Albspirit

Media/News/Publishing

Nxënësit shqiptarë në jurinë e Akademisë Evropiane të Filmit “Audience Award”(YAA) 2022

Akademia Evropiane e Filmit ka publikuar tre filma evropianë të nominuar për Young Audience Award (YAA) 2022. Tre filma, ndër të cilët  dy filma artistikë dhe një dokumentar  janë përzgjedhur nga ekspertë të filmit dhe adoleshentë nga e gjithë Evropa në një procedurë çmimi me dy faza që do të jenë në konkurrim për Young Audience Award 2022. Sara Gurbadhi, Koordinatore e Zyrës së Filmit pranë Agjencisë së Industrisë Kreative na tregon për këtë pjesmarrje të nxënësve shqiptarë në këtë event të rëndësishëm kulturor të fimit europian.

“Fëmijët e kanë pritur ftesën shumë mirë kanë aplikuar edhe online përpos atyre që i kemi zgjedhur nga shkollat. Ata kanë qenë entuziastë, dashamirës të artit, të talentuar dhe që kanë parë fillma e tashmë do të jenë pjesë e diçkaje shumë më të madhe si “Young audince award”, që është pjesë e klubit Europian të filmit. Ky kompeticion do t’iu mundësojë fëmijëve pjesmarrës për këtë edicion, akses për një vit për të parë filma të një cilësie shumë të lartë dhe gjjthashtu do të kenë mundësi që kohë pas kohe t’i disktuojnë këta filma me bashkëmoshatarë të tyre europianë. Do të kenë dhe mbledhje online dhe çdo fëmijë pas aktivitetit do të marrë informacione sesi të jetë pjesë e akademisë së filmit” u shpreh Gurbardhi.

Me çmime nderohen filmat evropianë për një audiencë nga 12 deri në 14 vjeç dhe ka qenë një kategori zyrtare që nga viti 2012. Çfarë është unike në lidhje me të: Fituesit po zgjidhen nga juritë e të rinjve nga 42 vende evropiane.Lidhur me këtë koordinatorja Gurbardhi thekson:

“Young Audience Award” është një iniciativë e ndërmarrë nga EFA, European Film Academy, siç njihet ndryshe “Oscari europian” prej vitit 2010.  Për herë të parë vjen në Shqipëri ky organizim, që e sjell Agjencia e Industrisë Kreative. Mbi 30 fëmijë nga 12-14 vjeç të përzgjedhur nga shkollat më të mira të Tiranës do jenë pjesë e një jurie që konsiston me 42 vende të tjera të Europës me bashkëmoshatarë të fëmijëve shqiptarë, të cilët do të jenë pjesë e jurisë për të përzgjedhur tre filma nga EFA.”, shton ajo.

YAA është gjithashtu pjesë e “European Film Club”, një platformë dhe rrjet filmash në të gjithë kontinentin për të rinjtë që të bashkohen për të parë dhe diskutuar filmat evropianë. Duke përfshirë në mënyrë aktive shikuesit e rinj për të marrë përgjegjësinë, për të vepruar si juri dhe për të votuar për filmin e tyre të preferuar, YAA u ofron atyre mundësinë për të zbuluar filma evropianë me cilësi të lartë. YAA është një mundësi unike për të ndërtuar ura midis kulturave dhe për të rritur ndërgjegjësimin për çështje të rëndësishme sociale.

“ Pjesmarrja e Shqipërisë është e rëndësishme, pasi fëmijët nuk do të trajtohen thjesht si audiencë, por do të jenë pjesë e diçkaje më të madhe dhe shumë më të rëndësishme, siç është juria e filmit. Pasi të bëhet votimi do të numërohen të gjitha votat për t’iu bashkuar atyre të fëmijëve nga 42 vende të Europës, do të numërohen dhe filmat që kanë më shumë vota do të kalojë për çmimin e madh në European Film Academy. Ne kishim vendosur një numër të limituar, por kur pamë entuziazmin e fëmijëve vendosëm të kishim 40 fëmijë nga Shqipëria për të qenë pjesë e këtij aktiviteti të madh”, shprehet Sara Gurbardhi.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në Gjermani dhe do të transmetohet gjithashtu në faqen e internetit të YAA. Në të njëjtën ditë, CICAE do të organizojë Ditën Evropiane të Kinemasë Arthouse. Së bashku, të dyja ngjarjet do të nisin “Muajin e Filmit Europian”, duke qenë i pari nga shumë ngjarje që festojnë kinemanë evropiane.

Please follow and like us: