Enver Kushi: POETI I BEKUAR, NIKO KACALIDHA
Niko Kacalidha-poeti që i mbijnë gjethet
Nuk e kam të lehtë, kur shkruaj për krijimtarinë e miqve të mi, të atyre që vërtet i kam miq. Kjo vështirësohet akoma më shumë për ata, që përfshihen në rrethin e ngushtë dhe jame më shumë se miq, do të thoja si vëllezër. I tillë është edhe Niko Kacalidha, “greku i imët, i brishtë dhe i hequr si asket, që më vonë do të na bënte ta admirojmë jo vetëm si poetin më të plotë të minoritetit grek, por edhe një ndër poetët e shquar në Shqipëri”, siç ka shkruar Dritëro Agolli në virtin 1995.
Unë po e zhvendos kohën, duke u kthyer në shtatorin e vitit 1967, kur zbrita në stacionin e vjetër të trenit në Tiranë dhe mora “dhromnë”, siç thoshte nëna ime e ndjerë, për në qytetin “Studenti”. Tirana e atyre viteve ishte e bukur. Isha me fat që do të studioja në degën gjuhë-letërsi dhe për katër vite do të jetoja në pjesën juglindore të Tiranës, në një kodër të vogël, ku jeta kishte ngjyra të tjera. Rasti apo fati e solli që të isha në një dhomë me Shefki Karadakun, poetin lirik që vinte nga Elbasani dhe që ishte disa vite më i madh se ne, Tomorr Domin, një elbasanas tjetër i mrë dhe me kulturë, Moikom Zeqon, që vinte nga Durrësi dhe që kishte botuar poezi që në moshën 15 vjeç, falë ndihmës së Ismail Kadaresë, Niko Kacalidhën, që vinte nga skajet më jugore të Shqipërisë, Leshnica e largët mes maleve. Ditët dhe stinët që jetuam në atë dhomë na lidhën shumë me njeri-tjetrin si njerëz, por edhe si krijues, megjithëse unë e mbaja të fshehtë krijimtarinë time, sepse mendoja se isha i çalë akoma në këtë fushë.
Me Niko Kacalidhën, jo vetëm në ato vite, por edhe më pas e vazhduam miqësinë. Në një nga letreat e shkruara prej tij nga Leshnica dhe që mban datën 5 janar 1973, Nikua mes të tjerash më shkruan: “U gëzova jashtëzakonisht kur mora letrën tënde. Kishim kaq kohë pa i thënë një fjalë njeritjetrit, një mendim a diçka tjetër njerëzore… Unë të kujtoj vazhdimisht, sidomos pasditeve tona të Tiranës, kur dilnim bashkë. Unë sivjet jam në të njëjtën shkollë. Fillova në nëntor, pasi kisha dy muaj leje krijuese. Punova ca në shtëpi. Dielli i JUGUT është vërtet madhështor…”.
Ka kaluar gjysëm shekulli, kur ne përfunduam studimet në fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë. Kanë rrjedhur ujra, shumë ujra dhe “lisë jeta ka ndërruar” (De Rada). Kanë ardhur e shkuar stinë e vite. Kanë ndërruar qiej, por ka mbetur i njëjtë deti Jon dhe qiejt e Jugut. Edhe malet gri të tij. Edhe Leshnica e largët e Kacalidhës, që siç shkruan ai në një poezi “unë kam lindur nga imitacionet e ngjyrave të maleve të mia”. E megjithatë është i njëjti Niko Kacalidhë, poeti i brishtë dhe me një lirizëm e tragjizëm të dukshëm, poeti i lindur nga “stërgjyshi që e kishte shtëpinë në eshtrën e malit; Andej niste rrënja e Diellit dhe e Vetëtimës; Andej niste rrënja e barit”.
Ai vazhdon ta ketë brenda vehtes lumin e Leshnicës, që “ka një mijë vjet që i kushton gjëmimit”. Poeti Niko Kacalidha në çdo moshë të tij, veçanërisht vjeshtrave, është pranë detit, kur “drurët i përfshijnë gjethërënia dhe mua më mbijnë gjethet”.
Ullinjtë mërdhijnë nën shira…
Në një nga ditët fundvjeshtës të vitit 2000, miku im Niko Kacalidha më dhuroi librin e tij “Profecitë e drurëve”. Mbaj mend se ishte ditë me diell dhe duke pirë kafe me poetin, herë-herë i hidhja vështrime të shpejta jo vetëm titujve të poezive, por edhe vargjeve të tëra… Vjeshta e bukur e Tiranës, dielli i ngrohtë dhe në horizont mali i Dajtit, nuk e di pse me ngjanin të trazuar, herë – herë me diell dhe herë – herë me bubullima e vetëtima… Ndoshta ishin impresionet e para që krijoheshin nga poezia e “Profecive të drurëve”, ndoshta ishte malli që kisha për Jugun e që Nikua ma solli në Tiranë, ndoshta ishte diçka tjetër e papërcaktuar, që lidhej me vitet e shkuar të miqësisë sonë studentore.
Librin e mikut tim të mirë Niko Kacalidha e mbajta gjatë në duar. E lexova dhe e rilexova disa herë. Pastaj e lija mes librave të tjera të bibliotekës sime, për t’iu rikthyer ditëve dhe netëve të tjera duke u zhytur në botën magjike të poezisë së Kacalidhës.
Poezinë e Niko Kacalidhës nuk mund ta lexosh shpejt. Ajo është si nektari që ke dëshirë ta pish ngadalë. Kacalidha është poet i trazimeve të mëdha. Lirika e tij shumë rrallë i ngjan akuarelit apo natyrës së qetë. Ajo gjëmon, është e trazuar e për të zbuluar këto gjëmime, duhet të zhytesh thellë në detin e poezisë, sepse ato i gjen në thellësi e jo në sipërfaqe. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe sepse: “Unë e kam detin në jastëk dhe i besoj magjisë së detit; Unë detit i vë jastëkun më të mirë dhe në vatrën time mbrëmjeve, i le kreun e vendit”.
Herë – herë, si në pikturën impresioniste alla Gogen, ngjyrat përzihen në mënyrë të çuditshme (si në poezinë “Sytë e tu”), apo janë gri e të zeza, duke krijuar tablo tragjike si tek “Mëmat e Nelson Mandelave” ose ndonjë tjetër. Imazhet që krijon poeti janë të gjalla. Poeti të çon në të gjitha stinët e vitit. Udhëton me të në prillin e bukur, kalon në Leshnicë, prek me duar vetëtimat e Jugut, përgjon erërat në dritare, sheh ullinjtë që mërdhijnë. E pastaj merr të përpjetën e një kodre, qëndron pranë varrit të Lefter Talos dhe e pyet atë për plagët. E prap të vish në brigje detesh, për të prekur hapësirat e tij e për të medituar për Odisenë e sirenat. Kudo është i pranishëm deti, ku poeti është i papërsëritshëm në morinë e metaforave si dhe vendlindja, Leshnica, gjyshja e gjyshi dhe prindërit e mirë të Nikos.
Në poezinë e Niko Kacalidhës e ndjejnë veten pranë e pranë, si miq të mirë, ballkanasit e mëdhenj shqiptarë e grekë si Homeri, Onufri, David Selenicasi, Kazanzaqi, De Rada, Seferis, Vangjush Mio, Lasgush Poradeci, Elitis etj. E përkundur në shtratin e kulturave më të vjetra e më të begata europiane, asaj shqiptare e greke, poezia e Kacalidhës fiton një dimension të dyfishtë e tepër të veçantë. Në këtë kuptim poeti është me fat, duke përbërë ndoshta një shembull unikal jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë të shkrirjes në poezinë e tij të kulturave dhe shpirtit të dy popujve, që shekujt i kanë përkundur në shtratin e përbashkët mitik pellazgjik. Niko Kacalidha është ushqyer me poezinë më të mirë shqipe si të De Radës, Naim Frashërit, Migjenit, Poradecit, Kadares, Agollit, Arapit, Reshpjes etj. si dhe poezinë greke të Homerit, Safos, Pallamasit, Kavafisit, Kazanzaqit, Varnalisit, Seferisit, Ricos, Elitis, Livadhitis etj. E përsëris: ky është një fat i madh dhe mesazh për dy popujt tanë me një histori të jashtëzakonshme, me një të kaluar tipike ballkanike, me ura të përbashkëta miqësie e paqeje, por edhe me shembje urash, ashtu si në baladat e lashta shqiptare e greke. Prandaj tingëllon e kohës thirrja e Kacalidhës: Paqe mbi ullinjtë e mbi gjeografinë e agrumeve paqe.
…………………………
Paqe në mjekrën e brymosur të të internuarit që ngërthen në bebëz të egran gravurë të vdekjes; Paqe në zymtësinë e trishtë të muhaxhirëve të ditëve të mia; Lajini gjakun – Pushtojeni; Rrëmbejeni në krahë dhe puthini në ballë; Ta çojmë ta varrosim pranë rrënjëve të drurit çudibërës të paqes. Dhe ndonjë ditë (nuk e di pse besoj se kjo do të jetë e afërt), kur ballkanasit të çlirohen nga ankthet e së kaluarës, le të ngrihet një urë e madhe si ajo e Artës (por pa kurbanë në këmbët e saj. Mjaft më me kurbanë!), që të bashkojë hapësirat e kaltra e me ullinj shqiptaro-greke. Dhe në këmbët e kësaj ure, le te shkruhen vargjet më të bukura që popujt dhe poetët tanë kanë shkruar për paqen e miqësinë. Besoj se vargjet e mësipërme të Niko Kacalidhës për paqen, do të shkruhen në njerën nga këmbët e urës së miqësisë.
Në vend të mbylljes
Niko Kacalidha prej vitesh jeton në Athinë dhe vazhdon të shkruajë edhe në shqip, edhe në greqisht. Ai është nga poetët më të shquar shqiptarë dhe grekë. Vepra e tij ka fituar çmime të ndryshme si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi. Kritika greke e vlerëson Niko Kacalidhën si poetin përfaqësues të grekëve të Shqipërisë me frymëzim homerik. Poeti ynë i shquar Ismail Kadare ka thënë se Niko Kacalidha hyn pa dyshim në plejadën e poetëve më të mirë të vendit, ndërsa Moikom Zeqo, i ndjerë, ka shkruar se poezia e Niko Kacalidhës është një brishtësi e ndritur në ekuinoksin e stinëve. Në vargjet e tij ndjen tragjicitetin e kohërave. Lirizmi është në simbiozë me dimensione të ashpra epike.
Vlerësimet për poezinë dhe krijimtasrinë e Niko Kacalidhës janë të shumta nga poetë dhe personalitete të shquara të kulturës së madhe greke. Do të zgjatesha, nëse do të hidhja në këtë shkrim këto vlerësime të merituara për poetin dhe mikun tim Niko Kacalidha.
Ai jeton në Athinë, i rrethuar nga shpirti i madh i poezisë dhe poetëve të pavdekshëm grekë të të gjithë kohërave. Jeton në një qytet me shumë diell, shumë poezi, shumë kulturë, por që herë-herë i vjen pranë edhe dielli i Jugut tonë, që siç citova më lart në letrën që më ka dërguar, “është me të vertëtë madhështor”.
Poeti i madh grek, nobelisti Jorgo Seferis që vendi ynë i vogël ka patur fatin ta kishte në vitet ’30 konsull të Republikës së Greqisë në Korçë, në fjalën e mbajtur në Stokholm, kur mori Çmimin Nobel, tha: “I përkas një vendi të vogël. Një kep i gurtë në Mesdhe, që nuk ka tjetër pasuri veç luftës së popullit të tij, detit dhe dritës së diellit. I vogël është vendi ynë, por tradita e tij është e madhe dhe mbart një veçori: Ajo na e dha pandërprerje…
Nga që besoj se kjo botë bashkëkohore ku jetojmë, e mundur nga frika dhe shqetësimi, ka nevojë për poezi. Poezia i ka rrënjët në frymën njerëzore. Dhe ç’do të bëhej me ne nëse fryma na mekej”?
Niko Kacalidha jeton me dy diej:diellin e Jugut të Shqipërisë dhe dritën e diellit të Greqisë. Ai jeton me shpirtrat e mëdhenj të poetëve shqiptarë dhe grekë. Kjo e bën poezinë dhe tërë krijimtarinë e tij të ketë bekimin e diejve të dy vendeve tona./exlibris, 19 nentor 2022