Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

NË QAFË TË LULEDIELLIT
Kur zemërohet qielli
Hip në qafë të lulediellit
Ia përkedhel faqet
I them
S’të ka hije
Të jesh kështu
Me shaminë e reve
Ia fshij lotin
Vjen dielli me kalë rrezesh
E gudulis me mua
Buzëqeshjen
Ia pikturojnë lulet
Nëpër fletoret e barit.
NË FLETOREN E ARIES
Në fletoren
e detyrave
të Aries
çdo ditë
mësuesja
zbret nga një yll
me gjerdanin e urimit
të lumtë
Aria gëzohet
lulet i çelin në fustan
Kur ikin dritat
pahiri
yjet
ndezin fenerët në dhomë.
NË KOPSHTIN E ZANOREVE
Erdhi shiu
Në kopshtin e zanoreve
U fali melodinë
E kitarës së vet
Tash kënga
Bleron ylbershëm.
SHTATË
Me shtatë plumba
më qëlluan
e nuk rashë
erdha
të m’i lidhni plagët
e t’ju tregoj
sa bukur është
vdiset
për dritën e Atdheut.
SYTË E FËMIJËVE
Si mrekullia e ëndërruar
në shtrat të hënës,
si vetë dashuria me flatra
sytë e fëmijëve.
Shkrijnë hidhërimin në çast,
gufojnë blerimin në qerpikë,
sytë e fëmijëve.
Puthje që hapin petale gëzimi
e ditën e bëjnë të qeshur,
sytë e fëmijëve.
Janë zogj dëshirash
krahëve të lulëzuar të nënës
me kitarat e verës,
sytë e fëmijëve.
Please follow and like us: