Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: DHE QYTETËRIME TË TJERA

Si një shkollë  e mbyllur, koka ime qëndron buzë rruge,

e qullur dhe e zbrazët pa besnikëri, pa tradhëti

dhe pa liri brenda…

Kanë dashur ta mbyllin kokën,

i kanë venë gardhin e teshave, i kanë blerë dhe gjuhën

si zilen e vjetër,

violina atje brenda saj po flet, po flet imitimi i zemrës,

i mëlçisë së zezë,

e urtë ka mbetur koka, si forma e një klaviri.

Ku po qëndrojmë mes rruge, në ç’kohë  po vijmë,

o kokë e mirë,

pa besnikëri, pa tradhëti dhe pa liri brenda,

të mbetura, si dele të tepërta mes shiut.

Dritat e makinave fillojnë të ndizen një nga një ,

për të ndjellë vetëtimat.

Antologji e poezisë shqipe të shekullit XX “ZEMRA E QIELLIT”, 2015.

Please follow and like us: