“Drenusha që humbi rrugën”, fabula nga Vangjush Saro
“Drenusha që humbi rrugën” – titulli nënkupton shumë dhe gjerë – është libri i ri me fabula i shkrimtarit të mirënjohur Vangjush Saro publikuar nga Erik Botime; njëherësh, një ndër prurjet e tij për Panairin e Librit në Tiranë. Krahas prozës satirike, skenarëve dhe publicistikës, fabula mbetet një nga zhanret më të preferuara të këtij autori. Ndër disa botime në këtë gjini, dy prej tyre janë në anglisht e frëngjisht: “Dear Fox!” dhe “L’Âne et le Chevreuil”.
Krijimtaria e shkrimtarit Vangjush Saro përgjithësisht ka gjetur gjithnjë tregun dhe mendimin letrar. Ndër vlerësuesit e shumtë të fabulave të tij, po shkëpusim një fragment nga shënimi i Dr. Fatmir Terziut, shkrimtar dhe kritik letrar: “Falë simbolikës bindëse, rrëfimit tërheqës, autori qaset natyrshëm te lexuesit e çdo moshe. Dhe kjo është një e vërtetë rreth së cilës nuk mungojnë asnjëherë argumentet… Saro e meriton këndin e tij të lartë në mjedisin e fabulës së sotme shqiptare”.
Mendimi letrar për fabulat e Vangjush Saros
Fatmir Terziu – Shkrimtar, kritik letrar, kineast: Saro e meriton këndin e tij të lartë në mjedisin e fabulës së sotme shqiptare. Krijimi I tij është si një artefakt I vendosur në Muzeun e Madh të Fabulës dhe menjëherë bien ë sy si një shkëlqim; jo sipërfaqësor, por si një dritë që vjen nga zemra e saj.
Vangjush Ziko – Poet, përkthyes, studjues: Sipas gjykimit tim, kemi një novacion kompozicional dhe ligjërimor. Një stil origjinal fabulesk.
Xhahid Bushati – Poet, studjues: Shenja të reja në krijimet fabulore. I gjejmë ato në konceptim, në këndvështrim dhe ndërtim. Kjo lidhet me aktin poetik individual të tij.
Shpresa Kapisyzi – Poete: Krahas të qeshurës me zemër a buzëqeshjes, na kanë bërë të menduar…
Thani Nqo – shkrimtar: Ai është një fabulist me profil të plotë artistik.
Ligor Pifti – Përkthyes: Metrika e realizuar me kujdes, bën të mundur leximin e rrjedhshëm, spontan, të ndihmon të shijosh ritmin dhe ta memorizosh lehtë situatën artistike.
Pandeli Koçi – Shkrimtar, kritik letrar: Personazhet ndajnë konflikte dhe moskuptime që natyrshëm e shtyjnë lexuesin të shkojë përtej vargjeve dhe subjekteve.
Fatmir Gjestila – Shkrimtar: Fabula e Vangjush Saros lexohet me ëndje. Ajo zë e të merr me rrjedhën e saj të qetë, pak e nga pak, duke të ngjallur, varg pas vargu, kërshërinë për përmbylljen e saj. Përgjithësisht, kur aty e në atë hop, pret të finalizohet gjithë rrjedha e rrëfimit, thuajse gjithçka lihet “në dorën e lexuesit”…
Edmond Tupja – Poet, përkthyes: Janë fabula të mirëfillta, me aktualitet të përhershëm dhe moral të shprehur pa rënë në moralizim. Stili i përkorë, pra elegant, shqipe e kulluar. (I lexova edhe me zë të lartë dhe vura re se tingëllonin bukur.)
Flamur Shabani – Mësues, publicist: Një nga arsyet pse mundësohet ky komunikim me lexuesit, është aftësia për të folur me gjuhën e kohës, për të përcjellë mesazhe aktuale.
Daniela Hasa – Pedagoge e gjuhës angleze: Në shumicën e fabulave të tij, autori bashkon rrëfimin plot humor me elementet lirike. Shpesh ai ‘vizaton’ peizazhe, ku vendos ngjarjet dhe personazhet.
*Nga shënime kritike letrare publikuar në gazetat dhe revistat “Dita”, “Nacional”, “Telegraf”, “Fjala e lirë”, etj. si dhe në rrjete.