Shaip Emërllahu: ALFABETI I STAMBOLLIT DHE KONGRESI I MANASTIRIT
Përvjetor: Kongresi i ABC-së, Manastir (14-22 nëntor 1908)
Një abece për të gjithë shqiptarët dhe si të dojë le të jetë. Kjo është thirrja e tërë shqiptarëve
( F.S.Noli)
Nevoja e një ABC-je ka lindur qëkurse filloi shkrimi i gjuhës sonë. Ajo erdhi e u ndje më së shumti gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, atëherë kur gjuhës dhe popullit shqiptar i kanosej rreziku i asimilimit, zhdukjes së kulturës e shfarosjes fizike nga Perandoria otomane dhe vargojtë tjerë fqinj. “Problemi i alfabetit, i gjuhës dhe i shkollës shqipe, ishte jo vetëm kultural, por edhe politik, sepse nëpërmjet zgjidhjes së tij populli shqiptar do të afirmonte kombësinë e vet dhe do të zgjonte e do të mbante më tej gjallë ndërgjegjien kombëtare dhe do të arrihej bashkimi kombëtar”. Kështu, Hasan Tahsini alfabetin kombëtar e quajti “arma e fuqishme e përparimit dhe diturisë” ndërsa, më 28 gusht1908, “Kombi” i Bostonit, në artikullin “Shkollat shqipe” do të shkruajë; “I pari shkëmb që duhet kapërcyer është i shkronjavet”.
Rilindja Kombëtare çështjen e alfabetit e trashëgon ende në fillim të rrugës. Shkrimtarët e vjetër të veriut; Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, si dhe arbëreshët e Italisë, vetëm bazës së tij latine e ndonjë grafeme i kishin rënë në gjurmë, ndërsa autorët bejtexhinj Nazim Berati, Hasan Z. Kamberi, Muhamet Çami etj., me bazë turko-arabe ishin larg zgjidhjes. Këta autorë në alfabetet e tyre kishin lënë vepra të shumta, të cilët nuk e loznin atë rol për të cilin ishin shkruar. Pra, komunikimi me lexuesin ishte i vështirë. Kështu, me të drejtë historianët e gjuhës letrare, njohësit e çështjes së alfabetit, pikëtakimin e lënë në përfundimin se, “Përdorimi i alfabeteve me baza të ndryshme i solli dëm të madh shkrimit të shqipes dhe zhvillimit më të suksesshëm të gjuhës letrare”.
Të vetëdijshëm për vështirësitë që u paraqesin krijuesve edhe lexuesve shqiptarë alfabetet e ndryshme, romantikët shqiptarë një kohë do të “kërkojnë malin” për të ardhur te zgjidhja e dëshirueshme vetëm në nëntorin e 1908-ës së Manastirit. Kushtet në të cilin jetonin shqiptarët diktonin një luftë të sakrificave të mëdha, të cilët deri në atë kohë nuk ishin ndeshë, pra ishte periudha që njihet si Rilindje Kombëtare Shqiptare.
Naum Veqilharxhi ishte pionieri, i cili përmes alfabetit dëshironte që popullin shqiptar me tërë atë kulturë të pasur e të lashtë ta ngren në një nivel më të lartë dhe qytetërimin evropian ta ulë në sofrat e tyre. Veqilharxhi alfabetin e “donte të jetë unik e të veçantë” dhe e shikonte si dritën, që do të ndriçojë e bashkojë popullin në luftë për arsim, kulturë dhe autonomi kombëtare. Jehona e alfabetit të tij do të vejë në lëvizje, do t’i nxitë mendjet më të ndritura të asaj kohe, që këtë çështje ta shikojnë si çelës, pa të cilin vështirë se arrihen qëllimet e larta të popullit.
Rrugën individuale të Veqilharxhit në gjurmimin e alfabetit shqip e ndoqën edhe Jubani, Kristoforidhi, Kullurioti, de Rada etj.
Zgjidhjen e alfabetit të shqipes K. Kristoforidhi e shikoi (krahas atij të parit që s’arriti ta shtijë në përdorim) duke na lënë edhe dy lloje tjera alfabetesh. Një me bazë greke për toskët, e tjetrin me bazë latine për gegët. Përcaktimi i tij, dy alfabete për dy dialektet, nuk na duket i qëndrueshëm nga se, ndihmon në thellimin e ndarjes në vend të bashkimit të popullit.
E gjithë puna e pamohueshme e hartuesve të alfabeteve që mbyllet në vitet 60-ta të shek. XIX ka qenë individuale, e cila nuk ka arritur që fryti i saj të gjejë përqafim më të gjerë. Por, roli i tyre ka rritur vetëdijen në një masë dhe ka pjekur kushtet, që një nismë kolektive rreth hartimit të alfabetit të vejë themelet, por njëherit, njëkohësisht edhe ekzistenca e shumë alfabeteve i nxirrte pengesa të mëdha përhapjes në masat të botimeve, të arsimit e kulturës shqiptare. Kjo laramani ngulte edhe më thellë thikat, që kishin vënë ndasitë fetare e krahinore në mes shqiptarëve. Këto variante, të cilat në të ardhmen më shumë janë rritur dhe janë bërë mollë e grindjes, që pengojnë bashkimin.
Sa shqiptarë që jemi / aqë palë shkronja kemi / si të duan le të themi / pa dy me një udhë s’vemi, / kjo gjë na ka lënë prapa.
Kur shikon fatin e gjithë alfabeteve individuale, të bie në sy jeta e shkurtër e atyre dhe mospërqafimi nga të gjithë krahinat shqiptare.
Puna kolektive (ekipore) rreth hartimit të alfabetit unik erdhi në shprehje vetëm në vitet 60-ta, si formë me disa predispozita më të qëndrueshme për të ardhur në përfundime më të drejta. Kështu, Stambolli, kryeqyteti i Perandorisë kishte mbledhur tok njerëzit më të ndritur të kohës si: K. Kristoforidhi, J. Vreto, H. Tahsini, P. Vasa, K. Hoxhi etj.
Aktiviteti i këtyre figurave ishte i gjërë. Disa nga këta si: Vreto, Vasa e Tahsini kishin hartuar alfabetet e tyre në baza të ndryshme dhe i përdornin në shkrimet e tyre.
Më, 12 tetor 1979, në Stamboll, në qendrën e reaksionit obskurantist osman mori formë zyrtare “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”. Mbledhja organizative e saj u bë në lagjen “Pera” të Stambollit, në shtëpinë ku banonte Abdyl Frashëri. Ndryshe, kjo Shoqëri u quajt edhe Shoqëria e Stambollit, e cila për kryetar kishte Sami Frashërin, nënkryetar Jani Vreton dhe arkëtar Pandeli Sotirin. Samiu në rolin e kryetarit si 29 vjeçar, flet për besimin dhe konsideratën që kishin patriotët për të, si “më i denji ndër të barabartët nga zjarri i patriotizmit dhe nga gjërësia e diturisë”.
Anëtarët në këtë mënyrë mbanin mbledhje të zjarrta për atdheun, ku rriheshin probleme të ndryshme që i mundonin e në mes të tjerave edhe çështjen e alfabetit. Po ajo ndjenjë përgjegjësie dhe po ajo frymë bashkëpunimi e vetëmohimi, që i bënë përfaqësuesit e krahinave të ndryshme të mblidheshin në Prizren e të bashkoheshin si një trup i vetëm përballë rrezikut të madh që i kërcënohej atdheut, i nxitën edhe patriotët shqiptarë në Stamboll të kapërcenin vështirësi e pengesa, që deri atëherë ishin dukur si të pakapërcyeshme, të hidhnin mënjanë pikëpamjet vetjake dhe të arrinin në një vendim të përbashkët për çështjen e alfabetit.
Komisionit të formuar për çështjen e alfabetit, në krye të të cilit ndodhej Samiu, i ishin ofruar për shqyrtim e miratim katër alfabete origjinale nga vetë anëtarët e komisionit; P. Vasa, J. Vreto, H. Tahsini dhe S. Frashëri. Mirëpo, duke qëndruar tek ta mbi të gjitha çështjet e atdheut, me një gjakftohtësi i shoshitën mendimet e argumentet për secilin alfabet, sado që nuk ishte lehtë dhe njëzëri u përcaktuan për Alfabetin e Samiut.
Ky alfabet, edhe pse ishte hartuar nga Samiu, konsiderohej me të drejtë si vepër kolektive, i miratuar nga komisioni përkatës.
Lidhur me autorsinë e tij një kohë mbretëroi një paqartësi. Mendohej se, autor i saj ishte Jani Vreto. Kështu, Kristoforidhi në letrën drejtuar N. Naços nga Elbasani, më 28 janar 1888, pasi shfaqet për alfabetin latin shpreh mospajtimin me alfabetin e Stambollit, të cilin e quan “Alfabeti i Vretos”. Visar Dodani në “Memoaret e mia” Konstancë, 1930, f. 20, shprehet për Vreton si autor të alfabetit të Stambollit. Edhe studiuesi i kohës sonë A. Uçi në veprën e tij “Jani Vretoja… “, shkruan “Si përfundim u aprovua alfabeti i përgatitur nga J. Vretua, që mbështetej kryesisht në alfabetin grek dhe latin”.
Për autorsinë e alfabetit, vetë Samiu në veprën monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” le të kuptohet se ai ishte autor përmes parimit të ndërtimit të alfabetit “një shkronjë e thjeshtë për çdo tingullfonemë”. “Janë njëzet vjet në kohë të Lidhjes së Prizrenit, u bënë shkronjat shqip të plota e të mbaruara me të pasur çdo shkronjë vetëm një zë dhe për çdo zë një shkronjë në vete”. Për Samiun si autor të alfabetit të Stambollit pajtohen shumica e studiuesve, si prof. M. Domi, A. Kostallari etj. Duke ndarë mendimin për Samiun si autor të alfabetit të Stambollit me prof. M. Domin, prof. F. Raka përforcon bindshëm me argumentet në katër pika:
1. Është vështirë të besohet se këta (P. Vasa, J. Vreto, J. Tahsini – nënv. Sh.E.) hoqën dorë nga projektet e tyre dhe iu përveshën punës për hartimin e një projekti të përbashkët…
2. Samiu kishte përgatitje shumë më të mirë shkencore… kishte edhe një përvojë të pasur nga puna që kishte bërë për alfabetin e gjuhës letrare turke dhe formimin e turqishtes letrare kombëtare.
3. Samiu i cili u aktivizua i fundit në përpjekjet për njësimin e alfabetit, u bë kryetar i grupit punues, edhe pse me moshë ishte më i riu.
4. Parimin fonetik që përshkon fund e krye alfabetin e Stambollit ishte kërkesë e Samiut.
Pjesa dërmuese e shkronjave është me bazë latine i ndërtuar mbi parimin “një tingull një grafemë”, ndërsa tingujt tjerë të veçantë të shqipes, 11 germa tjera ishin huazuar nga alfabetet greke sllave, respektivisht ishin filluar duke e ndërruar pak formën e germave latine. Alfabeti i Stambollit solli edhe disa përfundime origjinale të shkronjave si: c ç k q v x etj., të cilat edhe në alfabetin e sotëm flasin për zgjidhje në baza shkencore e të drejta.
E metë e këtij alfabeti është se ishte heterogjen, numri i madh i shkronjave grafike, në vend 26 kishte 36 grafema, kërkonte shtypshkronja të veçanta, gjë që për atë kohë çonte mjaft peshë. Të gjitha këto të meta nuk e pengonin, që Alfabeti të përhapet ndër shqiptarë të kolonive të ndryshme dhe ndër vet shqiptarët e Shqipërisë, por jo në atë masë sa do të kishte mundur, sikur të mos i kishte këto të meta (si ishte alfabeti i Manastirit). Me këtë alfabet pa kaluar as dy-tre muaj u shkrua “Alfabetarja e gjuhës shqipe” me një tirazh prej 20000 ekzemplarësh, që u shpërnda në të gjitha viset ku jetojnë e punojnë shqiptarët, si dhe me këtë alfabet” u botua pjesa më e madhe e letërsisë sonë laike dhe dadiktike-mësimore.
Jehona e tij së pari u materializua në Bukuresht e Misir e pastaj edhe në pjesën jugore e të mesme të Shqipërisë, ku alfabetet e Shkodrës nuk kishin ndikim. Samiu në fillim të vitit 1881, duke i shkruar, J.de Radës për Alfabetin e Stambollit i thoshte, se ai “sot është përhapur në gjithë Shqipërinë”. Ky alfabet për 30 vjet me radhë do të luajë një rol të madh në përhapjen e kulturës, arsimit dhe do të ndihmojë luftën për autonimi kombëtare. Kështu, hovi i zhvillimit në lëmin kulturoro-arsimor në atë kohë i bëri më aktuale edhe çështjen e krijimit të një alfabeti unik të gjuhës, pasi që Alfabeti i Stambollit sado që luajti një rol të rëndësishëm, nuk arriti të përhapet e të pranohet në të gjitha qarqet shqiptare si alfabet i gjuhës shqipe.
Me shpalljen e Hyrijetit u krijuan kushte për formimin e kubeve e hapjen e shkollave. Në këtë atmosferë “në kohët e fundit të korrikut të vitit 1908 themelohet nga patriotët shqiptarë klubi “Bashkimi” i Manastirit me 85 anëtarë, i cili për një vit e gjysmë jete do të luajë rol të rëndësishëm për arsimin, kulturën dhe luftën çlirimtare shqiptare.
Ky klub më 23 gusht morri iniciativën të thërras një Kongres, që si thotë ftesa e shpërndarë në shtator “t’i japim një mbarim kësaj së madheje nevoje për bashkim të gjithë shqiptarëve në një abe”.
Kongresi i hapi punimet më 14 nëntor 1908, dhe zgjati nëntë ditë. Këtë interval kohe e përforcon edhe Gj.Qiriazi, anëtar i komisionit të alfabetit dhe njëkohësisht edhe nënkryetar i Kongresit të Manastirit në një dokument origjinal me titull “Raporti i Kongresit shqiptar mbajtur në Manastir me 14 nëntor 1908, i cili më poshtë jepte mjaft të dhëna për punën e Kongresit e përfundimin e tij. Në kongres erdhën 50 delegat e me të drejtë vote ishin vetëm 32, që përfaqësonin 26 klube. Delegatët ishin nga të gjitha krahinat dhe u përkisnin rrymave të ndryshme shoqërore.
Delegatët për tri ditë rresht kishin bërë një punë të madhe duke rrafshuar deridiku terrenin dhe duke arritur disa marrëveshje për disa kundërthënie që u paraqitën. Emëruesi i përbashkët i komisionit për alfabetin ishte baza latine. “Meqenëse, bisedimet do të endeshin më shumë rreth të tri alfabeteve kryesore të Stambollit, të “Bashkimit” dhe të “Agimit” – delegatët menduan të zgjidhnin anëtarët nga mesi i tyre që përdornin njërin nga këto tre”, dhe u betuan se do të pranojnë alfabetin, të cilin do ta vendos komisioni.
Alfabeti i Sambollit me një jetë më të gjatë dhe në një shtrirje më të gjerë e nivel më shkencor, bëri ndikim të madh në Kongresin e Manastirit. Njëherit alfabeti i Stambollit e lehtësoi shumë punën e Kongresit të Manastirit, sepse kishte zgjedhur në mënyrë të drejtë çështjen e inventarit të fonemave të shqipes, me 7 zanore dhe 29 bashkëtingëllore. Ndërsa, parimi kryesor për një tingull një foneme, edhe pse mjaft u pat parasysh në fund plasi i fluskë sapuni për të gërvishtur në këtë kohë kompjuteri, mjaft alfabetin e sotshëm.
Për alfabetin e ri ishin dhënë propozime të ndryshme. Ata ishin të vetëdishëm, që të mos i lëndohet zemra dikujt, që përfaqësonin njërin apo tjetrin alfabet, të mos shkaktohet përçarja e të dështojë Kongresi, si dhe propozimet e tyre të shërbenin si ndihmesë për zgjidhjen e alfabetit të përbashkët njëherë e përgjithmonë.
H. Mosi delegat i shoqërisë “Gegënija” e Shkodrës kishte propozuar që të krijohet alfabet i ri me anë të bashkimit të tri alfabeteve të atëhershme të përdorura, të përmendura të Stambollit, të “Bashkimit” e të “Agimit”. L.Gurakuqi, duke mos dashtë që t’i lëndohet shpirti askujt” kishte propozuar që të krijohet një alfabet i ri”. Me këtë rast ai kishte dhënë edhe shpjegime etimologjike rreth tingujve GJ që ishte një ndryshim i të moçmes GL dhe G-J, NJ, që është N-J dhe Q që është K-J.
Ditën e tretë pasdite kryetari i komisionit i parashtroi mbledhjes këto pika:
a) Nëse duhet të adaptojmë njërin nga tri alfabetet kryesore të Stambollit, të “Bashkimit” ose të “Agimit”.
b) Nëse duhet t’i gërshetojmë tëtre?
c) Nëse duhet t’i lëmë mënjanë të tria dhe të adaptojmë një të ri fare.
Komisioni pasi i mori e i shoshiti që të tri pikat erdhi në përfundim, që të mos marrë asnjërin nga tri alfabetet, por të vejë për themel alfabetin latin dhe t’i jap cilësdo germë tingullin e duhur sipas nevojës së gjuhës. Kështu, ata formuan një alfabet të ri gjithëkombëtar. Mirëpo, shkronjat dh, gj, 11, nj, sh, th, xh, zh, i shkaktuan vështirësi komitetit. Vetëm germa dh i mori dy seanca të Kongresit dhe përsëri nuk u arrit ndonjë përfundim i kënaqshëm.
Për rezultatin e Komisionit të Alfabetit mësojmë nga vendimi i njohur i 20 nëntorit të vitit 1908, se “Pasi që u kënduan verbalet e ditëve të tjera e pasi që e pamë që puna që kishim bërë ishte mjaft e madhe, po jo edhe aq sa të na kënaqte të gjithëve e t’i shërbente si përforcimit të gjuhës, së të përhapunit të diturisë ndër ne, të shtyrë edhe nga disa shkake të përjashtime, u kthyem prapa e me pëlqim të gjithëve vendoset të mirret abeja-Stambollit e me të bashkë edhe një abe thjesht latine”. Mirëpoi, diku në një relacion të Gj.Qiriazit thotë se, “Brenda këtyre vjetëve, përpara se të mblidhen kongresi tjetër, do të kuptohet se cili (prej këtyre dy alfabeteve) do të përdoret më shumë dhe ky do të adaptohet si alfabet i vetëm kombëtar.
Kjo lë të kuptosh, se për alfabetin e sotëm në një masë të madhe në mos edhe kejtësisht vendosi edhe vetë populli shqiptar, i cili shpejt e përqafoi alfabetin e Manastirit dhe la pas atë të Stambollit, i cili nuk qe i përkryer. Si p.sh. të metat, pse ishte mjaft heterogjen (hibrid) me shkronja tjera si greke e sllave, krahas atyre latine që kishte në prehërin e vet. Por, jo vetëm kjo. Ishte i tejkaluar në shumë pika dhe shfrenimi i propagandës nga të të gjitha anët ndaj alfabetit të Stambollit shtyri që të bëhet reformë në alfabet. Pa marrë parasysh të metat, Alfabeti i Stambollit në dy deceniet e shekullit të kaluar luajti rolin e vet historik dhe ndihmoi shumë përparimin kulturor të popullit shqiptar në një periudhë të rëndësishme.
Cilat ishin epërsitë e Alfabetit të Manastirit, që u përqafuan e u bë Alfabeti gjithëkombëtar?
1. Alfabeti i Manastirit ishte homogjen, vetëm me shkronja latine.
2. Për nga sasia ka vetëm 27 shkronja-monograme në vend 36 shkronja sa kishte i Stambollit.
3. Mund të botoheshin libra, gazeta etj. në të gjithë metropolet e Evropës.
4. Ky alfabet erdhi në shprehje në momentin më të kërkuar, që iu dha shtytje lëvizjeve të 1911-12-ës për çlirim kombëtar.
Mirëpo, një e metë që do ta ndjekë edhe sot Alfabetin e Manastirit, është vënia në përdorim e digrameve, siç janë dh, gj, ll, rr, nj, sh, th, xh, zh, të cilat shkaktojnë huti në lexim e shkrim si psh. meshollë etj. Disa studjues lënien e dy alfabeteve nga Vendimi i Kongresit të Manastirit e marrin për të metë.
Sido që të jetë, neve na duket e arsyeshme një gjë e tillë, kur të shikohen rrethanat e asaj kohe, sepse në rend të parë ai ka qenë një veprim i matur taktik i pjesëmarrësve të Komitetit të Kongresit, për ta ruajtur unitetin kombëtar dhe për të penguar përçarjen e mëtejme të kombit. Largpamësia e anëtarëve të Komisionit dhe delegatëve të Kongresit të Manastirit, hiq diagramet, shihet në vepër sot në arritjet që ka kultura e arsimi shqiptar. Kongresi i Manastirit është ai që çeli rrugën e alfabetit të vetëm letrar dhe alfabeti i tij s’do mend në gjirin e vet “përmblidhte, disa nga cilësitë më të mira të alfabeteve të mëparshme”.
Alfabeti i Manastirit plotësoi ëndrrën e figurave të shumtë të historisë së popullit tonë nëpër shekuj. Ai forcoi bindjen dhe i dha të drejtë besimit e shpresës së Samiut për shkrimin e gjuhës shqipe. “Më parë gjithë thoshin që kjo punë s’bëhet, shqipja s’është gjuh’e lug’e prishurë, s’munt të ketë shkronjëtore, nonjë dituri s’munt të shkruhet’e të mësohetë në këtë gjuhë e kaqë të tjera fjalë të kota, për të bërë na të presim shpresënë e të mos përpiqemi për të shkruar gjuhën tonë.
Please follow and like us: