Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipërisë i duhen investimet e huaja, pa marrë parasysh se cila qeveri është në pushtet

 

Edmond Vlashaj

Çdo inisiativë që sjell investime të reja, që sjell dhe gjeneron të ardhura për komunitetin ku vendosen këto investime si dhe për vendin në përgjithësi, sidomos në këto kohë të vështira dhe në prag të një krize ekonomike  ndërkombëtare te theksuar, duhet vlerësuar pozitivisht.

Nëse ndokush, për shkak të pozicionimit politik, nuk arrin ta vlerësojë këtë, të paktën duhet të mos bëhet pengesë.

Për shkak të eksperiencës sime në ekspertizë për tërheqjen e investimeve të huaja kam këto dijeni që dua t’i bashkëndaj me ju:

  1. Asnjë investitor i madh nuk hyn me investimet e tij në një treg të ri, pra në një vend të huaj për të, pa marrë paraprakisht disa garanci dhe favore për investimin e vet.
  2. Ka me qindra raste, që janë edhe “cases studies” ku prona publike, me miliona e miliona m2 janë dhënë veç me 1 euro, me kushtin e zhvillimit të këtyre pronave nga sipërmarrësi.
  3. Porti aktual i Durrësit, as tani që po flasim. nuk arrin t’i përgjigjet potencialit të volumit tregtar me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bullgarinë, e jo më, të ketë mundësine e zhvillimit apo të zgjerimit në atë vend ku është për t’ju përgjigjur nevojave emergjente të zhvillimit të shpejtë që parashikohet me Projektin e përbashkët të Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për ndërtimin e Hekurudhës Shqipëri-Kosovë, dhe Portin e Durresit (Porto Romano) si Port të thellë, Port që t’i përgjigjet përpunimit të miliona e miliona kontenierëve çdo vit, në kooperim edhe me portin e thatë të Fushë Kosovës, apo Gjakovës.

Pra gjithsesi porti I vjetër do të transferohet në Porto Romano.

Megjithë respektin për kritiket e këtij projekti, dua t’i them çdokujt se tashmë jemi në vitin 2022. Nuk pijnë më ujë, “dokrrat e hinit”.

Nëse kërkohet ndryshim në politikë me të njëjtat qasje si në vitet ‘90, atëhere po njësoj, rezultatet kanë me qenë si ato të viteve ‘90.

Mos I bini “samarit”, por bjerini “gomarit”.

Qeveria dhe qeveritarët mund të kritikohen bollshëm aty ku me të vërtetë e meritojnë, bash aty ku e kanë mbushur kupën, ndoshta, dhe aty ku me të vërtetë ia vlen edhe politikisht në përllogaritjet tona opozitare, por jo aty ku I kanë pikat e tyre të forta.

Tërheqja e investimeve të huaja, projektet për nxitjen e punësimit, zhvillimi ekonomik, zhvillimi i pronave publike dhe hapja e perspektivave të zhvillimit rajonal dhe kombëtar janë pika të forta për çdo qeveri që I realizon këto.

Vini re: Shqipërisë i duhen investimet e huaja, pa marre parasysh se cila qeveri është në pushtet.

Shqipërisë gjithashtu i duhet një ofertë e re politike konservatore, parimore në qasjet social-politike po aq edhe pragmatiste në qasjet e zhvillimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike të vendit.

 

Edmond Vlashaj

Kryetar I Partisë “Lëvizja Shqipëria e Re”.

Please follow and like us: