“Luftë dhe Trëndafila”, novela që sjell pranverën në zemër të dimrit
Një novelë që ka në qendër dashurinë për familjen, plagët e luftës dhe çeljen e trëndafilave si simbol i dashurisë për jetën edhe në kohë humbjesh dhe rrënojash. Trëndafilat plot gjëmba janë krijimtari, dëshirë dhe shpresë për një rilindje mes stuhive.
Autorja e re Ambra Hysa vjen me botimin e saj të katërt, këtë herë me novelën e titulluar “Luftë dhe Trëndafila”. U promovua dje në panairin e librit duke i dhënë një shije të freskët dhe të ëmbël stendës së librave në Pallatin e Kongreseve.
Kjo novelë i ngjan një kujtese filmike, është e shkurtër dhe esenciale, por lë pas një shije të mirë… si ajo e kafes turke në një pasdite të ftohtë dimri.
Luftë & Trëndafila, kjo esencë që autores i pushtoi zemrën një dimër më parë, të gjitha dallgët e trazuara të zemrës, u qetësuan kur u ul në makinën e shkrimit… Këtë histori nuk ia kishte borxh vetëm Vikit të vogël, por Ambrës kur ishte vogëlushe… dhe çdo vajze që beson verbërisht tek fuqia e dashurisë.
Çdo vajze që ka një marrëdhënie unike me babain sepse kjo është historia baba-vajzë e Viktorias dhe Borisit po aq sa romanca në kohë lufte e Tatianës dhe Ivanit.
Ky rrëfim është i ndjeshëm dhe delikat si petalet e një trëndafili, aroma e trëndafiltë e novelës do t’ju mbajë gjatë të përqafuar me dy historitë e gërshetuara mistikisht me njëra-tjetren. E bukura mund të gjendet edhe në kohë të pazakonta…
Thuhet se ku ka luftë dhe dashuri, mund të ketë edhe trëndafila…
“… Ajo vogëlushe e kishte kthyer në jetë dhe kjo nuk mund të ishte rastësi.
Bija e tij e kishte mbrojtur nga lart, tamam si një ëngjëll mbrojtës, përmes kësaj vogëlusheje.
Dhe ndoshta, tani ia vlente të jetonte vetëm që dikush ta quante atë përsëri “Babi”, ndoshta ia vlente të sakrifikonte çdo gjë për Vikin…”.
Mesazhi i librit është dashuria e pastër dhe e pakursyer njerëzore, një dashuri e cila nuk rrjedh gjithmonë nga gjaku… sepse ndodh që edhe njerëzit që nuk janë gjaku yt të bëhen familja jote…