Xhoi Jakaj: Shënime nga Panairi i Librit
Rikujtesë në kohëra kur libri nuk është më mik dhe aq i mirë, sepse e zëvëndësuan atë me shumë elemetë të tjerë, shpesh të pavlera madje…
Panairi 21 i librit!
A ka “gjeni” në botë që lindin të tillë dhe truri tyre funksionon pa librin, studimet dhe të ushtruarit e të lexuarit?!
Deri në 98% e veprimtarisë së trurit ndodh shpesh here në mënyrë të pavetëdijshme.
Disa gjëra që duket sikur nuk i dimë, në të vërtetë “flenë” në mendjen tonë, por që veprimtaria e trurit të jetë në funksion të njeriut ai duhet mësuar me ushtrime ashtu sikurse dhe trupi ynë, edhe ushtrimet e trurit janë librat e të lexuarit.
Gjenitë lindin një në një mijë, kurse një mijë mendje të tjera njerëzore pasi lindin zhvillohen nëpërmes të lexuarit.
Të harxhosh kohë duke iu përkushtuar leximit është një aktivitet për të cilin do falënderosh veten më vonë.
Kurrë mos u justifikoni me elementin kohë për të mos i dedikuar ca minuta ose orë të lexuarit.
Dhe sikur të reduktosh një konsum të njërës kafe që pi gjatë përditshmërisë tënde për të lexuar, e sigurove leximin pa shumë mundime as shpenzim të kohës tënde produktive për punë.
Përfitimet që grumbullohen janë të panumërta dhe ky shkrim shërben si një kujtesë në gjitha aspektet pozitive të cilat vlejnë dhe si një thirrjeje për të marrë sa më shpejt e mundësisht librin që ke lënë përgjysmë prej kohësh ose nuk e ke nisur akoma?!
Dijet asnjëherë nuk janë të tepërta.
Funksioni i parë i librave është ai informues. Secili duhet të zgjedhë mes larmisë së titujve, atë që i duket më i përshtatshëm dhe që i shërben në formimin e tij akademik apo atë që përmbush kuriozitetet e tij dhe i sjell në mendje të shkuarën, adoleshencën, rininë apo mbase dhe projekton të ardhmen.
Libri është një oqean dijesh, prej të cilit nuk mbytesh por rifreskohesh!
Libri të mëson stilin tënd të të folurit dhe të përditshmërisë, fiton një lloj sigurie që ta jep gjithnjë të lexuarit!
Libri është dije e pafundme që të jep dhe liri individuale.
Një fjalor i pasur dhe një artikulim i rrjedhshëm të bëjnë të ndjehesh krenar me veten gjithnjë.
A je gjendur në një situatë të vështirë, ku problemi më i madh është të artikuluarit? Jam e bindur që përgjigja e të gjithëve ne është “Shumë herë”.
Situatat e sikletshme, intervistat e punës, prezantimet përpara një grupi të madh njerëzish, e shumë raste të ngjashme bllokojnë funksionin normal mendor dhe të folurit dhe kjo prej stresit dhe ankthit që krijohet, por leximi ndryshon gjithçka.
Asnjë situatë nuk e gjen të papërgatitur dikë që i ka dedikuar shumë kohë leximit. Pasurimi i fjalorit të përditshëm, eliminimi i çdo huazimi, i cili aq sa e zgjeron edhe e vret gjuhën shqipe, por mbi të gjitha zhdërvjelltësia që të fal leximi, të bën që në çdo situatë të dalësh faqebardhë.
Aftësitë e mira shprehëse gjithmonë ndërtohen prej leximit, leximi freskon trurin dhe qelizat e kujtesës!
Shkencëtarët, biologët dhe gjeneticienët kanë vërtetuar se informacioni i marrë nëpërmjet leximit është 5 herë më i rrënjosur në memorien tuaj dhe më i përdorshëm prej jush, sesa informacioni i marrë nga mediat audiovizive apo telefoni në mënyrë të shpejtë.
Nëse dëshironi që kujtesa juaj të jetë e pagabueshme, kushtoni leximit minimalisht një orë në ditë.
Leximi ul nivelin e stresit dhe rrit përqendrimin, stresi duket se është fjala më e përdorur në përditshmërinë tonë.
Në punë e familje hasemi me të, në shkollë shtohet shpesh fjala jam në stres, në rrugë, rradha, trafik, autobus, kudo ka stres këto vite…
Kundër të gjithë këtyre faktorëve të jashtëm, të cilët ndikojnë negativisht në shëndetin tonë, koha kur zhytemi në lexim, na ndihmon të kalisim durimin dhe të forcojmë përqendrimin.
Leximi të argëton dhe përmirëson humorin. Një libër i mirë mund të largojë çdo pakënaqësi të ditës dhe mes miliona titujve me siguri do gjeni veten diku, shpesh duke lexuar një libër ne gjejmë veten duke buzëqeshur dhe doza e humorit tonë është shtuar për shkak të aktivitetit të trurit dhe adrenalinës së rritur nëpërmes kënaqësisë që të jep leximi…
Në përfundim të këtij shkrimi do ishte lumturi për mua nëse disa prej jush janë frymëzuar dhe fillojnë të investojnë kohën e tyre cilësore për shëndetin e tyre mendor dhe emocional. Libri është Kulturë, Emocion, Dije.
Please follow and like us: