Albspirit

Media/News/Publishing

A do të provokojë Serbia gjakderdhje nga nesër/Borell na tradhtoi – T’i lutemi Amerikës sërish!

Idriz Morina

Pse Borelli dhe Lajçaku nuk i kërkuan asnjë llogari Vuçiqit dhe Serbisë për kërcënimet me luftë, që edhe sot gjatë ditës i bënte ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviqi, se do të invadojnë veriun në mbrojtje të pakicës serbe!?

Ndryshe nga Borelli, Britania po kërkon që të arrihet një marrëveshje e përgjithshme, e cila e pamundëson krijimin e tensioneve si për targat.

Si do të zgjidhet ngërçi nesër? A do të zënë rrugë, prita nesër njerëz të uniformuar të “Brigadës së veriut”?

Para se të merrë përgjigje kjo dilemë, një informacion tepër i rëndësishëm, është se Polonia ka vendosur t’i pranojë sistemet raketore ‘Patriot’ të Gjermanisë, si pasojë e alarmit që mori NATO-ja, kur dështoi të godiste sistemi kundërajror polak, një raketë të prodhimit rus S-300, e cila ra mbi Poloni, ditë më parë duke vrarë dy qytetarë. Pavarësisht paqartësive se e kujt ishte raketa, ukrainase apo ruse, rasti dëshmoi se duhej një sistem mbrojtës efikas, sidomos në rast se Rusia ka në plan apo mund të provojë të godasë vendet e NATO-s.

Përshkallëzimin po e kërkon Serbia

Për dallim nga pritjes se takimi i sotshëm i Brukselit, do t’i qetësonte shpirtrat paqedashës shqiptarë, duket se ai mori një kahje, që mund të çojë kah përshkallëzimi, të cilin po e kërkon Serbia.

Në një shënim gjatë ditës, në interpretimin e shpejtë të gjuhës së trupit, vlerësuam se edhe ata dy dukeshin të tendosur, dhe kjo vinte, nga reagimet që tashmë kishin marrur pas takimeve veç e veç me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë Vuçiq.

Po ashtu vlerësuam se nëse dështon takimi është edhe dështim i dy udhëheqësve të bisedimeve, Borell-Lajçak.

Borell i dëshpëruar me dështimin e tij, u përpoq komplet fajin t’ua hidhte palëve, por në mënyrë të veçantë Kosovës, pra shqiptarëve.

Si kisha vlerësuar me kohë, se trysnia rëndon mbi Kosovën, dhe kur kjo nuk jep rezultat, është e pritshme, se fajësia do të bie, mbi të ‘dobëtin’ që nuk u dorëzua apo nuk lëshoi pe.

Pse Borelli dhe Lajçaku nuk i kërkuan asnjë llogari Vuçiqit dhe Serbisë për kërcënimet me luftë, që edhe sot gjatë ditës i bënte ministri i Mbrojtjes i Serbisë Milosh Vuçeviqi, se do të invadojnë veriun në mbrojtje të pakicës serbe!?

Ai zotohej, sikurse Vuçiqi dhe shumë drejtues të institucioneve politike dhe të sigurisë së Serbisë për përdorim të fuqisë ushtarake kundër Kosovës, apo siç Vulini thoshte për të zbarkuar deri në Ibër, në vend të fjalës invadim.

A nuk është zbarkimi i forcave në një territor invazion ushtarak, dhe ky invazion a nuk është invadim, në një territor të një shteti të pavarur, të njohur nga më shumë se 110 shtete të botës, përfshirë thuaja gjithë Perëndimin, që përfaqëson thelbin e demokracisë, zhvillimit, kulturës dhe qytetërimit njerëzor sot!?

A nuk është thirrje për invadim, kërcënimi që e tha sot ministri Vuçeviq: “Nëse presidenti i Serbisë urdhëron, ushtria do të ndërmarrë të gjitha masat të mbrojë serbët në Kosovë e Metohi”. Pra, si do t’i mbrojë në një shtet të huaj, serbët, përveç se duke hyrë me forcat ushtarake, apo edhe me ato paramiltare, që tashmë i kanë shpërndarë dhe janë në terren në veri, ndërsa edhe emrin e vërtetë nuk e pranon, sepse Kosova nuk quhet edhe metohi, prej më shumë se gjysmë shekulli?!

Britania kërkon marrëveshje të përgjithshme për eliminimin e mosmarrëveshje si për targat

Pra, edhe Borell kur flet për një gjendje më të rëndë se në krizën e krijuar pas 31 korrikut, e ka në mendje, në ndërdije qartë se Serbia po kërcënon me dhunë, gjakderdhje, andaj paralajmëron: “Ky takim ndodhi tre muaj pas takimit të krizës. Nga kriza në krizë. Dhe, kësaj here është më keq se në gusht”.

“Ne do t’i informojmë shtetet anëtare, do të t’i informojmë kolegët e mi, ministrat për Punë të Jashtme dhe partnerët tanë për sjelljen e palëve të ndryshme dhe për mungesën e respektit ndaj obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe më duhet ta them këtë, veçanërisht për Kosovën”, tha Borell duke e fajësuar më shumë Kosovën.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Kurti e ka fajësuar drejtpërdrejt Borellin, se ai refuzoi të fillonte zbatimin e zotimit të tij për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme deri në marsin e vitit tjetër.

“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast Borell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër propozimi është i Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurti në Bruksel, pas dështimit të bisedimeve tetë orëshe.

Ndërsa, më ndryshe nga Borell e ka vlerësuar situatën ambasadori britanik në Kosovë Nikolas Abot, duke fajësuar palët pa dallim, por duke kërkuar që të arrihet një marrëveshje e përgjithshme, e cila eliminon ose i pamundëson tensionet e krijuara, si për targat, gjë të cilën ka refuzuar ta bëjë Borell duke mbështetur Vuçiqin.

“Nevoja urgjente është të bëhet përparim në një marrëveshje normalizimi që do t’i bënte të panevojshme mosmarrëveshjet për çështje të tilla si targat”, shkroi ambasadori Abot në faqen e tij në Facebook.

Por, çfarë do të ndodhë nesër, a do të bëjnë rezistencë të dhunshme grupet kriminale të udhëhequra nga Serbia?

Duhet sërish t’i bëjmë një lutje SHBA-ve, të na përkrahë në qëllimin tonë të drejtë, paqësor e kundër dhunës së paprovokuar, që të parandalojmë gjakderdhjen e kërkuar sërish nga Serbia, ndërsa ne të hapim ‘qesen’ për të blerë sa më shumë dron, “Javellin” e “Stingera”, e pse të mos marrim një zotim për sistemin “Patriot”, që të mos heshtim, sa herë na ngërmohet me invadim ushtria serbe.

Duhet t’ia shpjegojmë që Borell dështoi, dhe që në krye të bisedave apo rolin kyç ta ketë SHBA-ja!

https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1904731/a-do-te-provokoje-serbia-gjakderdhje-nga-neser-borell-na-tradhtoi-ndash-ti-lutemi-amerikes-serish/?fbclid=IwAR2VdeyAphx3LHtKoo0S-FEMWqPpBhSVmNoY4XYkbke0jIW0ICTTqLECqh0

Please follow and like us: