Albspirit

Media/News/Publishing

Pashk Përvathi: Treni i orës 06:00 ndryshoi jetën time

Pashk Përvathi ka lindur në Manati të Lezhës në vitin 1958. Që në fëmijëri ushqente pasion për pikturën, ndërsa në moshën 21-vjeçare u paraqit për herë të parë në Ekspozitën Kombëtare  të vitit 1979 me peizazhin “Vjeshtë në Manati” përkrah piktorëve më të njohur të vendit. Në vitin 1983 Pashk Përvathi çeli ekspozitën e tij të parë vetjake. Gjatë viteve 1986-1990 studioi ne Akademinë e Arteve në Tiranë për Pikturë Monumentale. Mbas përfundimit të Akademisë ai mori pjesë në shumë ekspozita personale dhe në grup në qytete të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht në Tiranë.

Vepra të tij sot janë pronë e koleksionistëve në Evropë, Amerikë dhe Azi. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ka tre vepra të piktorit të mirënjohur Përvathi. Në vitin 2006 Presidenti i Republikës së Shqipërisë e dekoroi piktorin Pashk Përvathi me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, ndërsa në vitin 2010 ai fitoi çmimin “Abdurahim Buza” në pikturë.

Ai është gjithashtu fitues i çmimit “Kult”, si “Artisti pamor i vitit 2011” për krijimtarinë me të mirë në artet figurative. Në vitin 2014 Përvathi u  shpall fitues i edicionit të 6-të të çmimit “Gursel Sulejmani” në Ferizaj, të Kosovës.
Në vitin 2016 piktorit të mirënjohur  i akordohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Urdhri “Mjeshtër i madh”

Pashk Përvathi është autor i 41 ekspozitave personale në pikturë të hapura brenda dhe jashtë Shqipërisë. Aktualisht si  jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij krijuese në qytetin e Lezhës.

CMG: Pashk, ky emër  ka nje kuptim për ju? Kush ua ka vënë emrin dhe çfarë mbart?
Pashk Përvathi: Emri Pashk për ne katolikët është i lidhur me besimin, unë jam 100% katolik. Fëmijët që lindin në gjysmën e dytë të muajit shkurt dhe ndërmjet muajit mars, zakonisht merrnin emrin Pashk, që ishte shumë i preferuar. Kjo ka qënë arsyeja që familja ime ka zgjedhur këtë emër sepse është i lidhur me besimin. Në vendin ku unë jetoj ka shumë emra të ngjashëm.

CMG: Si ka qenë fëmijëria juaj, si i kujtoni ato vite?

Pashk Përvathi: Vendi ku unë linda dhe u rrita ishte nje vend mbresëlënës, afër qytetit dhe buzë rrugës automobilistike. Me fushë rrëzë malit… Prej katit të dytë të shtëpisë sime shihja diellin në mbrëmje kur mbytej në det. Ishim fëmijë por në atë epokë silleshim si të rritur. Më pëlqente sepse ishim të lirë dhe pa trysninë e familjarëve siç ndodh sot. Ishim të vafër dhe pa lodra, por të kalitur  nga prindërit për jetën. Unë kisha shumë dëshirë për pikturën. U  rrita me njerëz që e donin jetën dhe dëshironin ta pasuronin atë.

CMG: A jeni ju produktit i fatit, apo punës?

Pashk Përvathi: Ndonjëherë jeta të tregon që je edhe produkt i rrethanave. Jeta të sjell një mal me mundësi dhe një mal me të tilla t’i merr.
Isha vetëm shtatë vjeç kur i pozova një piktori mbi portretin tim. E kishte sjellë babi në shtëpinë tonë dhe pasi më pikturoi ai mua të nesërmen unë u përpoqa të pikturoj nën shembullin e xhaxhi piktorit. Punoja pa rreshtur. Në klasën e katërt fillore isha i shtruar në spital dhe aty pikturova letra për fëmijët që ata të kishin mundësi të luanin. Mjekët e panë dhe më thonin se e ardhmja ime do ishte piktura. Nga ajo ditë ka nisur pasioni për profesionin tim. E mbaj mend edhe sot se si më kanë bindur që ky do të jetë rrugëtimi im i ardhshëm.

CMG: Si vijoi rrugëtimi juaj?

Pashk Përvathi: Unë kam qenë me fat që kisha në fshatin tim një mësues, i cili merrej me pikturën dhe e donte shumë. Në këtë formë unë arrija të merrja motivimin e duhur. Ishte krijuar një bazë për të ecur në rrugëtim. Më vonë kam fituar  konkursin për shkollën e mesme në Tiranë. Nuk isha me fat për të shkuar në akademi, por shkova më vonë. Fati më deshi në vijim.

CMG: A mund ta ndani me ne, cila ishte arsyeja që fati ju deshi?  Çfarë ndodhi më pas?

Pashk Përvathi: Unë, i kisha dhurar një mikut tim disa piktura të bukura, të cilat një ditë i kishin rënë në sy pedagogut në fakultetin ku unë në fakt duhet të isha në ato vite. Në bisedë ai ishte interesuar për mua dhe shkollën time dhe synuan të më kthenin në shkollë. Unë sapo isha martuar madje kisha dhe fëmijë dhe nuk mundesha, kisha detyrime në familje. Por në një bisedë familjare nëna ime më tregoi që e kishte merak që nuk më dërgoi në shkollë. Kështu ndodhi. Ajo insistoi që unë të shkoja dhe ditën tjetër unë nxitova të kap trenin e orës 06:00 në mëngjes për të shkuar dhe biseduar për nisjen e shkollës. Po të mos ishin bërë këto biseda në prani të familjes nuk do ishte bërë e mundur që unë të arsimohesha, ndaj e quaj ditë me fat.

CMG: Kur jeni shfaqur për herë të parë për publikun kryeqytetas?
Pashk Përvathi: Unë kam marrë pjesë në ekspozita që herët. Kujtoj se në moshën 21-vjeçare mora pjesë në një ekspozitë në Galerinë Kombëtare . Pastaj kam shkuar në shumë ekspozita. Veprat e mia janë përzgjedhur që pa përfunduar ende studimet për të qenë pjesë e galerisë. Më vonë erdhi ekspozita ime aty ku publiku më njohu më pranë. Çdo gjë ishte realizuar thuajse në praktikat mësimore.

CMG: Pse njerëzit ju identifikojnë si piktor peizazhist?

Pashk Përvathi: Sepse kjo është e vërteta. Unë jam piktor peizazhi dhe e kam lëvruar këtë hapësirë me shumë dëshirë. Edhe diplomën e kam mbrojtur për peizazhin. Kam shkelur çdo vend në Shqipëri e kam pikturuar, por edhe jashtë vendit. Në arsenalin tim të pikturave vijoj ende dhe sot të ruaj qindra piktura me peizazh brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.

CMG: A i bëni një bilanc veprës tuaj sot dhe si vjen ajo?

Pashk Përvathi: Unë po arrij të bëj një bilanc. Kam jetuar me pikturën dhe kam mbajtur familjen me këtë punë dhe sot arrij të bëj bilancin e jetës në sajë të aftësive të mia. Çdo gjë e kam arritur falë pasionit tim.

Intervistoi: Megi Latifi

Please follow and like us: