Ilir Levonja: Protesta që nuk u kthye dot në 21 janarin e 2011-ës
Ne shqiptarët jemi të çuditshëm. E kemi shabllon jete pyetësorin. Kësisoj edhe mbremë vonë pas proteste. Këtej fiknin dritat. Këtej pyesnin, hë si thoni, ka më shumë njerëz sonte, apo në korrik? Megjithëse e kam bindje, që loja me dritat ishte një strategji e ulët provokimi për të ndezur fitilin. Pastaj ec e t’i dëgjoje patronazhistët, rilindo-komunistët, ja ”kriminieli”, ja si vret në mes të Tiranës, ja si vret për pushtet. Dhe kanë hedhur titujt, Po dhunë pse nuk pati? Pse nuk u dogj Kryeministria? Pse nuk e hoqën Ramën? Kështu do vinë në pushtet këta? E kemi etalon krahasimin në çdo fushë. Vdesim për konkluzionin sipëror. Nga ana tjetër vështron edhe ca tituj bajatë, protestë e përgjysmuar. Jo, jo ore jo, Nuk ishte e përgjysmuar, ishte dopio. Dhe vërtetë ashtu si duhej. Dhe dhëntë Zoti e bëjnë javë më javë e deri ditë më ditë në vijim. Nga ana tjetër protesta e djeshme rivulosi dhe atë se kujt i përketë PD-ja, mandateve apo demokratëve, deputetëve apo demokratëve? Kërkush ka të drejtë të mbushi sheshin. Kjo është një e vërtetë edhe për ata. Madje pa Ilir Metën. Pasi shumë prej tyre i shqetëson kjo aleancë. Megjithëse deri dje nuk i shqetësonte aspak kur në krahë të Bashës qëndronte gruaja e Ilir Metës. E gjitha kjo frymë vjen pas një indinjate sociale të shqiptarëve karshi Mbretërisë së Bashkuar. Ku duhet thënë se Rama dhe propaganda e tij ia arriti qëllimit. Shqiptarët dolën në protestë madje deri në Londër. Fajin e ka Anglia që nuk na pranon, që nuk na strehon gomonet me emigrantë, jo qeveria shqiptare. Dhe ta mendosh që brenda Shqipërisë ky kryeministër, bullizon shqiptarët si të pa aftë, jo të arsimuar, jo të profesionalizuar, ikin e punojnë tokat e Greqisë dhe lënë të tyret djerrë. Nga ana tjetër bullizon Anglinë pse nuk pranon gomonet me shqiptarë. Bullizon një shtetare të Mbretërisë që foli për një shqetësim real bash në Kuvendin e vendit të saj. Dhe ne, në vend që të skuqemi, pushtohemi nga ndjenja bajate të gjoja naciolizmit dhe shqiptarisë sa në një kor masiv denigrojmë Anglinë. Po e vërtetë është, kemi kapur tregun e bimëve narkotike, shtëpitë e barit, paratë e pista. Dhe duam apo nuk duam, kemi eklipsuar çdo vlerë sociale të shqiptarit punëtor e të ndërshëm. Dhe nderi nuk mbrohet me pordhët e Ramës, por me mëshirëmin kristian ku na japin punë, para dhe të drejta ligjore. Detaje të stërmunguara në vendin amë. Aq sa boshllëkun katastrofik të të drejtave dhe lirive të individit, duam ta mbulojmë me bullizmin ramist. Shkurt, nuk e kanë fajin vendet pritëse, aty ku jemi, jetojmë, punojmë, rrisim dhe edukojmë fëmijët, por ata që na përzunë dhe po na përzënë ditë më ditë. Janë po këta që të mbysin me faktin e dhunës së protestës së 21 janarit 2011, megjithëse vet e shkaktuan atë konfliktit social e shtetëror. Dhe sot po këta që pasi kanë shqyer telefonat, që kanë djersitur shtretërit, nga fakti që dështuan ta kthenin 12 nëntorin e 2022-it, në 21 janarin e 2011-ës. Pra, në një konflikt të vazhdueshëm social ku vetëm pushtetit i tyre të mos preket.