Albspirit

Media/News/Publishing

ZANA TAKO DHE LIBRI “ADOLESHENCA”, QË MUND TË KAPËRCEJË ÇDO PARASHIKIM NJERËZOR

NGA GËZIM TUSHI, Sociolog, Mjeshtër i madh, Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut
ZANA TAKO DHE LIBRI “ADOLESHENCA, QË MUND TË KAPËRCEJË ÇDO PARASHIKIM NJERËZOR
NJË PUNIM ME VLERË, PËR TË KUPTUAR “FURTUNAT E ADOLESHENCËS…
Ka qënë gjithnjë e vështirë, por akoma më e vështirë është bërë sot të intervenosh në kompleksitetin bio, psiko-social të adoleshentëve. Figurativisht është sikur të guxosh dhe të futesh në një “tokë ku ka luanë”. Adoleshenca është një fazë e rëndësishme e formimit të identitetit vetjak, prandaj ata konsiderohen (dhe në të vërtetë janë), një nga grupet sociale më të vështira. Megjithatë, gjithnjë ka patur përpjekje analizuese e studimore, njerëz që kanë guxuar të “hapin portat”, të hynë brenda këtij territori social e njerëzor të vështirë. Në këtë rrugë, me dëshirën e sinqertë për të kontribuar në këtë “ndërmarje teorike”, është edhe ky libër i shkruar me pasion të dukshëm i autores së njohur Zana Tako. Autorja bën një “autopsi” të realitetit, për të argumentuar idenë, se koha është e vështirë për prindërit dhe mësuesit, të cilët duhet të përqafojnë medoemos kontekstet e reja të edukimit të tyre. Analiza e gjërë, të detyron të mendosh se cili është problemi: Adoleshentët janë bërë të vështirë, apo prindërit dhe mësuesit nuk dinë të komunikojnë dhe edukojnë? Kësaj pyetje, Zana Tako është munduar (dhe sipas meje) ja ka arritur t’i japë përgjigjen e duhur, se “makineria edukative” duhet parë për të shmangur disa gjëra që duken dhe janë të pakuptimta për adoleshentët.
Libri nuk ka ndonjë format të “ftohtë” akademik. Me sa duket, nuk është shkruar për qëllime didaktike apo synime skolareske. Kjo nuk e ka penguar autoren, të ndërtojë tërë korpusin, strukturën e librit si reflektim të personalizuar, duke u mbështetur në përvojën personale, materialin jetik rrethanor, sidomos mbi bazën e sigurt të ideve dhe vëzhgimeve psikosociale, të cilat janë sintezë e leximeve personale dhe reflektime observuese të jetës së përditshme të adoleshentëve. Kjo është një nga meritat e veçanta dhe origjinale të autores. Në këtë kontekst, libri është një manual sintetik, që shërben teorikisht dhe praktikisht për rinovimin dhe modernizimin e parimeve të prindërimit modern. Autorja gjykon se pa zotëruar parimet e prindërimit, është njësoj “si ai luftëtari që niset për në betejë i paarmatosur”.
Kur përfundon librin, me të drejtë mund të japësh një vlerësim definitiv, për faktin që Zana Tako ka ravijëzuar një mendim të drejtë, të saktë për skakierën, piramidën e roleve, përgjegjësive të aktorëve personalë dhe institucioneve sociale e ambientale, të vlerësuar si habitate adekuate ku lind, qëndron e zhvillohet adoleshenti. Sipas mendimit të saj, “Nuk mund të kemi sukses pa këtë bashkëveprim ndërmjet familjes, shoqërisë, shkollës…” Zana Tako mendon se shpesh kërkesat shpirtërore të adoleshentëve, bien ndesh me ato që kërkojmë ne. Në mënyrë të gjithanshme ajo trajton adoleshentët, kontradiktat e natyrshme thelbësisht endemike, midis mishit dhe shpirtit, mendjes dhe seksit të tyre.
Në kapitullin “Bota shpirtërore e adoleshentëve”, autorja reket të bëjë arsyetime të drejta me natyrë psikologjike e filozofike, lidhur me raportet, unitetin dhe dikotomitë e ndarjes së esencës moshore nga ekzistenca e personalizuar individuale, me rrugën e formimit të koncepteve të drejta biofilike tek adoleshentët, si mjet për të patur kuptime të qarta për vlerën e jetës. Fëmija ka nevojë të kuptojë ekzistencën e tij, qëllimin pse kemi ardhur në jetë, shkruan autorja, sigurisht bashkë me rebelimin, tufanet, furtunat e natyrshme moshore të adoleshentëve, që e kanë në ADN nihilizmin, kontestimin, thyerjen e tabuve morale e sociale.
Libri i autores Zana Tako është një “rontgenoskopi” psiko-sociale, morale dhe edukative, jo për një fëmijë të veçantë. Nuk është kaq i thjeshtë dhe i personalizuar qëllimi hulumtues i autores në këtë libër. Përkundrazi, kemi një libër me analiza dhe informacion të integruar, për një nga shtresat e gjëra dhe më problematike të jetës sonë sociale, sikurse janë fëmijët midis moshës 13 dhe 18 vjeç. Kjo moshë e ndërmjetme, aq shumë problemtike për veten, rritjen e shëndetshme, me orientim të qartë biofilik, është kuintesenca e objektit të librit “Adoleshenca që mund të kapërcejë çdo parashikim njerëzor”.
Autorja i përmbahet paradigmës së njohur, sipas të cilës, universalisht adoleshenca është një moshë që aspiron për një ekzistencë të përmbushur, që dëshiron të jetë autonome dhe komunitare njëherazi, plot shpresa dhe dëshpërime, plot revolta kundër rendit social të botës së të rriturve, plot shkelje tabush, plot shqetësime, angështi dhe ëndrra”. Në vlerësim të ontologjisë së problematikave të moshës, autorja sjell modele sociale, paradigma socio-edukative interesante, sipas të cilës është e nevojshme të qëndrosh në krah të adoleshentëve, por kjo nuk do të thotë të bësh rolin e një njeriu të ditur apo superekspert, i cili punon me skema të gatshme për zgjidhjen e problemeve që kanë adoleshentët.
Jemi prindër dhe kemi përgjegjësi prindërore, por nuk jemi tutorë të fëmijëve tanë. Një paternalizëm që gjithnjë sjell vetëm “skarcitet edukativ”. Sipas autores, ideja se prindërit dhe mësuesit dinë gjithçka, se adoleshentët vetëm duhet të dëgjojnë e të binden, është stil edukativ i dështuar. Dashuria thotë autorja, ka më shumë vlerë se autoriteti mekanik. Dhe ka të drejtë në gjykimin e vet, sepse dashuria është ajo ndjenjë humane universale, që e bën prindin dhe mësuesin të luajnë rolin e tyre duke qënë për adoleshentin empatik, “njeri vitamin” dhe aspak toksik. Adoleshentin, në këtë moshë, për shumë arsye fizke dhe metafizike, biologjike e sociale, për shkaqe të brendshme endemike të lidhura me trupin e vet apo determinant të jashtëm social, është në situata paqartësie dhe i rrethuar nga shumë “psikovampirë” të rrezikshëm, të vështirë për t’i përballuar sikurse përjetimet turbulluese të seksualitetit, ankthet, frikërat, pasiguritë, dyshimet e mosbesimet tek “vetja” por sidomos tek të “tjerët”.
Të gjitha këto situata kalimtare e vështirësi të administrimit të rritjes, të osmozës së adoleshentit, në libër analizohen me kujdes dhe sens mase, brenda të vërtetës shkencore e moshore. Padyshim është vlerë që të gjitha këto intervenime, autorja i vendos në kontekstin e ndikimeve dhe reperkursioneve që ka sjellë jeta moderne në shoqërinë shqiptare turbokapitaliste, bazuar mbi sfidat e pandërprera të garës dhe konkurencës sociale e moshore.
Në këtë shoqëri neurotike dhe me themele emocionale të tronditura, problemet e adoleshentëve janë më të vështira se në të kaluarën, shëndeti social i shoqërisë është dobësuar, institucionet e edukimit dhe disiplinës kanë humbur shumë nga kuotat tradicionale të autoritetit të tyre në shoqërinë tradicionale. Koha ka sjellë dy realitete, me ndikim serioz në vakumin e krijuar nga arsye subjektive e rrethana objektive në punën me adoleshentët. E para është kufizimi i kohës së duhur të prindërimit, për shkak të angazhimeve jashtë familjare të prindërve, duke sjellë realitete të “reja” të “prindit në distancë” apo modelet e prindërimit part-time. Së dyti është përhapur gjërësisht një lloj iluzioni edukativ, që vjen si model paradigmatik nga ndikimet e zgjeruara të teknologjisë dixhitale, dhe përdorimit të këtyre mjeteve masivisht nga adoleshentët. Shpesh një lloj përdorimi me karakter patologjik, duke sjellë pasoja të “drogës dixhitale”, kjo e shoqëruar me budallallëkun e idesë dembele që ka marrë formën e “teknoprofecisë” apo gjykimit semplist, se kohën edukative të shkurtuar të prindërimit, mund ta kompensojë teknologjia. Sepse sikurse shkruan autorja, “Jo gjithmonë ndeshim në produktivitet, e jo gjithmonë teknologjia është shërbyese e mirë e shpirtit të fëmijës tonë”. Me të drejtë ajo thekson se, “Emocioni natyral ndryshon nga ai virtual…” dhe se raporti mes reales dhe virtuales nuk janë zëvendësues të vlerave të lidhjeve sociale. Në këtë optikë ajo thekson prerë,“Nuk mund të zëvendësohet realiteti me virtualitetin, nuk mund të zëvendësohet komunikimi njerëzor me atë teknologjik”. Fëmijët po bëhen “viktima” të shoqërisë së konsumit dhe celularët janë bërë pjesë integrale dhe kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetës, komunikimit dhe argëtimit të tyre si rezultat i funksionimit të zgjeruar të shoqërive virtuale tek adoleshentët. Aq toksik është bërë kjo situatë, saqë mund të themi se shoqëria është para dilemës që evidenton Umerto Eco “së adoleshentit me celular apo të adoleshentit që jeton për celularin”. Pa folur këtu për përhapjen e fenomeneve të “reja” sikurse janë bullizmi apo “krimi kibernetik” tek adoleshentët.
Zana Tako është këmbëngulëse në idenë e saj, se adoleshentët janë të sukseshëm kur ndihen të vlerësuar, të mirëkuptuar nga të rriturit qofshin prindër apo mësues të tyre. Sepse kjo është rruga që ndikon në rritjen e ndjenjës së vetëvlerësimit, dhe është shumë e rëndësishme për ecurinë e tyre në rrugën e forcimit të identitetit. Libri ka një sasi të gjërë argumentimesh, për fleksibilitetin dhe dialektikën e lidhjeve midis prindit dhe mësuesit nga njëra anë, dhe adoleshentit që shpesh shfaqet “rebel” në shkollë apo “tiran” në familje. Marrëdhëniet midis tyre janë bërë të vështira, në se nuk kupton atë që thotë autorja, se “shpirti i adoleshentit nuk është si shkëmbi”, por është i prekshëm dhe i gjallë.
Në libër ka një vlerësim polivalent për rolin, figurën e “mësuesit jo thjesht vëzhgues por impenjativ”, si inxhinjer i shpirtit dhe variacioneve emocionale, një nga ndërtuesit e bazamentit emocional, si kusht universal për të patur sukses të qëndrueshëm në punën me adoleshentët. Kjo dialektikë e vështirë ka një pasqyrim të gjërë e të merituar në libër, sepse vetëm metoda interaktive e “bashkëngjitjes” harmonike me adoleshentin, është alfa dhe omega e suksesit. Në mënyrë sintetike, në libër evidentohet që për të ndërtuar si duhet marrëdhëniet me adoleshentët, nevojitet një “Kushtetutë Prindërimi” e qartë. Ky është lajtmotivi integral i librit, në të cilin bëhet analizë e anës pozitive e tipologjisë moderne të autoritetit prindëror, dhe në të njëjtën kohë e paralelelisht evidentohen pasojat negative të shfaqjeve të autoritarizmit brutal, kundër produktiv dhe antiedukativ.
Duke parë anën e adoleshentëve, të drejtat e tyre e duke “qënë me ta” në libër pasqyrohet një gamë e gjërë rrugësh, mundësish për të ndihmuar ata të gjejnë kënaqësitë moshore, por me çdo kusht në “rrugën e duhur”. Sepse nuk është e lehtë puna, për të mbrojtur adoleshentët nga sëmundjet moshore. Kjo është e pamundur. Nëse nuk vepron në mënyrën e duhur, dështimi është fare i pranishëm.
Autorja ka besim se gjërat mund të shkojnë më mirë, nëse i kushtojmë kujdes problemeve etike, moralit në përgjithësi, qoftë atij social apo personal. Dimensioni moral, përgjegjësia etike në ndërtimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve me adoleshentët, është një nga konstantet e bindjeve më të qëndrueshme dhe esenciale të librit. Në libër ka një ndarje të zgjeruar, që ndeshet në të gjithë faqet e tij, të dy llojeve të rreziqeve eminente që qëndrojnë para adoleshentëve. E para, është e lidhur me veçoritë biologjike të rritjes së tyre, rrezik që i ndjek ata këmba-këmbës gjatë kësaj faze të moshës. Por është edhe rreziku tjetër, që lidhet me përfshirjen e adoleshentëve, me dëshirë dhe vullnet në situata të rrezikshme për moshën, shëndetin, zhvillimin e personalitetit të tyre. Në mënyrë mbase intuitive, autorja në libër sjell një kontribut të veçantë lidhur me metodat, rrugët, mënyrat që duhen përdorur për t’i mbrojtur adoleshentët nga këto dy rreziqe, duke krijuar tek ata “ndjenjën e kufirit”, si mjet për të organizuar dëshirat e shumta, shpesh kaotike e të parealizueshme. Autores nuk i shpëton nevoja e unitetit dikotomik, midis përmbajtjes së edukimit dhe aspekteve estetike, që natyrisht dihet që përbëjnë “thembrën e Akilit” për adoleshentin. Fare qartë ajo vendos në korrelacion, të dy anët e formimit, atë moral dhe estetik.
Dhe më tej, tek adoleshentët thotë autorja, ka probleme në kuptimin e drejtë të raportit të interesave moshore. Adoleshentët kanë shumë kërkesa e dëshira. Shumë prej tyre të parealizueshme. Autorja ngul këmbë, për kujdesin që duhet treguar, për të formuar tek adoleshentët “vijën ndarëse” midis asaj që është e lejuar nga ajo që është shoqërisht dhe moralisht e ndaluar, asaj që është e realizueshme nga ajo që është e pamundur të realizohet. Në këtë kontekst, ajo trajton me sensin e duhur problemet që lindin nga marrëdhëniet e adoleshentëve me drogat, qoftë ato që konsiderohen të ligjshme (në kuptimin që nuk penalizohen nga ligji), sikurse janë duhani, alkooli, ilaçet apo të paligjshmet si marihuana, kokaina, heroina. Një industri toksike e “skllavëruese” që krijon vartësi, e ndan mekanikisht adoleshentin nga familja e shoqëria, duke e lidhur patologjikisht me iluzionet që sjellin drograt.
Nuk mund t’i shpëtonte tërësisë së librit shqetësimi i autores, për problemin e gjuhës dhe mënyrat e komunikimit. Ato janë thelbësore, madje edhe zotërimi i teknikave dhe raportit delikat midis heshtjes kur duhet, dhe debatit interpersonal kur ai është i nevojshëm.
Adoleshentin nuk e “shtyp” dot me forcë e brutalitet. Po e shtype, do të thotë që e ke denatyruar dhe duhet të presim pasoja të hidhura, sikurse janë indiferenca, mbyllja në vetvete, gënjeshtra, hipokrizia dhe kameleonizmi. Ndaj është shumë me rëndësi kuptimi adekuat i veçorive moshore, i cili kërkon aftësi nga prindi, mësuesi, edukatori e kushdo që ka lidhje e marrëdhënie me adoleshentët, përpjekje të vendosura dhe me takt për të kapur “sinjalet e sjelljes”, si mënyrë për të bërë diagnoza të sigurta diferenciale të problemeve me të cilat përballet adoleshenti. Autorja jep këshilla, bën diagnoza, jep receta të thjeshta terapeutike, psikologjike e sociale me vlerë.
Është interesant kapitulli “Të rritësh një vajzë adoleshente është bukur”. Zana Tako ka një vlerësim për kulturën, zakonet dhe traditat e shëndosha si aset edukativ i trashëguar. Këtë kapitull ajo e ka shkruar pa patur frikën e shkarjes në radikalizëm feminist, dhe për pasojë bën një digresion edukativ interesant për rolin sui generis të raporteve nënë-bijë. Por ajo që është më thelbësore, është fakti që ajo me tendencë dhe në mënyrë prioritare, vlerëson rolin e figurave adekuate profesionale në këtë proces sikurse janë psikologu, punonjësi social, psikoterapisti, që janë të aftë për të analizuar problemet të psikologjisë e sjelljes moshore të adoleshentëve. Sidomos evidenton rolin e psikologut, qoftë gjeneralist apo moshor, vlerëson rolin, detyrat, përgjegjësitë e psikologut të shkollës. Por autorja nuk është e njëanshme, që të bëjë vetëm shkollën “kokë turku” apo që mbi mësuesin të bjerrë e tërë barra e edukimit.
Si përfundim, libri ka një mesazh të qartë edukativ, profesional dhe publik që sipas autores, “me punë arrihet çdo gjë”. Kjo është një e vërtetë që duhet vlerësuar seriozisht. Nuk ndryshojnë adoleshentët, ata janë po ata, brenda lëkurës së natyrës së tyre moshore. Ajo që duhet ndryshuar, është mënyra sesi i shikojmë ne ata. Libri na ndihmon si ta kalojmë me durim dhe tolerancë këtë etapë, në mënyrë që adoleshentët të rriten të shëndetshëm, të përgjegjshëm për të përballuar sfidat e jetës së tyre.
Sipas mendimit tim, në shumësinë e ideve të librit, disa prej tyre gjykoj që janë me rëndësi: E para autorja është “partizane” e fortë e familjes, me vlera dhe standarte etike, prindërim modern, sepse trashëgimia e “stofit edukativ” dhe substancës kulturore të familjes është vendimtare në formimin e adoleshentëve. Dhe e dyta, është bindja se “portat e adoleshentëve” të sotëm, nuk mund të hapen me “kyçet e ndryshkur” të edukatës paternaliste. Adoleshentët janë më shumë se bij të familjes, bij të këtij shekulli. Ata janë të përbërë nga tjetër “materje” biologjike, psikologjike e sociale. Panoptikoni human i autores e merr në konsideratë këtë fakt. Në fund fare, mendoj se libri është një thirrje, për rinovimin e raporteve dhe formave edukative në përmbajtje, formë, qëllime e synime. Mesazhe të qarta, të cilat i kupton më mirë, pasi mbaron së lexuari librin interesant të Zana Takos!
Please follow and like us: