Organizatat ndërkombëtare: Mediat në Shqipëri nën dhunën qeveritare dhe të pronarëve
Ndonëse kanë pasur një takim të gjatë, të premten paradite, me kryeministrin Rama, përfaqësuesit e 7 organizatave më të njohura ndërkombëtare për lirinë e mediave nuk janë bindur nga justifikimet e shefit të qeverisë. Ato kanë arritur në përfundimin që gjendja në Shqipëri është në përkeqësim, gjë që e kanë bërë të qartë gjatë konkuzioneve që kanë shpallur gjatë një konference shtypi në Tiranë.
“Klima për raportim të lirë dhe të pavarur është duke u përkeqësuar në Shqipëri, për shkak të ndërhyrjeve të pronarëve dhe të qeverisë”, deklaroi në Tiranë delegacioni i 7 organizatave partnere të platformës së Këshillit të Europës për sigurinë e gazetarëve, në fund të misionit të tyre faktmbledhës.
Sipas tyre, ky përkeqësim ka ardhur si pasojë e rolit të pronarëve të ushqyer me punë publike dhe tendera të cilët ushtrojnë presion mbi gazetarët. “…ndërhyrja e drejtpërdrejtë e pronarëve të mediave në pavarësinë editoriale është e lartë dhe disa çështje apo tema të ndjeshme konsiderohen të palejueshme për gazetarët. Këto praktika pronësie kanë minuar prej kohësh besimin e publikut në integritetin e medias dhe çojnë në autocensurë kronike brenda komunitetit gazetaresk dhe mungesë të raportimit investigativ cilësor” thuhet në komunikatë ku shtohet: “Këta pronarë mediash, shumë prej të cilëve kanë pronësi edhe industri kyçe të rregulluara nga shteti që mbështeten në tendera publikë, përdorin sistematikisht asetet e tyre mediatike për t’i shërbyer axhendave të tyre private ose politike në vend të interesit publik”.
Përpos Ramës, i cili fshikullohej për sjelljen ndaj gazetarëve dhe çuarjen për “riedukim” të atyre që i bëjnë pyetje të vështira, i vetmi që është etiketuar si problem është edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Sipas 7 organizatave “përmbajtja e lajmeve tepër te kuruara per Erion Veliajn dominon ekranet televizive, formëson mbulimin e lajmeve dhe anashkalon shqyrtimin gazetaresk” .
Gjatë konferencës për shtyp, Rikardo Gutieres, sekretar i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve tha: “Qeveria e Shqipërisë duhet të përmbushë rekomandimet e Bashkimit Europian dhe të Këshillit të Europës për sigurinë e gazetarëve si dhe për mbrojtjen e gazetarisë. Ne ishim këtu 3 vjet më parë dhe konstatuam nivelin e ulët të lirisë së medias. Tani shohim se gjendja nuk është përmirësuar dhe madje jemi të shqetësuar se tashmë nuk kemi të bëjmë me kapjen e medias, por konstatojmë kapjen e gazetarisë, për t’u shërbyer interesave të ngushta private, por në demokraci media nevojitet për të mbrojtur interesat e publikut”. Ndërsa Flutura Kusari, përfaqësuese e Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias tha: “diskretitimi i gazetarëve përmes një koncepti të ri të “riedukimit” nuk ka ndihmuar në përmirësimin e situatës aktuale”.