Albspirit

Media/News/Publishing

Bota duhet ta përqafojë ndryshimin që po vjen në Iran

Populli i Iranit është i përgatitur për t’a përmbysur regjimin iranian

Artikulli i mëposhtëm u dorëzua nga një anëtar i Njësive të Rezistencës të MEK në Iran. Emri i autorit është redaktuar për shkak të çështjeve të sigurisë.

Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur unë dhe bashkëkombësit e mi iranianë dolëm nëpër rrugë pas vrasjes së Mahsa Aminit nga duart e “policisë së moralit” të regjimit. Gjatë kësaj kohe, ne kemi theksuar vazhdimisht se abuzime të tilla fatale janë pjesë e ADN-së së regjimit klerikal dhe se ato nuk do të ndalen derisa ky regjim të bjerë dhe të zëvendësohet nga një tjetër që pasqyron vërtet vullnetin e popullit iranian.

E di që flas në emër të miliona bashkatdhetarëve të mi kur them se jemi të përgatitur të vazhdojmë kryengritjen tonë aktuale, me kosto të madhe personale, derisa ai vizion i ndryshimit të regjimit të realizohet.

Tashmë, autoritetet kanë vrarë të paktën 550 protestues dhe media shtetërore është mburrur se ka lëshuar mbi 1000 aktakuza vetëm në kryeqytet. Disa nga këto janë nën akuzën e “armiqësisë kundër Zotit”, një akuzë që, megjithëse e përcaktuar në mënyrë të paqartë, mund të sjellë dënimin me vdekje. Ndërkohë, grupi kryesor i opozitës demokratike, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, ka përcaktuar se janë arrestuar në total mbi 30,000 protestues.

Megjithatë, asnjë nga këto nuk ka sjellë asnjë dëm sado të vogël në fuqinë e kryengritjes. Përkundrazi, çdo vrasje e re nxit trazira të mëtejshme, si menjëherë pas saj, ashtu edhe kur mbahen përkujtimoret për martirët në ditën e shtatë dhe të 40-të të vdekjes së tyre, siç është traditë në Iran.

Muajin e kaluar, mijëra njerëz u mblodhën për të mbajtur një ceremoni të tillë për Mahsa Aminin pranë qytetit të saj të lindjes, Saqqez, pavarësisht se autoritetet bllokuan rrugët dhe kërcënuan se do t’i ndëshkonin ata. Që atëherë, tubime të ngjashme janë organizuar 40 ditë pas vdekjeve të disa viktimave të shtypjes së regjimit, duke përfshirë adoleshentë. Në të gjitha këto tubime, mesazhi është i qartë: asnjë nga këto vdekje nuk do të jetë e kotë.

Vetëm ndryshimi i regjimit do ta përmbushë këtë premtim. Për më tepër, ndryshimi i regjimit do t’i japë kuptim vdekjes së dhjetëra mijëra aktivistëve dhe disidentëve që kanë luftuar kundër tiranisë dhe represionit të regjimit gjatë 43 viteve të fundit. Këtu përfshihen 1,500 civilë të vrarë pak ditë pas një kryengritjeje të mëparshme në nëntor të vitit 2019 dhe 30,000 të burgosur politikë që u vranë gjatë verës së vitit 1988, shumica dërrmuese e të cilëve ishin anëtarë të PMOI.

Për fat të keq, komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë shumë për të nderuar sakrificat tona ndër vite. Edhe pse Kombet e Bashkuara e njohën masakrën e vitit 1988 menjëherë pasi ajo kishte ndodhur, as kjo organizatë dhe as shtetet kryesore anëtare të saj nuk ndërmorën hapa domethënës për t’u kërkuar llogari autorëve, ku përfshihet presidenti aktual i Iranit Ebrahim Raisi. Dhe në vitin 2019, kur Raisi ishte kreu i gjyqësorit të vendit, fuqitë perëndimore u thurën lavde aspiratave demokratike të protestuesve, por e shpërfillën në masë të madhe shtypjen që pasoi.

Ne presim më shumë nga bota e lirë. Ne të gjithë jemi të përkushtuar për të arritur ndryshimin e regjimit përmes përpjekjeve tona dhe as nuk kërkojmë, as nuk pranojmë ndërhyrje të drejtpërdrejta të shteteve të huaja në çështjet e kombit tonë. Por shumica prej nesh e kuptojnë shumë mirë rëndësinë e masave të Perëndimit që ose i japin ose i mohojnë legjitimitet sistemit klerikal të Iranit.

Duket qartë se Bashkimi Europian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur zakonisht politikat e tyre ndaj regjimit iranian bazuar në supozimin e rremë se mbajtja e pushtetit nga mullahët ishte e sigurt dhe se asnjë alternativë e arsyeshme nuk ishte e përgatitur të merrte pushtetin. Kjo do të thotë se këto fuqi perëndimore ishin gjithmonë të gatshme të besonin se kur iranianët vdisnin në luftën kundër qeverisë së tyre represive, ata vdisnin më kot. Megjithatë, ne kurrë nuk e kemi pranuar këtë, dhe ngjarjet aktuale dëshmojnë se besimi ynë ishte i drejtë dhe pesimizmi perëndimor ishte i gabuar.

Numri i të vdekurve nga kryengritja aktuale është padiskutim tragjik dhe tregues i brutalitetit të regjimit. Por pas gati dy muajsh, ky numër vdekjesh është ende vetëm një e treta e vdekjeve që shkaktoi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike brenda pak ditësh nga shpërthimi i protestave të nëntorit 2019. Kjo është një dëshmi e shkallës së madhe dhe diversitetit gjeografik të kryengritjes së re, si dhe vullnetit të popullit për t’u bërë ballë autoriteteve represive, shpesh duke përdorur shkopinj dhe gurë kundër plumbave dhe gazit lotsjellës.

Siç ka qenë e vërtetë me lëvizjet e tjera revolucionare historike në mbarë botën, qëndrueshmëria jonë e vazhdueshme është një shenjë e fitores sonë të mundshme. Është gjithashtu një reflektim i organizimit themelor të udhëhequr nga Njësitë e Rezistencës të lidhura me MEK, një rrjet të cilit i përkas me krenari. Kjo organizatë jo vetëm që përforcon imazhin e një fitoreje të mundshme civile, por gjithashtu sinjalizon se fitorja jonë do të çojë në një rezultat të qartë.

Duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, politikëbërësit perëndimorë tani duhet t’i rishqyrtojnë seriozisht supozimet e tyre për të ardhmen e kombit iranian. Për më tepër, ata duhet të pendohen për vendimet e tyre për të mos përkrahur lëvizjet e mëparshme protestuese, dhe kështu të vendosin të bëjnë më shumë për lëvizjen aktuale ndërsa ajo hyn në muajin e tretë.

“Të bëjnë më shumë” do të thotë, para së gjithash, të njohin të drejtën tonë për të luftuar kundër represionit të qeverisë me çdo mjet të nevojshëm. Por do të thotë gjithashtu të pranojnë se regjimi ekzistues me të vërtetë mund të rrëzohet nga populli i tij dhe se ai e meriton këtë. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka nevojë të ndërhyjë drejtpërdrejt për ta sjellë këtë rezultat; por nuk ka nevojë të mbështesë as sistemin në kolaps të Iranit.

16 nentor 2022.

Please follow and like us: