, me firmen e diktatorit barbar e kriminel Ever Hoxha, ka zhdukë deri në vitin 1972, mbi 42.000 Shqiptarë. Në vitin 1992, një oficer dhe agjent’ i vjeter i Sigurimit të Shtetit, në Tiranë më ka pyet: “A di me më tregue, a ka të bajnë me Fisin tuej të Prennushve, një Klerik Katolik i quejtun Don Luigj Prendushi?” – Unë ju pergjegja jo! Kur kam lexue Emnin e Nderuem të Don Luigjit, kam pa jo vetem mbiemnin ndryshej (jo me dy nn, por me nd, Prendushi) e jam interesue per me dijtë edhe Familjen së ciles, i perket Viktima e pafaj e vrame në Maji 1947. Don Luigj Prendushi asht i biri Pashko Prendushit dhe Luçit Toska. Asht le në Shkoder me 8 Janar 1896, e deri në vitin 1921, ka studjue në Piemonte të Italisë, nga klasa e parë e derisa asht Shugurue meshtar me 12 Mars 1921. Asht kthye n’ Atdhe dhe ka sherbye në dioqezen e Sapës dhe të Shkodres. Ka sherbye famullitar në fshatrat e Mazrrekut, Nenshatit, Shllakut, Pukës. Në fund ishte në Dush, kur u arrestue si “spijun i Vatikanit”, me idenë e tyne se do ta lidhin me At Mati Prennushin, që ishte i arrestuem në burgun e Kishës së Fretenve në Shkoder. E torturojnë aqsa nuk ka as “Dosje” dhe, e gjykojnë me vdekje, e pushkatohet pa pranue asgja nga akuzat me 24 Janar 1947. Mbas 46 vjetësh Don Luigj Prendushi u rivorros në Rrëmaji të Shkodres. Të gjitha të dhanat e sakta të biografisë m’i ka dhanë Dr. Pjeter Pepa, kur i kam kerkue me dijtë se, “kush ishte Ky Klerik dhe pse asht pushkatue?” Asht e pabesueshme me mendue si janë arrestue, masakrue dhe jo vetem që janë pushkatue të pafajshem njerzit në një qytet me 29.000 banorë si ishte Shkodra aso kohe, po asht vazhdue terrori mbi 47 vjetë, tue u dhunue njeriu prej “luftës së kllasave”, i cilitdo besim kjoftë, vetem si qytetar Shkodranë. A dihet e saktë shifra e të arrestuemve dhe të pushkatuemve në krahinen e Veriut, deri naltë në Vermosh atë kohë kur terroristi Ever Hoxha, kerkonte me dijtë edhe “vullnetin e tyre të fundit para pushkatimit” në ato krahina? Jo, jo, nuk dihet se “as nuk duhet me u zanë në gojë ajo shifer e mnershme”, që po të dihej, ose të botohej edhe sot, mbas 32 vjetësh gjoja “të lirë”, besoj plotsisht i bindun se kushedi sa të Rinjë Shkodranë, fillojnë me u kurue per humbje qetësije nervore, e frike të pasherueshme nga arrestimi komunist. E ajo që asht ma shkatrrimtare e Rinisë Shqiptare asht gjendja mashtruese e sotme, kur “shpresat në ndryshimet politike tek Shqiptarët ishin të mëdha e të besueshme”, mbasi ajo që ka ngja tash në Shqipninë e Shek. XXI, nga “mos dënimi i krimeve të komunizmit” nuk ka ngja n’ asnjë vend komunist. “Përmbysjet” fallco, ndryshimet me trashigimtarët e vet, gënjeshtrat e pa cipë të Presidentave dhe të kryeministrave të pamoral dhe purokomunista, tue u mbështetë tek skandalet dhe korrupsioni me Europen Perëndimore, si dhe siguria e tyne per një grusht “euro”, janë vetem “E ARDHMJA YNË”! Vllazen e Motra Shqiptarë! Ajo që ka ngja në Shqipni ishte Gjenocid! Janë zhdukë Fise të tana me fëmijë, nipa e sternipa e SOT: Nuk kanë as Vorreza! Mos e harroni kurr prejardhjen Tuej! Gjaku i derdhun rrëkajë nder Trojet e Atdheut, ju thrret: Rini Shqiptare, je kenë e je, Zamaku i Kastriotit tonë!

Melbourne, 24 Maji 2022.

DON ANTON MUZAJ (1921 – 1948)

Ishte nga Kosova, djali i Dedës dhe i Diljes dhe, asht le me 15 Maji 1921. Ata prind kishin edhe kater djelm e një vajzë. Antoni shkollen fillore e ka krye në Prizrend, ndersa shkollen e mesme në Jezuitet e Shkodres.Jetonte pranë Argjipeshkvisë së Shkodres. Argjipeshkvi i Shkodres Imz. Gasper Thaçi tue pa thirrjen e Tij shpirtnore, e dergon per studime teologjike në Romë Itali. Urdhnat e Meshtarisë i merr në Propaganda Fide në Romë në vitin 1945. Në vitin 1946 kthehet në Shqipni, dhe zevendson Don Tomë Lacaj që ishte në burg i dënuem 101 vjet heqje lirije. Aso kohe Imzot Thaçi ishte arrest në shtëpi, nen kontroll të fortë të Sigurimit komunist. Vdiq krejtë papritmas. Don Anton Muzaj porsa u emnue pranë Argjipeshkvisë së Shkodres, u pat dyshue nga Sigurimi i shtetit si “Agjent i Vatikanit”, sigurisht pa asnjë fakt. Per natyrë Don Antoni ishte jo vetem i kulturuem po, dhe shumë i zellshem në kryemjen e detyrave fetare. Aktiviteti i Tij pranë Argjipeshkvisë u mbyll shumë shpejtë edhe pse Sigurimi nuk kishte asnjë fakt, me 2 Maji 1947 tue u nisë vetem nga pervujtnia e Tij dhe zelli meshtarak e arrestojnë, dhe hetimi i bahet në hetuesinë e mnershme të burgut të Kishës së Fretenve Shkoder. Kujtohet nga bashkvuejtësit e asaj kohë per tortura të tmershme ndaj Tij. Nuk kam kenë ma shumë se 16 vjeç kur kam pasë rasen me ndigjue nga një grue bashkvuejtëse e Tij, me emnin Ana Daja, që edhe Ajo ka kalue sa muej në heuesinë ma të mnershme të Lindjes komuniste, që ishte kuvendi i madh i Fretenve në Shkoder, e ku nuk ka mbetë asnjë torturë pa u ba mbi njerzit, që kanë pasë rrezikun e zi me hy në duert’ e atyne barbarve të Sigurimit. Edhe Ajo ishte kenë krejt e re, kur Dulaqet e Asllan Licat e kanë torturue, po në kujtesen e Saj nuk shlyhej kurr shoferi i atij Sigurimi vrasësi Ahmet Suji. Ky kriminel merrej me intelektualët shkodranë, klerin dhe vajzat e reja.Kur Klerikët e të gjitha besimeve hynin nder duert e tija, në mos vdisnin në ato tortura që ky ju bante atyne, do të vdisnin mbas pak muejsh që dënoheshin. Ana tregonte se kishte pa me sytë e vet njëditë Don Antonin, të zhytun deri në fyt në ujin e një shatrivani që ishte në oborrin e kuvendit Fretenve, bash aty ku siper tek muri i kuvendit ishte ora diellore. Nuk i kishte besue syve se atëditë ishte shumë të ftohët dhe, rreth Don Antonit lundronin copa akulli. Aq i ishin terratisë Anës sytë kur e ka pa Don Antonin, që i dukej sikur nuk ishte i gjallë, mbasi e njifte qyshë perpara si Meshtar i persosun në sherbim të Fesë dhe të Popullit në të gjitha drejtimet. I kishte thanë një rojes: Të lus me shkue e me pa Don Antonin tek shatrivani, se më duket se nuk asht i gjallë! Roja kishte shkue dhe e ka gjetë tue dhanë Shpirtë. Bashkë me një roje tjeter e kanë nxjerrë, e kishin mështjellë me një batani dhe e kanë çue rrëshanë tek dhoma e Tij, mbasi nga të ftohtit nuk i komandonte kambët. Mbas asaj ditë Ana, nuk e kishte pa ma. Don Antoni ishte keqsue ma shumë dhe nga mungesa e ushqimit. Mosha e re 26 vjeçare ishte thye pergjithmonë nga smundja e randë e tuberkulozit, e Don Antoni vetem i lutej Zotit… Dosja 1203 (“Tragjedia e Klerit Katolik Vol I , nga Dr. Pjeter Pepa, 2007”) Në dukje kjo Dosje ka kryesisht hetimet e At Donat Kurtit eDon Mark Hasit. Po, në permbajtjen e saj ajo shpjegon mjaft detaje pse u arrestue dhe si u ba akuza ndaj Don Anton Muzaj, prej hetuesit njoftun të atij sigurimi terrorist, kriminelit Pjerin Kçira. Gjithshka fillon pak kohë para vdekjes së papritun të Imz. Gasper Thaçit dhe, vazhdon me shpikjet e kota të Sigurimit shtetit per Don Anton Muzaj, Don Mark Hasin, At Donat Kurtin dhe të tjerë, që nuk kanë fare lidhje me Don Antonin, po të montuem nga Pjerin Kçira. Don Anton Muzaj i arrestuem prej datës 2 Maji 1947, në procesin e hetuesit Pjerin Kçira, me daten 27 Nandor 1947 akuzohet: Sikur Don Antoni asht kenë antar i Organizatës “Bashkimi Shqiptar”, dhe ka punue per me rrëzue pushtetin popullor nepërmjet rinisë shkodrane. Asht organizator kryesor i funeralit Imz. Gasper Thaçit në Shkoder. Akuza e fundit lidhet edhe me kohen kur Don Antoni asht kenë në Shqipni, ndersa akuzat tjera nuk janë të verteta se Don Antoni, deri në 1946 asht kenë n’ Itali. Don Antoni akuzohet edhe per Letrat e Papës, kohë në të cilen as atëherë nuk ishte fare në Shqipni. Don Antoni nuk pranon as akuzen që i ban hetuesi Pjerin Kçira, se gjoja ky klerik ka shty rininë shkodrane me ikë prej shkollave, per me marrë pjesë në funeralin e madh të Argjipeshkvit. Në fund Dosja mbyllet me akuzen fallco se: “Çlirimin e vendit e ka pritë keq. Ka derdhur vrerë kunder reformave të pushtetit popullor dhe, se ka punuar gjithnjë sipas udhëzimeve që i jepte Ipeshkvi Thaçi. Në hetuesi ka rezistuar. Mundohet të largojë veten nga përgjegjësia. Dosja mbyllet me ketë fund: “ELEMENT BESNIK I VIJËS SË TRADHËTISË”! (Hetuesi Pjerin Kçira). Hetimet e grupit kanë vazhdue edhe perdisa muej të tjera, mbasi sejcili nuk binte dakord me shpifjet që Sigurimi i shtetit u mundonte me i ngarkue të gjithë grupit klerikëve, edhe pse vetë hetuesit ishin të bindun në pafajsi. Edhe pse gjendja shndetsore e Don Anton Muzaj tashti ishte randue shumë kryesisht nga mosmjekimi i tuberkulozit dhe mungesa e ushqimit, hetuesia vazhdonte me kambngulje me gjetë rrethana të reja per me e akuzue Ate. Njëditë, gjoja se po e ndihmojmë Don Antonin, tue i dhane mundësinë që me shkue me jetue “i lirë”, i krijuene kushte jetese në një dhomë që ishte pa dysheme dhe pertokë pranë Kishës Kathedrale, mbasi Argjipeshkvija ishte e zanun me disa familje oficerash sigurimi. Aty qendroi derisa njëditë vdiq. Don Anton Muzaj vdiq në vetmi në vitin 1948. Policia e Sigurimit shtetit e mori dhe e vorrosi në një Gropë paemen dhe në një vend të mësheftë. Askush nuk u lejue me marrë pjesë në vorrimin e Atij Kleriku të pafajshem. E ndoshta, sot që unë po e kujtoj per vdekjen e Tij jo vetem të vetmueme, po edhe në mjerim të plotë, pa pasë pranë një njeri me i dhanë një gotë ujë, jam i sigurt se pak kush beson se,“shka ka ba antishqiptari mbi Shqiptarin”! E pra, edhe i Pafajshem po, por edhe i smurë e pa ushqim dhe as mjekime… E i shtrimë pertokë, me sy kah qielli vetem thonte: “Zot bane mirë!”. Në kujtimet e Saja Ana Daja shkruen: “Me Don Anton Muzaj, vetem një mur tullash na i ndante qelitë tona. Ndigjojshe me tmerr britmate Tij. E lenin me orë të tana në kambë derisa i binte të fikët. Mandej e lagshin me ujë. Dhe prap tortura. Shpeshë herë më thonte: “Unë nuk dal gjallë, po t’ jeshë ti Ana dishmitare, se po vdes vetem per Fenë e Krishtit!” Vdiq si rrjedhojë e torturave mbas pak javësh në moshen 28 vjeçar.” Vdiq 28 vjeç! Ishte në moshen ma të bukur të jetës… Po, po, me bindje të plotë se po vdiste per Idealin e Tij të Shenjtë: “Per Fenë e Krishtit!”. E pra, pa e fillue mirë detyren që i kishte vue Vedit,mbylli jeten. Sa larg asht sot Rinia Shqiptare, prej Atyne Shkambijve të Pathyeshem! E perditë e ma larg po shkon, per mos me u kthye kurrma! Vuejtjet dhe sakrificat e Klerikve katolik të kalueme në Sigurimin e shtetit komunist, duhet t’ Ju rikujtohen kur bahet fjalë per “rilindjen komuniste”. Mos harroni asnjëherë se aty ku, nuk janë prekë as me pupul diktatorët dhe terroristat e pashpirtë të atij pushteti kriminal, bijt’ e tyne sot janë gati me persëritë historinë e tmershme që ka kalue Populli Shqiptar per 47 vjet! Diktatorët lindin dhe vdesin tue pi Gjakun e Popullit të vet të Pafajshem! Po, as bijtë e tyne nuk i lanë asgja mangut, e mos harroni se shpesh këta, ua kalojnë dhe sterkalojnë edhe krimeve të prindve të tyne të shemtueme. Sot perkujtojmë me dhimbje të madhe një vdekje shumë të randë! Një djalë i rij e i pafajshem, masakrohet nga Sigurimi shtetit komunist. Rreshtohet me Martirët e Pavdekshem të Popullit Shqiptar. Po, njëditë, Mikun e vet Rinia Shqiptare, do ta rreshtojnë me dhimbje me Zamakët e freskët të Flamurit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut.

Melbourne, 27 Maji 2022.

DON NIKOLL SHELQETI (1892 – 1948)

Nikoll Shelqeti asht le në Shelqet pranë Vaut Dejës, me 31 Tetor 1892 nga prindët Hilë e Diela Shelqeti. Mbas mësimeve të para që mori në Shkoder, per me plotsue atë deshirë Shpirtnore që kishte qyshë fëmij, vazhdoi dhe perfundoi studimet teologjike me rezultate të shkelqyeshme në një prej Universiteteve teologjike t’ Austrisë. Mbasi asht kthye në Atdhe ka sherbye si meshtar në fshatrat e Zadrimës, ku ka lanë nder ato zona kujtimet ma të mira si mësues shpirtnuer i perkushtuem. Me sjelljen e Tij meshtarake plotson të gjitha kushtet e arrestimit dhe, Sigurimi i shtetit komunist nuk i kursen prangat as per Don Nikollin me 20-XII-1946. E sjellin edhe Don Nikollin me vazhdue hetuesinë në qendren e torturave të burgut Kishës së Fretenve, në qytetin e Shkodres. Asht viti i terrorit 1946, kur Shqiptarët të nenshtruem nga diktatura e pergjakëshme komuniste, po provonin ata tmere që as nuk i kishin ndigjue as lexue gjithë jeten e tyne. Jo ma pak se të tjerët klerikë katolik masakrohet edhe Don Nikoll Shelqeti. Asht krejtësisht i pafajshem po, dhe aq burrnor sa nuk pranon asnjë akuzë. Nga dita e parë e arrestimit në vitin 1946 dhe, deri në Janarin e vitit 1948 nuk ju ndane njëditë hetimet dhe torturat ku ishin ma të mnershmet. Në Janarin e 1948, edhe Don Nikoll Shelqeti akuzohet me grupin e klerikve katolik, që kryesohej nga Prelatët Imzot Frano Gjini, Imz. Nikoll Deda dhe Provinçiali i Fretenve At Mati Prennushi, edhe pse Don Nikolli nuk kishte me Ata asnjë lidhje n’ akuza. Mjaftonte vetem Veladoni per të gjitha akuzat! Kenja klerik katolik i nderuem e perfshinë dhe këte në Dosjen 1302/I- 1948. Po persëris se: Proçesët e bame ndër gjyqet e hapuna të Shkodrës janë dëshmi e mirë dhe mbahën mend nga qytetarët, por proçesët e “mbylluna”, që sot edhe ato janë të hapuna dhe publike, për fat të keq, dëshmojnë se shumë vetë atëherë, kanë mendue se komunizmi asht i “përjetëshëm” dhe asnjëherë, nuk kanë mendue se do të dalë në shesh e vërteta e vëprimeve të tyne. E tue lexue disa pjesë të asaj Dosje, edhe sot mbas 80 vjetësh nuk gjej asnjë arsye as shkak bindës,“pse u dënue me këte grup edhe Don Nikolli?!” Shkaku i vertetë sigurisht që dihet, po faktet e mavonshme tregojnë saktë se, me sa djallzi vepronte Sigurimi i shtetit kriminal shqiptar nder kushtet e asaj kohë, “per me zhdukë nga faqja e dheut Klerikët katolik të Pafajshem”. Në Dosje shenohet kjo thanje në gjyqin e mbyllun të Tij në mensë në kuvend të fretenve: “I pandehuri Dom Nikoll Shelqeti tha: Para Përendis’ e robit nuk jam per një dënim të tillë se s’kam ba gja, por përkundrazi njerëzve të Lëvizjes N.Çl., i kam udhëheq e ndihmue dhe u kam predikue në favor të qeverisë.” Dhe, në mbyllje të gjyqit shenohet edhe vendimi i dhanun: 8.Dom Nikoll Shelqeti, i biri Hlës dhe i Dilës, vjec 55, i pa martuar, i pa dënuar, i varfer, ka mbaruar Theologjinë dhe fillosofinë në Austri, me profesjon prift e famullitar, lindur në Shelqet, i reshtuar me dt. 20/XII/46. Per të pandehurit: Dom Nikoll Shelqeti, dënohet me 3 vjet privim lirie e punë të detyruar. Të dënumëve u ngarkohen 162 lek shpenzime gjyqi. Ky vendim i referohet Gjykates Naltë Ushtarake per aprovim persa u perket të dënumve me vdekje, kurse per të tjerët mundet të bëhet ankim po në Gjykatën e Naltë Ushtarake brenda tetë ditve nga data 8/I/1948, që u shpall vendim. Shkoder, me 8/I/1948.” Gjithshka shumë e kjartë. Gjykata e naltë e Tiranës nuk bani asnjë ndryshim në vendimin e dhanun nga Gjykata ushtarake e Shkodres. Mbas pak ditësh Don Nikolli, u dergue me vazhdue dënimin në kampin e shfarosjes së Bedenit të Kavajës. Atje Don Nikolli ju bashkue grupit të burgosunve Klerikë katolik, që ishin në atë kamp per të cilin asht shkrue dhe do të shkruhet edhe ma vonë, por e verteta e saktë e vujtjeve, torturave, urisë dhe mënyrave të shfarosjes që ju janë ba të burgosunve në kampin e shfarosjes së Bedenit, jo vetem nuk asht shkrue plotsisht, po asht e vështirë me pranue se do të shkruhet ma vonë. Jemi para një fakti: Don Nikoll Shelqeti doli në punë me të gjithë të tjerët dhe pa asnjë ankesë shëndeti, mori lopaten dhe vazhdoi me punue normen. Nga llomi dhe balta e ngjitun per këpucë, Don Nikollit i rrëshqiti kamba dhe u rrëzue në kanalin që po hapej nga të burgosunit. Nuk kje askush aty afer per me e ndimue me u ngritë nga balta e ngjeshun me lopata. U gjetën aty vetem policët e kampit të cillët jo vetem nuk e ndihmuene, po e zhyten edhe ma keq në baltë, tue i marrë edhe jeten Priftit të pafajshem… Don Nikoll Shelqeti, që u dënue “3 vjet burg heqje lirije”, e nuk doli kurrma nga hekrat rrethues të burgut. Po, sa u ba numri i të burgosunve të zhdukun të “Pafajshem” që përfunduen n’ Gropa paemen, e nuk dihet as ku kalben Ata Shqiptar fatzezë? As s’ ka me u dijtë asnjëherë as vendi vorrosjes Tyne! Moti i mirë shifet në mengjes! Janë bijtë e tyne ata që drejtojnë Shqipninë. Na vetem kujtojmë Zamakët e Flamurit Kastriotit Skenderbeut!

Melbourne, 30 Maji-2022.

PAFAJSIA E “VONUEME” E DON EJELL KOVAÇI (1920 – 1958)

“GJURMËT TË ÇOJNË NË… SIGURIMIN E SHTETIT KOMUNIST”

Nga libri F.R. 2010. Nuk e kuptonim thanjen: “Koha kalon e me te kalojmë edhe na…”, mbasi na dukej se hagrepët e sahatit kishin mbetë në një vend, të dy kishin ra tek nr. 6.00. Mbasi njerzit çoheshin në mengjez në oren 02.00 dhe vraponin me shishe në dorë në rradhat e qumështit, dhe vetëm atëherë, kur vlohej kilja e qumështit, na dukej se u krye detyra e madhe me fëmijë, po kur vinte dreka prap hapej kapitulli i pafund i telasheve të darkës. Monotonia na kishte pushtue të gjithve, mendja vetem rrinte tek grazhdi, si kafshve sepse, secili mendonte vetëm “çka do të hamë!?” Ecjet, shkuemjet në punë e kthimi në shtëpi, na kishin kthye në kenje të kota dhe të pakuptueshme, tue persëritë të njajten thanje me ata që përshëndeteshim sa herë na qitte rruga përballë njenitjetrit. Edhe pse kishte rasë që një fëtyrë për disa kohë zhdukej, as kjo nuk na binte në sy, aqsa, shpeshë mund të na e kujtonte “mungesen” vetëm ndonjë leter me shirita të zezë që vendosej ndër shtylla të rrugave kryesore. Deri në vitin 1951 edhe Kleri Katolik vazhdoi qendresen e vet tue mos u pajtue me politiken komuniste të qeverisë shqiptare, e cila ka punue vazhdimisht për shkëputjen e Klerit Katolik nga Vatikani, gja që do të sillte si pasojë edhe shkëputjen shpirtnore nga Europa, mbasi Kisha Katolike në Shqipni ishte kështjella e fundit që vazhdonte lidhjet me Përendimin dhe, duhet pranue se nuk kishte tashma asnjë institucion tjetër që nuk pajtohej me politiken qeverisë. Mardhanjet me Anglinë e Shtetet e Bashkueme ishin ndërpre që në 1946. Italia dhe Franca ishin ma shumë të lidhuna me interesat e komunistëve sesa me prirjen që të ruenin lidhjet tona me Europën Përendimore. Në vitin 1950, Kleri Katolik Shqiptar asht i vetmi në Shqipni që ka kundërshtue Projekt Statutin e Kishës Katolike në Shqipni, që i ofroi për aprovim qeveria komuniste e Ever Hoxhës, simbas udhzimeve të qeverisë sovjetike të drejtueme nga diktatori Stalin. Besimet tjera janë pajtue me Statutet e tyne që i afronin edhe ma shumë me Lindjen. Nga Kisha Orthodokse Shqiptare, ishte i vetmi Peshkopi Kristofor Kissi, që kundërshtoi humbjen e Pavarsisë së Kishës Orthodokse, të shpallun nga vetë ata, prandej, për këte Peshkopi Kissi, u pushkatue (apo u helmue) mbasi Ai nuk ishte dakord që Shqipnia me u shkëputë përfundimisht nga Europa. Por, duhet theksue se Peshkopi Kissi ishte shumë ma afer me Kishen Katolike se me Kishen Orthodokse Sllave Ruse dhe, pikërisht, ky fakt asht ai që Peshkopin Kissi e çoi në zhdukje! Mbledhjet janë zhvillue në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres, tue u zbatue me shumë rigorozitet rregullat e parashikueme nga kleri, të cilin aso kohe e drejtonte Ipeshkvi i Pultit, i vetmi i mbetun gjallë në Shqipni mbas zhdukjes së Prelatve të tjerë, tue përfshi me ta edhe Regjentin e vetem të Delegacionit Apostolik në Shqipni, Imzot Frano Gjinin, ish Abat i Mirditës, pushkatue me 11 Mars 1948. Sherbimet e Famullitarit të Shkodres i kryente Don Ernesto Çoba. Mbas vitit 1995, ma i sakti klerik që kam bisedue me Te, asht kenë një nga protagonistët kryesor të atyne ngjarjeve At Konrrad Gjolaj OFM., që jo vetëm ka kenë prezent në dy mbledhjet e para deri në korrikun e 1950, po, edhe dinte edhe ngjarjet pasuese me imtësi e saktësi, të cilat Ai i ka shkrue në librin e Tij “Çinarët”, po ishte pikërisht edhe një nga Ata pak klerikë të nderuem që, nuk ka pranue me vue firmen e Tij në atë dokument që të tjerët kanë aprovue me 26 qershor 1951. Tjerë përsona që kanë shkrue e vazhdojnë me shkrue edhe sot, tue mos pasë kenë fare prezent në zhvillimin e atyne ngjarjeve, shpesh tue i transformue e pse jo, edhe tue i deformue me ndonjë qellim jo të mirë. E, kështu, si mue mos harroni se i ka ngja shumë e shumë përsonave, tue përfshi edhe Ata Atdhetarë të Nderuem, për të cilët kanë shkrue spijunët e sigurimit, pseudoshkrimtarët servil, Rakip Beqja, Jup Kastrati, Viron Koka, Skender Drini, Ilo Bodeci etj. At Gjolaj, françeskan i njohun në Shkoder, me një kujtesë për t’u admirue shpjegonte me fakte zhvillimin dramatik të atyne ngjarjeve të vitëve 1950 që, ma vonë u bane shkak pushkatimi të klerikve që nuk ishin dakord me nënshkrimin e Statuti të paraqitun nga qeveria. Asht fakt se Don Kolec Prennushi nuk iu frigue vdekjes nga komunistët. Për këte fakt në librin “Çinarët”, At Konrrad Gjolaj, që ishte i pranishëm vetëm ndër dy mbledhjet e para të bame në Argjipeshkvinë e Shkodres, shkruen në faqe 125: “Don Koleci tha: Këta do të na kërcënojnë se do të mbyllim Kishat tueja, në kjoftë se nuk e aprovoni këte Projekt Statut, kështu si asht këtu.

Ky Projekt nuk duhet aprovue prej nesh, se edhe mbas aprovimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prapseprap. Jam i sigurt se do t’ na thonë se, do t’ ju vrasim, por asht ma mirë me e ba shka kanë ndër mend sot, se ma vonë. Le të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, se me firmue dhe, nesër, prap kanë me na mbytë, por na do të vdesim me faqe të zezë. E, nuk duhet me harrue se me këta, na jemi hupë se hupë. Komunistat kështu kanë ba ku kanë marrë pushtetin, në Rusi, Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që po i njohim se kush janë. Këta janë gjithkund njësoj!Unë do të qendroj në këta mendime, fjalë tjetër s’ kam!Zgjedhja e ipeshkvijve nga qeveria, asht shkatrrim i Kishës.” Ndërsa, për ata që shkruejnë pa baza për atë kohë dhe ngjarjet e atyne vitëve At Konrradi, thonte: “Shkruejn për Statutin e Kishës, ashtu si për Pjerin Kçirën, që gjoja ka kerkue prift, si me pas kenë aty me te, kur, asnjeni nga ata që shkruejn për këte punë jo, vetëm, nuk janë kenë të arrestuem në hetuesi me Pjerinin, po, njeni prej tyne aso kohe as nuk ka kenë fare në burg.”. Çeshtja thëmelore mbi të cilën bazohej ky kundërshtim i “Projekt Statutit të Kishës” nga Kleri Katolik Shqiptar ishte siç, më ka shpjegue At Konrradi, nga argumentët e paraqituna prej Don Kolec Prennushit, se: “Kisha Katolike nuk mund të jetë kurr nacionale, ndonse, Ajo nuk asht kundër nacionalizmit. Ajo s’ pranon asnjëherë identifikimin e Fesë me Kombin. Në pamjen e tyne kristjane dhe teologjike ky identifikim asht i papranueshem dhe jashta kohe, sëpse, Feja do të shndrrohej në ideologji, që nuk asht tjetër veçse tjetërsim i Dogmave të Vërteta të Kishës sonë Katolike dhe Apostolike, Dogma të cilat, asnjëherë nuk janë kundër dashnisë që besimtarët Shqiptarë kanë për nacionalen e tyne.”. Qendrimi i Tij u mbështet edhe nga Don Dedë Malaj, Don Ejëll Kovaçi dhe At Konrrad Gjolaj, të cilët, me 26 qershor 1951, kur të gjithë Klerikët tjerë shkuen e nënshkruen “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”, emnat e nderuem të tre klerikve të sipërpërmendun nuk shkuen fare në mbledhje dhe, as ma vonë nuk pranuen me e nënshkrue atë Statut. Në faqe 127, At Gjolaj shenon: “Fjala e Don Dedë Malaj ra si të binte rrfeja, kur nguli kambë që as mos të pranojmë me diskutue ma për shkëputje me Papën dhe emnime ipeshkvijsh nga Qeveria e Tiranës. Po të pranojmë këte, tha Don Deda na kemi mbarue si mos ma keq. Kush mendon ndryshej le të flasë. U përpilue një leter në katër kopje, e u firmue prej të gjithve: “Na nuk aprovojmë as Projekt as Statut, ku shkëputemi prej Vatikanit dhe ku shkelen Dogmat e Fesë dhe të Kishës Katolike.” Kjo iu drejtue Degës së Punëve të Mbrendshme në Shkoder, Kryeministrisë Tiranë, Ministrisë së Punëve të Mbrendshme Tiranë, dhe një Argjipeshkvija Shkoder. U ngarkuen me dorzue letrat: Don Zef Bici, At Filip Mazrreku, Don Mark Dushi dhe At Rrok Gurashi. Pritej përgjegja e kësaj letre që nuk erdhi asnjëherë.” Po, përsërisë edhe njëherë, se nuk jam aspak dakord me vue në kandarin e këtyne përsonave “asnjë” nga ata që kanë ba kjoftë edhe tri ditë hetime në sigurimin komunist, ku njerzit kanë pranue akuza të paimagjinueshme prej nesh që, nuk e kemi provue dajakun apo torturen deri në shpërbamjen e plotë si “njeri”, mbasi nuk duhet harrue se mbrenda rrobave të një oficeri të sigurimit ishte e ndryeme: Urrejtja klasore, urrejtja fetare, urrejtja krahinore, smira e kulturës, smira e edukatës familjare, ishte inferioriteti i njohtun i çobanit të dhenve ndaj një profesori apo kleriku universitar, ishte padija shekullore e një fshatari lab përballë një profesori deputet që edhe kishte luftue kundër fashizmit me pushkë në dorë, siç ishte i Ndjeri Prof. Kolë Prela apo Prof. Prenkë Kaçinari e Arshi Pipa, që vinin me një bagazhë kulture nga universitetet ma të njohuna të Europës Përendimore. Ishte një “gjeneral” injorant si Ever Hoxha, që donte me zhdukë të gjithë oficerat që kishin mbarue Akademitë ushtarake ndër vende të njohuna t’Europës por, që duheshin pushkatue se nuk u bane spijunët e tij. E, mos harroni se edhe kishte nga ata oficerë sigurimi që arrestonin një qytetar shkodranë, për me shkue në darkë dhe me i plaçkitë kostumin që kishte pasë të veshun paradreke apo butonat e arit, kur spijuni po i priste fletë – arrestin, siç kanë veprue vagabondët e sigurimit me të ndjerin Kolë Kurti, një të djelë të zezë tek Kafja e Madhe në Shkoder. Bana një shkëputje, mbasi për fatin e keq këta njerëz u ndodhën edhe në gjiun e klerit katolik, të cilët, u ndanë si shapi nga sheqeri me rastin e diskutimit të Projektit të Statutit, dhe përfundimisht mbetën në ata pozita deri në vdekjen e tyne. Siç, thonte At Gjolaj: “Kush u thye u thye po, nuk u përkul, ndërsa, kush u përkul e pagoi ma shtrejtë se ai që u thye, mbasi vërtetë vonuen me e pague përkuljen por, kur e paguen shkuene me krye si Ata që u thyen po, këta shkuen me faqe të zezë.” Do të shpjegoj një fakt me të cilin u njohta në vitin 1996. Me datën 31 korrik 1951, “u shpall nga Qeveria e Tiranës në gazetat kryesore se, Kleri Katolik ka aprovue “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare” të cilin, e ka aprovue edhe Kuvendi Popullor. Në librin “Çinarët”, At Gjolaj shkruen: “Desht me më ra pika kur doli një ditë në gazetë, se u aprovue “Statuti i Kishës Katolike Shqiptare”. Në të vërtetë Qeveria bani lëshime të mëdha po, as unë, as Don Deda, nuk kishim besim tek ajo Qeveri, prandej edhe nuk e firmueme asnjeni. Nuk e kishte firmue as Don Ejëll Kovaçi.” (fq. 127) Në vitin 1950, qeveria komuniste e Tiranës, ban përpjekjën e dytë për shkëputjen e Kishës Katolike nga Vatikani. Këte herë asht Don Kolec Prennushi, Don Dedë Malaj, Don Ejëll Kovaçi, Don Jakë Gazulli, At Marin Sirdani, At Konrrad Gjolaj, Don Ndre Lufi dhe të tjerë, që kundërshtojnë “Projekt – Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”, i cili, u aprovue vetëm në vitin 1951. Don Nikoll Sheldija nuk shkon as Ky në mbledhje për shkak të gjendjes së randë shndetsore, gja që solli në Marsin e 1952 vdekjen e Tij. Ky nuk firmoi Statutin, as kur ia derguen në shtëpi. Për këte veper “armiqsore” me që ishte varrosë në Kishen Monumentale të Vaut të Dejës, kur anadollaku Fadil Ymeri i vuni dinamitin asaj Kishë dhe e holli në erë në 1967, shkatrroi edhe vorrin e Don Nikollit, i cili humbi me afreskit e Kishës. Don Marjan Arta asht ndër Martirët e Mëdhaj që propagandoi mos firmimin e Statutit, për këte sigurimi i friguem se mos pengon të tjerët me firmue, e arreston me datën 26 mars 1951 dhe si gjithnjë, përpilon akuza false dhe, e dënon me 15 vjet burg e punë të detyrueme. Mbas lirimit nga burgu, një mik i Tij, i besimit Musliman në Vlonë, e mbajti Don Marjanin në shtëpi derisa vdiq në vitin 1986. Ky qendrim i Atij Burri vlonjat duhet njohtë dhe respektue, mbasi po në Vlonë, në vitin 1967 nuk u mbyll as kuvendi i Motrave Stigmatine, e kjo vepër e Popullit Vlonës pason shumë të tjera, që ndokush do me i harrue kur në gjithë anët e Shqipnisë, Motrat u nxoren jashta kuvendeve që në 1946 dhe u shkatrruen me thëmel e shkollat e Tyne. Don Dedë Malaj, At Konrrad Gjolaj dhe Don Ejëll Kovaçi janë konsiderue si kundërshtarë të nënshkrimit të Statutit që në ditën e parë të firmosjes nga pjesa e tjetër e klerit me datën 26 qershor 1951. Publikimi i firmosjes së Statutit u ba vetëm mbas dekretit për aprovimin e “Statutit të Kishës Katolike Shqiptare”, nga Presidiumi i Kuvendi Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, në Tiranë, me datën 30 korrik 1951, dekretligji nr. 743, i nënshkruem nga Kryetari Dr. Omer Nishani dhe sekretari Sami Baholli (d.v.). Gazeta “Zeri i Popullit” ishte e para që botoi njoftimin dhe vuni në fletët e saja tekstin e plotë të Statuti, ku nuk mungonin as komentet e gazetarve për këte “fitore” të arritun nga partia komuniste e kryesisht nga antikatoliku i “betuar” E. Hoxha me pasuesit e tij anadollakë. Por, duhët theksue se edhe nga Këta Meshtarë dolën Martirë, si: Don Mikel Beltoja e Don Marin Shkurti, që u torturuen dhe u pushkatuen, tue thirrë: “Rrnoftë Kisha Katolike Shqiptare, rrnoftë Krishti Mbret”. Shteti komunist gjenë shkak me arrestue Don Simon Jubanin, por në të njajtën kohë helmatisë dhe zhdukë vëllaun e tij Don Lazrin, edhe Ai klerik i Nderuem e, kështu, vepron me klerikun e nderuem Don Matish Lisna, të cilin e mbyti në moshën 34 vjeçare, vetëm se fjala e Tij nga predikatoria arriti me joshë dhe me afrue pranë Kishës së Madhe, qindra e mijra të rijë t’etshem me mësue të vërteten e Ungjillit. Njëkohsisht me veprimet e tyne të mëshfta e djallëzore, sigurimi zbulon edhe fëtyren e vet të vërtetë terroriste, të cilën, e tregon simbas rastit dhe momentit politik që i dikton byroja politike e PPSh. Ma parë se me kalue në tjera fakte për katilin mizor e anadollak “shokun” Ever Hoxha, mendoj me ba një skjarim të fjalës së shpallun nga ai vet, se: “jam anadollak!”, pra, jo, e vume me qellim të keq ose e krijueme apo e sajueme nga të tjerët, në emnin e tij, emen i cili, siç, thotë Populli: “Mos kjoftë përmendë ma!” Ai asht i pari “drejtues” i shtetit shqiptar që mbas vitit 1912, i ka qendrue besnik parimeve të Haxhi Qamilit, të cilin e kemi edhe sot në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuem nga Akademia e Shkencave në Tiranë në 1985, nën kujdesin e Ramiz Alisë,edhe ky, mbasardhës i denjë i Haxhi Qamilit dhe Haxhi Lleshit. Me rasën e festës së 28 Nandorit 1912, që po përkujtohej në Vlonë, në vitin 1962, me paturpësinë ma të madhe në banketin e madh të shtruem për nderë të Luftarve të Lirisë dhe të Pavarsisë në Vlonë, ku kishte gjallë ende edhe nga Luftarët Trima të Malësisë së Veriut, si zonja e nderueme e Malësisë së Hotit Norë Kolja, e reja Dedë Gjo’Lulit, e cila më ka tregue vetë Ajo, kur po punonim portretin e Saj në Shtëpinë e Kulturës në Shkoder, pak ditë mbasi ishte kthye nga Vlona, se “i madhi” atje kishte thanë tue kenë në krye të sofres se “ne jemi vëllezër gjaku me turqit”, shprehje e cila u pasue edhe nga trashigimtarët e fronit tij deri tek “demokratët”, kur burrnisht dhe pa ndrojtje zotni Mark Bregu nga Shkodra, u dha këtyne anadollakve përgjegjen e meritueme në shtyp. Asht e vertetë se turqit edhe kanë dhunue gra e vajza shqiptare, asht e vërtetë se kanë lanë edhe trashigmtarë këtu. Asht e vërtetë se edhe Ever Hoxha asht djali i bylykbashit të Gjinokastres, dhe jo i burrit të nanës së tij, por si duket në 1908 kur e ka lindë e ama, bylykbashi paska kenë turk anadollit e, kjo gja, vërtetohet nga vetë Enver Hoxha, që “vëllezërit e vet” i ka turq nga Anadolli, ashtu si Ramiz Alia etj., që e kanë për “nder” me kenë në krye të shtetit shqiptar, si pasues të turqve anadollakë, me “vëllazen dhe motra” në Turqi e gjithkah deri në Bosnje, përveç se Shqiptarë, jo! Të ishin të tillë vetem për emen gjysma e së keqes, po për fatin e keq të tonin, këta anadollakë sot nuk janë të tillë vetëm se i përkasin besimit musliman, (se, besimin këta nuk e njohin) por janë pasues të pandreqshëm të trashigimisë së gjakut, zakoneve, veseve dhe fanatizmit të pushtuesve dhe robnuesve turq të Anadollit. Prandej, lufta e Ever Hoxhës kundër Atdhetarëve, intelektualve, Klerit Katolik dhe popullsisë së Shqipnisë Veriut, asht kenë e pandërpreme asnjëherë, po ajo luftë për zhdukjen e Tyne ka pasë ndryshime “maskash” nga sigurimi i shtetit që realizonte planet djallzore me veprat e veta. I kishte kalue koha agjitacionit e propagandës kundër pushtetit. Burgjet tona vazhdonin me kenë plot e përplot me “armiqtë e popullit”, që ma shumë vdisnin aty nga lodhja, sëmundjet dhe urija, sesa liroheshin kur plotësonin dënimet e randa e të pafund. Ndër kampet e të interrnuemve nuk kishte asnjë “lëvizje” gja, që, ua kishte fshi përgjithmonë Atyne familjeve shpresën se ndonjëherë mund të rikthehën ndër votrat apo kullat e shkretnueme të vetat. Atëherë, mendja e çthurun duhet të mendonte tjera variante për luftën kundër Klerit Katolik, që kishte mbetë tashma e vetmja “opozitë” e ditun që nuk pranonte shkëputjen përfundimtare të Shqipnisë nga Europa. A ishte i knaqun katili Enver Hoxha me 64 firma të dhunueme të Klerit Katolik, kur dihej se edhe ma shumë se 35 vetë prej tyne kishin firmue Statutin e Kishës nga frika se jo, nga bindja e tyne? Sigurimi i shtetit nuk e kishte krye “si duhet” detyren e vet që i kishte ngarkue partia! Shqipnia ishte edhe ajo një “republikë popullore” jo në nivelin e shteteve tjera të Europës Lindore, por “aty afër”, mbasi këte e pat shpreh pasardhësi i tij Nikita S. Hrushovi, kur erdhi në Tiranë, në 1959 dhe, tha në aeroportin e Rinasit, se: “Këtu, mund të flitet me kapelë në kokë, se ju, jeni popull musliman.” E, udhëheqsit tonë u “gajasën së qeshuri”. Kështu filloi arratisja e tyne masive dhe shpartallimi i Malësive tona në të gjitha drejtimet, sëpse, Malësori, tue u ndodhë para vorfnisë dhe presionit të sigurimit, filloi me humbë edhe Ato tradita që i kishte ruejtë ndër shekuj. Kjo ishte “fitoria” ma e madhe e shovenistve komunist sllav në krejtë historinë e tyne të luftave kundër të drejtave për vetvendosje të Popullit Shqiptar! Braktisja e Atdheut dhe e Trojeve të Tyne nga Malësorët e Veriut, asht kenë dhe vazhdon me kenë edhe sot rrenimi kombëtar i Shqipnisë Europjane! A ka turp ma të madh sot për Shqiptarët, Presidentin e Shqipnisë, Kryeministrin e saj dhe Kuvendin Popullor, që vazhdon të drejtohet ende nga një “Haxhi Llesh” me fustan modern? Në vitët 1957 – 58 edhe na si majmunat e “kampit” socialist, e dënueme kultin e Stalinit, madje, zbutëm edhe qendrimin ndaj fqinjve, tue mos vue gojë në politiken e Titos, mikut të vjeter të komunistëve tonë! Mungesa e gjyqeve politike kundër Klerit Katolik në Shqipni aty nga vitët 1952 e deri kah vitet 1957, filloi me krijue në popull idenë e njëfarë ndryshimi të kursit diktatorial të komunizmit edhe tek na, si në vendet tjera të Europës Lindore. Me këta ndryshime a mund të pajtohej diktatori Ever Hoxha? Me pranue ky ata ndryshime që po banin të tjerët, a i mbushej këtij rradakja, se njëditë mundet me humbë postin e bashkë me te kolltukun përsonal, për të cilin ky vriste edhe djalin e vet? Mund të mendohet se këto bisha që nuk mund të jetonin pa pi gjak klerikësh të pajtoheshin me ata “ndryshime” që po ngjanin në vendet tjera të Europës Lindore, që as nuk mund të krahasohet diktatura komuniste e tyne me ate që bante tek ne sigurimi i shtetit i Ever Hoxhës? Sikur të ngjante kjo, komunizmi do të ishte në grahmat e fundit, ai do të vdiste që në vitin 1953, njëheresh me Stalinin. Po kjo nuk mund të ngjante se diktatura ishte e pashoqe edhe pa Stalinin. DOSJA E NJË 38 VJEÇARI NR. 2229; Qelëz Pukë, 1958. Asht një fshat që komunistët në vitin 1958 kanë mendue si e si me e shnderue, me ia marrë fëtyrën atyne fshatarve të vorfën. Toka e vjeter e Atyne Burrave të Pukës, që kanë mujtë me pasue Fisin e Madh të Mirakajve, asht një Tokë e Bekueme nga vetë Dora e Zotit, mbasi po t’ishin të mallkuem, me sa qindra vetë janë vra, interrnue e masakrue nga komunistët në ato krahina, apo vetëm në Fisin e Mirakajve . Sot, Shqipnia nga Ai fis i Nderuem nuk do të kishte asnjë trashigimtarë të Tyne që vazhdon me ruejtë në Gjakun e vet traditat e të Parëve. Edhe Meshtari i ri Don Ejëll Kovaçi, asht një i njohun i Tyne, madje, edhe i “lidhun” me kohë, me Ata të Atij Fisi, që kanë marrë malet. Kështu sigurimi mendonte me zhdukë edhe Meshtarin e ri. Ky motivacion asht fillimi i Kalvarit për Don Ejllin. Don Ejëlli asht nga Hajmeli i Zadrimës, u le me 5 Prill 1920 nga prindët Pjeter e Shaqe Kovaçi. Ishte edhe Ky i brezit të vitit 1946, kur u mbyllën seminaret në Shkoder, ku kishte përfundue studimet teologjike me vazhden e Atyne klerikëve të cilët pjesa ma e madhe u shfarosen, se guxuen me u Shugurue Ushtarë të Krishtit, kur në pushtet ishin ata që kishin deklarue se ne jemi bashkpunëtorët e dreqit. Posa asht Shugurue, asht emnue në Koman. E marrin ushtar dhe mbasi kthehet nga ushtria emnohet në Qelëz të Pukës. Kishte guxue me deklarue se “Kisha Katolike Shqiptare po u shkëput nga Vatikani, tue pranue kerkesat e qeverisë automatikisht bahet Orthodokse, prandej edhe Statuti i qeverisë nuk mund të aprovohet nga Kleri Katolik Shqiptar.” (dosja 2229, viti 1998 Tiranë) Arrestohet në 1949 dhe lirohet me shpresë nga shteti komunist se ka “ndrrue” mendim e, do të firmojë edhe Ky me të tjerët e asaj kohë. Në qershorin e vitit 1951, nuk shkon fare në mbledhje të Klerit, kështu as nuk e firmon fare dokumentin e aprovimit të Statutit. Në vitin 1953, e arrestojnë prap dhe e akuzojnë si të gjithë të tjerët për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit” tue, i premtue se do të lirohet nëse do të firmojnë Statutin e Kishës, por këte herë tue i vue kusht edhe “bashkpunimin me organet e sigurimit të shtetit.”. Me që nuk pranon asnjenën vepër, e lidhin me “bisedat” që gjoja ka krye kur ishte ndër ato male Pal Bibë Mirakaj dhe, e dënojnë me 5 vjet burg. Me datën 21 gusht 1958, sigurimi arreston për herë të tretë Don Ejëll Kovaçin, të cilit këte herë ia ven hekrat vetë krimineli gjeneral Hilmi Seiti, kryetar i degës së mbrendshme të Shkodres. Ai ka pregatitë edhe akuzen për të cilën e ka arrestue, tue vue në plan të parë vepren kriminale, se: “Don Ejëll Kovaçi, në bashkpunim me spiunët e diversantët kanë organizuar dhe zhvilluar me qellime terroriste natën e datës 26 nëntor 1951, brenda në kishen e katundit Qelëz, vrasjen e aktivistit të organeve të sigurimit të shtetit, shokut Mark. Ka kryer vepren e pregatitjes për t’u arratisur jashtë shtetit në bashkëpunim. Në grup me: Nik Gjon Pepa, Angjelina Kovaçi, Dodë Pal Marashi dhe Gjokë Lazër Kola.” (Dosja 2229 Arkivi i Min Mbrend.) Ndër 600 faqe proces të bame nën kujdesin e vetë terroristit dhe vegles besnike të Ever Hoxhës, gjeneral Hilmi Seitit, vazhdon torturat ma të mnershme aqsa, bie në sy menjëherë sa fillon me lexue, se Meshtari i masakruem asht ma i knaqun me vdekë sesa me vazhdue me u torturue. Duhet skjarue edhe një fakt, se nga presioni kundrejt Motres së Tij që vazhdon edhe ajo me u torturue ma keq se i vëllai, mbasi mundohet me qendrue për disa ditë, Don Ejëlli kerkon me evitue ate çka sigurimi i bante shumë femnave të prangueme ndër hekra të lidhuna kambë e duer dhe mbasi i torturonte për vdekje i përdhunonte në prani të burrave të tyne, baballarve apo vëllazenve të vet. Kjo vepër terroriste e sigurimit e kryeme me kafshët e veta ka çue në plumb kushedi sa Burra të Nderuem, që nuk kanë mujtë me pranue dhunimin e vajzave të tyne por, kanë firmue çka i asht kërkue dhe kanë mbyllë kapitullin e jetës, tue u konsiderue “të dobët, pa karakter ose edhe të poshter që i janë shpifë dikujt”, vetëm mos me pa me sytë e Tyne atë poshtersi, që sigurimi ka krye në praninë e viktimës. Para një fakti të tillë e vuni edhe krimineli Hilmi Seiti, Priftin e pafaj, tue e detyrue me pranue edhe akuzat morale që i kishte mendue në zyret e ministrisë së mbrendshme, me të cilat donte me fitue edhe spaletat e gjeneral “kolonelit” si spijun i sprovuem i Ever Hoxhës. Pikërisht, në shumë raste kur gjykatsit, prokurorët apo hetuesit ia kishin arritë qellimit me e “thye” qendresen e viktimës së prangueme, janë të njohtuna shumë prej këtyne fakteve, që viktima pajtohet me të gjithë forcen e vullnetit të vet me “vdekjen” dhe shkapërcen në kahun e kundërt e të papritun nga ideatorët, deri atëherë, të knaqun me ecuninë e procesit të dhunuem prej tyne. Kjo e papritun ngjau edhe në gjyqin që po zhvillohej me aq pompozitet në kinema “Republika” të Shkodres, kur pa u kujtue fare nga askush se mund të ndodhin një akt i tillë guximi aty, porsa Prifti pohon akuzen morale, ngritet në kambë mbrenda kafazit rrethues të të pandehunve Motra Trimneshë e Priftit Angjelina, dhe i drejtohet vllaut të saj që totalisht ishte plandosë në frikën e asaj që mund të ngjante pak minuta ma vonë nga bishat e sigurimit ndër zyret e tyne, ku dhunimi ishte tortura ma e lehta që kanë provue vajzat Shqiptare, dhe i thotë: “ Trego o Don Ejëll, sësi e ke pranue akuzen. Kur Hilmia të kishte futë revolen në gojë dhe i thonte se, po nuk e pranove, do ti derdh trutë këtu ndër sytë e motres tate, e ti firmove.” Edhe këte e ndigjuem ndër altoparlanta të Fushës së Çelës, kur menjëherë mbas atij zani si pushka të Angjelinës, kryetari i gjyqit mbylli seancën për me i dhanë atë mbasdreke Don Ejëllit dënimin me vdekje dhe Motres së Tij të Nderueme Angjelinës, 25 vjet heqje lirije.

Deri këtu jemi në mbrendinë e Dosjes Nr. 2229 që ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë, të cilën unë e kam pa në vitin 1998. Shkrimtaruci Ilo Bodeci, ish spijun i sigurimit të shtetit dhe, që emni i tij asht i njohtun edhe nga Mirdita, në vitin 1969, dy vjet mbas shpalljes së luftës pamëshirshme kundër Fesë, më shemtimin e shekullit “Revolucionin Ideologjik e Kultural” të 1967, që drejtohej nga pasuesi i Ever Hoxhës skilja e njohtun Ramiz Alia, Ilo nxori në qarkullim një liber shumë “të njohtun” nga rreth 12.000 lexues shqiptarë, mbasi kaq ishte tirazhi i tij, me titull “Gjurmat të çojnë në qelë”, mbasi në një kohë me te, “shokët” spijun të sigurimit të shtetit, botuen disa libra të tillë, që pasonin Rakip Beqon me parathanje të Jup Kastratit, Hulusi Hakon me librin “Akuzojmë fenë”. Skender Drinin, me një liber kundër klerit katolik apo, Viron Koken, dhandrrin e Shkodres dhe sa e sa të tjerë. Fakti asht se Ilo Bodeci, ngjarjen e shkruen në përputhje të plotë me dosjen 2229. Studimi i dosjeve të Arkivit të Ministrisë Mbrendshme apo edhe atij të Shtetit në Tiranë, asht një punë shumë e vështirë, shumë e me përgjegjësi, shumë e lodhshme nga ana psiqike edhe fizike, mbasi do të përballosh një “stres” deri në vuejtje të mbrendshme shpirtnore, nëse në dosjen që ke në dorë ke të bash me ndonjë njeri të tandin, të njohtun apo që ke pasë rasën me ndigjue për “pafajsinë” e Tij. “Fjala e fundit” pra asht i vetmi dokument i vërtetë dhe i saktë i gjithë dosjes së të pushkatuemit. Këte unë e kam verifikue pothuej në të gjitha aktet e ruejtuna në Arkiv. Ai asht dokumenti bazë mbi të cilin duhet të mbështeten studjuesit tonë, mbasi aty asht “Rrëfimi, Pendimi, Pendesa e Falja.” Aty dhe vetëm Aty, Kenja Njerzore fillon hapat e Para me shkue drejtë rrugës së panjohtun me u takue me Krijuesin e Vet. Ky asht një fakt që provohet vetëm nga “Fjala e fundit” ku, të gjithë papërjashtim thonë: “Jam i pafajshëm, po, i fali ata që më kanë dënue dhe ata, që do të shtijnë mbi trupat tonë!”Kjo asht vdekja ma heroike dhe Burrnore, ndonse komunistët asnjëherë nuk kanë me mujtë me e rrokë këte frazë në menden e tyne të çapërdisun nga ateizmi materialist, apo shpirti i mbytun në llomin e krimit, ku vetëm kanë shkue tue u thithë përmbrenda, po kurrë me dalë! Nuk kanë me mujtë kurrë me kuptue faktin se “ateistët komunistë”, kur mbyllin sytë, ata vdesin përgjithmonë, sëpse janë kufoma të pajetë që nga ai moment që janë pushtue nga idetë marksiste e leninste, nga tesërat e PPSh, apo enveriane! Kjo asht edhe arësyeja që punojnë në fshehtësi të plotë, nga frika e së vërtetës, prandej edhe gjyqet e tyne u zhvillonin ndër dhomat e errta e padritë, me të “ftuar”mbasi Drita e së Vërtetes i vërbonte. Ndërsa Ata Martirë, që sot shumë vetë nga këta xhelat i kujtojnë të vdekun, pse njëditë i kanë vra me dorën e vet, madje edhe i janë afrue dhe i kanë ra edhe mbas kokës së gjakosun, me i shkapernda trutë e Tyne përtokë, shumë prej vrasësve katilë ende as sot, nuk kujtohen se Ata, prap vazhdojnë me jetue, sëpse Ata Heronjë, që në momentin e pushkatimit bahen të Pavdekshëm, mbasi drejtimi Shpirtnuer i Tyne ecën nga Drita! Këtu qendron misteri! Atëherë, tue iu referue prap “Dosjes 2229” të Don Ejëllit, që besoj se asht prap e ruejtun, për cilën arësye aty sot mungon “Fjala e fundit” e Priftit “kriminel, vrasës ordiner e imoral”?!

Kush e zhduku këte dokument nga dosja? Pse nuk dimë sot, pikërisht “Rrëfimin e fundit” të Tij? Pse nuk kemi pikërisht atë dokument ku Ai, zbulohet, pendohet ose jo, për “vrasjen” apo “shkangullin moral” që ka krye?! Apo edhe Don Ejëlli i ka falë shpifsit, vrasësit dhe torturuesit e Tij në atë moment kur ka deklarue me siguri, se “po vdes i pafajshëm”. Mos ndoshta Ever Hoxha e ka të “palosun” ndër “veprat” e veta? Sikur, lexuesi i dosjes të shihte këte rresht të thanun nga goja e Tij në momentin e fundit, cila do t’ ishte vlera e 600 faqeve të shkrueme nga Hilmi Seiti dhe shokët e tij? Po, vlera e librave që spijunët si Ilo me shokë “Gjurmat na çojnë në qelë” ku, do të qendronte atëherë? Edhe kjo ka shpjegimin e vet. Pavdeksia e të Pafajshmit, fillon me të vërtetën. Unë besoj vetëm tek e vërteta! Aty më çojnë gjithnjë, gjurmët e Don Ejëll Kovaçit! Don Ejëll Kovaçin nuk e kam njohtë kurr! As Motren e Tij Angjelina. Mbas dënimit të tij me vdekje, u fol se “një firmë” që nuk kishte pranue me nënshkrue në dokumentin e Statutit të Kishës Katolike, e kishte çue në pushkatim. Mosha 38 vjeçare e Tij ishte mjaft prekse. Koha shumë njerëz i kalbë! Ashtu, mbas tri vjetësh në vitin 1961 kalbi edhe vetë autorin e procesit të tij, bashkë me spaletat e gjeneralit! Pushka e futun në gojen e Priftit e çoi “me nderime” në vorrin e vdekjes së tij të turpëshme dhe të përjetshme. Iku bashkë me urimin prej zemre të mbi 50.000 familjeve të Veriut: “Dreqi ia pastë marrë shpirtin atij katil!” Nuk merret askush me vdekjen e Hilmi Seitit, mbasi të gjithë mendojnë njësoj sot në Shkoder: “I bani hysmetin dhe i ndjeu lezetin.” Shumë të tjerë edhe të tretun ndër zallishta apo skuta pa asnjë Shenjë tek koka janë që vazhdojnë me jetue. Toka që i ka mbulue nuk ka mujtë me i kalbë, nuk i tretë kurrë, ndonse, për 50 vjet u punue për me fshi nga kujtesa Emnat e Tyne. Aty sejcili ka të shkrueme mbi stomin e atij dheu të lamë me gjakun e Tyne të kulluem fjalët e At Anton Harapit para pushkatimit: “Lumninë e jep vdekja, kunoren ia ven vorri!” Vallë, ku u pushkatue Meshtari i salvuem Don Ejëll Kovaçi? Mu në qender të qytetit të Shkodres, në kinema “Republika”, ku Motra e vet Angjelina, i vuni mbi “vorr” kunoren e Pafajsisë! Aty, bani “Rrëfimin e fundit” me At Leonard Shajakun, i cili, nuk pranoi me folë fare, mbasi edhe Ai i tregoi kriminelëve se: “Duhet ta dini se Kisha nuk njeh asnjë Meshtar që ka kallxue Rrëfimin, prandej mos e kërkoni këte, se nuk do ta gjeni as ju tek unë!”. Aty e vojoi At Marjan Prela me fjalët e Krishtit, dhe u interrnue. Aty e pasoi edhe Don Dedë Malaj e At Konrrad Gjolaj mbas një viti, tue ndjekë rrugen e vetflijimit, por jo “shkëputjen nga Vatikani e Papa. Asnjëni Asnjëherë!”. Deri në momentin e fundit me 11 Maji 1959, që edhe Don Deda nuk ka në dosjen e Tij “Fjalen e fundit” si Don Ejëlli. Ata që do ta dishmojnë të vërtetën jetojnë, vuejnë por, njëditë do të gjejnë momentin me ba të ditun Atë të vërtetë ashtu si dikur, 2000 vjet ma parë paraardhësit e Martirëve Tonë, Apostujt e Krishtit, që na kanë lanë të shkrueme fjalët e Tija: “Kerkoni se keni me gjetë!”. Kishe ndigjue nga një mik i emi, se mbasi doli Motra e priftit nga burgu, kur po fejohej me Tefen, që banonte në rrugen e Gurazezve pranë meje, Tefa ishte interesue për të vërtetën e burgosjes së Angjelinës sidhe, për zhvillimin e ngjarjeve të asaj kohë. Për me u sigurue, kishte pyet një njeri të vetin, oficerin e sigurimit të shtetit në Ministrinë e Mbrendshme në Tiranë, një nga ma të njohunit për masakrimin e klerikëve, Çesk Shoshin. Çesku në vitin 1958 ishte në kooperativen e Dajçit të Bregut të Bunës dhe merrej me pregatitjen e skenarit tjetër të sigurimit, për vrasjen e Don Dedë Malaj, prandej, edhe ishte në dijeni për gjyqin e Don Ejëllit. Çesk Shoshi i ka thanë Tefës: “Sa për çka asht thanë në gjyqin e Don Ejëllit, ti preju mbas meje dhe martoju qyshë nesër me Angjelinën Motren e Tij, mbasi të gjitha janë kenë trillime të Hilmisë, vetëm e vetëm me vra Don Ejëllin me një akuzë që me e urrejtë populli i Pukës.” Po sot, Populli i Pukës, Qelëzes dhe Hajmelit, vendlindjes së Don Ejëllit, çka do të thonë për atë turp që Ever Hoxha sajoi me sigurimin me ua lanë në derë, me Bariun shpirtnuer? Lé të flasë 90 vjeçari Gjergj Zef Pashuku (Zadeja) që sot rron në Hajmel: “Ishe anëtar i atij gjyqi, po s’na pyeti kush as për osh as për balosh! Na merrshin sa për numur. E dijshim mirë se gjithçka ishte e sajueme, po kush guxonte me folë, se të ikte kryet. Ishte caktue prej naltë me u vra Prifti. Ky ka kenë denimi em, se unë e Don Ejëlli ishim prej një katundi e një moshë.” (Nandor 2010). Besoj, kjo thanje e anëtarit të atij gjyqi asht një provë e madhe e Pafajsisë së Don Ejëll Kovaçit, për ata që donë me kuptue të vërtetën! Gjurmët e pashlyeme të Don Ejëllit, aty nga viti 1993, më çuen tek At Dioniz Maka, Françeskan i vjetër që i kishte kalue të 80- tat. Para vitit 1991 pothuej nuk kam pasë rasen me u njohtë afer me At Dionizin, ndonse kur kam pasë ndigjue emnin e Tij, gjithmonë e kujtojshe për mirë. Ai respekt i ruejtun prej meje më ka shtye që në vitin 1993 me u takue me Te, mbasi më interesonte mendimi i Tij në lidhje me atë ngjarje aq shumë të përfolun në Shkoder në vitin 1958, kur u zhvillue gjyqi i priftit Don Ejëll Kovaçi, sepse At Dionizi ishte ndër të paktit klerikë që vazhdonte me shetitë dhe me sherbye prap mbas vitit 1991, ndër ata fshatra të Pukës ku asht zhvillue ngjarja e veshun nga sigurimi i shtetit për veladonin e paster të Don Ejëllit. Sigurisht, kishe bindje se At Dionizi e ka gjurmue të vërtetën e asaj ngjarje të sajueme nga komunistë e po aq tragjike sa veprat kriminale. Në vitin 1993 jam takue me Te dhe mbasi u hap biseda e gjyqit Don Ejëllit, At Dionizi më ka shpjegue rrethanat historike dhe sesi asht pregatitë nga Ministria e Mbrendshme në Tiranë, skenar i ngjarjes në bashpunim me terroristin Hilmi Seiti, kryetar i degës së mbrendshme në Shkoder në vitin 1958. Ishte koha kur kleri kishte nënshkrue Statutin e Kishës që në vitin 1951. Ndër të paktit klerikë që nuk e ka nënshkrue atë Statut, ishte edhe Don Ejëll Kovaçi me Don Dedë Malaj e At Konrrad Gjolaj, që edhe Ata pasojnë shumë shpejt Don Ejëllin. Ato ditë ka ardhë nga Tirana në Shkoder koloneli i ministrisë Mehdi Bylbyli dhe bashkë me Hilmi Seitin kanë shkue në Pukë, dhe prej atje kolonel Bylbyli ka shkue dhe asht lidhë me Markun, kryetarin e këshillit popullor apo operativ sigurimi, gjoja me ndjekë disa të arratisun të cilët, kur ishin bashkë pranë bregut të lumit, aty kolonel Bylbyli e ka vra Markun dhe prej atje e ka çue tek çela e priftit, kohë në të cilen Don Ejëlli nuk ishte fare aty Kjo ngjarje e zhvillueme naten u ba objekt i gjyqit që naten e “bante” ditë e të kunderten. Hetimet e zhvillueme në Shkoder nën kujdesin e Hilmi Seitit, sollën dramen e Priftit, i cili, pa pikë faji, u pushkatue tue u njollosë nga sigurimi i shtetit me akuzat ma të pabesueshmet prej Popullit të Shkodres, të cilat i denoncoi aty në prani të Hilmi Seitit motra trime e Don Ejëllit, Angjelina tregoi sesi Hilmia gjatë hetimeve firmat e Don Ejëllit në proces ia ka marrë me revolver në gojë: “O firmo, ose të holla trutë në erë.” E ky episod i atij gjyqi bani që Angjelina fitoi mbi shpifjet e kurdisuna kunder Priftit, Vëllaut të Saj të pafaj që u pushkatue. At Dionizi, për disa kohë kishte shkue ndër shtëpijat ku sigurimi dhe Hilmi Seiti aso kohe kishin ba presion me publikue ngjarjen e sajueme prej tyne si të vërtetë, madje, At Dionizi kishte takue dhe familjar të Markut, të cilët, i kanë tregue emnin e kolonel Mehdi Bylbylit, që e ka vra Markun atë natë kur ishte me te tue shkue bregut të lumit. Një fshatar i kishte tregue mënyren sesi kufomen e Markut e kanë bajtë e çue tek qela, por At Dionizi atë fshatarë nuk e tregonte, mbasi ai ishte pendue për shpifjet ndaj Don Ejëllit, dhe të vërtetën ai ia kishte tregue në Rrëfim. Po kështu ka ngja edhe me At Leonard Shajakun në sallen e gjyqit po per këte çeshtje. Ata dinin shumë ma tepër se flasin, por nuk mund të publikojnë shumë të vërteta që i kanë sekrete Rrëfimi. Asht pikërisht ajo kohë kur Hilmi Seiti, tue pa deshtimin e vet dhe të sigurimit të shtetit e PPSh që drejtonte sigurimin përballë klerikve katolikë, që vetsakrifikohen heroikisht, po nuk flasin për këta sekrete të Rrëfimit, kanë interrnue edhe françeskanin At Marjan Prela, një tjeter figurë e një Meshtari Atdhetar, edhe Ky figurë shumë e njohtun në Shkoder. Në vitin 1996 kam bisedue gjatë për këte temë të Rrëfimit, që asht ndër Mbrekullitë e Krishtënimit Botnor me At Konrrad Gjolaj, i cili dinte edhe Ai një ndër shumë vrasje të kurdisuna dhe të kryeme nga spijunët që jugosllavët kishin rrekrutue që në vitët e fundit të Luftës së Dytë Botnore, të ndodhun ndër male të Veriut të Shqipnisë. Ky vrasës për një grusht pare të flliqta, kishte ardhë me u Rrëfye me At Konrradin, që atëherë ishte në Kuvendin e Françeskanëve në Shkoder. Edhe kur fliste për te, mbas plot 50 vjetësh që ai kishte ba pjesë në grupin e atyne kriminelave që kanë vra Dijetarin e Madh dhe Atdhetarin e flaktë, Meshtar i divoçem e Shqiptar i Vërtetë, Don Nikoll Gazulli një Martir i Kishës Katolike, i dridhej buza e i mbusheshin sytë me lot. Me beso, thonte At Konrradi, ishte e para herë që mbasi Rrëfeva atë kriminel, kam shkue dhe jam Rrëfye për vete, mbasi po mos t’ishe tue krye një shërbim aq të madh ndaj atij të “penduemi” sot, Kisha do të më kishte edhe mue në fleten e zezë të kriminelave të saj. Sakramendi i Rrëfimit asht një temë tjeter e veçantë ku sakrificat e klerikëve përballë atyne torturave të mnershme që ka ushtrue sigurimi i shtetit mbi trupat e priftënve, ishin pa rezultat, mbasi në 46 vjet të sistemit komunist në Shqipni, ASNJË klerik nuk ka nxjerrë një sekret Rrëfimi, madje, kjo nuk ka ngja as edhe prej atyne pak klerikve që edhe i kanë sherbye sigurimit. Ata kanë pranue me “shpifë” por jo, me nxjerrë sekretin kjoftë edhe të një rasti, gja që ka e ngritë edhe ma naltë vlerën e të gjithë Klerit përballë genocidit të pashembullt komunist të Ever Hoxhës.

At Dionizi kishte një memorie të shëndoshtë e shumë të saktë. Shpjegimi i At Dionizit në saktësimin e ngjarjes së Qelzës, të krijueme nga vetë sigurimi i shtetit komunist, gjithmonë i drejtuem nga Ever Hoxha, ka një vlerë që asht aq e madhe jo, vetëm, për nxjerrjen e Pafajsisë së Martirit Don Ejëll Kovaçi, por edhe për kuptimin e së vërtetës sesi asht luftue dhe punue për 50 vjet, me njollosë me të gjitha llojet e shpifjeve, intrigave, poshtërsinave e makinacioneve Kishen Katolike në Shqipni. Kur kam pyet At Mëshkallën për këte ngjarje, më ka thanë: -“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijë vjeçare të Krishtit. Përsa i përket qëndrimit të ndonjenit që e kanë ligështue në tortura të pashembullta, si Don Engjullin e ndonjë tjetër, nuk duhët me harrue fjalët e Kardinalit Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956 e, sigurisht, torturat e Sigurimit Hungarez as nuk mund të krahasohën asnjëherë me torturat e Sigurimit Shqiptar”. (“At P.Mëshkalla SJ,) DERI KUR, TUE NGRANË “TURP E BUKË”? 64 vjet, Meshtari Shqiptar, Don Ejëll Kovaçi i vramë Pafaj. Veladoni i Tij i njollosun me shpifje dhe i mbuluem me llom! Deri kur, o Vëllazen e Motra, tue ngranë “turp e bukë”? Kush nuk thotë publikisht të vërtetën për Don Ejëll Kovaçin, vazhdon me hangër në grazhd: “Turp e bukë”, me vetëdije! Kjo pyetje i drejtohet çdo njeriut që pranon se asht Shqiptar! Kudo kjoftë e, kushdo kjoftë!Kjo pyetje i drejtohet çdo qeveritari, prej ma të naltit, Presidentit e deri tek ma i largëti nga zyra e tij, kudo kjoftë në sherbim të shtetit tonë! Kjo pyetje i drejtohet të gjitha komuniteteve Fetare që mund të përfaqsojnë kjoftë edhe një besimtar të tyne Shqiptar!Kjo pyetje i drejtohet çdo Shqiptari me Fe e pafe, që ka një Atdhe!Kjo pyetje i drejtohet çdo njeriu, që sot e vret ndërgjegja sado pak ndaj vrasjes së të Pafajshmit Shqiptar, Don Ejëll Kovaçi. Kjo pyetje i drejtohet kujdo që holli një “gurë”, apo guralec kundër Tij. Kjo pyetje i drejtohet të gjithë atyne që janë të veshun me petkun e Tij, por “të njollosun” pafaj, e që vazhdojnë me heshtë. Kjo pyetje i drejtohet të gjithë atyne Shqiptarve, që vazhdojnë me jetue pa “shlye” shpifjet e bame kundër Tij, kudo kjofshin ata! Kjo pyetje i drejtohet të gjithë atyne fshatarëve të Hajmelit e të Qelëzes së Pukës, që dinë pafajsinë e Priftit të vet, e nuk “flasin” me zanin e Drejtësisë për viktimen e vrame të Gjakut Tyne! Kjo pyetje i drejtohet cilitdo Shqiptar, që Ever Hoxha i dhunoi “Motren e Tij” të prangueme. Atyne Shqiptarve, që Vajzat, Gratë e arrestueme, t’ izolueme, t’ interrnueme apo të dëbueme, i kanë njohë “Motra të vërteta” të Truellit Shqiptarë, kudo kjofshin Ato. Flas per Ata Shqiptarë që e ndijnë veten Zamak i Flamurit Kastriotit! Shqiptarë! Pajtimi Kombëtar, nuk arrihet kurrë pa Paqë e Drejtësi! Viktimat e Pafajshme nuk kalben pa u shpallë “E Vërteta” E Vërteta qé ku asht e shkrueme! Don Ejëll Kovaçit dhe Motres së Tij Angjelina, Nga Tribuna e Drejtësisë Shqiptare: Këtheni nderën e marrun!

Nandor 2010. Melbourne, 1 Qershor 2022.

Please follow and like us: