Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Neviana Shehi

 

AKREPAT E MALLIT

 

Tryeza ku u ulëm të dy atë ditë

nuk ishte tryezë,

por një fushë me akrepa të gjatë malli.

 

Ti flisje ndërsa unë vështroja akrepat

që veç meje

askush nuk i shihte.

 

Sa shpejt që lëviznin

dhe sa pa mëshirë

dhe unë që i lusja me sy

që ta ngadalësonin

vrapin e tyre metalik.

 

Kisha aq pak kohë

për të ndenjur me ty

aq pak

pothuajse aq sa i duhet vështrimit tim

për të depërtuar brenda fjalëve

të një njeriu që i adhuron frymën

emrin

dhe gjithçka tjetër që lidhet me të.

 

Bënte vapë rreth e rrotull

dhe ti djersiteshe pareshtur.

 

Ngaqë në lokal kishte pak klientë

unë përfitova nga rasti

të të vija dorën mbi ballë

dhe të ta freskoja disi

sa i nxehtë ai ballë

dhe sa i dashur për mua.

 

Përtej çdo ëndërrimi

dhe fantazie

dhe përtej guximit tim

për të të dashuruar

ti nuk erdhe me aeroplan

siç më kishe thënë

por mbi krahët e pelikanëve

të lagunës se kuqe

ku ne u pamë për së pari.

 

Sepse ti doje të më sillje më vete flladet

dhe këngët e mëngjesit

qe i kishe mbledhur ditë pas dite

enkas për mua

për t’u rikthyer edhe një herë aty.

 

Prandaj mos më thuaj që ke ardhur me avion

avionët e rëndë janë të zhurmshëm

dhe të bezdisshëm për ty

ndaj nuk i besoj më ato që më thua

edhe pse tund kokën si një somnambul

dhe aprovoj në heshtje fjalët e tua.

 

E rëndësishme është që të flasësh

të derdhësh brenda meje

pak materie nga vetvetja

dhe ta shtyjmë sa më shumë

çastin e ndarjes.

 

Tryeza ku u ulëm së bashku

që nga ky çast

s’mund të jetë më tryezë

por një zemër e madhe e përbashkët

me akrepa të gjatë padurimi

për t’u parë përsëri…

 

 

MENDIMI QË MBYLL DERËN E MËRZISË

 

(Gocës sime, Elenës)

 

Në ditën e lindjes tënde

gjithë bota u mbush me imazhe pëllumbash

dhe fytyrën e lumtur të një nëne që buzëqesh.

 

Dëshirat e mia për ty një lum

që vrapon drejt detit tënd të gëzimeve

atij si durohet sa të mbërrije gjer aty

dhe çasti i bashkimit me të kthehet në festë.

 

Mbrëmë e mbushe nënkresën e gjumit

me mendime të bardha

sepse e di që mëngjesi vjen herët.

 

Zëri

buzëqeshja

dhe ecja jote

janë banorët e ditës sime

ndërsa prania jote është zemra.

 

Sot je e lirë të vizatosh në fytyrë

edhe një tatuazh me lodra fëmijërie

si diçka për t’i ngjarë

një peme krishtlindjesh.

 

Njëqind here të kam thënë

se çastet e shkuar

janë si guralecë lumi

si ata që ti i vije në ballë

për t’u ndier e sigurt.

 

Një ditë të kishin rënë

nga vrima e xhepit të bluzës

dhe kishin humbur

ndoshta mund t’i kish marrë

lejleku i përrallës

kurse ti ngashëreje dhe pëshpëritje

mama

mama

për të t’i gjetur guralecët

dhe kthyer mbrapsht.

 

S’dija se ç’të të përgjigjesha

e ti mes lotësh prej fëmije

vazhdoje

mama

mama

Guralecët janë ëndrrat e një fëmije

në gjumin e parë

kush i humb ata

humb ëndrrat dhe lëkura

s’i mbushet më

me pluhur prej yjesh.

 

E mira ime

ti vazhdon të shohësh ëndrra

edhe sot që je rritur

kurse unë vazhdoj të t’i rikujtoj guralecët

edhe sot si atëherë.

 

Nuk e di ku mund të kenë shkuar

ata guralecë prej smeraldi

mund t’i ketë marrë lejleku

për të t’i kthyer në një kohë të ardhshme

mundet…

 

Di të të them vetëm që ti tashmë je kthyer

në mendimin tim më të bukur të jetës sime

mendim që ia mbyll derën përherë çdo mërzie…

 

BASHKIMI ME NATËN

 

 

Atij i kishte ngecur mbrëmja në fyt

kur hyri në shitoren e madh perëndimor

gjysmë i uritur dhe i sëmurë

gjysmë i gjallë

gjysmë pa jetë.

 

Tërë ditën e kish munduar uria

dhe ky ishte i vetmi rast për ta vrarë atë.

 

Kaq e madhe shitorja

dhe ai kaq i vogël brenda tij

me përjashtim të urisë së tij të madhe.

 

I lëkundeshin këmbët

edhe pse ai mundohej ta mbante veten.

 

Mori një bukë të madhe nga banaku

dhe u nis për ta paguar

me qindarkat e fundit

qe i kishin mbetur

në fundin e xhepit.

 

Ishin qindarka dhimbjeje dhe mëshire

Zot o Zot sa mijëra kilometra të përshkruara

për të ndjerë tingëllimin e tyre.

 

Qindarkat s’mjaftonin

ato ishin shumë pak

për të paguar faturën e urisë.

 

Ndjeu si syri i egër i shitëses

iu ngul në fytyrë sikur ta zhvishte

dhe atij befas ju kujtuan leopardët femra

të shkretëtirës se Kalaharit

kur vinin nën vete gazelat e gjora dhe të brishta

sy të pamëshirshëm dhe cinik

dhe ky krahasim e drodhi

dhe e bëri të lëkundej disi.

 

Nuk foli

nuk u lut

uli kokën

e la bukën e bardhë

nën rrezen e vështrimit të leopardes

dhe duke u lëkundur doli jashtë

për t’u bashkuar me natën.

 

Si një gazele e plagosur dhe e errët

qyteti skërmitej.

 

 

Please follow and like us: