Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: Mirashi-poet i “britmës” pa kufi

 

-Rreth vëllimit “Britmat e muzgut Modern” të poetit Marash Mirashi-

 

Poetët përherë janë avangardë e mendimit. Ata depërtojnë në “të padukshmen” e jetës dhe në pak radhë, me lakoni dhe figuracion e “penela” fjalësh, duan të përcjellin një mesazh me “radioaktivitet” të plotë. Ata hedhin “bombën” dhe vështrojnë me dhimbje pa mundur të ofrojnë zgjidhje, modele apo shpëtim. E vetmja “kartmonedhë” e shpirtit poetik mbetet Fjala, ajo fjalë e latuar brenda botës medituese, e përkëdhelur në netë pa gjumë që hidhet në treg pa një “koeficient konvertimi”: Fjala mbetet fjalë! Nuk ka ende diçka tjetër konvertuese, veç fuqisë së poezisë për të “bërtitur” bukur, dhimbshëm dhe po aq me dashuri!- Kjo do ishte “kryefjala” ime për vëllimin poetik të lezhjanit  Marash Mirashi “Britmat e muzgut modern”.

Poeti ma dhuroi kur isha vjet në Tiranë duke përuruar romanin tim të parë “Saga Përtej Atlantikut”. Bashkë me librat e tjerë i palosa në valizhen e udhëtimit, dhe kur erdha në Amerikë, i shfletoja. Shpesh ky libër do mbetej  mbi tavolinë, pranë kompjuterit si një “gur kilometrik” për të më kujtuar se “diçka duhet thënë”. Po çfarë mund të them për një poet që e njoh  qysh në “lehoninë” e vet poetike? Ai ishte një student i ndrojtur, që  do të përfundonte në Fakultetin e Agronomisë të Institutit të Lartë Bujqësor në vitet 80-të. Kishte më shumë merak “të premten e gazetës” kur shpresonte të botohej peozia e tij, se sa orët e leksionit. Në fakt Marash Mirashi mbeti “studenti më i botuar” i asaj kohe, edhe pse nuk ishte kurrë “student i shkëlqyer”. Ai e shihte “shkëlqimin e vet” vetëm tek poezia, te ajo poezi që ai i ishte përkushtuar tërësisht, te ajo peozi për të bukurën, dashurinë, brengën dhe dëshirën e “asaj kohe”. Ashtu, me “madhështinë” poetike që e ruante nga brenda, Marash Mirashi, nuk të lutej, nuk të servilsohej, nuk të thoshte: ”Shef, let të pimë një kafe” por thjesht: “Ma lexo këtë poezi”! Dhe nuk t’i hiqte sytë e mëdhenj me atë vështrim depërtues derisa të bëhej ajo që deshte “Maloku nga Lezha”. Ai ishte tmerrësisht i dashuruar pas poezisë,  e cila për të ishte dhe mbetej “diploma” e vetme. Vetëm atë deshte POEZINË, të tjerat, leksionet, kolokuiumet, provimet, detyrat si student i dukeshin një “bezdi” dhe “torturë”, por gjithsesi ai u diplomua agranom.Me siguri Mirashi ende mban në xhep “poezinë për dashurinë e tij” ku 40 vjet më parë shkruante: …Është një vajzë që më pret diku/Me  mundësinë e nënës së fëmijve të mi,/Është një vajzë që më do/Një vajzë që se di/Është një vajzë diku/ Është një vajzë s’di ku…Këto vargje meritojnë të kujtohen në këtë vjeshtë 2022, kur Marash Mirashi  pritet të bëhet krushk…

Këto kujtoj ndërsa shfletoj librin më të fundit të Marash Mirashit. E kam lexuar qetësisht. Pastaj e kam rilexuar. Herë pas here kam marrë me vete disa vargje  duke i përtypur si duhanpirësit duhanin   e grirë, dhe mbi timon kam nisur ditën e punës. Autori me shpirt të dridhur shkruan qysh në faqe te para: Këndoj trishtimin e qiparisave në muzg/Dallandysheve që u kthyen prej  vendeve të largëta/E nuk e  gjetën folëne poshtë pullazeve/Që u shembën për të ngritur kulla oligarkësh/ Portretet e gjyshërve u bënë grumbuj qerpiçi…

Të vjen në  përfytyrim portreti i gjyshit apo babait varur diku në shtëpinë që ke lënë, dhe  loti i poetit bëhet “shoku” jot ngushëllues. Larg i trishtuar, poeti  ndihet fajtor për dhimbjen që përcjell përmes së vërtetës peotike, por nuk mund të heshtë dhe vijon… I këndoj pyjeve që i shkretoi zjarri i verës së shkuar/Sorkadheve që ikën përlotur lëndinave të vajzërisë…Sa shumë tym në këtë vend të kaltër…

Fillon kështu ky vëllim poetik, dhe poeti të rrëmben me magjinë e fjalës dhe mendimit “të karikuar” me figura, metafora dhe befasi abstraksioniste. E di se lexuesi do të trishtohet, por poeti nuk hesht. I rrëfen të gjitha aty, dhe këtej, poshtë e lartë sikur hallet e Globit i ka futur në “trastën” poetike për t’i ndarë me lexuesin, po aq të ndjeshëm sa edhe vetë poeti.

Në 56 poezitë e veta, ndarë në 5 grupime tematike, redaktuar mjeshtërisht nga bashkëpogradecari im Dhimitër Pojanaku, “don zhuani” i poezisë shqipe, Marash Mirashi, me këtë botim bën “historinë e vet peotike”. Ai  vjen si “Migjeni shekullit”, ëndërron famën e  Poradeci, nuk ngjan kund me Agollin apo Kadarenë dhe çdo varg ka  “vulën MM”.  Duket se ka depërtuar peotikisht në “pakufijtë” e lirisë që ëndërruam dhe shijojmë, me bukurinë dhe dhimbjet, me zhgënjimet dhe çmenduritë”, me  “të pafatët” dhe “të pangopurit” e plot fabula të tjera peotike. Kur lexon poezinë “Në oborrin e fëmijve të varfër” drithërohesh dhe mbetesh “rob i dhimbjes se padrejtë” ku të zhyt poeti: Në oborr mbërritën njerëz me eskortë/Makina të shtrenjta, kamera, flokë në llak/Qese me oriz, miell makarona/ dhe kutërbimi i parfumit nga pas/  Lexuesi pakuptuar bëhet pjesë e dramo-komedisë dhe ndjek vargjet e autorit tërë emocion: Kamerat ikën dhe bashke me ta/ Shefat me makinat e shtrenjt renxher…Por fëmijve, gjithnjë, poshtërimi i prindërve/ Do u mbjetet si makth, si ëndërr…

Kjo është një nga peozitë e shumta, që trajton drithshëm realitetin e jetës në “lirinë pa përgjegjësi”. Të kujton prozën e Hygoit, revoltën e Migjenit, dëshpërimin e Xhek Londonit e sa e sa shumë të tjerë. Botimi në fjalë është një “pikturë” me të gjitha ngjyrat e mundshme të realitetit dëshpërues njerëzor. Poeti edhe pse përherë ka referencë Shqipërinë ku ka jetuar dhe jeton, tematikë e tij është një “internacionalizëm poetik” ku flitet për çdo aspekt të jetës. Natyrisht në epiqendër mbetet realiteti “post shtet” në Shqipërinë tonë. E them  “post-shtet” dhe jo thjesht “post diktaturë” sepse  ndjeshmëria poetike, sikur nuk do tja dijë për “korrektësine politike”, por me një pikvështrim kritik të tipit Londonian, ai me “bisturi”  poetike hap plagët si për të bërë “qelbin të rrjedhë” dhe “njeriu të jetojë”. Poeti nuk kursen asgjë. Rrëfen zhgënjimet dhe me fjalën e vet “shqyen” tullumbacet premtuese të  politikanëve që  veçmas në Shqipërinë tonë janë bërë “Monstra mashtruese”. Tematika e Mirashit, është një larmi pa fund. Ai di të të “çojë në qiell” dhe të të “lëshojë në tokë” me një gjeografi figurative poetike të jashtëzakonshme. Dhe çdo poezi të mbetet në mendje, veçmas mua, si “i dashuruar” pas vargut në Marash Mirashit  qysh 4 dekada të shkuara… Ai me këtë libër dëshmon se është një  poet “gati për kurorën” e Fjalës Poetike Shqipe: I qartë, tërë ngjyra emocionale, filozofik dhe po aq qortues  dhe “rebel” i rimës rapsodike, poeti shpesh të duket një “Gavrosh” i poezisë shqipe që nuk hesht, por “bërtet” në muzgun e kohës që jetojmë… Ka aq shumë poezi të “pjekura” me pagjumësinë e poetit  si “Makinisti i qyteti pa tren”, “Moratorium”, “Ullinjtë e Kamomonisë”, “Tanku taksi”, “Nusja e re në autobuzin e ferrit”… Si? Përmenda disa poezi? Kjo nuk është e drejtë. Në librin “Britmat e muzgut moderrn” është e vështire të veçosh një apo dy poezi, sepse ato të gjitha kanë një “qëndisje” me njëra tjetrën dhe çdo peozie e “veçuar” duket si një “tullë” e hequr nga “Ndërtesa Poetike” e Marash Mirashit. Ato të gjitha janë ngjizur në një të tërë dhe nuk mund t’i ndash, sepse janë një “ind poetik” me ADN: Marash Mirashi.

Unë nuk jam kritik letrar. Nuk  shkruaj poezi “për të tjerë”, si poeti në fjalë, edhe pse poezinë shpesh e kam “protofol më vete”, por ajo që më ka bërë njeri ka qënë dashamirësia ndaj  “Botës poetike”. Marash Mirashi ka fepsur tek unë me shpirt poeti  4 dekada më parë dhe unë,ani pse ai herë pas herë më ka harruar, unë kurrë. Në shtëpinë time në Amerikë, para se të vinin librat me poezi të Marash Mirashit, unë kam “poezitë e tij” të koleksionuara në numurat e gazetës “Studenti i Bujqësisë” që tashmë “fqinjërojnë” me botimet e kompletuara të autorit. Thjesht ndihem mirë që ata që kam  mbështetur dikur, kurrë nuk “humbën” në hiçnajë, por janë një zë, janë dikush, janë “Ata që duan të jenë”. E kjo më gëzon, kjo më sjell “copa shqipërie” në  bibliotekën time  në Minnesota, në shtetin ku nis rrejdhën e vet lumi Mississippi, pranë të cilit diku në jug, luante në “Guvat e tij” edhe shkrimtari i madh amerikan Mark Tuen. Nuk di pse solla këtë “lidhje palidhje”, por ja që bota bëhet “gogël” kur “lundrojmë” në librat e miqve tanë.

Urime Marash Mirashi dhe po aq përgëzime edhe redaktorit nga Pogradeci im, Dhimitër Pojanaku. Sepse redaktorët janë “filtri” që i duhet çdo krijuesi për ta shpëtuar nga “çmenduritë” e krijimtarisë. Të shkruarit shpesh është dhe mbetet “Një botë tjetër”. Vëllimi “Britmat e muzgut Modern” mbetet “dëshmitar” që nuk ka nevojë të shfaqet në salla gjyqesh, ku “pretencën” e jep politika. Libri mbetet dëshmi që e dëshmojmë.

Minneapolis, 17 Nëntor 2022.

 

Please follow and like us: