Marjana Bulku: Ne gabuam…
Ne gabuam…
(Le të flasim më shumë për lirinë)
Marjana Bulku, Nju Jork
Ne gabuam sepse edhe në demokraci folëm shumë për komunizmin dhe diktaturën.
Ne gabuam sepse në demokraci nuk promovuam vlerat e shkuara, të harruara, të pashkruara të së kaluarës që historia e shkruar nën diktaturë i veniti.
Ne gabuam sepse e përmendëm kaq shumë Enverin deri në paharrim.
Ne gabuam sepse nuk i dëgjuam dhimbjet e së kaluarës.
Ne gabuam sepse nuk i ndjemë thirrjet e viktimave.
Ne gabuam sepse duartrokitëm verbërisht.
Ne gabuam sepse besuam se vetëm”fitimtarêt” kanë gjithmonë të drejtë.
Ne gabuam sepse nuk mësuam nga historitë e dinjitozëve që nuk ia shitën shpirtin diktatit dhe ligësive të kohës.
Ne gabuam sepse nuk ia lexuam mendimin kolosëve tanë të mohuar të pendës.
Ne gabuam sepse iu përulëm monumenteve, busteve, mermereve dhe jo vlerave.
Ne gabuam sepse iu dhamë liri kjoskave, kafeneve, restoraranteve, hoteleve dhe jo muzeumeve, librarive.
Ne gabuam kur kujtuam se liri fjale do të thotë sharja dhe përgojimi i tjetrit.
Ne gabuam sepse nuk njohëm plagët e vërteta tonat.
Ne gabuam se nuk i mjekuam ato.
Ne gabuam sepse nuk i izoluam shkaktarët e plagëve tona.
Ne nuk gabuam pse ishim të varfër e të paditur.
Ne gabuam se donim të pasuroheshim menjëherë, njësoj, si dikur të varfêr në komunizëm.
Ne gabuam se iu nënshtruam të keqes.
Ne gabuam sepse nuk dijmë ta kundërshtojmë të keqen.
Ne gabuam se nuk dijmë ta dallojmë të mirën, edhe pse pak të mira na kanë ndodhur si komb.
Ne do ta sfidonim të keqen po t’ja ndjekim fijet e jetës të mirës.
Ne gabuam sepse nuk debatuam por kryqëzuam tjetrin e ndryshëm.
Ne gabuam sepse ia kujtuam gjithkujt madje edhe atij që nuk e njihte të keqen që mbërtheu nga fyti jetët tona atëherë, përherë.
Ne gabuam sepse nuk përkrahëm liritë.
Ne gabuam pse nuk i studjuam thellë liritë.
Ne gabuam se folëm aq pak për liritë.
Ne gabuam…
….sa pak folëm për lirinë!
Please follow and like us: