25 nëntor në Teatrin e Operas/Mesazhi i Tedi Papavramit para koncertit në Tiranë
Violinisti Tedi Papavrami do të mbajë një koncert në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare më 25 nëntor, shoqëruar në piano nga artisti Philippe Bianconi. Mesazhi i Papavramit:
“Jam i lumtur që po marr pjesë në Javët Kulturore, veçanërisht në ato që paraqesin Shqipërinë. Rastet për të më ndjekur në Tiranë nuk kanë qenë të pakëta vitet e fundit dhe publiku shqiptar më ka falur vëmendjen e tij të shkëlqyer në repertore të ndryshëm. Këtë herë, pas disa integralesh (Bach, Beethoven), do të paraqes një program të kombinuar, midis disa sonatave qendrore të repertorit, rrugëtim midis gjuhëve të ndryshme të kompozitorëve Beethoven, Brahms dhe Franck, me partnerin pianist të mrekullueshëm Philippe Bianconi, me të cilin bashkëpunoj rregullisht që prej 30 vitesh. Më vjen mirë që po ia bëj atë të njohur, me këtë rast simbolik, publikut të Tiranës.
Ndonëse zgjedhja e kompozitorëve të huaj qe logjike dhe përputhet me ekuilibrin e një programi recitali, zgjedhjen e pjesës shqiptare ia lash në dorë një rryme më sentimentale. Jam sigurisht koshient që në historinë e muzikës shqiptare ka vepra më madhështore e të ndërlikuara se “Ballada” e kompozitorit shkodran Pjetër Gaci. Por veprat shqiptare që më lidhin me të kaluarën time në Shqipëri, në një kohë fëminore, kur nuk mendoja kurrë që do të jetoja më vonë në një vend tjetër, nuk janë të shumta dhe asnjë nga ato nuk është aq domethënëse sa kjo pjesë.
Fakti është që para se të shkruaja këto rreshta, sapo nisa të luaj “Balladën” në violinë, për ta kujtuar, këtu në dhomën time të punës në Gjenevë, pa partiturë. Ashtu siç e prisja, çdo notë buronte qartë, pa asnjë hezitim në memorie, në karakter apo në nuanca, si dhe akordet e pianos që më përgjigjeshin në imagjinatë. Herën e fundit që e pata luajtur ishte në Paris, ku sapo kisha mbërritur, 40 vite më parë”.